Mendime
Ndue Dedaj: Tirana dhe gurët e trojeve
E hene, 20.10.2025, 06:58 PM
TIRANA DHE GURËT E TROJEVE
NGA
NDUE DEDAJ
Tirana
është ndërtuar me gurët e trojeve, realisht dhe metaforikisht. Nuk mund të mos
ishin ustallarët dibranë të parët, që e kanë ndërtuar deri në Gjirokastër.
Pallati i Kulturës në qendër të Tiranës, që ka përfunduar në vitin 1964, është
mveshur në pjesën e përparme, përfshi dhe kolonat, me gurin e Qafë Shtamës,
kurse pjesa e prapme me gurët e Karaburunit, aq dekorativë. Përreth Sheshit
“Skënderbe” janë vendosur gurë të mëdhenj shkëmborë të mbartur nga krahina të
ndryshme të vendit. Ashtu si drurët mesdhetarë që harlisën në pjesët e gjelbra
të kryeqytetit. Për të “lulëzuar” mjediset qeveritare qenë shkulur dikur drurët
e parkut “Nënë Mbretëreshë” në Burrel. Ata që patën shkuar nga katundet e
largëta për t’u bërë banorë të kryeqytetit, krahas tironësve të vjetër, morën
me vete simbas traditës, një copë gur a një dorë dhé, për ta “mbjellë” si filiz
në vendin e ri të jetesës. Kështu është krijuar Tirana qytet në fillimet e
veta, me gurët e trojeve, pa harruar asnjëherë qerpiçin vendas, tullën prej
balte të kuqe të tharë në diell, e papjekur në furrë, që rrinte ngjeshur në
muret e ndërtesave si një mozaik i thjeshtë, që koha e hodhi pas krahësh.
Ndoshta nuk duhej flakur ashtu nga kryelartësia e kullave kryeqytetase, që po
kapin qiellin, jo dhe aq për nostalgji, se sa për ta muzeuar diku një traditë
që ngjan si të jetë e fillesës së njerëzimit.
E
nisëm nga muret, po në të vërtetë një qytet e përfytyrojmë gjithnjë nga
njerëzit që i japin frymë. Tirana është qyteti ynë i pazëvendësueshëm, me të
cilin, si ata që ka banuar herët aty, si ata që nuk kanë banuar asnjëherë i
lidhin fije të pafundme, imazhi i parë i së cilës është Kulla e Sahatit, edhe
se tash e lënë plotësisht në hije nga kullat moderne. Të gjithë i kemi dhënë
Tiranës dhe të gjithë kemi marrë prej saj. Thirrjet tona, nga majat e
bjeshkëve, “hej, more, hej”, do të kishin mbetur raspsodike, nëse Tirana nuk do
të na i kishte kthyer në poezi, opera, balet. Aty kemi marrë diplomat, aty kemi
nisur fluturimet për në shtete të tjera. Aty kanë qenë legatat e tash ambasadat.
Por kryeqyteti, ndërkohë që kishte pranuar ne nëpër fakultete, gazeta, revista,
teatro, festivale, për paradoks, kishte përjashtuar nga ndërgjegja e kombit
poetin kombëtar dhe serën e tij. Nuk të përjashtonte Tirana si e tilla, por
hierarkia politike e saj, që ku e ku ishte dhe një mbivendosje krahinore,
sidomos kur dominohej nga “zona e parë operative” etj. Ne nuk e donim Tiranën
një qytet pa palcë, pa nerv, pa vlim, pa ide, identitet e diversitet, pa kulm e
themel, pasi ajo ishte ne. Tirana e pas-Luftës pa Gjergjin në krye të vendit
ishte së pari titiste, pastaj staliniane, së fundi kineze. Tirana e 68-ës me
Kastriotin në pidestal po kthehej nga vetja. E vërteta është që “Gjergjat” e
kanë zënë metropolin e ri jo pa mundim, edhe pse ata kishin qenë qysh në
rilindje të Europës. Nuk është se i donte kryeqyteti cunamet e politikës, po
ato e përfshinin herëpashere në vorbullën e tyre. Tirana krijoi e rrëzoi
Mbretërinë. Krijoi dy herë republikën. Tirana kishte vetinë që “farkëtonte”
udhëheqës të fortë, kryetarë partie –kryeministra si perandorë dhe presidentë të dobët, paçka
se cili ishte i pari sipas protokollit të shtetit.
