Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Euergetizmi (Bamirësia)
E merkure, 24.09.2025, 06:59 PM
EUERGETIZMI (BAMIRËSIA)
Nga
Prof. Xhelal Zejneli
Euergetizmi është term shkencor modern që vjen nga fjala euergetes e greqishtes
së lashtë (bamirës). Kjo fjalë ka të bëjë me fenomenin e dhënies së
dhuratave nga elita qyteteve (ose grupeve brenda tyre) në shoqëritë greke dhe
romake. Termi përfshin bamirësitë nga mbretërit helenë dhe perandorët romakë,
por përdoret kryesisht për t'iu referuar bujarisë së elitave qytetare lokale.
Studimet e fundit flasin për karakterin transaksional të euergetizmit:
bamirësit dhuronin ose kontribuonin në ndërtesa publike, duke përfshirë tempujt,
në festivale dhe në lojëra. Shpërndanin ushqime ose para, organizonin bankete
publike. Këtë e bënin në këmbim të nderimeve që jepeshin publikisht, si për
shembull ndonjë mbishkrim nderi që e regjistronte bamirësinë dhe vlerësimet që
i jepeshin dhuruesit, shpeshherë të shoqëruara nga ndonjë statujë e tij apo e
saj. Në Greqinë arkaike dhe të shekullit V para K., qytetet i nderonin
bamirësit e huaj kryesisht në këtë mënyrë, por nga shekulli IV para K. e më pas,
u bë gjithnjë e më normale që qytetarët e pasur të dhuronin për qytetin e tyre,
në këmbim të nderimeve publike që ua jepnin bashkëqytetarët e tyre. Euergetizmi
qytetar i këtij lloji, në qytetet greke, u bë gjithnjë e më i zakonshëm gjatë
periudhës helenistike. Megjithatë, ajo u përhap më së shumti nën sundimin e Perandorisë
Romake gjatë shekujve I, II dhe fillim të shekullit III pas K., kur kemi më shumë mbishkrime për
bamirësit në qytete, si në Lindje ashtu edhe në Perëndim. Nga mesi i shekullit
III pas K., bujaria qytetare fillon të bjerë, edhe pse bamirësitë nga të
pasurit vazhduan të ekzistojnë në shoqërinë qytetare të antikitetit të vonë.
Përkufizimi
dhe konceptimi origjinal - Euergetizmi është
një koncept modern i përdorur në studimet klasike për të treguar praktikën e
dhënies vullnetare të dhuratave nga individë të pasur për komunitetet qytetare (civile)
ose për grupet brenda tyre, siç janë shoqatat. Kjo është regjistruar në
mijëra mbishkrime nderi për bamirës të tillë që kanë mbijetuar nga antikiteti. Sipas
historianit francez, ekspert i Romës së lashtë Pol Vejn (Paul Veyne, 1930-2022)* termi i sipërthënë ka të bëjë me bujarinë e mbretërve
helenistikë, me liberalizmin e magnatëve republikanë romakë, më vonë të
perandorëve, si dhe me bujarinë lokale të elitave qytetare në qytetet
helenistike greke dhe të epokës romake. Studimet e mëvonshme e kanë zgjeruar
atë për të treguar bujarinë e elitave në qytetet romake në Itali dhe në provincat
perëndimore. Shumica e debateve janë përqendruar në qytetet greke të periudhës
pas-klasike.
Vejni bazohet në punën e
paraardhësve të tij dhe të studiuesve që i ndoqën gjurmët e tij dhe thotë se
rritja e bamirësive të elitës që konsistojnë ndër të tjera në kontribute për
tempuj, për ndërtesa publike, për infrastrukturë, për festivale, për lojëra dhe
bankete komunale, për shpërndarje ushqimesh ose parash, për udhëtime të
vetëfinancuara te mbretërit ose te perandorët për të siguruar privilegje qytetare
- duhet të shoqërohet kryesisht me kulturën politike gjithnjë e më oligarkike
të qyteteve helenistike. Duke mos i pasur karakteristikat e pagesës për
mbajtjen e posteve në Athinën klasike dhe në disa polise të tjera demokratike
klasike, qytetet helenistike greke, pavarësisht se nominalisht ishin demokratike,
u bënë gjithnjë e më të varura nga qytetarët e pasur të cilët kishin edhe kohë edhe
burime për t'u angazhuar në politikë. Kishin edhe status të mjaftueshëm
shoqëror për të bashkëvepruar me sundimtarët helenistikë.
Shënim: Pol Vejn (Paul Veyne)
studioi në École Normale Supérieure. Ishte anëtar
i École française de Rome, profesor nderi i Kolegjit të Francës. Është autor i librit “Bukë dhe cirk: sociologjia
historike e një politike pluraliste”
(Le pain et le cirque: sociologie
historique d'un pluralisme politique, 1976).
* * *
Sipas Vejnit, këta persona
të shquar i përdorën bamirësitë publike për ta forcuar akoma më shumë statusin
e tyre të lartë dhe për ta theksuar distancën shoqërore ndaj bashkëqytetarëve
të vet. Ndryshe nga qytetarët e pasur që paguanin për shërbimet publike në
sistemin klasik të liturgjisë athinase që kontrollohej nga populli, bamirësit
helenë ishin vetë në kontrollin e bujarisë së tyre. Ata jepnin vullnetarisht,
madje edhe kur në mesin e qytetarëve të thjeshtë ekzistonte mendimi se të
pasurit do të duhej të jepnin kontribute të tilla: ndonjëherë spontanisht,
ndonjëherë si pjesë e detyrave të tyre zyrtare (ob honorem – për nder).
Kontributet e tyre në
shërbimet qytetare ishin shumë të mirëpritura ngase për shkak të haraçit që
qytetet duhej t'u paguanin sundimtarëve helenë dhe romakë, fondet publike
rrallë mjaftonin për t’i mbuluar nevojat publike. Regjimi i njerëzve të autoritetshëm
vazhdoi në qytetet greke deri në Perandorinë Romake, njësoj si fenomeni i euergetizmit
qytetar që në shekullin e parë, e sidomos të dytë dhe të tretë të erës së re,
lulëzoi si kurrë më parë.
Euergetizmi
si shkëmbim dhuratash: Origjina dhe zhvillimi - Narrativi
i Vejnit për zhvillimin gradual të euergetizmit qytetar që nga periudha
helenistike klasike e vonë dhe fillimi i periudhës helenistike e këndej, si
pasojë e oligarkizimit të politikës së polisit dhe mungesës së mjeteve publike
në qytete, u kritikua inter alia (midis tjerash) për shkak të
kronologjisë së vet, nga avokati belg Filip
Gotje (Philippe Gauthier; Bujumbura, Burundi, 1960- ) i cili lidhjen e
euergetizmit dhe oligarkizimit të politikës qytetare e shihte si operative, jo
më parë se rreth vitit 150 para K.
Kohët e fundit po shfaqet
një pikëpamje revizioniste ndaj euergetizmit e cila e thekson karakterin e tij
afatgjatë (longue durée) dhe rrënjët shoqërore të tij. Origjina e euergetizmit
nuk ka të bëjë me oligrkizimin helenistik të politikës së poliseve dhe arrin deri
te institucioni arkaik grek i ksenisë (mikpritjes)*, d.m.th. te miqësia me rituale midis
qytetarëve (elitë) të poliseve të ndryshme, e karakterizuar nga shkëmbimi i
dhuratave. Me kalimin e kohës ksenitë partnere filluan të përfshijnë në
shkëmbim edhe familjen, miqtë dhe në fund bashkëqytetarët e partnerëve të vet,
kurse qytetet, miqve të huaj të qytetarëve të vet të cilët kishin shfrytëzuar
polisë, filluan t’u japin shpërblime euergetike tipike të privilegjeve qytetare
dhe të mbishkrimeve të nderit.
Pra, në periudhën arkaike,
bamirësit e poliseve të cilëve u jepeshin nderime publike kryesisht ishin të
huaj. Të vetmit persona të asaj kohe të cilëve u jepeshin nderime euergetike
prej bashkësive vetanake të poliseve kanë qenë sportistët fitues të lojërave
panhelene, arritjet e të cilëve janë konsideruar dhurata për poliset e veta. Megjithatë,
gjatë periudhës klasike u bë e zakonshme që qytetarët të përfitonin nga polisi
i tyre në këtë mënyrë dhe për këtë të nderoheshin publikisht nga komuniteti i
tyre. Në Athinë në shekullin V para K. euergetizmi zhvillohej ngadalë për arsye
se ideologjia athinase e egalitarizmit politik radikal nuk lente hapësirë të duhur
për t’u bërë publikisht nderime bashkëqytetarëve dhe për ngritjen shoqërore të
tyre, mbase edhe për arsye se të hyrat e perandorisë athinase mjaftonin për
nevojat publike të saj. Mirëpo në shekullin IV para K., me humbjen e
perandorisë, dhuratat euergetike të qytetarëve të Athinës demosit apo polisit
të tyre jepeshin gjithnjë e më shpesh (duke vepruar bashkë me sistemin
liturgjik), si dhe mbishkrimet që i karakterizonin dhuratat e tilla.
Shënim: kseni (greqisht: xénios
– i, e mysafirëve) lloj epigramesh të veçanta (te poeti romak i epigrameve Marko Valerie Marcial (Marcus
Valerius Martialis, Bilbilis, 40 - Bilbilis, 104); te gjermanët shkrimtari Johan Volfgang Gëte (Johann Wolfgang Goethe, 1749 - 1832) dhe dramaturgu, poeti
dhe eseisti Fridrih Shileri (Friedrich
Schiller, 1759-1805).
* * *
Analizat revizioniste të
gjendjes së financave qytetare publike (zakonisht të mjaftueshme për nevojat publike
jashtë periudhave të krizës) dhe politikës qytetare (këmbëngulja e kuvendeve
aktive dhe elementi i politikës popullore, pavarësisht pasurisë dhe ndikimit në
rritje të elitave qytetare) në poliset e epokës helenistike dhe romake kanë
çuar në rivlerësimin e rolit politik të
euergetizmit qytetar. Të frymëzuar nga kritikat e hershme për neglizhencën e
Vejnit ndaj nderimeve që u bëheshin bamirësve, hulumtimet e fundit thonë se
euergetizmi ka qenë një formë e shkëmbimit të dhuratave, siç përcaktohet përgjithësisht
nga antropologët. Një prej tyre është edhe sociologu dhe antropologu francez Marcel Mauss, 1872-1950)*. Dhënia e dhuratës gjithmonë nënkuptonte
një kundër-shpërblim. Ajo krijonte marrëdhënie shoqërore të qëndrueshme midis
palëve të përfshira dhe kishte pasoja (potenciale) në shumë sfera shoqërore
(politike, shoqërore, ekonomike, fetare). Shikuar nga kjo perspektivë, nderimet
që morën bamirësit nga komunitetet e tyre në këmbim të dhuratave të tyre
(privilegje sociale dhe ligjore për veten dhe për familjet e tyre, brohoritje
publike, tituj, kurora, statuja, mbishkrime nderi e kështu me radhë) rezultojnë
të jenë po aq të rëndësishme edhe nga ana sociale dhe politike, sa dhuratat që
dhanë.
Ky model transaksional i
euergetizmit nënkupton gjithashtu një qytetari aktive nga ana sociale dhe
politike, duke i inkurajuar bamirësit e elitës dhe duke i shpërblyer ata për
bujarinë e tyre nëpërmjet institucioneve politike dhe sociale të polisit, në
vend të demosit, marrës pasiv të parashikuar nga Vejni.
Shënim: Marsel Israel Mos (Marcel
Israël Mauss, lindi në Epinal të Francës në vitin 1872. Vdiq në Paris në vitin
1950. Ka qenë sociolog dhe antropolog francez, i njohur si “baba i etnologjisë
franceze”. Nip i Emil Dyrkamit. Mosi i kapërceu
kufijtë midis sociologjisë dhe antropologjisë.
Shënim: David Emile Dyrkam (David Émile Durkheim,
Epinal, Francë, 1858 – Paris, 1917) është sociolog francez. Krijoi disiplinën akademike
të sociologjisë. Është një nga arkitektët kryesorë të shkencës sociale moderne,
bashkë me filozofin, teoricienin politik, ekonomistin dhe socialistin revolucionar gjerman, me prejardhje
hebraike Karl Marksin (Karl Marx;
Trier, Prusi, 1818 – Londër, 1883) dhe juristin, sociologun dhe ekonomistin
gjerman, themelues i sociologjisë si shkencë, Maks Veber (Maximilian Carl Emil Weber; Erfurt,
1864 – Munih, Gjermani, 1920).
* * *
Kështu është argumentuar se
përhapja e paparë e euergetizmit qytetar në lindjen helenistike dhe në
Perandorinë Romake mund të kuptohet si rezultat i tensionit midis pozicionit të
shquar shoqëror dhe politik të qytetarëve të pasur (që u inkurajua nga mbretërit
dhe perandorët të cilët vareshin prej tyre për administratën lokale) dhe
idealit të qëndrueshëm të polisit për barazi politike themelore. Me dhuratat e
tyre, qytetarë të shquar demonstruan besnikërinë e tyre ndaj idealit të
komunitetit qytetar dhe rëndësinë e vazhdueshme socio-politike të tij, ndërsa
populli ndau nderime midis bamirësve të tyre të elitës të cilët nga ana tjetër
shërbyen për të legjitimuar rolet e larta shoqërore dhe politike të bamirësve
në komunitet. Këto shkëmbime ishin subjekt i proceseve të vazhdueshme negocimi midis
elitës dhe popullit në këshill, në kuvend dhe më gjerë, që e strukturuan raportin
midis qytetarëve të elitës dhe jo-elitës dhe i dhanë demosit një shkallë kontrolli
mbi sjelljen bujare të të pasurve.
Euergetizmi në qytetet e
Perëndimit Romak, veçanërisht në Itali, në Afrikën e Veriut dhe në Spanjë, i përfshinte
të njëjtat kategori dhuratash si në Lindje (dhurata të dhëna për tempuj, për ndërtesa
publike, për lojëra, për festivale, për bankete publike dhe për shpërndarje
ndihmash) dhe ishte po aq i orientuar drejt qytetarisë në fokusin e tij qendror
në komunitetin qytetar si përfituesi kryesor i bujarisë së elitës.
Bamirësitë
mbretërore dhe perandorake – Ky model i reciprocitetit hedh dritë edhe mbi euergetizmin e
mbretërve helenistikë dhe të perandorëve romakë në qytetet e mbretërive të
tyre. Mbretërit dhe perandorët u dhuronin qyteteve (ndërtesa, infrastrukturë,
ushqim, lirim nga tatimi, etj.) dhe ndaj tyre tregonin vullnet të mirë në
mënyra të tjera. Për këtë u jepnin nderime, shpeshherë me kulte. Pra,
ekzistojnë lidhje midis euergetizmit dhe kultit të sundimtarit apo të
perandorit. Marrë në përgjithësi, komunikimi dhe ndërveprimet (interaksionet)
midis sundimtarit dhe bashkësive qytetare kanë qenë në kuadrin e diskursit
euergetik, me ç’rast sjellja e secilit ndaj tjetrit gjithmonë është kuptuar
qëllimisht si bamirësi. Shkëmbimi euergetik kryesisht e ka lehtësuar
ndërveprimin e qetë të vazhdueshëm ndërmjet sundimtarit dhe qyteteve. Kësisoj
ka ndihmuar të fshihen aspektet potencialisht të dhunshme ose eksploatuese të
raporteve. Karakterin transaksional të euergetizmit, si në rrafshin qytetar
midis elitave urbane dhe popullit, ashtu edhe në rrafshin e sundimtarëve
perandorakë dhe qyteteve, e ilustron shfaqja e nderimeve si (kundër)dhurata dhe
fakteve se të dyja palët kanë mundur të kryenin shkëmbim. Kështu qyteti ka
mundur të fillojë veprimtarinë duke i dhënë (bërë) nder qytetarit të pasur dhe
të respektuar, i cili pastaj ndihej i detyruar të reagojë me bamirësi në formë
të kundër-dhuratës.
Grupet margjinale – Gjatë periudhës së helenistike dhe të perandorisë romake
euergetizmi u bë gjithashtu mekanizëm që u jepte mirënjohje në lëmin publik
grupeve brenda bashkësisë qytetare të cilëve një gjë e tillë nuk u lejohej. Për
shembull donatoret kanë mundur t’i veçojnë qytetaret si grup specifik i
mikeshave në shpërndarjen e artikujve euergetikë. Madje, që nga periudha
helenistike e këndej hasim në femra elite aktive dhe si bamirëse qytetare, duke
u kontribuar ndërtesave publike, festivaleve, lojërave, ahengjeve dhe
shpërndarjeve njësoj si kolegët meshkuj të tyre dhe për këtë arsye qytetet
publikisht u bëjnë nder me mbishkrime dhe me statuja. Madje edhe pse gjithmonë
kanë mbetur pakicë (e rëndësishme) në mesin e donatoreve euergetike, bamirëset
mund të hasen në materialin e epigrafeve nga qytetet në lindjen helenistike dhe
romake, në Itali dhe në provincat perëndimore deri në perandorinë e vonshme.
Paraqitja e tyre, së pari në poliset helenistike të mëvonshme, ndërlidhet me
shquarsinë shoqërore dhe politike në rritje të familjeve qytetare të pasura në
qytete greke post-klasike, anëtarët meshkuj të të cilave kanë dominuar në
këshillat e qyteteve dhe në magjistratët qytetarë. Për familjet e tilla, të
treguarit euergetik ka qenë vendimtare për ruajtjen e statusit të tyre nëpër
bashkësi. Nga ajo perspektivë, mobilizimi i anëtarëve femra të familjeve si
bamirëse po ashtu ka pasur kuptim të përkryer reputacioni, sidomos kur, për
shkak të vdekshmërive nuk ka pasur numër të mjaftueshëm burrash që do t’i
përfaqësonin familjet. Grupet jo-qytetare siç kanë qenë të huajt ardhacakë,
robërit e liruar, robërit, madje edhe të huajt e ardhur për vizita kanë qenë
kategori të tjera të margjinalizuaa të cilët gjithnjë e më shpesh shfaqen në
radhët e miqve elitarë zemërgjerë që nga periudha helenistë e këndej.
Derisa euergetizmi mbeti i orientuar
kryesisht kah bashkëqytetarët bamirës apo kah nëngrupet e tyre, në shpërndarjet
publike të parave, të ushqimit apo të vajit ose në banketet publike, grupet
jo-qytetare kanë qenë të përfshira me shpeshtësi të caktuar bashkë me
qytetarinë, edhe pse shpesh kanë marrë më pak lëmoshë ose porcion se qytetarët
e thjeshtë, të cilët në anën tjetër shpeshherë kanë marrë më pak se qytetarët
me status të lartë siç kanë qenë anëtarët e këshillit. Ky theksim i njëkohshëm
i përfshirjes dhe i hierarkisë shoqërore kryekëput është tipik për euergetizmin
qytetar helenistik të mëvonshëm dhe të periudhës romake.
Mënyra e dhënies së
donacioneve – Veprat bamirëse publike kanë mundur
të marrin forma institucionale të ndryshme. Prej mbartësve të funksioneve
publike dhe prej klerikëve shpesh pritej
që një pjesë të shpenzimeve që ndërlidheshin me detyrat e tyre, t’i sigurojnë
prej xhepit të vet. Kontributet e tilla janë quajtur liturgji (leitourgiai) ose
kanë qenë të detyruar t’i japin donacione (summae honorariae – shuma nderi / summae
legitimae – shuma legjitime) qytetit me rastin e marrjes së detyrës së
magjistratit, të klerikut apo të anëtarit të këshillit. Kjo është ajo të cilën
Vejni, për ta përshtatur terminologjinë e lashtë, e ka quajtur „évergétisme ob honorem“ (bamirësi nderi). Kuptohet, bamirësit
kanë mundur ta shtojnë natyrën euergetike të kontributeve të tilla dhe t’i
rrisin në maksimum nderimet që u janë bërë për to, duke kontribuar shumë më
tepër nga ajo që ka qenë e parashikuar me ligj. Shpeshherë kanë qenë dhurata
spontane që rëndom i kanë në mendje dijetarët kur e përdorin nocionin euergetizëm, të cilat kanë qenë spontanë
vetëm deri në një masë të caktuar për arsye se një zemërgjerësi e tillë është
pritur prej qytetarëve të pasur. Dhuratat e tilla kanë mundur të marrin forma
të ndryshme. Shumë prej tyre do të ishin dhurata të njëhershme, por veprat
bamirëse kanë mundur të kenë edhe formën e pasurisë së lënë me testament. Në
rastin e dytë, bamirësi do të dhuronte një fond kapital, qoftë një shumë të
caktuar parash apo një copë toke ose pasurie të paluajtshme (shtëpi, punëtori),
qytetit ose ndonjë institucioni tjetër të tij (p.sh. kooperativës), me kusht që
paratë të jepen hua ose pasuria e paluajtshme të jepet me qira. Të hyrat
(kamatat, paratë e qirasë) do të shfrytëzoheshin për të mirën publike,
shpeshherë duke përsëritur festivalin në emër të bamirësit. Testamentet e
tilla, po qe se administrohen si duhet, do të mund ta kapërcenin jetën e
bamirësit (disa vërtet janë dhënë me testament) dhe të jenë burim respekti të
përhershëm, bashkë me një përmendore nderi, që e ka marrë donatori si
zëvendësim për dhuratën e vet. Forma tjetër e dhurimit publik që mund të
ndërlidhet me euergetizmin është parapagimi publik që ka lulëzuar në radhë të
parë te poliset helenistike. Në këtë rast shumë qytetarë dhuronin një shumë të
vogël për financimin e ndonjë të mire publike, kurse qytetarët më të pasur
shpesh kontribuonin më tepër. Zakonisht vihej mbishkrimi ku shkriheshin emrat e
të gjithë donatorëve dhe shumat që i kishin dhënë.
Zhvillimi i
antikitetit të vonë – Euergetizmi qytetar
lulëzoi si asnjëherë më parë nën Perandorinë Romake, në qytete edhe në lindje
edhe në perëndim, gjatë shekullit I, e sidomos shekullit II pas K. si dhe në
dhjetëvjeçarët e par të shekullit III. Mirëpo, nga mesi i shekullit III e
këndej, bashkë me aspektet e tjera të jetës qytetare, duket sikur euergetizmi
shënonte rënie në shumë rajonet e perandorisë (Afrika Veriore është përjashtim
i rëndësishëm). Mbishkrimet e nderit që i shënojnë dhuratat e bamirësve elitë
vendorë bëhen gjithnjë më të rrallë. Është vështirë që kjo rënie fiktive të mos
ndërlidhet me një sërë krizash që kanë goditur si duket shumë pjesë të
perandorisë gjatë shekullit III, ndonëse marrëdhëniet shkak-pasojë të sakta
mbeten disi të paqarta. Gjatë shekujve IV dhe V pas K., të paktën në lindje,
duket sikur euergetizmi qytetar është këndellur dhe ka mbetur faktor i
rëndësishëm në jetën e shumë qyteteve. Mirëpo, në disa mënyra të rëndësishme,
një pjesë e madhe e zemërgjerësisë së antikës së vonshme ende ka qenë nën
ndikimin e krishterimit gjë që ka
sjellë idenë që të pasurit dhuratat e
veta t’ua japin, jo bashkësisë qytetare të vet, siç kanë vepruar bamirësit jo
të mirë, por të varfërve (të krishterë). Gjithashtu, derisa qytetarët e
krishterë me renome, kur kanë kontribuar për ndërtimin e një kishe, ende
nderoheshin me mirënjohje publike, tani është e qartë se për dhuratat e tilla
kanë kërkuar shpërblime, jo aq për këtë botë, sa për botën tjetër. Përkundër
kësaj, ato që do t’i quanim dhurata të ndyra apo të kësaj bote, vazhduan edhe
më tej, shpeshherë sipas lojërave, shfaqjeve dhe garave në vrapim.
Momentalisht debati për zemërgjerësinë
në kohën antike të vonshme ka mbetur i pazgjidhur. Derisa disa dijetarë shohin
një lëvizje vendimtare në imagjinatën shoqërore, nga euergetizmi i ligë në
qytetarë të modelit të orientuar të euergetizmit, sipas nocionit të krishterë
të lëmoshës për të varfrit, të tjerët shohin ngritjen e formës specifike të
krishterë të euergetizmit që përfundoi në lindje kur korniza komunale u zhduk
përfundimisht në shekujt VI dhe VII. Dhuratat publike të njerëzve të pasur me
siguri kanë vazhduar por shkëmbimi specifik i dhuratave për nderimet midis
elitës dhe njerëzve që i karakterizonte euergetizmi në qytetet e lashta - deri
atëherë është zhdukur.