Kulturë
Kadri Tarelli: Tahsin Demiraj, mes miqve në Lushnjë
E premte, 26.09.2025, 06:57 PM
Kadri Tarelli shkruan:
Shkrimtari i madh
është ai që shkruan kohën që jeton dhe që me idetë e tij troket në botën e së
ardhmes.
Tomas Stearns Eliot,
pionier
i parë i poezisë moderne.
TAHSIN DEMIRAJ, MES MIQVE NË LUSHNJË
Veprimtari
letrare, në 86-vjetorin e tij
Që
në fillim të shkrimit, po vendos pak fjalë para diskutimit tim: - Admirim për organizatorët e këtij kuvendi mbi
krijimtarinë e z. Tahsin Demiraj, artist, regjisor, libretist, piktor, në
qytetin e Lushnjës. Njëkohësisht shkrimtar dhe shqipërues i disa librave nga
gjuha frënge, si: “Këtu bie erë”, “Në syrin e Ciklonit”, “Historia e lëvizjes
teatrore në Myzeqenë e Lushnjës”, “Prova e të vërtetës” - (Paul Auster),
“Memorialet e Shën Elenës” - (Konti Las Cases), etj.
E
përdor fjalën admirim, pasi është rast i rrallë që ndodh në botën e krijuesve
shqiptar, (mbase i vetmi), që miqtë dhe shokët e hershëm, kujtohen pas
pesëdhjetë vjetësh të organizojnë një “festë” për mikun e tyre Tahsinin, (sot
86-vjeçar), i cili, prej kohësh po jeton në Durrës, pjesërisht edhe në Itali.
Nuk
e di si tingëllojnë këto pak fjalë, për dëgjuesit në sallë dhe lexuesit e
shumtë: “Tahsini është me fat të madh. Ndaj do ta quaj me fat të madh cilido
nga ne krijuesit, që miqtë, shokët, bashkëpunëtorë të hershëm, pse jo edhe
bashkëvuajtës, të kujtohen, të mblidhen së bashku dhe të festojnë për
mikun e tyre, duke përmendur vështirësitë
e kohës, sukseset, meritat dhe veprat e shkruara, si testament i një kohe të
jetuar, në kohë të trazuar.
Veprimtaria
u organizua në hollin e Bibliotekës Publike të qytetit të Lushnjës, ditë të
shtune, më: 20, të vjeshtës së parë, 2025. Po përmend emrat e personave që
folën për veprimtarinë artistike dhe letrare të heroit të këtij takimi, sa
interesant aq edhe i veçantë, në formë e përmbajtje.
Drejtuese
e veprimtarisë Elona Tabaku, sekretare e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve
të Lushnjës.
Gëzim
Baruti, shqipërues i veprës së filozofit francez Mishel dë Montenj, i cili foli
gjerësisht për jetën dhe veprën e mikut të hershëm z. Tahsin Demiraj.
Kozma
Gjini, shkrimtar e poet, ish kryetari Lidhje së shkrimtarëve dhe artistëve të
Lushnjës, sot në rolin e gazetarit dhe fotografit. Më tej, Musa Dervishi, poet,
gjimnazist (maturant). Xhovan Gallani. Shkrimtar, poet. Zenel Qeveri, mësues
dhe drejtues shkollash. Shpëtim Bërhamaj, mësues i gjuhës frënge. Dine Dine,
shkrimtar, eseist. Sajmir Lulja, poet. Sokol Otobashi, poet. Tefta Çapaj
Mersini, ardhur kastile nga Vlora, Poete. Fiorentina Qose, poete. Franc Nushi,
regjisor i teatrit të kukllave në qytetin e Lushnjës. Vangjel Xhafa, poet,
shkrimtar, kronikan. LLambrini Nano, poete. Sofokli Kuqeshi. Skënder Gega, etj.
Unë
Kadri Tarelli, ardhur nga Durrësi, falënderoj autorin dhe organizatorët, që më
bënë të jem pjesë e kësaj feste të veçantë, këtij kuvendi letrar, kushtuar
mikut tonë Tahsin Demiraj. Nuk po shtoj asnjë fjalë, sepse ju i thatë të gjitha
dhe sado të përpiqem nuk do t’i them më bukur se ju. Ndaj po e shoh portretin e
tij në një pamje tjetër: - Ç’ vend ka zënë emri i heroit tonë Tahsin Demiraj, në
faqet e librave të shkrimtarëve të tjerë...?? Kështu shkrimin po e titulloj:
TAHSIN DEMIRAJ NË PENËN E SHKRIMTARËVE
Ju
e dini po kaq mirë sa unë se nuk është e lehtë të futesh në penën, shkrimet dhe
librat e shkrimtarëve, sepse duhet të kesh vlera. Ndryshe nuk ta vërshëllen
kush.
Unë
si hartues dhe botues i disa librave e përmend heroin e ditës Tahsinin, në dy
libra të mi:
Së pari: Në librin “Filxhani me buzë të kafshuar”, në
tregimin: “Sa shumë miq ke o Shpendi”. Po citoj pak fjalë: - Ç`të vij kot!
Asnjëherë s`të gjej të qetë. Le që s`bën dot muhabet me ty, se zyra është
kurdoherë plot. Një herë ndodhi që të takoj Tahsin Demirin, ish regjisorin e
shtëpisë së kulturës së Lushnjës, sot hartues e botues i disa librave, tregime
dhe përkthime. Faqe. 81
Së dyti. Në librin “Hytbi Tarelli. Mjeshtër i
penelit dhe daltës”. “Monografi”. Shkrimi: Një dokumenti rrallë. “Humanizmi në
shpirtin e artistit”. Ky shkrim i vendosur në mbyllje të librit, ku jo
rastësisht, gjendet një poezi e përkthyer nga Hytbiu, mik i vjetër i Tahsinit,
por që jetonte si mërgimtar në Toronto, Kanada. Kjo e ndodhur në një
letërkëmbim mes të dy miqve. Poezia është në dy gjuhë: anglisht dhe shqip. Ajo
ka shumë ndjenjë dhe protestë ndaj dallimit dhe diskriminimit racial. Artistët,
janë me shpirt të ndjeshëm, sidomos kur bëhet fjalë për padrejtësi shoqërore.
Kjo është dhe arsyeja, që i ka pëlqyer dhe ka dashur ta ndajë mendimin e tij me
miqtë dhe dashamirët dhe më konkretisht me mikun e tij të hershëm Tahsinin.
Kur u linda unë isha i zi.
Kur u rrita isha prapë i zi.
Kur vdes jam i zi
..................................
Kurse ti shoku im i bardhë,
Kur u linde ishe ngjyrë rozë.
Kur u rritë je i bardhë.
Kur vdes merr ngjyrë gri.............etj, etj.
Poezi e shkruar nga një fëmijë afrikan, fituese e çmimit si
poema më e mirë e vitit 2008. Faqe 168.
Ndërsa
shkrimtari durrsak Shpendi Topollaj, i cili më porositi t’ju përshëndes, duke
kërkuar ndjesë për mospjesëmarrjen e tij, sepse pikërisht sot në Durrës, një
miku ynë nga Struga përuron studimin e
tij. Dhe Shpendi ka fjalën kryesore. Kështu i ndamë detyrat. Ai atje dhe unë
këtu.
Shpendi
ka shkruar pak më gjatë, te libri me kritika letrare "Armiq pa
dashje", shkrimi titulluar: "Tahsin, të doli fjala", kushtuar libri
të tij, "Në syrin e ciklonit", ku flitet ndër të tjera, për ikjen e
shqiptarëve gjatë eksodit biblik në vitet 1990-1991. E gjitha mbështetur në kujtimet e mikut të tij, Tahsinit.
Duke
folur për Tahsinin, Shpendi ndër të tjera citon një thënie të poetit lushnjar
Faslli Haliti, drejtuar mikut tonë të përbashkët: "Tahsin Demiraj, të cilin
e quan “I përvuajturi i madh i regjimit”. Ai e shkroi këtë libër që s`do të
mund të anashkalohet lehtë, sepse tregimet, esetë, dhe veçanërisht kujtesa e
tij, sundohen nga jeta, popullohen me njerëz të mirë e të liq........”, etj,
etj.
Po
ashtu te libri me kritika letrare, "Stile dhe lapsa", Shpendi ka
shkruar për librin me tregime të Tahsinit, "Këtu bie erë", ku është
shprehur: "Duke i qëndruar besnik deri në fund të vërtetave të
përjetuara, Tahsini, në përjetimin e tij nuk e kursen aspak neverinë për sa
ngjau te ne, pas fitores së komunizmit në përfundim të luftës së II-të botërore,
i cili synonte dhelpërisht e paturpësisht të shkatërronte deri moralisht njeriun..."
Në
fund urimi i shkon mikut tonë Tahsinit: - Besoj se ndjehesh mirë mes miqve dhe
shokëve të hershëm.
Uroj
të kesh jetë të gjatë dhe shëndet të mirë, për të qenë i pranishëm edhe të
tubime të tjera, ku përcillet krijimtaria juaj.
Kadri Tarelli
Lushnjë, më, 20, të vjeshtës së parë, 2025.
Shënim:
1.
Unë dhurova disa kopje të librit tim “Filxhani
me buzë të kafshuar” dhe disa kopje të librit “Në botën letrare të Kadri
Tarellit”, me autore znj. Vilhelme Vrana Haxhiraj.
2.
Libra dhuroi edhe Tahsini