E merkure, 24.09.2025, 12:08 AM (GMT+1)

Speciale

Syrja Etemi: Kisha paleokristiane manastirore e Shën Thanasit

E marte, 23.09.2025, 06:59 PM


KISHA PALEOKRISTIANE MANASTIRORE E SHËN THANASIT

(Manastiri i Vjetër mbi fshatin Sllatinë dhe Leshkë të Tetovës)

Nga Syrja Etemi

Rreth gjysmë ore ecje nga fshati Leshkë dhe Sllatinë, përgjatë rrugës që të çon drejt fshatit Breznë, ndodhet Manastiri i Vjetër, shumë i dëmtuar, i kushtuar Shën Thanasit. Ai ndodhet në një vend të rrafshët të rrethuar me lisa dhe drunj të tjerë gjetherënës. Dikur ky manastir ka qenë një qendër shpirtërore, juridike dhe kulturore për banorët e zones dhe rajonit të Pollogut të Poshtëm. Manastiri është ndërtuar në shekullin XIV dhe themelues i tij ka qenë eromonaku Anton, i cili në kohën e rindërtimit të kishës, në Kuvendin Mitropolitan të Shkupit, u emërua si peshkopi i parë i Dioqezës së Pollogut të Poshtëm.

Kjo tregon se mitropoliti Anton e ka ndryshuar emrin e tij murgëror në emrin peshkopal Joanikij. Duke gjykuar nga stili dhe mënyra e ndërtimit, si dhe nga ornamentika e ruajtur prej guri të futur në kishë, themeluesi Joanikij ka qenë një njeri i arsimuar me shije të lartë ndërtimore, dhe që kishte mjete të mjaftueshme për ndërtimin dhe arredimin e brendshëm të kishës. Kjo është edhe periudha kur, në rajonin e Pollogut, zyrtarisht u formua Dioqeza e Pollogut. Në këtë rajon, më herët ka ekzistuar një dioqezë, që kishte si pronë kishën e Shën Mërisë, menjëherë poshtë kishës së vjetër të Shën Thanasit, aty ku sot ndodhen rrënojat e Manastirit të Leshkës.

Në kohën kur u formua Arqipeshkvia e Ohrit – ndoshta edhe më herët – në shekullin X në Pollogun e Poshtëm, nën qytetin historik të Legenit, ishte formuar një qendër shpirtërore e udhëhequr nga një korepiskop, si përfaqësues i Arqipeshkvisë së Ohrit. Që nga fillimi i krishterimit, nën juridiksionin e tij binte e gjithë veprimtaria administrative në Pollog, që përfshinte edhe Pollogun e Epërm. Korepiskopi kishte një kishë në nder të Shën Mërisë nën fortesat e Legenit dhe një oborr me pasuri për mbajtjen e klerikëve të dioqezës. Kisha e parë, sipas një shtylle prej guri të ruajtur, ishte ndërtuar në stilin e kishave më të vjetra të Ohrit dhe Prespës. Në mungesë të dokumenteve të shkruara, kjo shtyllë tregon se Dioqeza e Pollogut i përkiste administrativisht Arqipeshkvisë së Ohrit.

Deri në vitin 1970 mendohej se kisha e Shën Thanasit datonte nga gjysma e dytë e shekullit XIV dhe se ishte ngritur nga peshkopi i parë i Pollogut, Joanikij, gjë që dëshmohet edhe nga mbishkrimi në sarkofagun e tij të gjetur gjatë gërmimeve të bëra në atë vit. Megjithatë, me studimin e bazës dhe fasadës, u konstatua se kisha i përkiste shekullit VI, në kohën e ardhjes së sllavëve në këto anë. Kisha e rindërtuar nga Antoni, si peshkopi Joanikij, funksionoi aktivisht deri në shekullin XV. Më parë, përreth saj Joanikij kishte ndërtuar qeli për murgjit dhe për anëtarët e vëllazërisë manastirale, duke formuar kështu një kompleks manastiri.

