E marte, 21.10.2025, 06:58 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Llesh Ndoj: Duhet kthyer shpresa, që të rikthehet jeta

E hene, 20.10.2025, 06:57 PM


Duhet kthyer shpresa, që të rikthehet jeta

-Në Domgjon për “festo n’Mirditë”-

Nga Llesh Ndoj

Sa herë gjej një shkak, më mirë të them një preteks se shkaku është i përhershëm e i ngjizur brenda meje, nuk hezitoj të dal në vendlindjen time, në fshatin e bukur Domgjon. Ndodh shpesh që kjo dalje të jetë për raste fatkeqe, por kësaj radhe nuk ishte ky preteksi.

Nga publikimet e Infokulla “Mirdita” mësova për një aktivitet dy ditorë, titulluar “Festo n’Mirditë” që zhvillohej në datat 17 e 18 tetor, në disa zona të Mirditës, nisur nga Rubiku, Rrësheni, Spaçi dhe Domgjoni. Aktivitetet zhvilloheshinn në kuadër të projektit “Mirdita - Junik”, i cili financohet nga Bashkimi Evropian përmes programit IPA CBC Shqipëri–Kosovë, dhe zbatohet nga CHwB Kosovë, Bashkia Mirditë, Komuna Junik dhe Qendra UET. Projekti synonte promovimin ndërkufitar të resurseve dhe vlerave turistike si dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik në të dy njësitë lokale. Ky program parashikonte edhe një koncert artistik në Domgjon, krahas aktiviteteve të tjera në Rrëshen, Rubik e Spaç. Shfrytëzova njohjen me të palodhurin Nik Nikolli për të mësuar më shumë rreth programit dhe orareve të veprimtarive dhe vendimi im i heshtur ishte: Me datë 17 tetor do të jemë në Domgjon për të ndjekur aktivitetin e organizuar në vendlindjen time, gjurmët e të cilës tek unë nuk kanë për t’u zhdukur kurrë, edhe pse praktikisht ka 48 vite që jam larguar e zyrtarisht tash 27 vite askush nuk gjallon në trojet e familjes time.

Dita qëlloi me shi e Munella dhe Domgjoni ishin veshur me një tis të murrmë, që kontrastonte dukshëm me gjelbërimin ende të pa kaluar të verës, e ngjyrat e bukura vjeshtës që tashmë ka trokitur. Mbi Munellë një mjegull e dendur sikur i jepte hijeshi krejt zonës dhe ngjante me kësulën e bardhë me maje që mbajnë tradicionalisht domgjonasit.

Tek kafja e Martinit, e vetmja e mbetur në fshat, u takuam me shumë djem e burra vendas me të cilët u shmalla. Pastaj erdhën me radhë edhe bashkëfshatarë të tjerë, disa prej të cilëve mu desh t’i pyesja se kush janë, të ftuar nga zonat përreth, organizatorë e artistë.

Mark Ruçi, njëri nga kordinatorët e drejtuesit e aktivitetit, flet me fjalë shpirti për këtë fshat të veçantë mirditor dhe mendon se ai duhet e do të gjallërohet vetëm përmes turizmit. Ai ka të drejtë kur thoté se i njeh mungesat e vështirësitë që hasen, por se ajo që duhet të bëjnë vendasit dhe që vjen e para në radhë dhe më kryesorja është që ata të bindin veten: Po ne mundemi! Mikpritjes shembullore tradicionale le t’i shtojnë edhe pak elemente të tregëtisë, pak bujtina dhe… Domgjoni do të mbushet me turistë.

Edhe më skeptikët e kësaj perspektive mund e duhet të binden për këtë. Në koncertin që për arësye kohe u mbajt tek lokali i Martinit e jo tek Gurra e Lashtë, ashtu siç ishte planifikuar, ndër pjesmarrësit binin në sy një grup turistësh gjermanë, afro 10 të tillë, që ishin më aktivët e më entuziastët mes nesh. Zef Marku, një djalë i ri vendas, u ka krijuar atyre kushtet e një kampingu modest dhe i shoqëron ata, duke u përkthyer bisedat e fjalën e rastit, por edhe duke i udhëhequr ata në shijimin e bukurive domgjonase që nga Gurra e deri në bjeshkën e bukur të Munellës.

Kastriot Kola, këngëtari fanas me zë bilbili, me detyrë përgjegjës për folkun dhe inspektor i Trashigimisë Kulturore në Bashkinë Mirditë, kryesonte grupin e vogël të artistëve që përformuan atje. Bashkë me të ishte këngëtari i mirënjohur Kol Zefi dhe këngëtarët e talentuar Pashk Filopati e Marjan Lleshaj të grupit të burrave Mirditë. Ishte edhe grupi i valleve te Qendrës Kulturore Rubik, udhëhequr nga koreografi Fran Gjergji, i përbërë nga një një grup djemsh e vajzash të reja të veshur me kostume popullore tradicionale vendase, të cilët performuan disa numra koreografik me motive vendase, por edhe shoqëruan këngëtarët në performancat e tyre. Kënga e vallja ushtoi fuqishëm edhe pse në kushte të vështira për shkak të motit, e kjo më solli në kujtesë disa vite të arta në këtë aspekt, kryesisht vitet 70 - 80 të të shekullit të kaluar, kur aktiviteti artistik, kryesisht me inisiativën e drejtimin e shkollës e mësuesve të talentuar e gjallëronte jetën e fshatit, të mbytur nga zymtësia e varfërisë dhe shtypja politiko – ideiologjike që për herë të parë, veç Zotit, u kishte vënë korniza të hekurta edhe domgjonasve.

