Mendime
Adil Fetahu: Drejtësia ndërkombëtare është në krizë, sepse të fortit nuk e respektojnë
E merkure, 24.09.2025, 06:55 PM
DREJTËSIA NDËRKOMBËTARE ËSHTË NË KRIZË, SEPSE TË FORTIT NUK E RESPEKTOJNË
Nga
Adil Fetahu
Në
nivel botëror janë dy gjykata kryesore: Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe
Gjykata Penale Ndërkombëtare. Të dyja këto gjykata i ka themeluar Organizata e
Kombeve të Bashkuara: të parën në vitin 1945, ndërsa të dytën me Statutin e
Romës (1998), e që ka filluar punën në vitin 2002. Të dyja këto gjykata e kanë
selinë në Hagë, disa kilometra larg njëna-tjetrës.
Funksionet
e tyre janë të ndryshme. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë merret me kontestet
midis shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara, ndërsa Gjykata Penale
Ndërkombëtare merret me procedimin e individëve të akuzuar për veprat penale më
të rënda, siç janë krimet e luftës,
krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi.
Kundër
vendimeve (mendimit juridik) të GjND nuk ka mundësi ankimi, ndërsa kundër
aktgjykimeve të GjPN mund të bëhet ankesë, në shkallën e dytë të asaj Gjykate.
Vendimet
e GjND i zbaton Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, ndërsa aktgjykimet
e GjPN i zbaton vet ajo Gjykatë dhe gjykatat e shteteve anëtare të Statutit të
Romës.
Këtu
do bëjmë fjalë për punën dhe efektet e
Gjykatës Penale Ndërkombëtare.
Të
fotëve nuk ua ndien për vendimet e saj
Siç
e cekëm më lartë, Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC= International Criminal
Court), është gjykata më e lartë në botë për çështje penale, të cilën e ka
themeluar Organizata e Kombeve të Bashkuara, me Statutin e Romës, të vitit
1998. Deri në prillin e këtij viti (2025), Statutin e Romës e kanë nënshkruar e
ratifikuar 137 shtete anëtare të KB, që njëkohësisht konsiderohen anëtare të
asaj Gjykate. Shqipëria është anëtare prej vitit 2003.
Gjykata
është themeluar për ndjekjen dhe procedimin e individëve të akuzuar për veprat
më të rënda penale: krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi.
Për këto krime individët mund të përgjigjen sipas përgjegjësisë objektive dhe
subjektive, kështu që përveç ekzekutorëve të drejtpërdrejt të krimeve të
përmendura, për to mund të përgjigjen edhe kryetarë, kriministra a ministra të
shteteve dhe zyrtarë tjerë me autorizime
e përgjegjësi të caktuara.
Shtetet
anëtare janë të obligueshme të
bashkëpunojnë plotësisht me ICC-n, në procesin e hetimeve dhe të ndjekjes
penale, të arrestojnë personat për të cilët ICC ka dhënë urdhër-arresti, të
sigurojnë provat dhe dëshmitë e nevojshme, të mbrojnë viktimat dhe dëshmitarët,
të zbatojnë urdhërat dhe vendimet e ICC-s. Shtetet anëtare motivohen që në
ligjet e tyre penale t’i inkorporojnë krimet e definuara nga ICC dhe të
sigurojnë sistem të drejtësisë të aftë e të paanshëm për t’i gjykuar ato krime.
Por,
punën e ICC-s po e sabotojnë, neglizhojnë madje edhe po e kundërshtojnë haptas
shtetet e forta. Më 21.XI.2024, iCC ka publikuar urdhër për arrestimin e
kryeministrit dhe ministrit të mbrojtjes së Izraelit: Benjamin Natanjahut
e Yoava Gallantit, si dhe të komandantit
të Hamasit Mohamad Daif, të akuzuar për
krime të luftës. Izraeli menjëherë i ka refuzuar akuzat si të rrejshme dhe të
motivuara politikisht. Administrata e Bidenit poashtu e ka quajtur urdhërin e
ICC-s ‘’të pa dëgjuar’’, ndërsa administrata e Trumpit (më 6.02.2025) u ka vu
sanksione zyrtarëve të ICC-s!, për shkak të akuzave kundër aleatit më të ngushtë
të Amerikës!
Kryeministri
i Hungarisë, Viktor Orban, në vend se të zbatojë urdhër-arrestin e Gjykatës, në
prill të këtij viti e tërhoqi Hungarinë nga anëtarësimi në ICC, në prag të një
vizite të Njatanjahut në Hungari!
Shtetet
më të forta nuk janë anëtare të ICC-s
Për
të mos iu nënshtrua autorizimeve të ICC-s
për gjykimin e shtetasve të tyre, shtetet më të forta të botës nuk janë bërë
anëtare të asaj Gjykate, ose disa të tjera e kanë tërhequr anëtarësimin.
Administrata e Klintonit e pat nënshkruar marrëveshjen e anëtarësimit, por
Senati nuk e ratifikoi, ndërsa administrata e Bushit e tërhoqi nënshkrimin e
Amerikës, kurse Trumpi i vë sanksione!
Rusia
e ka tërhequr anëtarësimin e vet që nga viti 2016, pasi Gjykata nisi hetimet
kundër Rusisë me rastin e aneksimit të Krimesë (2014). ICC ka shpallë fletarrestin për Putinin, për shkak
të agresionit dhe krimeve të luftës në Ukrainë.
Kina,
India, Turqia, Irani, Pakistani, Arabia Saudite, Etiopia etj, as kanë qenë as
janë anëtare. Izraeli e ka nënshkruar marrëveshjen, por më vonë është tërhequr,
sikur që janë tërhequr edhe Burundi, Filipinet, Hungaria.
Para
dy ditëve, tri shtete afrikane, në të
cilat kanë ardhur në pushtet huntat ushtarake: Mali, Burkina Faso dhe Nigeria, kanë lajmëruar se tërhiqen nga anëtarësimi në
ICC, me arsyetimin se po zbaton drejtësi selektive.
Sipas
normave të Statutit të Romës, tërheqja hyn në fuqi një vit pas paraqitjes
zyrtare të kërkesës me shkrim sekretarit të përgjithshëm të KB, që do të thotë
se deri me kalimin e një vitit shtetet anëtare janë të obliguara të kryejnë
urdhërat e Gjykatës. Por, askush më nuk i respekton urdhërat e saj!
Edhe
për shtetet të cilat nuk janë anëtare të ICC-së, nëse Këshilli i Sigurimit i KB
bënë kërkesë asaj Gjykate për hetime e zhvillimit të ndonjë procesi, shtetet
janë të detyruara të zbatojnë urdhëarat, por sa funksionon kjo në praktikë
është çështje tjetër.
Kështu,
drejtësia ndërkombëtare gjithnjë e më tepër po tkurret, po humbë efektet dhe
besimin edhe shteteve anëtare e jo anëtare, edhe të individëve, kurse
përgjegjësit për krimet më të rënda, aq shumë të përhapura në botë, po mbesin
të pa ndëshkuar.
Populli
ynë e ka provuar në lëkurën e vet, se drejtësia vepron vetëm kundër të varfërve
e të atyre të pa krah, e asnjëherë kundër të fortëve. Kjo po dëshmohet edhe në
nivel ndërkombëtar. Dhe ky është mjerim për njerëzimin!