Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Lec Bushati, aktori që solli në artin skenik thellësinë shpirtërore dhe epikën e personazhit
E marte, 16.09.2025, 06:55 PM
KUJTESE, NE PERVJETORIN E NDARJES NGA JETA
Lec Bushati, aktori që
solli në artin skenik thellësinë shpirtërore dhe epikën e personazhit
Nga
Albert Vataj
Më
shumë se me një talent të spikatur, Lec Bushati qe i privilegjuar nga natyra me
një paraqitje karakteriale të dallueshme, unike, të papërsëritshme dhe të
paimitueshme. Fytyra, zëri dhe qëndrimi i tij ngërthenin një solemnitet që nuk
mund të shpikej me mjeshtëri teknike, por që buronte nga thellësia e shpirtit
të tij dhe një prani imponuese. Ishte natyra që e kishte shpërblyer me bujari,
por ishte vetë ai që e shndërroi këtë dhuratë në forcë shprehëse, duke e
ngritur në një mënyrë të lartë komunikimi artistik, për të depërtuar thellë te
publiku dhe për të fituar me meritë vendin e tij të veçantë në artin shqiptar.
Askush
si ai nuk mund ta mishëronte me aq madhështi dhe solemnitet rolin e malësorit,
duke i veshur atij tipare të ashpra, të ngrohta njëherësh, të rrepta e
shprehëse, por edhe të thella e të ndjeshme. Në çdo rol, përtej një pranie
interpretuese, Lec Bushati sillte një shpirt të bukur dhe një zemër të bardhë,
duke i dhënë skenës dhe ekranit një dimension shpirtëror që shkonte përtej
personazhit.
Më
përfaqësuesi dhe ndoshta më i ngjethshmi prej interpretimesh mbetet ai i Plakut
Arbëri te filmi “Muri i gjallë” (1989), me regji të Muharrem Fejzos. Në këtë
realizim të frymëzuar nga legjenda e Rozafës, Bushati nuk interpretoi thjesht
një rol, por e ktheu kohën pas, duke i bërë shikuesit pjesë të një përjetimi që
ngrihej mbi legjendën dhe e tejkalonte atë. Ai nuk na tregoi një histori, por
na e bëri ta ndjenim atë në thellësi.
Kjo
vazhdoi edhe me rolin e atit të Gjorgut në filmin “Të paftuarit” (1985), me
regji të Kujtim Çashkut dhe skenar të bazuar në romanin “Prilli i thyer” të
Ismail Kadaresë. Me një thjeshtësi të fortë, ai mishëroi dramën e një brezi të
lidhur ngushtë me zinxhirin e gjakmarrjes, duke u bërë simbol i atij universi
tragjik. Po kështu, te “Fundi i një gjakmarrjeje” (1983) ai pasqyroi fuqishëm
shpirtin e thyer të një kohe që digjej mes nderit dhe dhimbjes.
Në
“Flaka e maleve” (1982), me rolin e Kol Marashit, Lec Bushati u bë pjesë e një
kaste gjigande aktorësh, Ndrek Luca, Gjon Kola, Bruno Shllaku, Vangjel Heba,
Ymer Bala, Gjergj Luca, Rozeta Skëndaj, Bep Shiroka, Viktor Bruçeti, Ndoc Cefa,
Agron Dizdari, Paskualina Gruda, Merita Smaja, Donika Franja, Ndrek Prela,
Sokol Progri, Esat Kola, duke spikatur me forcën dhe natyrshmërinë e
interpretimit.
Edhe
kur roli i tij ishte episodik, si ai i Sokol Markut në filmin “Qortimet e
vjeshtës” (1981), ai mbetej i paharrueshëm. Në pak skena, Bushati arrinte të
nguliste një gjurmë të thellë në kujtesë, duke dëshmuar se arti i tij nuk matet
me minutazhin, por me thellësinë e shprehjes. Po kështu, te “Nusja” (1980), me
regji të Gezim Erebara dhe muzikë të Aleksandër Lalos, roli i Sadik Aliajt u bë
një tjetër dëshmi e tipologjisë së malësorit që ai e sillte me aq vërtetësi dhe
besueshmëri.
Lista
e filmave dhe roleve teatrale ku Lec Bushati ka lënë gjurmë është e gjatë dhe e
pasur. Në secilin prej tyre ai solli një vlerë të spikatur interpretuese, një
staturë të fuqishme dhe një individualitet të pashoq. Edhe kur nuk ishte në rolet
kryesore, ai arrinte të kthehej në një zë autentik skenik, duke e bërë praninë
e tij të domosdoshme, të plotë dhe të paharrueshme.
Lec
Bushati (1923 – 1996), një nga figurat më të ndritura të skenës dhe ekranit
shqiptar, lindi më 10 korrik 1923 në Shkodër. Qysh fëmijë, shfaqi prirjet e tij
për artin e interpretimit, duke marrë pjesë si nxënës në Kolegjin Saverian në
pjesët teatrale “Princi i Drishtit” dhe “Udha”, ku spikatën që herët fuqia e
zërit dhe prania e tij magnetike.
Pas
mbarimit të Institutit dyvjeçar “Aleksandër Xhuvani”, vijoi studimet e larta në
Shkollën e Aktorit “Aleksandër Moisiu” (1964), duke u bërë një nga themeluesit
dhe aktorët e parë të teatrit “Migjeni” në Shkodër. Në fillim të viteve ’50,
nën regjinë e Andrea Skanjetit, interpretoi me grupin teatror të Shtëpisë së
Kulturës në drama të njohura si “Nën gështenjat e Pragës”, “Çështja ruse”,
“Portreti”, ku tregoi maturinë e një artisti që po formësohej me
individualitet.
Karriera
e tij profesioniste nisi fuqishëm me dramën “Nora”, duke u pasuruar më pas me
një sërë shfaqjesh të mëdha: “Koprraci”, “Tirani i Padovës”, “Shërbëtori i dy
zotërinjve”, “Shtëpia e kukullës”, “Tragjedia optimiste”, “Gënjeshtra me këmbë
të gjata”, “Hetimi”, “Gjaku i Arbërit” e dhjetëra të tjera. Në repertorin e tij
numërohen mbi 150 role, shumica në planin e parë, ku dominuan figurat epike,
dramatike dhe tragjike.
Bushati
ishte një aktor i preferuar për portretizimin e figurave pozitive, të
pathyeshme në moral dhe ideal, por me të njëjtën forcë ai mishëronte edhe antagonistin
e fuqishëm, kundërshtarin e vendosur të heroit, duke krijuar skena me tension
të lartë dramatik. Ai i dha jetë personazheve sociale dhe historike shqiptare
në drama si: “Shtatë shaljanët” (Ndrek Luca), “Nora” (Andrea Skanjeti), “Cuca e
maleve” (Loni Papa), “Këneta” (Fatmir Gjata), “Përkolgjinajt” (Kolë Jakova).
Një
ndër kulmet e tij artistike ishte roli i Tuç Makut në dramën “Toka jonë” (K.
Jakova, 1970), ku përmes një fjale të ngadaltë, gjesti të shënjuar dhe qëndrimi
imponues, solli figurën e një autoriteti të ashpër, por të mbështjellë me një
tis të rremë dhembshurie prindërore. Po kaq i arrirë ishte edhe roli i Lucianit
në dramën “Lindje në shtrëngatë” (Serafin Fanku), ku krijoi një figurë
komplekse, të ndërthurur me kontradikta të brendshme, heshtje të mbushura me
nënkuptime dhe tension të pashuar dramatik.
Në
vitet ’70 e ’80, Bushati vijoi të ngjitej në skenë me një dimension
epiko-dramatik. Roli i malësorit Balë në dramën “Shpartallimi” (1978) dhe
sidomos ai i Plakut të urtë në “Gjaku i Arbërit” (1981) të Fadil Krajës, e
afirmuan si një zë të thellë etnopsikologjik, duke mishëruar arketipin e
mendtarit popullor dhe kumtarit të vetëdijes historike. Zëri i tij i ngrohtë e
i fuqishëm, sytë e ngulur, plastika e hijshme dhe përdorimi mjeshtëror i dritëhijeve
e bënë interpretime të pashlyeshme në kujtesën e publikut.
Një
tjetër shkëlqim solli me rolin e Kadri Bajraktarit në dramën “Baca i Gjetajve”,
ku përmes figurës së një njeriu hakmarrës e inatçor, ai pasuroi repertorin e
vet me një karakter të natyrshëm dhe realist në dimensionin negativ.
Përveç
teatrit, Lec Bushati dha një kontribut të spikatur edhe në kinematografi. Ai
interpretoi në filma të paharruar si: “Detyrë e posaçme” (1963), “Shembja e
idhujve” (1977), “Ditët që sollën pranverën” (1979) me rolin kryesor të Vuksan
Sadrisë, “Të paftuarit” (1985) me rolin e babait të Gjorgut. Në çdo paraqitje,
ai mbetej imponues, duke e shndërruar edhe një skenë të shkurtër në ngjarje
artistike.
Për
artin e tij të pasur dhe ndikimin e madh në kulturën shqiptare, ai u nderua me
titullin “Artist i Merituar”.
Lec
Bushati u nda nga jeta më 16 shtator 1996, duke lënë pas një trashëgimi të
pavdekshme në teatrin dhe kinemanë shqiptare. Figura e tij mbetet një gur
themeli i interpretimit tonë skenik, një aktor që jetoi nëpërmjet personazheve
dhe që vijon të frymëzojë breza.
Lec
Bushati u largua nga jeta më 16 shtator 1996, por nuk iku kurrë nga skena e
kujtesës sonë. Ai mbetet aty, në çdo rol që ngriti në art, në çdo fjalë që
shqiptoi me solemnitete dramatike, në çdo heshtje që e mbushi me peshën e të
pathënës. Aktorë të tillë nuk vdesin: ata shndërrohen në arketipa, në pikë
referimi, në dritë udhërrëfyese për brezat. Lec Bushati është dhe do të mbetet
mali i pathyeshëm i aktrimit shqiptar, figura që na mëson se arti i vërtetë nuk
është vetëm lojë, por jetë e ngritur në përjetësi.