Duke vështruar stendën ku afishoheshin të dhënat për këtë aktivitet, më bënë kurioz disa logo e fjalë, sidomos ajo “Mirdita - Junik”, ndaj e pyeta pë këtë mikun tim Nikë Nikolli, që s’po i zinte vendi vend nga se u detyruan ta ndryshojnë vendin e aktivitetit. Ai më tha se aktiviteti sponzorizohej nga Bashkimi Evropian dhe kishte si synim aktivitetet e përbashkëta me fokus turizmin në zonat kufitare, e në këtë rast ishte në qendër Mirdita jonë e komuna Junik e Kosovës shqiptare.

Përshëndetja e z. Sali Shohi, drejtor i CHwB - Kosovë, lider i projektit, i dha gjallëri fjalës dhe u përshëndet në gjuhën e tyre edhe me turistët gjermanë. Ndërsa Julian Mandreja, një djal i ri e plot pasion për punën, m’u afrua bashkë me Nik Nikollin. Atë ma prezantoi Nika, ndonëse njiheshim virtualisht edhe më parë përmes rrjeteve sociale, funksion që e çmoj si një nga të mirat reale që vjen prej tyre. Njëjtë më njohu edhe një vajzë bashkëfshatari që kurrë s’ishim takuar me të. “Ti duhet të jesh ai që shkruan…Lleshi”, - më tha, ndërkohë që unë i zura emrin e të atit.  Juliani kërkoi të dinte nëse unë mund të thoja ndonjë fjalë për televizorin ABC NEWS, që e ndiqte aktivitetin, kurse unë shfrytëzova rastin ta pyes atë për punën, për kolektivin, për shumëçka, dhe në fund e ngacmoj me kast edhe për humanisten e pashoqe Marianne Graf.

-Si është ajo mirditorja më e veçantë nga Austria?- i them. Biseda këtu rrodhi natyrshëm në ato që përbëjnë fakte për të gjithë ne, rreth pasionit, vizionit, punës e këmbënguljes së saj.

-Shpesh, - më thotë ai, - ndjehemi keq me veten se është vështirë ta ndjekësh atë zonjë në punën, pasionin e vizionin që ka!

Domgjoni është njëri nga fshatrat më të hershëm të banuar në zonën e Fanit. Faktet na çojnë rreth 2000 vjet në lashtësi, por gojëdhënat e tejkalojnë edhe këtë periudhë. Kalaja, apo Qyteza daton në shekullin e IV, Gurra apo Ujësjellësi i Lashtë në shekullin e V - të, Lteri né shekullin e VIII - të. Fatkeqësisht Kalaja, ose Qyteza si e thërrasin vendasit, thuajse ka humbur çdo gjurmë, por Gurra ruan ende jo vetëm arkitekturën e veçantë e thuajse unike, por edhe funksionalitetin e saj tash 1500-1600 vite. Krijimi i kushteve për jetesë në atë vend të bekuar ishte nxitja që domgjonasit ta ndërtojnë atë vepër unike, dhe jo nevoja të përkohëshme, siç mund të ishin ato të ndonjë garnizoni ushtarak perandorak romak etj, dhe ajo vazhdon të jetë lehtësia më e madhe që trojet domgjonase poshtë saj të gjallojnë edhe sot. Me pak investime, ajo mund të ishte edhe një destinacion turistik i veçantë. Poshtë saj Lteri, ndonëse i cunguar, reziston e dëshmon. Por ka akoma vende të pa eksploruara si në fshat, ashtu edhe në Munellë. Aty afër janë trojet ku kanë jetuar stërgjyshërit e personalitetit shumëdimensional kombëtar, Fishtës së madh, e edhe ato mund të ishin burim tërheqës për turistët, me shpenzime minimale.

Rruga e makinës e mbetur udhëve, është kushtëzuesi më i madh që e mban Domgjonin, këtë perlë të natyrës e kështjellë të shpirtërave të bukur larg frekuentimit masiv nga turistët, të cilët mund ta vizitojnë rreth 9-10 muaj në vit atë fshat të mrekullueshëm, por edhe nga gjallërimi i trojeve të bekuara nga rikthimet e vendasve, qoftë edhe pë periudhën e verës e vjeshtës dhe gjallërimin me funksion turizmin të kullave që flenë trishtueshëm.