Me ardhjen e turqve, qëndrimi i murgjve u bë i pasigurt për shkak të vendndodhjes së saj jashtë vendbanimit dhe ata e braktisën manastirin, i cili mbeti në mëshirën e askujt dhe i pambrojtur. Në vitin 1689, turqit u sulën ndaj popullsisë së krishterë, duke i plaçkitur dhe më pas i dogjën, përfshirë këtu edhe objektet kishtare. Në atë kohë u shkatërrua edhe kisha e Shën Thanasit, e cila me kalimin e viteve u mbulua nga dheu. Gjatë gërmimeve në vitin 1927 u zbuluan shumë mbetje nga kisha e shkatërruar. Në apsidën jugore u gjet sarkofagu i përmendur i themeluesit. Pranë tij u gjetën edhe dy të tjerë – njëri në apsidën veriore përballë atij të themeluesit, dhe i treti në narteks. Brenda kishës u gjet një ikonostas mermeri i plotë, i përbërë nga pesë shtylla me kapitele që paraqesin koka njerëzore dhe shtazore, dhe një tra horizontal. Ishte 1.85 metra i lartë dhe 2.80 metra i gjerë. Në apsidën jugore, pranë murit perëndimor, ndodhej froni i mermerit i peshkopit. Në altar u gjet një pjesë e tryezës së shenjtë prej mermeri dhe fragmente të mbajtëseve të qirinjve prej mermeri. Dyshemeja ishte prej pllakash mermeri drejtkëndëshe me një yll nën kupolën me figurën e Krishtit Mbajtës i Gjithësisë. Nën dyshemenë e mermerit, në apsidën veriore pranë murit, u gjet një varr, një kostur i madh në pjesën veriore të naosit dhe një më i vogël pranë murit jugor të narteksit.

Kisha ishte ndërtuar mbi një vend më të vjetër kulti ku kishte ekzistuar një kishë më e hershme. Në lindje, altari i kishës së vjetër përfundonte aty ku përfundon naosi dhe fillon narteksi. Sa i përket shtrirjes perëndimore të kishës së vjetër, nuk dihet. Me gërmime të mëtejshme të themeleve mund të zbulohej madhësia dhe forma e bazës së kishës paleokristiane. Mbi pjesën lindore të kishës së vjetër dhe në vazhdim drejt lindjes, Antoni ndërtoi kishën. Dimensionet e jashtme ishin 15.10 metra gjatësi dhe 9 metra gjerësi, ndërsa brendësia kishte 11 metra gjatësi dhe 6.9 metra gjerësi. Muret mbajtës ishin të trashë 100-120 cm, ndërtuar me gurë mermeri të mbetur.

Kisha është e mbuluar me një konstruksion druri. Fasadat janë të ndërtuara në stilin rashjan me përdorim tullash dhe harqe të verbra. Më vonë u shtua kambanorja dhe pastaj narteksi. Fasada dekorative ishte ndërtuar në stil bizantin me tulla horizontale dhe vertikale, ndërmjet të cilave ndodheshin blloqe guri të gdhendur. Ana e brendshme ishte e ndërtuar me gurë lumi të zakonshëm. Apsida e altarit ishte ndërtuar me tri faqe dhe nuk përfshinte proskomidinë dhe diakonikon. Në murin perëndimor të narteksit të shtuar, mbi derën hyrëse, kishte niçe (nejçe) gjysmë rrethore të mbuluara me harqe. Mbi pjesën qendrore të naosit kishte një kupolë me tetë ose dymbëdhjetë faqe dhe një dritare të zgjatur në secilën faqe, ndërtuar tërësisht me tulla. Në apsidën veriore dhe jugore kishte dritare të dyfishta. Narteksi kishte një kupolë për kambanë. Kisha ishte e mbuluar me pllaka plumbi dhe kishte një ndërtim të përzier (iliro – byzantine -bregdetare, S.E.) me elemente të vogla të stilit rashjan.

Me këto elemente të kombinuara, kjo kishë është unike e këtij lloji në Maqedoni, çka e rrit më tej rëndësinë e saj. Kisha përmban mbetje të pakta nga freskat, të cilat i përkasin dy periudhave, që të dyja nga shekulli XIV.

Pikturat murale janë ruajtur pjesërisht në apsidë, në konkën e murit verior, si dhe në shtyllat mbajtëse të anijes qendrore. Shtresa e parë e pikturës daton nga dekada e tretë e shekullit XIV, nga koha e ndërtimit të kishës. Shtresa e dytë e pikturës është nga dekada e gjashtë e shekullit XIV.

Nga fragmentet e ruajtura mund të konstatohet se pikturat nga faza e parë i përkasin stilistikës së lartë të artit pikturor paleologan. Kjo mund të dallohet veçanërisht në veshjet e shenjtorëve, të cilat janë të mbushura me motive florale, arabeska dhe ngjyra të ndezura, që përmes koloritit të hapur u japin figurave një ndjenjë të veçantë monumentaliteti. Modelimi është shumë i imët dhe ndihen ndikime nga faza klasike, në kalimin mes shekullit XIII dhe XIV.

Shtresa e dytë e pikturës është produkt i shkollës lokale të ikonografëve (zografëve) dhe i përket të ashtuquajturës fazë e artit murgëror. Karakteristikë e kësaj pikture është përdorimi i toneve të errëta, të cilat shërbejnë për të paraqitur jetën e asketëve (shenjtorëve të vetmuar) në një mënyrë më të thellë dhe shpirtërore. Këtu bëhet fjalë për një pikturë që e ka origjinën në gjysmën e dytë të shekullit XII.

Mbetjet e pikturës janë në gjendje shumë të keqe. Piktura murale në kishë është thuajse tërësisht e shkatërruar, dhe është vështirë të jepet një përshkrim i plotë për të.

Në pjesën qendrore të altarit ndodhet freska e Shën Vasilit të Madh dhe Shën Gjon Gojartit, dhe në të dyja anët e tyre ka dy peshkopë të përkulur, të kthyer drejt lindjes. Së bashku formojnë kompozimin "Adhurimi i Qengjit".

Në niçen veriore të altarit, në dhomën e diakonit, ndodhej diakoni Stefan me temjanikë, ndërsa përballë, në anën jugore, ndodhej Shën Romani me tabernakullin e dhuratave. Në murin e shtyllës veriore, aty ku hyhej në altar, kishte mbetje të një diakoni të paraqitur si engjëll. Në shtyllën jugore kishte mbetje dekorimesh me ornamente bimore.

Majtas dhe djathtas ikonostasit, në anën lindore me pamje nga perëndimi, ishte paraqitur një murg - shërbyes. Më tej, në vazhdim të apsidës jugore, ose djathtas ikonostasit, pranë murg-stolnikut, janë paraqitur edhe tre djem të rinj në një furrë të ndezur zjarri (skenë e njohur biblike).

Duke vëzhguar kishën në tërësi, vërehet një dekorim i pasur me mermer në brendësi, fasadë dekorative me tulla dhe blloqe guri gëlqeror, një friz dekorativ nën çati, dritare mermeri në apsidën veriore dhe jugore, një rozetë mermeri, dhe elementë të tjerë.

Sa i përket pikturës, duket qartë se themeluesi kishte njohuri të mira teknike dhe u kishte sugjeruar piktorëve (zografëve) se cilat freska ku të vendoseshin. Kjo mund të shihet nga prania e asketëve (eremitëve) dhe pozicionimi i tyre i pazakontë në kishë.

Me këtë, themeluesi dëshironte që përmes figurave të asketëve, të krijonte një ambient asketik, duke ndikuar që murgjit e manastirit të pranonin atë mënyrë jetese, një jetë e përkushtuar ndaj lutjes së përditshme.

Është shumë e vështirë të bëhet një vlerësim artistik i pikturës, për shkak të shkatërrimit pothuajse tërësor të saj, dhe nuk mund të përcaktohet saktë se cilët kanë qenë piktorët (zografët).

Sarkofagët janë thyer, po ashtu nuk është kursyer as varri i murgut Theodorit, i cili ndodhej në pjesën jugore të kishës.

Të shohim se kush është murgu Theodorit!

Murgjit rusë në Manastirn e Leshkës dhe Manastiri i Vjetër mbi Sllatinë

Manastiri i Leshkës, si qendër kulturore e fetare në zonën e Pollogut por edhe më gjërë, përveç tjerash, dikur ka qenë edhe qerthull dhe shtëpi edhe e 35 murgjëve rusë. Kështu shkruhet në wikipedi: wikipedia.org.mk, për të vazhduar:

“Valaamicët ishin murgjë rusë nga manastiri Valaam në Finlandë, të cilët në vitin 1926 vijnë në Leshkë”.

Kështu rrjedh vakia e kësaj historie:

Pas refuzimit për respektimin e kalendarit të ri, (i përkrahur dhe mbështetur paraprakisht nga Kisha autonome e Finlandës dhe nga Patrikana e Konstantinopolit), një grup murgjish “tradicionalë”, u ndëshkua me internim në shtator të vitit 1926 dhe, pas një udhëtimi njëmujor, ky grup arriti në “Juzhna Banovinë” – në Shkup (Kështu quhej Maqedonia e Veriut në kohën e Mbretërisë S.K.S.). Këtu, ky grup u prit nga mitropoliti Varnava - në cilësinë e mikpritësit të të internuarëve (për shkak të “lidhjes” së pravosllavies ortodokse). Krejt vëllazëria ruse, për dy vite në Manastirin e Leshkës,  ka jetuar sipas regjimit të ashtuquajtur “kinoviski” (bashkësi) që, mëpastaj, për t’u shpërndarë në grupe më të vogla nga 2-3 murgjë dhe të caktuar në manastiret tjerë në Eparkinë e Shkupit. (Shih: Shkup).