Tirana
doemos që do t’i merrte të mirat e maleve, familja mbretërore pinte veç ujin e
Qafë-Shtamës, me një makinë që shkonte e vinte çdo ditë për këtë qëllim nga
malësia e Krujës, pastaj qyteti do të pinte ujin e Dajtit, më të cilin dhe do
të ndriçohej netëve, pas ndërtimit të hidrocentralit të Lanabregasit. Në vitet
e “pushtetit popullor” thuhej e gjithë Shqipëria punon për Tiranën, çka ishte e
vërtetë, por dhe Tirana punonte për Shqipërinë, pasi aty ishte selia e shtetit,
shkollat e larta, spitalet qendrore etj. Ama Tirana ishte qytet me “leje”, nuk
mund të bëheshe banor i saj pa vizën e qeverisë. Dhe nuk ishte një leje e
zakonshme banimi, që mund ta lëshonte këshilli i lagjes. Për të ardhur në
Tiranë merrte vendim nomeklatura. Ashtu siç ajo kishte fuqinë dhe të të nxirrte
nga Tirana përkohësisht apo përgjithmonë. Nëse ishe nga fisi dhe nahija e
Byrosë Politike, e zije kryeqytetin menjëherë, në të kundërt vetëm kur t’i
nevojitej nepotizmit ardhja jote. Pas Luftës së Dytë Botërore, Tirana u bë disi
arrogante ndaj pjesës tjetër, asaj që i merrte gurët, drurët, mineralet, bukën,
agrumet për të jetuar dhe për t’u stolisur. Të kishte marrë Partia nga trojet e
largëta të atdheut, për t’i shërbyer asaj, të vinte një kapele me yll në ballë
dhe tashmë ti nuk ishe si ata që kishe lënë atje, me kapelen e shollës të
minatorit mbi krye, por besniku i shtetit. Ishe i nomeklaturës, domethënë vetëm
për të orientuar, drejtuar e kontrolluar ata që nxirrnin mineral, që plugonin
tokën, që prisnin trupa në sharra, që mësonin vocrrakët, që ruanin kufirin. Ëh,
kur u ndanë, kështu na ranë... ishte sarkazma e kohës.
Nuk
mund të kishte një qytet tjetër atë që nuk e kishte Tirana si ekskluzivitet,
qoftë dhe qytete si Shkodra apo Korça, pasi gjithçka tashmë ishte lokale, kurse
qendrore ishte vetëm një, Tirana. Qendra e gravitetit ishte vetëm ajo. Kafja e
Madhe e Shkodrës do të ishte një kafene “popullore” si gjithë të tjerat, pa atë
sharmin borgjez. Kjo krijonte psikozën e qytetarëve të dorës së parë dhe
qytetarëve të dorës së dytë, dikë duke e “llastuar” e dikë tjetër duke e
“diskriminuar” pa dashur. Por nuk kishte qenë kështu e kaluara qytetare e
shqiptarëve. Qytetet e tjera kishin bërë histori, kur Tirana ende nuk ishte
faktor. Prizreni kishte pasur Lidhjen Shqiptare të tij. Po ashtu dhe Peja.
Manastiri Alfabetin shqip. Shkodra Komisinë Letrare. Elbasani Pedagogjiken e
parë dhe Kongresin Arsimor. Vlora epopenë heroike të Luftës së Vlorës. Lushnja
Kongresin që caktoi Tiranën kryeqytet. Natyrisht Tirana kryeqytet do të bënte
epokën e saj, me elitën e saj të shquar kulturore të viteve ’30, jetën mondane
perëndimore, Institutin Femëror “Nëna Mbretëreshë”, Institutin e Studimeve
Shqiptare, Radio-Tiranën dhe gazetat, Universitetin, Akademinë e Shkencave,
Bibliotekën Kombëtare, Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, Teatrin Kombëtar,
Operan, Televizionin.
Tirana
ka do kohë që i ka shtuar unazat e saj, nga “unaza e vogël”, tek “unaza e
madhe”, ashtu si kohët e fundit po marrin një dimesnison modern rrugët
historike të saj, ajo drejt Durrësit, drejt Elbasanit, drejt Dibrës (Rruga e
Arbërit), drejt Kavajës, e vetmja që ka mbetur si dikur është ajo që e lidh
Tiranën me Fushë-Krujën. Megjithatë askush nuk e di se si do të jetë Tiranë
nesër, pasi duket se “fijet” e saj drejt periferisë i tërheqin interesat e
ndërtuesve dhe jo ato të publikut, që kërkon parqe, shkolla, qendra sociale
etj. Tirana tani është në zgjedhje të parakohshme. Do të ishte mirë që
kandidatët të na e kursejnë atë shëtitjen “popullore” nëpër rrugët e
kryeqytetit duke u falur ngrykas e kacarruar gjithë entusiazëm me njerëzit që
hasin. Me dëgjue publikun do të thotë të njihesh me problemet e tij
paraprakisht dhe pastaj të diskutosh me qytetarët zgjidhjet në terren, aty ku
ata jetojnë.
Tiranës
i duhet ruajtur thelbi i saj historik, që jo pak është fshirë nga vërshimi i
ndërtimeve të reja. Gurët e trojeve askund tjetër nuk kanë vlerë, përpos se aty
ku peshojnë më rëndë, qofshin ato dhe gurët e “Argjirosë” apo “Rozafës”. Në
fshatin Kusar të Gjakovës, Preni, njëri nga banorët, që ka shëtitur gjer në
Japoni ka ndërtuar një resort turistik, që e ka quajtur jo rastësisht “Gurët e
Trojeve”, pasi ai objekt është bërë me gurë të marrë nga të gjitha trojet
shqiptare në “bagazhin” e makinës së tij. Kësisoj ky resort mund të quhet dhe
muzeu i gurit shqiptar.