Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Gruaja, ajo që mëkon dhe mbron me shpirtin e saj hyjnor, dashurinë dhe jetën
E hene, 20.10.2025, 06:56 PM
Gruaja, ajo që mëkon dhe mbron me shpirtin e saj hyjnor, dashurinë dhe jetën
Nga
Albert Vataj
Ka
diçka të shenjtë në mënyrën se si një grua e mban botën mbi shpatulla, jo si
mit, por si përditshmëri e heshtur. Ajo është fillimi dhe përfundimi i çdo
fryme, drita që mëkon, forca që duron, heshtja që krijon. Në të rrjedh një fuqi
që nuk ka nevojë për zë të lartë, sepse shprehja e saj është vetë jeta: lindja,
mbrojtja, dashuria, përjetësia.
Në
çdo epokë, në çdo kulturë, në çdo formë ekzistence, gruaja ka qenë arkitektja e
ndjesisë njerëzore, ura midis tokës dhe qiellit, midis materies dhe shpirtit.
Ajo nuk është thjesht gjinia që sjell jetën, por është vetë rrjedha e jetës,
parimi i butësisë që ruan ekuilibrin e botës, ndjenja që zbut egërsinë e
ekzistencës, drita që shuan hijet e njeriut.
Në
një botë që shpesh është ndërtuar nën simbole falike dhe struktura të pushtetit
maskilist, gruaja mbetet forca e padukshme që e shëron këtë botë, që e ringjall
me dashuri, që i jep kuptim dhe që e bën të jetueshme. Ajo është përkujtim i
asaj që njerëzimi shpesh harron: se asgjë nuk mund të mbijetojë pa
dhembshurinë, pa mëshirën, pa gjirin që ushqen dhe shpirtin që fal.
Feminiteti
është energjia krijuese e universit, një rezonancë e heshtur, por e përjetshme,
që lëviz gjithçka drejt ndriçimit dhe dashurisë. Gruaja është tempulli i kësaj
energjie, një prani që mban të gjallë fjalën “jetë”.
Ajo
është zëri i Nënës Tokë, që flet në gjuhën e kujdesit, që mëkon dhe mbron, që
jep pa llogari dhe fal pa kushte.
Në
këtë frymë vjen edhe mendimi i Greg Ray Dunnett, i cili e shquan parimin
femëror si forcën themelore kozmike, si origjinë dhe shpresë të njeriut. Dhe në
këtë thelb të amshuar, shkrimi që vijon nuk është thjesht një reflektim, por
një nderim ndaj atij frymëzimi që vjen nga gruaje, ajo që jep jetën, e mëkon me
dashuri, e ruan me përkushtim, dhe e mban të gjallë me një forcë që as koha, as
bota, nuk mund ta shterojnë.
Greg
Ray Dunnett, në një ngulm të shpirtshëm komunikimi, në një reflektim mbi të
sotmen dhe nevojën për mëkimin e
dashurisë si një akt hyjnor jete, shprehet se: Forca themelore kozmike ka qenë
gjithmonë dhe do të jetë gjithmonë parimi femëror.
Vë
bast që burri më mashkullor dhe më i emancipuar, ka një shpirt femëror, duke i
dhënë atij një fuqi maskilizmi të lëmuar, një aftësi spektakolare komunikimi,
një marrëdhënie dhe joshjeje dehëse dhe rrëmbyese të sprovuar, në të kuptuarit
të çdo fije nervore dhe zone erogjene, duke kapur çdo sinjal dhe kuptuar çdo
mesazh, natyrshëm që vjen nga shpirti i tyre.
Kjo
botë do të ishte shterpët pa gratë dhe shpirtrat e tyre jetëdhënës që
pasqyrojnë Nënë Natyrë në dashamirësinë e saj në nivelet më të shumëfishta, për
të gjithë ne, shpirtin e skalitur në dallgë, ndjenjat e mbrujtura në përjetime.
Ashtu
si perceptimi jashtëshqisor, intuita e një gruaje është diçka e gjithëçkasë së
saj të komunikimit, me të cilën ajo ka lindur, pa u mësuar, duke rezonuar dhe
duke u larë në të brenda, para dhe pas lindjes.
Siç
nuk ka art pa zemër, nuk ka natyrë të pandryshueshme pa krijimin e Nënës që rri
pezull mbi të gjitha gjërat e shpirtshme, që vijnë nga gruaja sensuale dhe
burrat me shpirt gruaje.
Barku
i botës është edhe marrës edhe dhënës i jetës, është gjithashtu e vërteta
shumëdimensionale e çështjes së themeltë të kuptimësisë së qenies, që na ushqen
shpirtin dhe na bën të plotë.
Gruaja,
kjo grua burrë, asnjëherë ajo nuk është një kërcënim për burrin e saj, ajo si
model na fton të gjithëve në dëshirimet e zemrës, duke na ndriçuar në çdo natë
që rrëzohet thellë nesh dhe zgjaton si një makth, duke larguar errësirën e
vetë-iluzionit dhe duke na çliruar prej çdo kufizimi dhe duke na trimëruar në
çdo sprovë zemre .
Femra
Hyjnore është para gjithmonë, që nga fillimi i qytetërimit, si burimi themelor
kozmik, Nënë Toka si një lloj hyjnie femërore, është altar dhe predikim, është
lutje dhe shpirti i paepur.
Cilësitë
e saj prej misionareje, si dashuria, kujdesi, përkushtimi dhe intuita janë
thurur në mënyrë të pashlyeshme në strukturën e krijimit dhe njerëzve
krijues.
Një
shoqëri e dominuar nga meshkujt, cek më tej Dunnett,
feja
dhe qeverit dominuar prej tyre, janë rrëzimi i njerëzimit dhe njerëzores, nën
një gërryerje nga brenda dhe nga jashtë të lëndës jetësore dhe ndjesore, janë
një zbrazje asgjesuese prej lëndës shpirtërore, siç po shohim aktualisht në
shekullin e 21-të.
Është
një strukturë falike që duhet çmontuar dhe parë se çfarë është; sepse pushteti
i maskiliziar dikton kontroll mbi jetën e njerëzve për të gjitha arsyet e
gabuara… dhe i vetmi shpëtim është gruaja që i kundërvihet me qëndresën e një
zemre që jep jetë dhe e mëkon jetën, dhe mbron atë me dashuri për jetën.