Kulturë
Albert Zholi: Flet kompozitori i talentuar Enver Shëngjergji
E marte, 16.09.2025, 06:53 PM
Flet kompozitori i talentuar Enver Shëngjergji:
Kryeminsitri
Edi Rama duke ditur problemin tim shëndetësor më nxori pension të posaçëm vetëm
me një sms
-Edi
Ramën se kisha takuar kurrë, madje po ti dilja përballë ai as do më njihte
-Kur
mora pensionin i nisa sërish një sms: Je kryeministri im dhe artist dhe e din
të gjithë, unë ju vlerësoj si njeriun me mish e gjak e human!
-
Kënga ime e parë është "Udhëtojmë së bashku" ishte periudha e
aksioneve të rinisë
-
Në Festivali famëkeq të 11-të kam marrë pjesë me këngën "Mbrëmja e
fundit", kënduar nga Bashkim Alibali
-Këngët
e atij Festivali i këndonin në rrugë, në shtëpi, në kodrat e liqenit, në
auditoret e shkollave, kudo.
Intervistoi:
Albert Z. ZHOLI
Me kompozitorin e sinqertë Enver Shëngjergji kam rreh 28 vjet
miqësi. Një kompozitor i veçantë. Dhe pse për rreth 33 vjet është i sëmurë ai
ka një forcë dhe energji të brendshme që nuk dorëzohet. Kënga e tij
"Mbrëmja e fundit", zuri vendin e parë në Anketën Muzikore të vitit
1970. Në Festivalin e 11-të të Këngës në Radio Televizion, ai me shumë
kompozitorë dhe këngëtarë të tjerë largohet nga pjesëmarrja në festivale dhe
emërohet me punë në Kërrabë. Por nuk e lë krijimtarinë, madje e shton më shumë
cilësinë. Energjik, studiues, ai ka marrë dhe dy çmime të treta në Festivalet e
RTSH-së. Miqtë e njohin punëtor, të dashur, rrebel, nxënësit dhe studentët,
pedagog të apasionuar mbas këngës. Në vitin 2010 ai organizoi recitalin "M' dogji malli" një recital që i solli erë rinie që i
zgjati jetën 10 vjet. Por ai mbi të gjitha është një intelektual
mirënjohës. Kurrë nuk harron Kryeminsitrin Edi Rama që vetëm me një sms i
nxorri pension të posaçëm për problemin shëndetësor që ka. Kur flet për këtë
moment ai loton. Janë lot mirënjohjeje shprehet për Telegraf.
- Dhe pse
flasim vazhdimisht në facebook apo celular, sërish kemi gjëra që së bashku nuk
i kemi thënë. Keni vite me problem shëndetësore, por sërish jeni energjik dhe
nuk përuleni. Kur filluan problemet shëndetësore?
- Problemet shëndetësore më filluan në vitin 1993. Pra rreth 32
vjet me këtë sëmundje. Artriti rheumatoid (AR) është një sëmundje autoimune kronike dhe sistemike që shkakton
dhimbje, ënjtje, ngurtësi dhe humbje të funksionit në nyje, kryesisht në duar
dhe kyçe, si dhe mund të prekë organe të tjera si mushkëritë, sytë dhe lëkurën.
Më vjen çudi se si më erdhi kjo sëmundje. Babai im punoi gjithë jetën në
miniera dhe nuk kishte sëmundje të tillë. Jeta ku nuk të përplas, asnjëherë si
dihet jetës.
-Pra
mbi tre dekada me këtë sëmundje si e keni përballuar?
Eh çfarë se zuri njeriun e
shkretë dhe nuk e zuri. Por më është gjendur afër bashkëshortja ime si heroinë.
Nga ana tjetër edhe ndihma e fëmijëve ka qenë shumë, shumë e madhe pasi pa
ndihmën e tyre në fillimet e sëmundjes nuk do kisha mundësi ta përballoja
financiarisht.
- Një
kompozitor që keni lënë gjurmë në muzikën e lehtë shqiptare por edhe në atë
popullore. Në këto vite me problem shëndetësore si një kompozitor me vlera
shteti a të ka dhënë ndihmë?