Nga ky grup që përmendëm mësipër, më së shumti u dallua murgu, Theodorit, (i cili kishte prejardhje ukrainase). Ky, duke dëgjuar nga banorët vendasë se mbi Manastirin e Leshkës (mbi f.Sllatinë - S.E.), gjendet një mikrotoponim: Manastiri i Vjetër (Star Manastir) dhe janë vërejtur gjurmë të kishës së braktisur, interesohet për këtë lokalitet që në vitin 1927, dhe fillon të punojë e gjurmojë. Gjatë gërmimit, Theodoriti ka qenë i befasuar nga gjetjet e çmuara nga rrënimi i kësaj kishe me ikonostase të mermerta, tërpezaria (tavolina) e nderit, froni i arkierejit, kryqëtaria, tre sarkofage, prej të cilëve një në ktitorin i cili njëkohësisht ka qenë edhe e peshkopit të Pollogut.

I mahnitur nga pasuria dhe vlerat e paçmueshme arkeologjike të gjetura, menjëherë ka qenë i lajmëruar mitropoliti i Shkupit, Varnava dhe profesori i universitetit të Shkupit, Radovan Grujiq. Të dy vijnë në vendin e piketuar për t’u verifikuar. Atëherë mitropoliti Varnava i jep mbështetje të fuqishme, ndërsa profesor Grujiqi i studioi të gjitha materialet dhe, hulumtimet i boton në periodikun e shoqatës hulumtuese të Shkupit nr. 13 në vitin 1933 me titull: ”. (“Eparkia pollogase - e Shkupit dhe manastiri Leshka” ).

Pas kësaj, Theodoriti i rindërton muret e vjetra, kurse objektin e mbrojti me një kulm të improvizuar dhe, këtu brenda në kishë, ai jetoi deri në fund të jetës. Në jug të kishës ndërtoi një këmbanore. Nevojat e përditshmërisë i plotësonte me ndihmën e shërbyesve të manastirit, duke u dhënë sinjale me anë të borisë së bririt. Pas vdekjes së Theodoritit (më 1939), ai varroset në jug të kishës. Banorët vendasë, për çdo vjet, për ditën e Thanasit, më 30 janar, tradicionalisht e vizitojnë këtë vend.

Për të mos e përfunduar këtë histori me kaq, është e udhës të japim disa sqarime për Manastirin në fjalë, në mënyrë që lexuesi të ketë një përceptim më të kthjellët dhe më të qartë për këtë objekt sakral të paraardhësve të krishterë të popullatës së kësaj zone.

Popullata shqiptare e Sllatinës, këtë kishë e quajnë Manaster’ i Vjetër. Ky manastir është objekt, i cili daton nga shekulli XIV. Gjendet në atarin e f.Sllatinë, në kodrinën e Sharrit mbi fshat (në anën e majtë të lumit të Sllatinës dhe të rrugës së asfaltuar: Sllatinë – Breznë. I njëjti ka qenë seli e Ipeshkvisë së Pollogut, i ndërtuar më 1320, kurse është rrënuar më 1690 (në kohën e luftërave Austro-turke), dhe i rindërtuar më vonë nga ana e të krishterëve serbosllavë në kohën e Mbretërisë Sërbe.

Ky objekt sot rezulton i braktisur dhe gati i demoluar tërësisht, por të njëjtin, disa hije fantazmë e me identitet të rrejshëm juridik e klerikal, madje edhe të veshur me petk priftërinjsh, shpesh “i rrotullohen”, gjoja për ta restauruar, ku në prapaskenë duken pretendimet për ta përvetësuar.

Në vend të përfundimit:

Ky “marifet djajsh”, nuk duhet të na befasojë, sepse këto manovrime ortodokse-pushtetore për ne shqiptarët janë probleme “të vogla”, e, ”NE” mirremi me “punë shumë-shumë të mëdha”, p.sh. zgjidhja e kontekstit të emrit të Maqedonisë me Greqinë; problemin e identitetit maqedonas me Bullgarinë; “hyrje - daljet” spektakolare nga qeveria Maqedonase, e, shumë e shumë majmunllëqe tjera, që në dëm të ruajtjes dhe kultivimit të vlerave tona kombëtare, mundohen të aktrojnë protagonistin e veshur dhe telehisur me petkun vlerave properëndimore të integrimit të vendit në BEEEE...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx