Speciale » Alia
Lutfi Alia: Prof. Luan Tashi në artet pamore, muzikore dhe në studimet historike
E hene, 22.09.2025, 06:59 PM
PROF. LUAN TASHI
NË ARTET PAMORE,
MUZIKORE DHE NË STUDIMET HISTORIKE
Nga
Dr. Lutfi ALIA, Siena – Itali
Luan
Tashi është lindur më 25 shkurt 1965 në Prishtinë, qyteti ku kaloi fëmijërinë
dhe kreu shkollën fillore dhe të mesme. Që në moshë të re, shfaqte ndjeshmëri
të veçantë në fushat e artit. Një nga përjetimet e hershme e njëkohësisht më të
paharruara të tij, lidhet me 28 marsin 1978, kur ky djalosh trembëdhjetëvjeçar
realizoi tetë fotografi cilësore të Shën Nënë Terezës, gjatë vizitës së saj në
kishën katolike “Shen Ndou” në Prishtinë, ku ishte e pranishme në këtë takim
dhe nëna e tij Mira.
1978
– Nëna Mira në takimin me Shen Nënë Tereza.
Prirjet
e tij artistike vazhdoi t’i kultivoi me pasion me studime sistematike. Në vitin
1982 nisi të mësonte teknikën e serigrafisë (sitoshtypit) në një punëtori
private dhe në vazhdim për dhjetë vite punoi portretist në rrugët dhe sheshet e
qyteteve bregdetare të ish-Jugosllavisë, Greqisë dhe Turqisë. Krijimet e tij me
portrete kërkoheshin me admiririm nga publiku. Kjo përvojë krijimtarie i
shërbeu të realizoi dhe punime në fusha të tjera si krijues reklamash dhe
interierist. Në mënyrë të veçantë këto veprimtari ndikuan në formimin shpirtëror,
kulturor dhe artistik të Luanit, madje këto prirje i shndërroi në talent
krijues të admirushëm, që rritej e perfeksionohej nga viti në vit. Këtë talent
artistik Luani e kompletoi me studimet universitare të artit. Në vitin 1989,
përfundoi studimet në Akademinë e Arteve në Prishtinë, në degën e Dizajnit
Grafik, ku u diplomua me sukses, u shpall “Student i dalluar” dhe fitoi
titullin “Profesor i Dizajnit Grafik”.
Menjëherë
pas përfundimit të studimeve më 1990, dhe me fillet e sistemeve të para
dixhitale në botë, Luani pati fatin që vëllai i tij t’i dhuroi kompjutorin
“Apple Macintosh SE-30”, me të cilin filloi të mësonte aplikacionet grafike
“Aldus Freehand”, “Adobe Photoshop” dhe “QuarkXpress”.
Luan Tashi, në artin
pamor
Në
vitin 1991, Luani hapi atelien e tij të parë të dizajnit. Në vitin 1996,
dizajnoi Abetaren e parë për nxënësit shqiptarë në mërgim. Pas luftës, më 1999,
u angazhua si dizajner grafik në UNHCR, ndërsa në vitin 2002 ishte
bashkëthemelues i agjencisë së marketingut “Rrota”, përmes së cilës realizoi
përgatitjet grafike për botimin në gjuhën shqipe të stripave të njohur botërorë
si:“Alan Ford”, “Spiderman”, “Marty Mistery” dhe “X-Man”.
Në
vitet 2001 - 2007, punoi dizajner grafik në Misionin e Kombeve të Bashkuara në
Kosovë (UNMIK) ku udhëhoqi përgatitjen dhe dizajnimin e revistës “Fokus
Kosova”, e publikuar në tri gjuhë.
Në
vitin 2008, bashkëpunoi me agjencitë e marketingut “Zero Positive” dhe “B2”, ku
kontribuoi në dizajnimin e librit zyrtar të Qeverisë së Republikës së Kosovës:
“Libri i Pavarësisë së Kosovës, Prishtinë 2008”.
Në vitet 2009 - 2019, Luani punoi dizajner grafik në gazetën “Koha Ditore”, ku dha një kontribut të rëndësishëm përmes ridizajnimit të gazetës. Gjatë kësaj periudhe realizoi gjithashtu dizajnin e rreth 100 ballinave të romaneve të autorëve vendorë dhe ndërkombëtarë. Përveç kësaj, bashkëpunoi me kompaninë ndërkombëtare “Amazon”, duke dizajnuar dy libra me titujt “Besa Po” dhe “Smell of War”.
Përveç
si dizajner, Luan Tashi është redaktor i dy veprave të rëndësishme: “Fotografia
në Kosovë 1900-1950” dhe “Fjalori Enciklopedik Muzikor i gjuhës shqipe”, të
autorit, dirigjentit dhe pedagogut të mirënjohur të muzikë klasike, profesor
Bajar Berisha.
Në
vitin, 2011, hapi në Prishtinë kompaninë e tij personale “TiSign” dhe u bë
importues ekskluziv i bluzave të brendit amerikan “Fruit of the Loom” në të
cilat bënte printimin e bluzav. Në këtë kohë menaxhoi dy dyqane, njërën në
qendrën tregtare Albi Mall, tjetrën në qendër të Prishinës. Një ndër arritjet e
sukseshme është në vitin 2012, në 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, me
dizajnimin e llogos në versionin e tij “100 Vjet Shtet”. Në vitin 2016, asetet
dhe kompaninë ia shiti punëtorëve të tij.
Në
vitin 2017 botoi librin e tij të parë “100 Llogot e Kosovës”, ku bëri
përzgjedhjen e 100 llogove dhe simboleve grafike, të identitet vizual të
ndërmarrjeve publike, kompanive private dhe institucioneve të ndryshma
kosovare, nga vitet e 50’ deri më 2017.
Ballinat
e librave të botuara nga Luan Tashi në vitet 2017 – 2025
Gjatë
disa vite kërkime nëpër galeri, muzeume, biblioteka, arkiva, si dhe në
koleksione të ndryshme publike dhe private nëpër botë, si në: Romë, Firence,
Tiranë, Sofje, Athinë, Dubrovnik, New York, Washington etj., Luan Tashi krijoi
një arkiv me qindra portrete nga burimet origjinale, me të dhëna bibliografike
dhe artefakte të ndryshme në lidhje me Gjergj Kastrioti Skenderbeun. Këtë
koleksion të pasur me portrete, në vitin 2018, në përvjetorin e 550 vjetorit të
vdekjes të Gjergj Kastriotit, Luan Tashi e prezantoi në librin “Portrete të
Skënderbeut gjatë shekujve”, të botuar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës. Kjo
vepër ka gjetur vend në bibliotekat më prestigjioze botërore, mes të cilave:
Bayerische Staatsbibliothek, München; Akademie der Wissenschaften und der
Literatur, Mainz; Biblioteca Nazionale Centrale, Roma; Columbia University, New
York; Library of Congress, Washington; Biblioteka dhe Muzeu Presidencial
Woodrow Wilson, Staunton; National Library, New York; Princeton University
Library, New Jersey; Yad Vashem, Muzeu Historik i Holokaustit, Jerusalem;
Biblioteka e Bashkisë Piana degli Albanesi/Hora e Arbëreshëvet, Sicili. Këto të
dhëna mund të i gjeni në katalogun “WorldCat” https://search.worldcat.org/title/1124644683
Kjo
vepër prestigjioze është pjesë dhe e institucioneve kombëtare shqiptare si
Biblioteka Kombëtare Universitare e Kosovës “Pjetër Bogdani” Prishtinë;
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, Tiranë; Akademia e Studimeve Albanologjike,
Tiranë; Biblioteka Universitare “Luigj Gurakuqi” Shkodër etj.
Në
vitin 2020 në “Galerinë Kombëtare” të Prishtinës, hapi ekspozitën e tij
personale, me titull “Portrete të Skenderbeut gjatë shekujve”, ekspozitë
virtuale e regjistruar për herë parë në botën shqiptare, që mund ta shihni në
çdo kohë në internet https://lapsi360.com/PortreteTeSkenderbeut/ Ekspozitën me
të njëjtën tematikë e organizoi dhe në qytetet të tjera shqiptare, si në Tuz,
Ulqin dhe në Shkodër.
Në
vitin 2025, Luan Tashi boton librin e tij të tretë: “Ali pashë Tepelena në
artin botëror”, një vepër me pasuri të rrallë ikonografike dedikuar Ali pashë
Tepelena. Kjo vepër është redaktuar nga Prof. Dr. Irakli Koçollari, njëri prej
njohësve më të mirë të jetës dhe veprave të Ali pashë Tepelenës dhe me
recension nga studiuesi i shquar i artit shqiptar dhe atij botëror, Prof. Dr.
Ferid Hudhri.
Kontributi
i Luan Tashit shtrihet edhe në fushën e monumentalistikës: Ai është projektuesi
i Qendrës Përkujtimore “Bllacë 1999”, për të cilën u dekorua me medalje nga
“Shoqata për kthimin e shqiptarëve të shpërngulur nga trojet e veta”.
Monumenti
në qendrën përkujtimore “Bllacë 1999”, projektuar nga artistit Luan Tashi
Për
aktivitetet shkencore dhe krijimet artistike, është laureat i çmimit “Ali
Hadri” për historiografi, i akorduar nga Unioni i Shkrimtarëve dhe Kritikëve
Shqiptarë.
Në
vitin 2025, Luani përfundoi veprën e tij të katër: “Fustanella në artin
botëror”, një vepër me vlera historike, etnografike dhe artistike, e kompletuar
me ilustrime cilësore pikturash në vaj, akuarelash, vizatimesh, skicash,
litografishë dhe me fotografi, kryesisht të autorëve të huaj, por dhe të
autorëve shqiptarë, që dokumentojnë veshjen e burrave me fustanellën shqiptare.
Ilustrimi fotografik i fustanellës shqiptare përfshinë periudhën nga shekulli
XV deri në shekullin XXI. Kjo vepër e re, është një dëshmi e rrugëtimit të
gjatë dhe eksperiencës së pasur krijuese të një jete të përkushtuar artit,
kulturës dhe historisë kombëtare shqiptare.
Pas
kryerjes së studimeve pasdiplomike, në shtator të vitit 2020 mori titullin
“Master i Arteve Aplikative”. Aktualisht
është ligjërues në Fakultetin e Arteve dhe në Fakultetin e Komunikimit Masiv të
Kolegjit AAB në Prishtinë, ku jep lëndë të specializuara si: Dizajni Grafik,
Tipografi, Dizajni i Markës, Identiteti i Korporatës (Brendim) dhe Dizajn
Strategjik.
Luan Tashi, në artin
muzikor
Një ndër pasionet dhe vlerat artistike të Luanit është aktiviteti si muzikant. Ai është një poli-instrumentalist dhe kompozitor, me ndikim në skenën muzikore të Prishtinës dhe më gjerë. Me një karrierë për më shumë se katër dekada, ai u shqua për shumëanshmërinë e interpretimeve si kitarist, baterist, basist, vokalist, kompozitor e tekstshkrues.
Kontributi i tij në skenën e muzikës Rock dhe Blues të Kosovës ka qenë i vazhdueshëm dhe thelbësor, duke e pozicionuar si emër reference në historinë e muzikës moderne shqiptare. Angazhimi pasionant në krijimtarinë dhe interpretimet e muzikës Rock, muzikë me vlera artistik, morale dhe sociale, shpreh shpirtin emancipues dhe të lirë të Luanit, ashtu si nëpërmjet muzikës Blues shpreh emocionet, të cilat nëpërmjet ritmit dhe melodisë i shndërron në energji jetësore dhe në forcë kolektive.
Pasioni
i parë i Luanit ishte sporti, kryesisht karateja dhe gjimnastika. Ky pasion
zgjati deri në vitin 1979, kur nëna e tij fisnike Zonja Mira, për datëlindjen e
14-të të Luanit i dhuroi stereo-gramofonin e parë të tipit “Gerard”, të
kompletuar me 14 pllaka gramafoni të grupit legjendar “The Beatles”. Edhe pse
Luani i dinte këngët dhe hitet e Beatlesave, albumi i dyfisht i tyre i vitit
1968, i ashtuquajtur “White Album” ishte një risi dhe kthesë e madhe në muzikën
botërore, madje ky album muzikor, ndikoi shumë në kulturën muzikore të Luanit.
Të njëjtin vit, më 1979, nëna e tij, zonja Mira, e cila ishte shumë e informuar për letërsinë e klasikëve botëror, muzikën klasike dhe për filmat klasik amerikan, iu dhuroi Luanit dhe vëllait Zigit, kitaren e parë elektrike amerikane “Gibson Les Paul Special 55”, bashkë me përforcuesin e prodhimit anglez “HH Reverb Combo”.
Rrugëtimi
i Luan Tashit në muzikë nisi në vitin 1981, kur debutoi si kitarist në grupin
“Moon”, një ndër formacionet e para, që shënoi prezencën e tij në skenën
vendore. Vetëm një vit më pas, më 1982, iu bashkua grupit “Ilirët”, ku përveç
se zhvilloi më tej mjeshtërinë e tij në kitarë, ushtroi dhe një eksperiencë të
veçantë si baterist në lokalin e natës “Striptiz Bar” të Hotelit Grand në
Prishtinë. Në këtë ambient artistik, ai zgjeroi repertorin duke interpretuar në
bateri dhe në bas kitarë këngë klasike amerikane, të njohura si “Evergreen”,
duke u ekspozuar për herë të parë ndaj një publiku të larmishëm kombëtar dhe
ndërkombëtar.
Viti
1982, Luan Tashi me grupi Rock Trio.
Në
vitin 1983, Luan Tashi u shqua edhe si këngëtar, kur formai grupin “Rock Trio”,
një formacion ku vokali i tij nisi të bëhet pjesë e pandarë e stilit të tij
muzikor. Gjatë viteve 1983-1984, ai mori rolin e interpretimit baterist në
grupin “Minatori”, duke treguar qartë shumëllojshmërinë e aftësive të tij
instrumentale.
Në
vitet 1985-1987, Luani bashkë me vëllan Zigin, themeloi grupin Rock
“Manifesti”, ku interpretoi si baterist dhe basist, ndërsa kontribuoi në
kompozimin dhe krijimin e materialeve autoriale të grupit. Kjo ishte periudhë
kur Luani filloi të krijojë identitetin e tij si autor, përtej aktivizimit si
interpretues.
Në
vitin 1987 iu bashkua grupit “Fillimi i Fundit” si baterist dhe një vit më
vonë, më 1988, baterist, pjesëtar i grupit të njohur mitrovicas “TNT” të
udhëhequr nga kitaristi i mërënjohur shqiptar Nexhat Macula.
Në
vitin 1988, Luani ishte një nga bateristët më të kërkuar në Kosovë, i kërkuar
si bashkëpunues me disa grupe të kohës si: “Tempujt e Heshtjes”, “Agron
Bajrami”, “Arka”, “Magjistarët”, “Oaza”, Agron Berisha nga Shkupi e shumë të
tjerë. Këto bashkëpunime e bënë një figurë të domosdoshme në proceset e
formësimit të Rock skenës të fundviteve ‘80 në Kosovë.
Në vitin 1991, si baterist bashkformoi grupin “H Force” me kolegët: Hyshen, Labinotin, Muhën dhe Florent Boshnjakun (Pllumin), i cili sot njihet si muziçist dhe kompozitor i spikatur i muzikës shqiptare dhe po ashtu drejtor artistik i shumë festivaleve të muzikës, si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri.
Në vitin 1996, Luani incizoi për grupin “Oda”, si sesion muzikant, ku ekzekutoi në kitarë akustike këngën “Ndeja”, e kënduar nga Dukagjin Lipa, babai i këngëtares së famshme Dua Lipa.
Pas
këtyre sukseseve, në një periudhe reflektimi, për dy vite, 1997-1998, Luan
Tashi punoi në Turqi si “One man band”,
duke interpretuar solo në hotele luksoze. Kjo përvojë i dha një
dimension tjetër karrierës së tij dhe ndihmoi në zgjerimin e përvojës së tij si
interpretues i pavarur.
Cover
e CD “Blues Trio” – viti 2012
Pas
luftës në Kosovë më 1999, formoi grupin “The Blues Band”, si kitarist dhe
vokalist, duke u thelluar më tej në stilin klasik të Blues-it dhe duke sjellë
këtë frymë në skenën vendore.
Në
vitin 2002, Luan Tashi themeloi grupin “Hithat”, një projekt që solli në skenën
shqiptare një qasje origjinale në muzikën Rock dhe Blues, duke e ndërthurur atë
me tekste shqipe me plot parodi dhe humor, i cili grup performoi live në klubet
e Prishtinës dhe Kosovës.
Në
vitin 2003, grupi publikoi CD-në dhe videoklipin e parë “Mori loçka jem”,
ndërsa në vitin 2005 nxorrën DVD-në “Hithat Unplugged”, një performancë
akustike që u mbajt në “Teatrin Dodona” në Prishtinë.
Në
vitin 2011, pas një reformimi të grupit, së bashku me djemtë e tij: Lum Tashi
(kitarë) dhe Drin Tashi (bateri), publikuan videoklipin “Në zemër përjetë”, një
këngë që shënoi një kthesë më personale dhe emocionale në krijimtarinë e grupit
familjar.
Në
vitin 2012, kjo arritje çoi në reformimin e mëtejshëm Rock & Blues të
grupit “Hitat Blues Trio”, një projekt që bashkoi dy breza dhe tre shpirtra
artistikë në një formacion unik. Ky trio solli një stil më të rafinuar të
Blues-it, i pasuruar me përvojën familjare dhe muzikore.
Në
vitin 2014, ata publikuan CD albumin “Family Tribute”, një përmbledhje e
riaranzhuar e këngëve klasike të Blues-it dhe Rock-ut, duke përfshirë emra si
Robert Johnson, Stevie Ray Vaughan, Cream, Jimi Hendrix, etj.
Në
vitin 2016, grupi realizoi një mini-turne në Gjermani, duke performuar në klube
të njohura Blues e Jazz, duke e befasuar publikun gjerman me ekzekutimin e
muzikës së tyre në kontekst ndërkombëtar.
Në
vitet 2017 - 2023, “Hithat Blues Trio” ishin aktivë me performanca të rregullta
në shumë treva shqiptare, në qytete si: Prishtina, Shkupi, Prizreni, Gjakova,
Gjilani, Peja, Tirana dhe shumë të tjera, duke u bërë një emër i njohur në
skenat live të rajonit. Grupi “Hithat Blues Trio” ka marrë pjesë dhe në shumë
festivale të Rock muzikës në mbarë vendin dhe në rajon.
Në
vitin 2025, Luan Tashi prezantohet me një projekt të ri nën emrin “Luan Tashi
& Hitat”, duke publikuar dy këngë të reja dhe dy videoklipe, të cilat
përfaqësojnë një fazë të re të pjekurisë artistike dhe të krijimtarisë
muzikore, e para është kënga e rianranzhuar “Vjollcat” e gazetares, e shoqes së
tij, këngëtares dhe muziçistes të mirënjohur, tani e ndjera Violeta Rexhepagiq,
motra e kantautorit shqiptar Armend Rexhepagiq.
Një
kontribut të veçantë Luani ka dhënë në edukimin dhe integrimin e dy djemëvë në
fushën e artit muzikor, jo si aspekt argëtimi, por në krijimtari dhe
interpretim të sukseshëm të muzikës, ndonëse të dy janë të diplomuar në
arkitekturë.
Dy
djemtë e Luanit, Lumi dhe Drini, në vitin 2014 formuan grupin muzikor “Zhaba”.
Të frymëzuar dhe të ndikuar nga njëri-tjetri, ata nisën të krijonin këngë të
bazuara në dashurinë e hershme për muzikën. Stili i tyre ishte
“alternative-post-rock”, i pasuruar me elemente psikodelike, jazzy dhe
elektronike. Në vitin 2015 publikuan albumin e parë me titull “k’neta”. Si
grup, Zhaba mori pjesë në disa nga festivalet më të njohura në Kosovë, si
NGOMfest, Dokufest, Hardhfest, Beerfest dhe të tjerë.
Pas
shpërbërjes së Zhaba-s, producenti dhe multi-instrumentalisti Drin Tashi,
bashkë me vokalisten dhe bashkëshorten e tij, Nita Kaja nga Nju Jorku,
themeluan në Prishtinë në vitin 2018 grupin “Sytë”.
Në
atë kohë Drini kishte një përvojë të gjerë, me mbi 100 projekte muzikore nga të
gjitha zhanret, ku kishte kontribuar si kompozitor, producent apo interpretues,
në reklama, animacione, teatro, si dhe me artistë vendas e ndërkombëtarë, duke
trajtuar çdo detaj nga krijimi deri në post-produksion. Grupi “Sytë” performoi
në festivalin “Sunny Hill Festival” (2018) dhe “Pop-Kultur Berlin Festival”
(2019). Ata publikuan albumin debutues “Sytë” (2019), më pas “Divine Computer”
(2020), “You Know That, Right?” (2023), dhe albumin e tyre të ri “Perfect
Timing” në vitin 2025. Që nga viti 2022, grupi është zhvendosur në Nju Jork, ku
performon rregullisht në klube të njohura të skenës lokale.
Ndërkohë,
Lum Tashi vazhdoi karrierën e tij si producent dhe multi-instrumentalist. Në
vitin 2017 formoi grupin “The Laser Rats” me të cilët incizoi albumin e parë.
Një vit më vonë nisi edhe rrugëtimin e tij si solo artist, duke publikuar disa
këngë. Në vitin 2019 iu bashkua grupit “Pink Metal” si basist, me të cilët
incizoi albumin “Beton” (2020). Pavarësisht këtij bashkëpunimi, në vitin 2025
Lumi krijoi grupin e tij të ri, “Trediot”, të cilët aktualisht janë duke
finalizuar albumin e tyre të parë.
Luan
Tashi mbetet një figurë qendrore e muzikës Blues dhe Rock në Kosovë dhe në
rajon. Qasja e tij e gjithanshme ndaj muzikës, si interpretues, si kompozitor
dhe si instrumentist, bashkëpunimet ndërbreznore dhe përkushtimi i vazhdueshëm
ndaj artit, e bëjnë një muzikant të shkëlqyer edhe një përfaqësues i spikatur i
trashëgimisë, i krijimtarisë dhe i kultivimit të kulturës muzikore bashkëkohore
shqiptare.
Në
jetën e tij private, Luan Tashi është bashkëshort i Pranverës, dy prindër
shembullor të përkushtuar në edukimin e tre fëmijëve Lumit, Drinit dhe Festës.
Ndonëse ende të rinj në moshë, çifti Tashi tashmë janë gjysha me mbesën Nata,
që iu a ka zbukuruar dhe lumturuar jetën. Mbesa është muzika më e bukur e
trashëgimisë artistike të familjes Tashi.
Vajza
Festa, është në përfundim të studimeve në Fakultetin e Stomatologjisë.
Bashkëshortja
e tij, Pranvera, vajza e shkrimtarit të njohur kosovar Rexhep Zogaj, me
profesion ekonomiste, ushtron detyrën e auditores së brendshme në Misionin e
Bashkimit Evropian EULEX. Përveç arritjeve profesionale, kontributi më i çmuar
i saj qëndron në përkushtimin, edukimin dhe mbështetjen e pandërprerë ndaj
Luanit, dy djemëve dhe vajzës, duke qenë shtylla kryesore e harmonisë
familjare.