- Gjithmonë i jam anashkaluar pyetjeve të tilla. Nuk kam dashur ta
bëj publik problemin tim shëndetësor për shumë arsye, por vjen një moment që,
duhet thënë. Unë kërkova nga qeveria Berisha ndihmë, por nuk e mora dot. Nuk e
di pse! Por nuk e paragjykoj. Por, tashmë e them se vetëm një sms në telefon më
solli zotin në derë. Më solli fatin, shpëtimin. Në vitin 2016, i bëra një sms
(pasi i gjeta numrin e celularit) të thjeshtë me tre rreshta kryeminsitrit Edi
Rama. I shkrova: Z. Rama jam kompozitori Enver Shëngjergji! Ju lutem për
sëmundjen që kam kërkoj një pension të posaçëm të përballoj sëmundjen pasi nuk
dua të shtijë dorën askund. Nuk dua t'ju bie në qafë fëmijëve që më shohin si
dritën e syve, por as miqve. Dua të jem me dinjitet në sytë e çdo kujt.
Ose thjesht ,ja çfarë i shkrova: Z. Rama! Jam Enver Shengjergji invalid
prej 24 vitesh dhe jetoj me një pension 159 mijë lekë. Më vendos
dinjitetin e më jep bukën e gojës Nuk jam lutur kurrë njeriu... Pse të mbajnë
fëmijët me bukë?! Të nesërmen më bie celulari: Flas nga Kryeminsitria quhem
Valbona! Shefi më ka dhënë një detyrë që të më nisësh dokumentet për pension të
posaçëm. Shtanga! U habita! U drodha nga emocionet! I thashë që aty i kam
dokumentet, madje kam dhe numrin e protokollit. Jo, më tha! Kërkuam nuk i
gjetëm, mi nisni sërish. I kisha bërë kërkesë ish-kryeminsitrit Berisha dhe nuk
kisha marrë përgjigje. Dija që dokemnet i kishte përgatitur Arjan Avrazi i cili
punonte në Ministrinë e Arsimit. E marr në telefon dhe e sqaroj. Fatmirësisht
ai i kishte dhe niset për në kryeminstri dhe i dorëzon. Të nesërmen
dëgjoj në lajme se midis disa personaliteteve isha dhe unë që kisha marrë
pension të posaçëm. Nuk mund ta besoja. Për 24 orë më doli pensioni. Kisha mbi
15 vjet që e kërkoja. Unë kisha një pension 159 mijë lekë të vjetra s'më dilnin
as për gjysmën e ilaçeve.
- Pra ky
lajm i bukur të erdhi si befasi?
- Më shumë se befasi. Se prisja! Jo, jo se prisja! Se besoja kurrë
që me një sms të mirrja pension të posaçëm. Nuk e kisha takuar kurrë Edi Ramën.
Nuk kisha kontaktuar kurrë me të dhe besoja nëse do më shihte në rrugë nuk do
më njihte. Kam mbetur pa fjalë! Me Berishën edhe kam komunikuar, madje kur pati
një problem shëndetësor në parlament i nisa një sms ku i thoja "të gëzosh
shëndet". Berisha më tha se je i vetmi që më nise sms, Enver. Por pension
nuk ma dha.
-Po më
vonë pasi more pensionin e posaçëm kur e ke takuar Edi Ramën?
E kam takuar në vitin 2023.
Pra në takimin më 3 janar 2023 në Pallatin e Brigadave me të gjitha ata që ju
kishte dhënë pensionin e posaçëm që kur u bë kryeministër. Unë i shpreha
falënderimin tim: Je kryeministri im dhe artist e din të gjithë, unë ju
vlerësoj si njeriun me mish e gjak e human".
Ju keni
qenë pjesëmarrës në Festivalin e 11-të, si ju vijnë sot mbresat e atij
organizimi?
-Festivali i parë që kam
marrë pjesë është ai, festivali famëkeq i 11-të. Kam marrë pjesë me këngën
"Mbrëmja e fundit", kënduar nga Bashkim Alibali. Ky festival solli
një zhgënjim në atë fazë të parë të krijimtarisë. Kur brenda nesh zienin shumë
ëndrra, morëm një goditje që nuk e prisnim, sidomos në brezin i ri. Unë sapo
kisha mbaruar Institutin e Lartë të Arteve dhe kisha shumë projekte për të
ardhmen.
Sigurisht,
krijimtaria juaj nuk fillon këtu?
Krijimtarinë e kam filluar
që në vitin 1970, fill pas mbarimit të Institutit. Kënga ime e parë është
"Udhëtojmë së bashku". Ishte periudha e aksioneve të rinisë. Edhe
aksionet atëherë ishin të bukura. Mblidhej rinia punonte dhe gëzonte.
"Udhëtojmë së bashku" e ka kënduar Naim Kërçuku në anketat muzikore
dhe është nderuar me çmimin e parë. Pra kënga ime e parë mori çmim të parë. Kjo
më dha impuls që unë të vazhdoja krijimtarinë.
Po
Festivalin e 11-të si do ta komentonit?
Festivali i 11-të ishte
mjaft rinor, ritmik. Deri atë kohë muzika po lulëzonte. Ky lulëzim vazhdoi deri
në vitet '70-'73, kohë kur u bë plenumi famëkeq. Aty filloi një censurim
drastik. Deri nga vitet '73 në radio, por edhe në televizion u bë një lloj
tolerimi përsa i përket muzikës. Mëngjesi nuk fillonte më me këngë e valle
popullore siç ishte tradita, por u futën edhe këngë të tjera, kryesisht ritmike
të muzikës së lehtë. Ishte një festival që i përshtatej aspiratave të rinisë.
Të rinjtë në fillim, pa filluar ende kritikat, këngët e atij Festivali i
këndonin në rrugë, në shtëpi, në kodrat e liqenit, në auditoret e shkollave,
kudo. Ai Festival mbetet si pika kulmore e ëndrrave rinore për të parë drejt perëndimit.
Për të
ardhur tek Festivali, çfarë koncertesh të tjera të muzikës kishin bërë bujë?
Pikërisht në vitet
1972-1973 u zhvillua Festivali Rinor. Në ato festivale i gjithë formacioni
orkestral ishte i përbërë nga Instituti i Arteve (sot Akademia), ku të gjithë
pjesëmarrësit këngëtarë ishin amatorë të mbledhur nga të gjitha fakultetet.
Jehona e atyre festivaleve në atë kohë ishte mjaft e madhe. Unë jam përfaqësuar
në festivalin e parë me një këngë "Erdhëm që nga larg". Ideja ishte
se nuk na frikësonte asgjë! Këtë këngë e ka kënduar këngëtarja e atyre viteve
që la emër dhe bëri epokë Justina Aliaj. Ajo ishte në hapat e para dhe
studionte për artin dramatik. Ishte një këngëtare e madhe dhe pastaj u bë edhe
një aktore e madhe. Ishin të shoqëruara bashkë edhe vokali edhe temperamenti.
Pastaj në festivalin e dytë kam bërë një këngë "Mbaje mend atë natë".
Ka qenë një poeteshë e re ushtarake që bëri tekstin. Këto ishin poezi që
lidheshin me dashurinë me botën rinore. Ajo moshë mbi gjithçka ka dashurinë.
-Kush e ideoi
këtë Festival?
Ky Festival pati jetë të
shkurtër dhe pse la gjurmë. Atë e ideoi dhe drejtoi Robert Radoja.
Pse në atë
kohë në qendër të vëmendjes së kompozitorëve e poetëve u vu dashuria?
Të gjithë artistët në botë
sidomos të sferës së muzikës e kanë marrë inspirimin nga femra. Njeriu kur
shikon diçka të bukur kërkon të shkruaj, evidentojë, ta ngrejë lart atë.
Sigurisht
në memorien tuaj Festivali i 11-të mbetet një ditë e zezë?
Në atë vit kur unë isha
pedagog filloi ajo kositja që unë e them shpesh. Fill pas Festivalit të 11-të.
Ne ishim si një bimë e re që sapo kishim filluar të lulëzonim, pra sa kishin
filluar të dilnin filizat e para dhe shumë shpejt mbi kokat tona ra një kosë e
rëndë, e madhe. Një kosë që edhe gjak nxori se vuajtje po e po. Të gjithë duke
filluar nga unë Aleksandër Lalo, Aleksandër Peçi, Françesk Radi të u larguam
nga Tirana. Dikush shkoi në Kukës, dikush në Fushë-Arrës, unë në malet e
Kërrabës. Insistova të mos shkoja (sepse 5 ditë para se të martohesha më është
dhënë largimi), isha në kushte shumë të vështira në shtëpi, ishim 13 veta në dy
dhoma e një kuzhinë. Unë kisha punuar mbi 4-5 pallate me kontribut vullnetar,
dhe ngaqë isha beqar s'më jepnin shtëpi. Kur unë fillova punën vullnetare tek
"Rruga Bardhyl", ku u bë pallati fundit (ku mora shtëpi) atëherë më
erdhi largimi im. U detyrova të shkoja në Kërrabë ku qëndrova 7 vjet. Dy ishin
rrugët që të mbijetoje në atë kohë, ose duhej të gjeje një rrugë të mesme që as
veten mos ta poshtëroje, por të ishe në rregull edhe me ligjet e shtetit, ose
të dilje kundër dhe të dënoheshe.
E cilësoni
dënim ajo që ju ndodhi pas Festivalit 11-të?
Them se i persekutuar dhe i
dënuar i Festivalit të 11-të mbetet vetëm Sherif Merdani. Ne të tjerët jemi të
larguar. Sepse ne na u mohua e drejta e të kompozuarit vetëm për një vit. Në
Festivalin e 12-të asnjë nga brezi im nuk mori pjesë. Por morëm në të 13-in.
Si erdhi
transferimi nga Kërraba?
Mbas 7 vjetëve erdha në
Pallatin e Kulturës "Ali Kelmendi". Aleksandër Lalo, Françesk Radi u
kthye dhe vetëm Sherif Merdani nuk u kthye më. Festivali i 11-të ishte një
akumulim i asaj që në fund të fundit ne nuk donim të mbeteshim në atë
ngushtësi. Unë këtë e logjikoj edhe sot se ajo ishte e drejtë, sepse duhej të
këndoja shqip.
Para se të
merreshit me muzikë ke pasur dëshira të tjera për të studiuar?
Unë nuk kam lënë pjesë
teatrale dhe filma që janë dhënë në Shqipëri pa i parë. Profesori im i parë i
muzikës ka qenë mjeshtri Ali Prodani. Edhe Agron Dashi, ish- aktor i Teatrit
Popullor, shikonte tek unë që kisha mjaft cilësi të skenës dhe sidomos në
prirje në planin e komedisë. Mirëpo ekzistonte një dualizëm midis të dyve.
Fitoi Ali Prodani. Unë kam pasur një fatkeqësi në jetë, sepse kur mbarova të
mesmen nuk më lanë të vazhdoja as dramën as muzikën. Mua më caktuan në kulturën
e përgjithshme. Nuk kam shkuar 6 muaj në atë degë dhe shkoja e futesha në degën
e muzikës, futesha fshehurazi nëpër leksionet e muzikës. Një profesor thërret
babain tim dhe i thotë se çfarë do të bëhet me këtë djalë se unë i di pasionet
e tij. Ai thotë se këtë nuk e lë partia të vazhdojë në asnjë degë. Ky është i
caktuar të vazhdojë këtu. Kështu unë iu përkushtova muzikës dhe një dege tjetër
që nuk kishte lidhje fare me muzikën. Me përkushtimin dhe këmbënguljen time
arrita që në fund të bëhem edhe pedagog i instrumentit të solfezhit. Unë nuk
mora shkollim të drejtuar profesionalisht. Mbeta në gjininë e këngës, filmit
dhe të simfonisë.
Ç'do të
veçosh nga krijimtaria jote?
Në vitin 1974 më lindi
vajza dhe unë kompozova këngën "O ti, ti e vogla moj bij, bija ime"
që e këndonte Vera Dervishi dhe Fatma Zyberi (teksti ishte i Zhuljana
Jorganxhi). Atëherë në festival këndoheshin këngët me dy interpretime. Më
thërret Marash Hajati që ishte drejtor. Ai me shumë dashamirësi dhe korrektësi
dhe thotë, se në ato vite (dy tre muaj përpara) shoku Enver Hoxha kishte qenë
në Korçë dhe në Pogradec ku thoshte: Ti shtojmë nipërve dhe mbesave dashurinë
për fshatin. Ndaj thotë Hajati, a mund të rregulloni diçka në këtë tekst, ku
kjo vajza jote në tekst të bëhet një bujkeshë e mirë. Titulli këngës iu vu
"Të më rritesh bujkeshë" dhe gjithë rrethi im familjar më ka thënë se
ne nuk kemi as toka, as fusha dhe sa shpejt ia dhe zanatin vajzës!
Ka pasur
shumë kërkesa në atë kohë në drejtim të krijimtarisë dhe të përgatitjes?
Kërkesa ka qenë e lartë.
Demokraci nuk është ajo se unë dua të bëj atë që dua unë. Nëse nuk ka vlera
çfarë do të shkruhet më vonë? Sot nuk mund të hedhësh poshtë këngët "Për
ty atdhe" e Pjetër Gacit etj, sepse u krijua në sistemin komunist. Nuk
mund të hidhet poshtë një krijimtari teatrale që kishte vlera edukative. Sot më
shumë ka këngëtarë sesa ka popull. Ka shumë këngëtarë që hiqen apo i quajnë
famozë dhe ata stonojnë. Sot po dëgjojmë edhe këngëtarë që nuk dinë fjalët e
këngës që këndojnë. Atyre do t'iu vijë turp mbas 70 vjetëve kur të shikojnë dhe
dëgjojnë se çfarë kanë kënduar. Këngëtari me artin dhe kulturën e tij nderon
kombin. Këngëtarë ka shumë të mirë, kushtet teknike janë të mira por muzikë dhe
tekste nuk ka. Kjo është një fatkeqësi e madhe për kombin. Disa shtëpi
diskografike, propogandojnë vlera antikombëtare.
Në sa
festivale ke marrë pjesë?
Unë kam një parim të të
madhit Agim Krajka, i cili thotë: "Luani që është luan, bën vetëm një
luan". Kam qenë me këtë parim që të shkruaj pak edhe saktë. Unë kam marrë
çmimin e parë në Festivalin e 13-të. Kam marrë çmimin e tretë me këngën
"Nën kurorën e ullirit" me tekst të Zhuliana Jorganxhi dhe të kënduar
nga Lindita Theodhori në Festivali e 19-të. Në Festivalin e 21-të kam marrë
çmim të tretë me këngën "Lulet e mollës" të kënduar nga Bashkim
Alibali. Këto janë tre çmimet e mia në festivalet e RTSH. Për këtë jam krenar
se po të bëj një krahasim me brezin tim kam marrë shumë çmime. Kur kam marrë
çmimin e parë Pjetër Gacit i kam thënë ky nuk është çmimi i Enver Shëngjergjit,
por çmimi i brezit tim. Se për herë të parë mbas 13 festivaleve merrte çmim të
parë një kompozitor i ri.
Flitet për
çmime jo merituese në festivale e nivel të ulët interpretimi, mendimi juaj?
Gabimi fatal i festivaleve
mbas viteve '90 është të mos kënduarit "live". Si nuk qenka i aftë
televizioni shqiptar të bëjë një festival live bashkë me këngëtarët dhe
orkestrën? Baza orkestrale nuk është live. Këngëtarët 2 vitet e fundit këndojnë
live. Orkestra është e konservuar. Orkestra 80% është e regjistruar. Çdo gjë
duhet bërë live. Të gjithë, festivalet, por televizionet që transmetojnë këngë
kanë një mangësi të madhe, ku kompozitori nuk përmendet fare. Nëpër festivale
kërkohen fotografitë e këngëtarëve, kompozitorët shihen si të tepërt. Unë them
se festivalet janë në radhë të parë të kompozitorëve, pastaj të interpretuesve,
këngëtarëve, orkestruesve, i poetëve. Kur themi i këngës kuptohet se tabani i
këngës është kompozitori. Këto vlera janë të mëshiruara, por babai është
kompozitori. Shumë këngë sot kanë ngelur anonime, pasi nuk përmendet babai i
tyre, kompozitori, por njihet vetëm këngëtari që i këndon.
Ç'mund të
veçoni nga puna juaj në Pallatin e Kulturës Ali Kelmendi?
Kam punuar 15 vjet shef
muzike në Pallatin e Kulturës, Ali Kelmendi që atëherë mbulohej nga Bashkimet
Profesionale. Gjatë gjithë kësaj periudhe kam qenë shef i muzikës për të gjithë
muzikën amatore të klasës punëtore të Tiranës. Kanë qenë me dhjetëra këngëtarë.
Ne vetëm si pallat kemi të filmuar 18 orë muzikë të mirëfilltë shqiptare. Të
gjithë këta këngëtarë popullorë të asaj kohe apo dhe të muzikës së lehtë) kanë
dalë nga ky pallat kulture. Me dhjetëra instrumentistë që sot qarkullojnë nëpër
Tiranë. Elementët më të mirë rrinin në pallat ku merrnin pjesë nëpër koncertet
e majit e aktivitete të ndryshme.
"M'
dogji malli" një recital që më sjell erë rinie
Fletë nga albumi i kompozitorit Enver Shëngjergji
Këngëtarë të
ftuar: Irma Libohova, Eranda Libohova, Klara Baku, Dionis Delia, Sazan Meçani,
Marjana Leka, Bujar Çiçi, Reshat Boka, Hajredin Gjeta.
Interpretojnë:
Solistët, Orkestra dhe Trupa e Valleve
Drejtues i
vokalit- Gramoz Burba
Dirigjent i
Orkestrës- Vladimir Hasimi
Drejtues i
valleve-Rexhep Çeliku
Drejtor
Artistik- Sulejman Baltëza
Si lindi
ideja për këtë recital?
Kisha kohë që e mendoja. Sa
herë shikoja spektakle të ndryshme televizive, mendimet më shkonin vite të
shkuara në krijimtarinë time të shumë viteve. Këto kujtime më ngjizën dëshirën
për të ideuar me z.Sulejman Baltëza në bashkëpunim me Ansamblin e Këngëve dhe
Valleve një Koncert Recital që do të ishte i veçantë për nga struktura dhe
përzgjedhja e materialeve të mia si kompozitor.
Ku bazohet
krijimtaria juaj në këtë Recital?
Kryesisht në muzikën popullore
qytetare. Kjo do të thotë si në këngët popullore qytetare po ashtu dhe muzikën
e valleve kryesisht të Shqipërisë së Mesme.
Mos vallë ky
recital do të ketë vetëm muzikë popullore qytetare të Shqipërisë së Mesme?
Kryesisht mbi këto motive është
bazuar, por krijimtaria ime ka një gjeografi shtrirje, pra do të ketë dhe
muzikë popullore të Shqipërisë së Jugut.
Cilat do të
veçonit nga këngët jugore?
Shihet se
ndër të ftuarit special janë dhe motrat Libohova. Reshit Boka etj...Përse
pikërisht këta këngëtarë?
Kjo për disa arsye, por kryesorja është se ata janë këngëtarë
kryeqytetas, ku është, këngëtarë popullorë qytetarë, ku është bazuar ky recital.
Jeni i emocionuar?
Sigurisht. Bile shumë. Kam emocionet si ditën e parë, kur kënga
ime mori pjesë në Festivalin e 11-të, me këngën "Mbrëmja e fundit".
Por tashmë emocionet shumëfishohen, duke pasur parasysh se kam një eksperiencë
të madhe dhe nuk duhet të turpërohem. Por jam i bindur tek suksesi pasi kam me
vete një ekip të kompletuar, këngëtarë profesionistë, valltarë të Ansamblit që
kanë bërë emër kudo në botë.