Domgjonasit janë njerëz shumë bujar. Çdo mirditor është bujar e kur i bëzanë tek kulla të thotë: shtëpia ime është e Zotit dhe e mikut, por domgjonasi, pa të njohur kurrë, të ndalon në rrugë e të thotë: hajde ka shpia! Jo, a po vjen, po hajde! Po ta shihje sot djalin e mrekullueshëm domgjonas, Ylli Lleshin, mjeshtrin duarartë, patjetër do të kishe më shumë mirëkuptim rreth atyre që shënova më sipër për bujarinë e domgjonasve. Ai kishte marr një bidon me raki e një me venë nga shtëpia, kishte blerë gotat plastike e donte t’i qeraste të gjithë pjesëmarrët atje te Gurra e pranë trojeve të Fishtës.

-Shiti, - i them unë.

-Jo! Vetëm falas, - ma ktheu ai.

Kjo, sado që më pëlqen, është koha që duhet me e ndryshuar. Turizmi do shpirt mikpritës, por edhe mentalitet tregtari.

Pyetjes së një gazetareje të pranishme se ç’e bën të veçantë këtë fshat i rreshtova lashtësinë, historinë, pamjet e bukura e terrenin malorë por jo aq të thyer, pastaj vazhdova me bujarinë e spikatur të domgjonasve. Në vijim i fola për besimin e tyre të palëkundur, duke e sqaruar se edhe emri i dikurshëm i fshatit, Bera, vinte në përkujtim të Shën Barnabës, pajtor i kishës tonë, emër i cili më vonë u bë Domgjon, në përkujtim të klerikut që i dha jetë vendit atëherë kur gjallimi aty kishte qenë në zgrip,  dhe që janë dëshmi e palëkundur për besimin e banorëve vendas. Mirëpo ata janë besimtarë të emancipuar e të kulturuar, jo praktikant dogmatik të normave fetare. Aty gjenë mikpritje katoliku, ortodoksi, myslimani e kushdo që mësynë për mik.

Gazetarja, duke qenë se kishte eksploruar rreth fshatit për nevoja të detyrës së saj, ndoshta e mrekulluar nga muret e kullave prej guri kudo, më përmendi mjeshtrinë e vendasve. E kjo është një tjetër e vërtetë e pamohueshme dhe e faktuar që i bënë vendasit të veçantë. Shih Gurrën mbi 1500 vjeçare qé s’dorëzohet as sot, shih kullat e bukura që gjallojnë, por edhe ato të braktisurat, të cilat edhe pse s’kanë çati “mbi kokë”, kanë mure që s’njohin afat skadence. Ndërtimet me hekur e beton kanë 100 vite garanci, ndërsa ndërtimet me mjete rrethanore të domgjonasve s’kanë nevojë për garanci. Garancia e tyre është profesioni i trashëguar dhe i dëshmuar i vendasve. Sepse domgjonasit flasin me gurin. Po, po! Flasin me gurin si me një qënie të gjallë! Se ata e kanë njohur gjuhën e tij, prandaj e kanë shkrirë gurin mineral në furra primitive, e “gurët e gjodhive” na vijnë si dëshmi e kësaj zeje; ata kanë folur me gurin e kanë prodhuar prej tij gëlqeren e mrekullueshme, markë që vitet ia shtojnë forcën; ata ia dinë gjuhën gurit pranndaj e gdhendin atë si t’ishte dru, jo gurë, bëjnë mure arti me duart a tyre, nxjerrin gurë për mullinj e bëjnë plot gjëra dekorative, njëra prej të cilave, e vendosur sapo hyn në qendër të fshatit të grish me fjalët e gdhendura në gur: “Mirë se vini në Domgjon”. Është kjo një trashëgimi që s’dihet kur ka nis, e s’do të përfundojë kurrë. Brezi i ri i ndërtuesve si Ylli, djemtë e talentuar të derës së Çunajve, të Pacit e plot të tjerë janë garancia për vijimësinë. Njëjtë kjo si me zbuluesit e ujit e ndërtimin e tuneleve, vijnajëve, mullinjve, puseve etj. Përvoja e lashtë u bart tek Ndue Përndreca për rreth 50 vite, dhe vazhdon edhe sot tek një brez i ri, si Nikoll M. Nikolli etj.

Mirëpo turizmi është ndoshta e vetmja garanci mbijetese për të gjithë Domgjonin. Elementet e parë pionier kanë nisur. Zef Marku mbetet fort aktiv me kampingun e tij modest, Lek Çuni ka një bujtinë aktive, disa kulla janë në këmbë e mund të përshtaten lehtë, por vendasit duhet t’a vrasin frikën e shteti duhet t’i kthejë sytë atje për çka i takon atij.

-Të paktën dy herë në vit, më thotë Nika, aktivitete të tilla do ta gjallëronin vendin e krijonin shpresën. Edhe unë njëjtë mendoj, por duhet që ne vendasit të gjejmë formën e një organizimi, qoftë edhe si shoqatë apo… I Shmarramej, 11 qershori i çdo viti, mund të kthehet në një festë masive motivuese, por edhe në një panair tregtie për prodhimet vendase. Livadhet e bukura në Munellë, sidomos Hurdhëdushja, janë një amfiteatër i mrekulkueshëm që kush shkon njëherë zor me iu nda më…

Jetoj me shpresën që ta shoh veten shpesh e më shpesh si turist në vendin ku u linda, u rrita dhe u bëra prind për herë të parë.

Domgjon

17 tetor 2025



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx