E diele, 28.09.2025, 11:59 PM (GMT+1)

Kulturë

Lekë Mrijaj: Një vepër studimore me peshë të veçantë dokumentare, shpirtërore, kulturore dhe kombëtare

E premte, 26.09.2025, 06:55 PM


Libri "Famullia e Binçës " i autorit Frok Zefi, është një vepër studimore me peshë të veçantë dokumentare, shpirtërore, kulturore dhe kombëtare

Shkruan: Lekë Mrijaj

Libri monografik "Famullia e Binçës" i studiuesit don Frok Zefit paraqet një vepër me peshë të veçantë dokumentare, shpirtërore, kombëtare dhe kulturore, që ruan në brendësi një pasuri të jashtëzakonshme të kujtesës kolektive të katolikëve të Anamoravës. Ky botim nuk është vetëm një histori kishtare, por një dëshmi e gjallë e qëndresës, përkushtimit dhe identitetit të një bashkësie që ka ruajtur besimin dhe traditën e vet nëpër dekada sfidash. Parathënia e këtij libri është një thirrje reflektuese që mishëron ndjeshmërinë dhe misionin e autorit: për të mos e lejuar që historia e kishës dhe e njerëzve të saj të mbulohet nga harresa. Autori nuk e sheh këtë libër si një përmbledhje të fakteve të thata, por si një akt dashurie ndaj rrënjëve shpirtërore dhe ndaj trashëgimisë që meriton të ruhet dhe t'i kumtohet brezave që vijnë.

Fillimisht në pjesën "Emri dhe vendndodhja e fshatit", dom Frok Zefi përshkruan me kujdes rrënjët e toponimit "Binçë" dhe vendos kontekstin gjeografik të fshatit në një kornizë të qartë, duke e lidhur atë me realitetin historik dhe kulturor të rajonit të Anamoravës. Ky përshkrim është i domosdoshëm për të kuptuar rëndësinë e vendit që do të shërbejë si epiqendra e trajtimit të mëvonshëm. Në pjesët "Shënime historike për Moravën e Epërme dhe Moravën e Poshtme" dhe "Morava e Poshtme", autori zgjeron horizontin duke paraqitur zhvillimet historike të zonës më gjerë. Ai nxjerr në pah ndërthurjen e fatit të Kishës me ngjarjet e mëdha që kanë prekur këtë krahinë ndër shekuj. Ky trajtim ofron një kuptim më të thellë të sfondit në të cilin lindi dhe u zhvillua Famullia e Binçës. Një vlerë e veçantë dokumentare i jepet librit me përfshirjen e "Raportit të shkurtër të argjipeshkvit Lazër Mjeda më 1919 për besimtarët e Binçës". Ky raport është një dëshmi autentike dhe e rrallë, që shpalos gjendjen shpirtërore, përkatësinë dhe gjendjen shoqërore të besimtarëve në një kohë vendimtare për fatin e Kosovës dhe të Kishës Katolike në këtë trevë. Dom Frok Zefi, duke e përfshirë këtë dokument, dëshmon një përkushtim të veçantë ndaj burimeve të dorës së parë dhe një ndjenjë të fortë historike. Në tërësi, pjesa hyrëse e këtij libri, paraqet një qasje të kujdesshme, të balancuar mes ndjeshmërisë shpirtërore dhe analizës historike. Ajo i jep lexuesit një bazë të fortë për të kuptuar kontekstin e ngushtë dhe të gjerë të Famullisë së Binçës, duke përgatitur me mprehtësi terrenin për trajtimin e mëtejshëm që nis me nënkapitullin e parë. Kjo pjesë dëshmon për një autor që e njeh mirë fushën që trajton dhe që ka për zemër ruajtjen e trashëgimisë sonë shpirtërore dhe kombëtare.

Në nënkapitullin e parë të librit "Famullia e Binçës" dom Frok Zefit pasqyron një hyrje të qëndrueshme dhe të strukturuar mirë në historikun, gjeografinë dhe jetën shpirtërore të kësaj famullie, e cila famulli vërtetë ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë kishtare dhe kombëtare të rajonit të Anamoravës. Pra, me fjalë tjera autori i librit, librin e tij në fjalë e nis me themelimin e famullisë, duke pasqyruar me kujdes rrethanat historike dhe kontekstin kishtar e shoqëror në të cilin u krijua Famullia e Binçës. Ai, veç tjerash sjell të dëshmi të rëndësishme dokumentare, duke ndjekur gjurmët e organizimit të jetës fetare në këtë zonë dhe përpjekjet e Kishës Katolike për të konsoliduar praninë e saj në mesin e sfidave të kohës. Në frazën apo pjesën ku studiuesi në fjalë ku flet për 60-vjetorin e themelimit të famullisë, dom Frok Zefi nuk ndalet vetëm te aspektet formale të përvjetorit, por e përdor këtë përvjetor si një rast për reflektim mbi rrugëtimin e saj, kontributin e meshtarëve dhe pjesëmarrjen aktive të besimtarëve në jetën baritore. Kjo pasqyrohet edhe në nënndarjen e nënkapitullit në dy pjesë domethënëse: a) Të dhëna të përgjithshme, ku përshkruhen karakteristikat gjeografike, sociale dhe shpirtërore të rajonit dhe b) Kishat në zonën e famullisë, një përshkrim i pasur i vendbanimeve dhe objekteve të kultit që ndriçojnë trashëgiminë fetare të trevës. Autori don Froku, e veçon Kishën famullitare të "Shën Ndout të Padovës" në Binçë, duke e vendosur atë në qendër të veprimtarisë fetare dhe kulturore të famullisë. Po ashtu, përmendet edhe Kisha e Shën Kollit (apo Shën Nikollës), që ka qenë një pikë referimi për besimtarët e zonës. Një pjesë interesante e këtij nënkapitulli është edhe përmendja e don Pjetër Berishës (1974-1975), meshtar i përkushtuar (i cili ka shërbyer si meshtar e famullitar në Kishën e Zllakuqanit) që ka lënë gjurmë në kujtesën baritore të kësaj famullie, sidomos në përkushtimin e tij për fshatin Kabash dhe për ndërtimin shpirtëror të besimtarëve.  Në fund të këtij nënkapitulli, përmendet edhe Kisha e Zemrës së Krishtit në Viti, që zgjeroi kufijtë e ndikimit shpirtëror të famullisë, duke e lidhur Binçën me një zonë më të gjerë të jetës katolike në Anamoravë, qe do të thotë se ky nënkapitull i këtij libri, është i shkruar me ndjeshmëri pastorale, besnikëri historike dhe dashuri për trashëgiminë kishtare, qe shërben jo vetëm si një dokument kujtese, por edhe si një udhëzues shpirtëror për brezat që vijnë. Dom Frok Zefi, me gjuhën e tij të qartë dhe stilin dokumentar, arrin të ndërtojë një mozaik të vlefshëm të historisë së Kishës në këtë pjesë të Kosovës.

Nënkapitulli i dytë vazhdon me titullin: "Famullitaret e Famullisë se Binçës"  përbën një nga shtyllat më të rëndësishme duke paraqitur një galeri të meshtarëve që kanë shërbyer në këtë famulli që nga themelimi i saj e deri në ditët tona. Don Frok Zefi, me përkushtim dhe kujdes dokumentar, bën një përmbledhje biografike dhe shpirtërore të çdo famullitari, duke i ndriçuar jo vetëm si figura institucionale të Kishës, por si priftërinj që lanë gjurmë të thella në jetën baritore, kulturore dhe kombëtare të komunitetit katolik të Binçës. Pra, ky nënkapitull nis me don Dedë Ramajn (1946-1960), një ndër themeluesit e jetës së organizuar kishtare në Binçë pas Luftës së Dytë Botërore. Figura e tij paraqitet si një nismëtar i vërtetë i organizimit të famullisë në rrethana të vështira politike dhe shoqërore, duke e vendosur bazën për pasardhësit e tij. Tutje pas tij, renditen don Luka Cirimotiq (1960-1967) dhe don Vjekoslav Ivanoviq (1967-1970), që kanë vijuar me ndërtimin e jetës shpirtërore në Binçë, duke ruajtur dhe kultivuar besimin e popullit në një kohë të ngarkuar me sfida ideologjike dhe presione institucionale ndaj Kishës. Figura të tjera shpirtërore që spikasin janë don Nikolla Duçkiq (1970-1974) dhe don Ndue Gjergji (1975-1993). Ky i fundit, për nga kohëzgjatja dhe përkushtimi, konsiderohet si një ndër figurat më qendrore të këtij nënkapitulli. Ai përfaqëson një etapë të rëndësishme të konsolidimit të famullisë dhe të përballues me sfida të reja shoqërore e pastorale në kohën e ndryshimeve politike në Kosovë.

Njëkohësisht në këtë pjesë e gjejmë edhe Lush Gjergji (1993-2007), i njohur për kontributin e tij në fushën e publicistikës dhe biografisë së Nënë Terezës, përfaqëson jo vetëm një meshtar, por edhe një intelektual që i dha famullisë së Binçës një dimension më të gjerë kulturor dhe kombëtar. Pjesa e fundit e këtij nënkapitulli përfshin edhe don Albert Demajn (2007-2011) dhe don Aleksandër Kolën (nga viti 2011), të cilët e kanë vijuar misionin shpirtëror me përkushtim, duke e përshtatur atë me kërkesat e kohës dhe nevojat bashkëkohore të besimtarëve. Kjo pjesë e këtij nënkapitull është i rëndësishëm për faktin se nuk ka vetëm karakter informues, por edhe frymëzues. Ai paraqet vijimësinë e jetës së famullisë përmes figurës së famullitarit, që në këtë vepër del si një model shërbimi, sakrifice dhe dashurie për popullin. Dom Frok Zefi ka arritur që përmes një stili të qartë, por të ngrohtë dhe përshkrues, të ndërtojë një mozaik domethënës të jetës baritore në Binçë, duke nderuar kujtimin e secilit prej këtyre meshtarëve me një ndjeshmëri të thellë shpirtërore dhe historike.

Pjesa tjetër e nënkapitulli të tretë të librit "Famullia e Binçës" është një ndër pjesët më të fuqishme dhe më prekëse të kësaj vepre, pasi ndriçon një faqe të errët, por heroike, të historisë së katolikëve shqiptarë: përndjekjen, dëshminë e fesë dhe martirizimin e tyre. Me titullin domethënës "Martirët Shqiptarë", ky kapitull me fjalë tjera është një homazh ndaj atyre që nuk e mohuan kurrë Krishtin, edhe në çastet më të errësira të dhunës dhe torturës osmane. Autori i librit edhe këtë nënkapitull e nis me një parathënie reflektuese, e cila vendos lexuesin përballë një realiteti historik pak të njohur, por thellësisht rrëqethës: kriptokatolikët, shqiptarët që fshehurazi e ruajtën besimin e krishterë – marrin rrugën për në Gjilan për t'u deklaruar publikisht katolikë. Ky hap i guximshëm e vë në lëvizje një zinxhir ngjarjesh tragjike, të cilat autori i përshkruan me një gjuhë të ndjerë, dokumentare dhe shpirtërore njëkohësisht. Pra, Gjilani, Prishtina, Shkupi, Stambolli, Muhaliqi e deri në Filadorë janë stacionet e mundimit të këtyre martirëve të heshtur. Ata u arrestuan, u transferuan si të ishin kriminelë, u syrgjynosën në vendet më të largëta të Perandorisë Osmane, vetëm pse kishin zgjedhur Krishtin. Autori sjell dëshmi relevante për vuajtjet e pamasë të të burgosurve, për brutalitetin e transferimeve, por edhe për qëndresën dhe dinjitetin e tyre. Veçanërisht prekëse është pjesa ku përshkruhet misionari që futet në një arkë parash për t'u transportuar drejt Stambollit, një simbolikë e thellë e martirizimit të fshehur dhe të panjohur.

Në këtë kapitull gjejmë edhe një aspekt tjetër shumë të rëndësishëm: pra, ndihmën e at' Pavekut, një figurë misionare që, edhe në mërgim, nuk e harroi popullin shqiptar. Kontributi i tij ndaj të syrgjynosurve del si një dritë shprese në errësirën e torturës. Kjo pjesë e këtij nënkapitull është një thirrje e fortë për kujtesë historike dhe shpirtërore. Don Frok Zefi arrin të lidhë të kaluarën me të tashmen, duke treguar se martirët shqiptarë nuk janë thjesht emra të kaluarës, por figura të përjetshme në ndërgjegjen kombëtare e fetare. Me një stil të qartë, por të mbushur me ndjenjë dhe faktografi, ai i jep zë atyre që historia për shumë kohë i heshti. Nënkapitulli "Martirët Shqiptarë" është një kapitull që meriton të lexohet me kujdes, përulësi dhe vëmendje, sepse është shkruar me gjak, dhimbje, por edhe me dritën e lavdisë së përjetshme. Ky është një testament i besës dhe i dashurisë për Zotin e për komb. Ky nënkapitull i radhës është një dritare e ndritur dhe tejet domethënëse mbi thirrjet e shenjta që kanë lindur nga gjiri i Famullisë së Binçës – një kronikë e përkushtimit ndaj Zotit që shtrihet përtej kohëve, sistemeve dhe kufijve gjeografikë. Me titullin "Thirrjet shpirtërore (Vokacionet) nga famullia", dom Frok Zefi na paraqet një panoramë të pasur dhe të organizuar me kujdes për meshtarët dhe motrat rregulltare që kanë dalë nga kjo trevë e bekuar. a) Meshtarët: Pjesa e parë i kushtohet burrave të thirrur për shërbesën meshtarake. Prej don Mark Sopit të vjetër, të cilit i janë përfshirë edhe letra origjinale nga shekulli XIX – dëshmi të rralla dhe me vlerë arkivore – e deri te figura bashkëkohore si don Frok Zefi, autori vetë, rreshtohen emra të ndritur që kanë mbartur pishtarin e fesë dhe kombit. Veçanërisht spikatin personalitete si Mons. Damjan Kurti, ipeshkvi i Kosovës,  Mark Sopi, dhe argjipeshkvi i Tivarit, Mons. Zef Gashi, të cilët kanë lënë gjurmë në historinë e Kishës Katolike shqiptare, jo vetëm përmes shërbesës, por edhe me autoritetin dhe përkushtimin e tyre pastoral e kombëtar. Njëkohësisht e gjejmë edhe regjistrin prej 16 meshtarëve dioqezanë dhe dy jezuitë e salezianë, i pasuruar me të dhëna konkrete, dokumente dhe rrëfime personale, krijon një tablo të gjallë të thirrjes meshtarake në këtë komunitet: një thirrje që lind në gjirin e familjes, rritet në përkushtim dhe shpërndahet në mbarë botën. b.) Motrat rregulltare: Në pjesën e dytë, lexuesi përballet me një mori motrash që i janë kushtuar jetës rregulltare në kongregata të ndryshme: Bijat e Dashurisë së Krishterë të Shën Vinçencit, motrat françeskane, bazilianet, Bijat e Dashurisë Hyjnore, motrat e Shën Filip Nerit, dhe të tjera. Janë përmendur me emra të plotë, shpesh edhe me emrat e pagëzimit dhe ata rregulltarë – një akt respekti dhe përjetësimi. Kjo pjesë është një dëshmi e gjallë e forcës së gruas shqiptare në shërbim të Zotit dhe të të varfërve. Ato nuk janë vetëm figura të përkushtimit fetar, por edhe shembuj të dashurisë aktive, edukimit, kujdesit shëndetësor dhe përhapjes së dashurisë hyjnore ndër breza e kontinente. Përfshirja e kuvendeve dhe Kongregatave ku ato kanë shërbyer, përfshirë edhe raportet zyrtare të kuvendit "Shën Pali" në Binçë, tregon për një punë kërkimore të thellë dhe përkushtim ndaj dokumentimit të saktë historik e shpirtëror.

Në pjesën e fundit të këtij nënkapitull gjejmë më shumë se një regjistër emrash. Është një album shpirtëror i një komuniteti të bekuar, që dëshmon me fakte të gjalla për fuqinë e thirrjes së Zotit dhe për tokën e shenjtë që është Famullia e Binçës. Don Frok Zefi ka arritur të ruajë një trashëgimi monumentale për brezat që vijnë, duke e kthyer këtë kapitull në një burim reference, frymëzimi dhe reflektimi, si për studiuesit, ashtu edhe për të rinjtë që ndoshta sot dëgjojnë thirrjen e Zotit në zemrat e tyre. Nënkapitulli i pestë dhe i fundit përbën një thesar dokumentues dhe kujtese për veprimtarinë e pasur e të palodhshme të Motrave Bijat e Dashurisë Hyjnore në Binçë dhe më gjerë, përgjatë një periudhe të gjatë kohore, që nis nga fundi i viteve '60 dhe përfshin dekada përplot sfida, shërbime e përkushtim shembullor. Autori na ofron një kronikë autentike, të ndërtuar mbi rrëfime të dorës së parë, dokumente të arkivuara dhe kujtime të gjalla, duke shndërruar këtë pjesë të librit në një dëshmi të rrallë të një epoke të mbushur me sakrifica, por edhe me dritë hyjnore. Ndaj ndërthurja e ngjarjeve në rend kronologjik dhe përshkrimi i detajuar i tyre, nga mbërritja e motrave të para, përkujdesja për të sëmurët, ndërtimi i ambulancës dhe kuvendit, vizitat baritore, festat fetare, sfidat e luftës, vuajtjet e popullatës, deri te ndihmat humanitare dhe veprimtaria kulturore, na paraqet jo vetëm një tablo historike, por edhe shpirtërore dhe shoqërore të komunitetit katolik në Binçë. Veçantia e këtij nënkapitulli qëndron në fuqinë e tij për të rrëfyer me thjeshtësi por me thellësi jetën e përditshme të motrave, duke përfshirë edhe ngjarje që në pamje të parë duken të vogla (si shërimi i një dhie, çizmet nr. 44 apo vizita e një vinçencianeje), por që në thelb reflektojnë humanizmin, dashurinë dhe shërbimin e përvuajtjes    që ato ushtronin për çdo qenie të gjallë. Gjithashtu, përfshirja e emrave konkretë të motrave, priftërinjve, ipeshkvijve, vizitorëve ndërkombëtarë dhe të gjithë atyre që kontribuuan në këtë histori e bën këtë kronikë të gjallë, të personalizuar dhe të ngulitur thellë në memorien kolektive të një populli që përballoi dhimbje të mëdha por kurrë nuk humbi shpresën. Në mënyrë të veçantë, kapitulli shquhet për dokumentimin e ngjarjeve dramatike të viteve '90, me ndarjet e dhunshme etnike, represionin policor serb, ndalimin e ndihmës mjekësore, bombardimet dhe dëbimet masive – duke ruajtur tonin e dinjitetit dhe vlerësimit për qëndresën morale e shpirtërore të motrave dhe popullit. Përmes këtij nënkapitulli të fundit, studiuesi dhe lexuesi jo vetëm se informohet për një pjesë pak të njohur të historisë sonë të re, por edhe frymëzohet nga shembulli i jetuar i dashurisë kristiane në veprim. Kjo kronikë, në thelb, është një lavdi për Zotin, për Kishën dhe për njeriun që nuk dorëzohet përballë asnjë errësire. Ndaj ky nënkapitull është një kontribut i vyer për historinë e Kishës Katolike në Kosovë dhe një homazh i denjë për Motrat Bijat e Dashurisë Hyjnore që e jetuan dhe e dëshmuan Ungjillin me vepra, ndërmjet baltës dhe bekimit.

Në fund te këtij recensioni te këtij libri e përmbledh me këto fjale duke thëne se libri  "Famullia e Binçës" i don Frok Zefit, është një vepër që nuk i drejtohet vetëm historianëve apo studiuesve të Kishës, por çdo studiuesi e lexuesi që kërkon të njohë rrënjët shpirtërore dhe kulturore të një pjese të rëndësishme të Kosovës lindore. Ajo shërben si një pasqyrë e besnikërisë, përkushtimit dhe qëndrueshmërisë së një bashkësie që ka ditur të ruajë besimin dhe dinjitetin në kohë të vështira.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx