Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Duhet të duhemi…
E shtune, 11.10.2025, 02:39 PM
Duhet të duhemi…
Nga
Albert Vataj
...
sepse vetëm dashuria mund të na tregojë se çdo gjë në jetë merr kuptim nga
dashuria dhe vetëm ajo.
...
sepse duke dashuruar mësojmë se sa të rrezikshme janë urrejtja dhe smira, inati
dhe përbuzja, të cilën nuk i mundim dot me asgjë, veçse me shpirtin
ngadhënjimtar të dashurisë.
...
sepse asnjë pengesë apo vështirësi nuk e ndaloi dashurinë të jetë forcë, për të
shndërruar çdo pengesë dhe vështirësi në mundësi.
...
sepse, çdo aftësi dhe talent, çdo kurajë dhe besim, mundën të ishin forca
transformuese nëpërmjet dashurisë.
...
sepse, ajo dashuria ka sy qielli që më tregojnë përmasat e lirisë që mëkon ajo,
çiltërsisht dhe pastërtisht, pa patur nevojë të numërojë vitet, apo të peshojë
kilogramët.
...
sepse mund të përdorësh çdo marifet dhe dallavere, çdo nënshtrim dhe poshtërsi,
çdo pushtet dhe privilegj, për të patur çfarë do, për të zotëruar sa dëshiron,
por gjithë këto do ta kenë të pamundur të të bëjnë të lumtur, pa dashuri.
...
sepse, çdo sy që pa, çdo fjalë që ligjëroi, çdo prekje që drithëroi, çdo puthje
që dalldisi, çdo kurm që dëshirimeve të pasionit u dogj, çdo përjetim që na
shndërroi në frymë, erdhën si aktet e vullnesës hyjnore për të na treguar, se
sa tokësore janë mrekullitë e ndjenjave dhe sa qiellore është dashuria, dhe se
me çfarë ne meritojmë të shpërblehemi.
...
sepse është dashuria ajo që shpirtin e bëri fuqi krijuese e të të bukurës, duke
bërë që çdo ndjenjë dhe pasion, çdo shqisë dhe qelizë, të gjenerojnë energjinë
e atij dielli që na ngroh dhe na ndrit, duke na mësuar se si të jemi të pasur
dhe të lumtur.
...
sepse nuk di të ketë një gjë të vetme, sado minimaliste, e cila nuk erdhi për
të qenë vepër dashurie.
...
sepse nuk ka betejë që nuk u bë për dashurinë, dhe nuk ka luftë që nuk e fitoi
dashuria.
...
sepse, ju mund të mos besoni verbërisht, por dashuria mund të bëjë që jo vetëm
ne të ndryshojmë, por edhe fytyra jonë të tjetërsohet, sa ta kemi të vështirë
ta njohim veten.
...
sepse është ajo, dashuria që mund të bëjë magji dhe të na magjepsi me
vështrimin e saj plot dritë, fjalën e ëmbël, prekjen e butë dhe përjetimin e
fuqishëm.
...
sepse mund të provosh çdo shteg dhe rrugë, për të mbërritur ku do, por është
dashuria, dhe vetëm ajo që mund të të udhëprijë urtësisht ku të çon zemra.
...
sepse është dashuria ajo, e cila edhe kur gabon, mund të të plagosë, por është
po ajo që të shëron, duke të të mësuar se plagët nuk na vrasin, por na tregojnë
se ato janë sprova të shpirtit, për të matur çdo gjë me rrahje zemre dhe për të
mësuar se sa jemi të denjë për dashurinë.
...
sepse, dashuria nuk është seksi dhe vetëm ai i shfrimit të epsheve, por
solemniteti i mahnitshëm i pranisë dhe komunikimit ndjesor, i dehjes prej
aromave të trupave, i rrahjes së shpejtuara të zemrave, i prekjes ledhatare të
duarve, i përplasjes së buzëve në puthje, i kopulimit të trupave, i shkëmbimit
të lëngjeve, i kolovitjes në melodinë e përgjërieve, i, i gjithçkaje që përbën aktin
që i blatohet dashurisë, si të vetmes perëndi që ajo njeh dhe beson.
Duhet
të duhemi...
sepse
edhe unë si ti, dua të dua dhe të më duan, dhe t'i tregojmë çdo zemre dhe t'i
dëshmojmë çdo shpirti, se dashuria është ajo që na duhet; që të mund të kemi ç'farë
dëshirojmë; të jemi ç'farë na bën të denjë
për çdo bekim hyjnor që na blaton dashuria.