Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Roli publik i filozofisë sipas Michael Sandel
E hene, 20.10.2025, 06:58 PM
Prof. Blerim Latifi:
Çmimi
Berggruen për Filozofi dhe Kulturë, që jepet çdo vit në Shtetet e Bashkuara për
të nderuar mendimtarë që kanë ndikuar në mënyrën se si njerëzimi e kupton veten
dhe botën, këtë vit iu nda Michael Sandel-it, një prej filozofëve më me ndikim
në filozofinë politike bashkëkohore.
Mendimi
i Sandel-it zhvillohet brenda debatit kryesor që karakterizon filozofinë
politike bashkëkohore: debati midis liberalizmit dhe komunitarizmit.
Ky
debat e ka origjinën në veprën monumentale të John Rawls, Teoria e Drejtësisë
(1971), me të cilën filozofia politike u rikthye fuqishëm në qendër të
reflektimit filozofik, pas një periudhe të gjatë margjinalizimi, si pasojë e
dominimit të filozofisë analitike në universitetet amerikane dhe të
pozitivizmit veberian e marksist në shkencat sociale të Evropës kontinentale.
Në
këtë debat, Sandel pozicionohet qartësisht në anën e komunitarëve. Në librin e
tij të hershëm "Liberalizmi dhe kufijtë e drejtësisë", ai kritikon
konceptin e “unit” të Rawls-it, i cili e përshkruan njeriun si një subjekt
racional dhe autonom, të shkëputur nga lidhjet e tij historike, kulturore e
morale. Për Sandel-in, ky “unë” i zhveshur nga çdo përkatësi është një
abstraksion që nuk e përshkruan realitetin e qenies njerëzore. Individët nuk
ekzistojnë si njësi autonome, por janë të formuar nga komunitetet e tyre,
traditat, vlerat dhe marrëdhëniet reciproke. Kjo është arsyeja pse drejtësia
nuk mund të kuptohet si një çështje procedurash të pêrgjithshme, por si një
praktikë që buron nga jeta morale e bashkësive konkrete.
Natyrisht,
kritika e Sandel-it ndaj liberalizmit nuk është një refuzim i lirisë
individuale, por një kërkesë për ta rikthyer etikën e përbashkët në zemër të
politikës. Ai argumenton se një shoqëri që e kupton drejtësinë vetëm përmes të
drejtave individuale dhe tregjeve të lira, pa një ide të përbashkët të së
mirës, përfundon në atomizëm moral dhe boshllëk të qytetarisë. Ky boshllëk
pastaj mund të rrezikojë të mbushet nga ideologji antiliberale dhe
antidemokratike.
Në
këtë kontekst shfaqet dimensioni i veçantë i filozofisë së Sandel-it: roli
publik i filozofisë.
Për
Sandel-in, filozofia duhet të dalë nga muret e akademive dhe të bëhet pjesë e
debatit publik. Prej vitesh ai e ka kthyer filozofinë politike në një platformë
të hapur për publikun përmes ligjëratave, librave dhe diskutimeve publike që
kanë frymëzuar miliona njerëz në mbarë botën. Kursi i tij “Drejtësia” në
Harvard është shembull i gjallë i filozofisë publike, një përpjekje për ta
kthyer arsyetimin moral brenda jetës demokratike. Kjo, në fakt, është
revitalizim i traditês sokratike, në të cilën roli publik i filozofisë është
puna dhe vlera kryesore e saj.
Në
reagimin e tij ndaj dhënies së çmimit, Sandel shkroi se “filozofia nuk është
një luks akademik, por një mjet për të kuptuar vlerat që na lidhin si njerëz
dhe si qytetarë. Në një epokë të polarizuar, ne kemi nevojë të rikujtojmë se
debati moral është thelbi i demokracisë, jo kërcënimi i saj.”
Me
fjalë të tjera: filozofia ose duhet t’u shërbejë vlerave të një shoqërie të
lirë dhe të drejtë, ose rrezikon të kthehet në një erudicion të thatë dhe
përfundimisht në muze të ideve.