E hene, 20.10.2025, 08:00 AM (GMT+1)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Një heshtje që flet për ikjen...

E diele, 19.10.2025, 06:55 PM


Prof. Blerim Latifi:

Kjo është një fushë sporti në fshatin Polac të Skenderajt. Është ndërtuar para disa vitesh, me qëllim që fëmijët dhe të rinjtë e katundit të luanin aty. Por sa herë që më bie rasti të kaloj andej, nuk shoh kurrë askënd duke luajtur. Arsyeja dihet: katundet po përjetojnë zbrazjen demografike. Edhe ata pak fëmijë që ende jetojnë në to, tani argëtohen në fushat e lojërave digjitale. Argëtimet e kohërave të shkuara nuk u bëjnë më asnjë përshtypje. Ata janë Gjenerata Z, ndërsa kjo fushë i përket kulturës së një gjenerate tashmë në prag të pleqërisë, Gjeneratës X.

Deri pas luftës, kjo fushë ishte një gropë e mbushur me ujë, i cili as gjatë verës nuk shterronte, ndërsa dimrit uji dilte nga brigjet dhe e përmbyste rrugën e katundit, duke e kthyer në baltë të pakalueshme. Në dimrin e vitit 1945, aty ishte zhvilluar një nga betejat më epike gjatë kryengritjes së Shaban Polluzhës. Njësiti i Aziz Zhilivodës, bashkë me atë të Isuf Gilanit, i kishin zënë pritë një batalioni partizan. Pothuajse i gjithë batalioni ishte vrarë. Të nesërmen, një brigadë partizane kishte arritur aty dhe, në shenjë hakmarrjeje, kishte filluar masakrën mbi civilët e gjetur në katund. Mbi pesëdhjetë burra ishin vrarë dhe hedhur në Lkenin [Liqenin] e Polacit, ndërsa katundit i ishte vënë flaka.

Sot, kjo kujtesë po humbet në heshtje. Askush nuk e përmend më betejën, as emrat e atyre që u masakruan pas saj. Fusha, që dikur ishte gropë uji dhe më pas vend gjaku, e mandej ngrohja globale e thau përfundimisht, për t'ia lënë vendin fushës sportive, tani qëndron e qetë, me barin që rritet mbi kujtimet e harruara. Heshtja e saj është e thellë. Një heshtje që flet për ikjen e ngadalshme të njerëzve, të kujtimeve, dhe të vetë kuptimit të vendit.

______________

Para Gjergjit. Me flamurin e tij. Qysh u ka hije shqiptarëve.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx