E premte, 03.10.2025, 01:31 AM (GMT+1)

Kulturë » Vataj

Albert Vataj: A është në vullnetin tuaj të zgjidhni, nëse do të jeni dritë apo zjarr?

E enjte, 02.10.2025, 06:54 PM


A është në vullnetin tuaj të zgjidhni, nëse do të jeni dritë apo zjarr?

Nga Albert Vataj

Ligjësitë e jetës në rrafshin ndjesor nuk kanë qenë kurrë të buta me ne. Shpesh na e bëjnë të vështirë të gjejmë përshkueshmërinë e duhur të qenies sonë në marrëdhënie, në pritshmëri, në zgjedhje. Jeta nuk është një çast i vetëm, por një varg shkreptimash; dhe mjafton një prej tyre për të verbuar, për të lënë përgjithmonë pa dritë horizontin e së ardhmes.

Ndjenja, pasioni, intimiteti, këto shpërthime që bartin potencial të pamasë, shpesh tejkalojnë aftësinë tonë për t’i menaxhuar. Arsyeja dhe vetëdija, të ndrojtura përballë impulsit, lëshojnë dorën duke ia dorëzuar gjithçka rastësisë, që shpesh merr kahjen e seksit të çliruar nga çdo përgjegjësi. Dhe befasitë e kësaj dorëzimi nuk janë kurrë falas: ato kërkojnë tarifa të rënda, shlyerje që na ndjek si mallkim, si një detyrim i pashmangshëm ndaj vetvetes.

Ne duhet të ndërgjegjësohemi se komunikimi fizik nuk është vetëm një akt intim, por një shkëmbim i thellë biologjik, bartës i lëndëve dhe energjive që jo gjithmonë gjejnë përputhje. Pasojat, të shfaqura shpesh më vonë, nuk janë aq sociale sa janë shëndetësore, të maskuara nën petkun e pasionit, të lindura nga një verbëri e përkohshme që shndërrohet në plagë të gjatë.

Natyra na ka pajisur me një privilegj të rrezikshëm, zgjedhjen. Ne vendosim nëse do të jetojmë demoniken apo engjëlloren, nëse do të shndërrohemi në dritë që ndriçon ose në zjarr që djeg. Kjo zgjedhje është një zgjedhë e brendshme, një detyrim për të konvertuar potencialet tona ndjesore, për t’i kthyer ato në energji ndërtuese apo shkatërruese.

Shumë gabojnë, dhe shpëtimi i vetëm që u mbetet është ndërgjegjësimi, shpesh i vonuar, se kanë marrë rrugën e gabuar. Por kur kjo ndodh, mundësia për të rishkruar një realitet tjetër është tashmë e pamundur. Nëse do të jesh dritë apo zjarr, këtë shpesh nuk e përcakton zgjedhja e vetëdijshme, por një forcë e pavullnetshme që ka vulosur fatin. Njeriu mbetet vetëm me mundësinë që zjarrin ta kthejë në dritë, edhe teksa digjet.

Ekzistojnë njerëz për të cilët dashuria nuk mjafton, edhe pse ajo është forca më lëvizëse dhe transformuese. Ata janë trupa të ngopur, qenie të ngurtësuara, të mpira, ku çdo gjallëri është shuar në një ngjarje të brendshme mortore. Lëvizin si hije, pa shpresë për të ndjerë ngrohtësinë e një përqafimi. Në to, dashuria kthehet në rrufe të verbër, pas së cilës mbretëron errësira më e dendur se çdo terr tjetër.

Dashuria e lindur nga faji dhe ligështia është një çerdhe me dushk e gjemba, që të gërvisht e të helmon. Por njeriu, po të dojë, mund të ëndërrojë ndryshe: të endë një idil, të mbjellë aty barëra aromatikë dhe lule dehëse, të ndërtojë një kopsht ku shpresa merr frymë. Sepse në fund, çdo zgjedhje është një farë, njëra jep dritë, tjetra djeg.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx