Speciale » Basha
Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (14)
E shtune, 26.07.2025, 07:00 PM
GRATË SHQIPTARE – SHTYLLA TË QËNDRESËS KOMBËTARE (14)
GRATË E VAJZAT DËSHMORE TË UÇK-SË
BAHTIJE
MUHARREM JASHARI
(08.10.1953- 05. 03. 1998)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Gjithmonë
kur shkruajmë për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet pasur parasysh
se pas daljes publike të saj, realiteti në terren për shqiptarët, u bë
jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe i pasigurt. Publikimi i hapur i veprimtarisë
së UÇK-së shënoi një kthesë të madhe historike dhe politike, duke afirmuar
vendosmërinë për rezistencë të armatosur kundër pushtuesit, por njëkohësisht
nxiti edhe reagimin brutal dhe represiv të forcave serbe, të cilat
intensifikuan strategjinë e tyre të frikës dhe shtypjes. Në këtë kontekst,
Drenica – zemra e kësaj kryengritjeje dhe djepi i lëvizjes së armatosur – u
kthye në një territor të militarizuar, të rrethuar nga të gjitha anët me forca
të mëdha policore dhe ushtarake. Rrugët që dikur lidhnin fshatrat me qendrat
urbane apo lagjet mes tyre, u mbushën me postblloqe, patrulla dhe pika
kontrolli të vazhdueshme. Çdo lëvizje e banorëve, qofshin ata burra, gra apo
fëmijë, ishte e dyshimtë në sytë e autoriteteve serbe dhe përballeshin me një
regjim të ashpër kontrolli dhe terrori psikologjik.
Ky
nuk ishte më një operacion policor i zakonshëm, as një tentativë për arrestim
apo frikësim. Ishte një vendim strategjik i formuluar qartë, familja Jashari
dhe gjithçka që ajo përfaqësonte duhej zhdukur nga faqja e dheut, pa mbetur
gjurmë të gjalla që mund të mbartnin frymën e rezistencës. Për pushtetin serb,
familja Jashari ishte shndërruar në një simbol të rrezikshëm të qëndresës së
armatosur dhe të dinjitetit kombëtar, një emblemë që frymëzonte jo vetëm
Drenicën, por të gjithë shqiptarët e Kosovës.
Për
këtë arsye, makineria shtetërore vendosi të vepronte me brutalitet maksimal, pa
kursyer asnjë mjet lufte dhe asnjë formë dhune. U hartuan plane të detajuara
ushtarake dhe policore, u përcaktuan objektiva të qarta dhe u shënjestrua çdo
kullë, çdo mur, çdo jetë e pranishme në atë lagje. Qëllimi ishte shfarosja e
plotë – një akt i mirëfilltë i terrorit shtetëror që synonte të asgjësonte
njëherë e përgjithmonë idealin e lirisë dhe të fshinte çdo shembull guximi e
qëndrese.
Historia
e kësaj lufte nuk mund të shkruhet e plotë pa nderuar rolin e gruas ku krahas
trimave qëndruan gjithmonë gratë trimëresha, të gatshme të japin gjithçka për
të mbrojtur nderin, pragun dhe atdheun e tyre. Kështu, ato u bënë pjesë e
pashkëputshme e këtij kapitulli heroik, duke dëshmuar se liria nuk është
privilegj e një gjinie, por një amanet i përbashkët, që kërkon guxim dhe flijim
nga të gjithë.
Po
ashtu, në atë betejë të pabarabartë dhe të lavdishme, ranë dëshmore edhe shumë
gra dhe bija të Jasharajve, të cilat, me flijimin e tyre, u shndërruan në
simbole të pashuara të gruas shqiptare që refuzoi me vendosmëri të jetonte nën
robëri dhe poshtërim. Ato nuk pranuan të largoheshin nga shtëpia e tyre, as të
kërkonin strehë në siguri të rreme – përkundrazi, zgjodhën të qëndronin dhe ti
ndihmonin, burrat, vëllezërit dhe gjithë familjen, duke dëshmuar një besnikëri
dhe guxim të jashtëzakonshëm.
Dhe
duhet thënë përsëri se është krejtësisht e pamundur të flasësh për epopenë e
lavdishme të familjes Jashari, për ato ditë të paharruara të 5, 6 dhe 7 marsit
1998, pa përmendur dhe nderuar me respekt të veçantë gratë trimëresha të kësaj
familjeje emblematike. Nuk mund të kuptohet dhe të rrëfehet në tërësi
madhështia e asaj qëndrese heroike pa njohur dhe vlerësuar rolin vendimtar të
grave që u bënë pjesë e pandashme e sakrificës dhe qëndresës.
Përmendja
e grave të familjes Jashari nuk është një zbukurim i rrëfimit historik, por një
domosdoshmëri për të treguar të vërtetën e plotë të asaj epopeje – një të
vërtetë ku trimëria dhe heroizmi nuk kishin kufij, ku sakrifica dhe besa u
shfaqën në formën më të pastër dhe më njerëzore të tyre. Prandaj, çdo faqe që
shkruhet për ato ditë të shenjta të marsit 1998 duhet të mbajë të gdhendur edhe
emrat e grave të kësaj familjeje legjendare, si dëshmi e pavdekshme e fuqisë,
guximit dhe dashurisë së pakufishme për atdheun. Sepse pa to, historia e
Prekazit do të ishte e cunguar dhe kujtesa jonë do të mbetej e paplotë.
Ata
që ranë në altarin e lirisë ishin pjesëmarrës aktivë në një akt të lartë
rezistence morale dhe kombëtare. Shumë prej tyre, të vetëdijshëm për pabarazinë
e forcave dhe për rrezikun e pashmangshëm, zgjodhën të qëndrojnë deri në fund,
të mbrojnë pragun e shtëpisë dhe të ruajnë nderin e familjes dhe të kombit. Ata
i kapën armët që kishin në dorë – shpesh të pakta dhe modeste përballë
makinerisë së rëndë ushtarake të agresorit – por e bënë këtë me vendosmërinë e
atyre që refuzojnë të përkulen, të nënshtrohen apo të luten për mëshirë.
Forcat
serbe, të sigurta në epërsinë e tyre dhe në frikësimin që mendonin se do të
shkaktonin, nuk kishin llogaritur për forcën morale dhe guximin e
jashtëzakonshëm të Jasharajve. Ata u detyruan të tërhiqen në mënyrë të
turpshme, duke lënë pas një dështim të qartë dhe një mesazh të fuqishëm për
mbarë popullin shqiptar: se pushteti i dhunës nuk ishte i pathyeshëm dhe se
rezistenca ishte jo vetëm e mundur, por edhe e domosdoshme. Qëndresa e familjes
Jashari në këtë sulm u kthye në një shembull frymëzimi dhe në një thirrje të
heshtur por të fortë për bashkim dhe mobilizim kombëtar. Ai moment tregoi se
guximi dhe vendosmëria mund të sfidojnë makinerinë më të rëndë ushtarake dhe se
përkushtimi ndaj lirisë është një vlerë që asnjë armë nuk mund ta mposhtë. Në
këtë mënyrë, sulmi i 22 janarit 1998 nuk e dobësoi idealin e rezistencës, por e
forcoi dhe e bëri edhe më të përhapur, duke u shndërruar në pararendës të
betejës së madhe dhe epike të marsit 1998.
Në
mesin e të rënëve ishin edhe ata burra e gra, djem e vajza që, megjithë
epërsinë ushtarake të forcave serbe, rezistuan me armët e pakta që kishin në
dispozicion. Ata e dinin se beteja ishte e pabarabartë dhe se shanset për
mbijetesë ishin minimale, por vendosën të mos tërhiqeshin, të mos luteshin për
mëshirë dhe të mos dorëzoheshin as edhe një çast. Qëndresa e tyre nuk ishte
vetëm fizike, por morale – një dëshmi e pathyeshmërisë së shpirtit shqiptar që
refuzon robërinë dhe poshtërimin.
Në
radhët e gjata të grave dhe burrave që u bënë pjesë e rezistencës heroike të
familjes Jashari, veçohet edhe kontributi i çmuar i familjes së Zejnë dhe
Bahtije Jasharit. Bahtije Muharrem Jashari lindi më 8 tetor 1953 në fshatin
Krushec të Skenderajt, në një mjedis ku ndjenja kombëtare nuk ishte thjesht një
koncept abstrakt, por pjesë e përditshmërisë dhe edukatës familjare.
E
rritur në një shtëpi ku trashëgimia e atdhedashurisë përcillej me përkushtim
nga prindërit te fëmijët, ajo u formua si një ndër bartëset e vlerave më të
pastra të idealit kombëtar. Që e vogël, veshët ia kishte mbushur zëri i këngëve
epike për Shotë e Azem Galicën e Shaban Polluzhën, këngë që nuk ishin thjesht
art, por mjet i fuqishëm edukimi dhe vetëdijesimi.
Nëpërmjet
këtyre rrëfimeve të kënduara dhe përjetimeve të gjalla, Bahtija u brumos me një
dashuri të palëkundur për atdheun—një dashuri që nuk ishte vetëm ndjenjë
personale, por një amanet i shenjtë i lënë nga të parët. Edukata e saj
atdhetare nuk mund të kuptohet e ndarë nga kjo trashëgimi kolektive e familjes,
e cila i mëkonte fëmijët me bindjen se liria dhe dinjiteti kombëtar janë vlera
për të cilat ia vlen të jetosh dhe të sakrifikosh.
Në
këtë mënyrë, personaliteti i Bahtije Jasharit shënon një ndër shembujt më të
qartë të lidhjes ndërmjet familjes, kulturës kombëtare dhe rezistencës. Ajo nuk
ishte thjesht një bijë e Krushecit apo e familjes së saj të ngushtë, por një
përfaqësuese e asaj fryme të gjallë që përçonte brez pas brezi idenë e lirisë dhe
të vetëpërkushtimit për çështjen kombëtare.
Bahtije
Jashari, në rininë e saj, shquhej për një formim të gjithanshëm dhe një
mprehtësi të veçantë mendore, që e bënte të dallueshme mes bashkëmoshatarëve.
Aftësitë e saj të spikatura nuk ishin vetëm dëshmi e një inteligjence të
lindur, por edhe rezultat i një edukate të ngulitur me kujdes dhe dashuri nga
familja. Megjithatë, ajo mbante në shpirt një plagë të hapur që nuk i jepte
qetësi- mungesën e lirisë. Ky ishte preokupimi më i thellë dhe më i dhimbshëm i
jetës së saj, një brengë që i rëndonte mbi supet e reja me peshën e historisë
dhe të realitetit të hidhur të kohës.
Ajo
ishte edukuar mbi themele të forta të traditës shqiptare, ku parimet e
shqiptarizmës nuk përbënin thjesht normë shoqërore, por ishin vlera të shenjta
e të panegociueshme. Besnikëria ndaj fjalës së dhënë dhe respekti për besën
ishin të parat që kishte mësuar nga prindërit, të cilët kujdeseshin që fëmijët
e tyre të rriteshin me ndërgjegje të pastër dhe të pathyeshme.
Në
mënyrë po aq të natyrshme, ajo ishte edukuar të çmonte lart ndershmërinë, si
një virtyt themelor që duhej të ruhej pa cenuar kurrë, pavarësisht vështirësive
apo tundimeve të kohës. Për Bahtijen, këto nuk ishin parime të thata apo të
zbrazëta nga kuptimi: ato mishëroheshin në jetën e përditshme dhe në mënyrën si
ajo e kuptonte përgjegjësinë ndaj shtëpisë dhe atdheut.
Prindërit
i kishin ngulitur me kujdes idenë se asgjë nuk duhej kursyer për mbrojtjen e
pragut të shtëpisë dhe të vendit, duke e edukuar në frymën e një sakrifice të
heshtur por të vendosur, të gatshme të përballej me çdo sfidë për të ruajtur
nderin dhe lirinë. Kështu, personaliteti i saj u formësua si shprehje e gjallë
e një ideali të vjetër, por gjithmonë aktual, se liria nuk dhurohet, por
fitohet dhe mbrohet me vendosmëri, guxim dhe përkushtim të palëkundur.
Nata
e 5 marsit 1998 shënon një prej episodeve më të dhimbshme dhe njëkohësisht më
të lavdishme të kronikës së rezistencës në Prekaz, ku edhe familja e Zejnë
Jasharit u bë pjesë e dramës së përgjakshme që ndau historinë më dysh. Në këtë
natë vendimtare, Zejnë Jashari, së bashku me bashkëshorten e tij, Bahtijen, dhe
bijtë Abdullahun, Bujarin dhe Blerimin, ndodheshin të strehuar në shtëpinë e
Halitit, duke kërkuar një mbrojtje të përkohshme përballë rrethimit të pamëshirshëm
të forcave serbe. Ndërkohë, djali tjetër, Valdeti, kishte shkuar në shtëpinë e
Hamit Jasharit, duke treguar natyrën e fragmentuar dhe të rrezikshme të
mbrojtjes që banorët e Prekazit ishin të detyruar të improvizonin.
Në
këtë gjendje të ngarkuar dhe të pasigurt, ruajtja e vigjilencës ishte jetike.
Pikërisht për këtë arsye, rojën e vëzhgimit atë natë e mbante Abdullahu, duke
mishëruar një ndjenjë të hershme përgjegjësie dhe sakrifice familjare. Detyra e
tij nuk ishte vetëm një barrë personale, por një shenjë e përkushtimit të
gjithë brezit të ri për të mbrojtur me çdo kusht familjen dhe atdheun.
Me
shpërthimin e luftimeve të ashpra, kur forcat serbe ndërmorën sulmin e tyre të
furishëm, Zejnë Jashari u detyrua të kalonte në bodrumin e shtëpisë—një hapësirë
që në mendësinë shqiptare simbolizonte strehën e fundit, pragun e nderit dhe
mbrojtjen e jetës. Mirëpo, brutaliteti i bombardimeve nuk njihte kufij, një
granatë e lëshuar nga agresorët serbë shkaktoi një shpërthim të fuqishëm që
shkuli derën dhe e përplasi mbi trupin e Zejnës, duke e zënë poshtë dhe duke e
lënë për disa orë pa ndjenja.
Ky
moment nuk është thjesht një incident tragjik personal, por një dëshmi e gjallë
e dhunës së egër që përjetuan familjet e Prekazit dhe e vendosmërisë së tyre
për të qëndruar, edhe kur rreziku ishte i pashmangshëm dhe shkatërrimi i
sigurt. Përjetimi i Zejnë Jasharit dhe i familjes së tij përfaqëson dramën
kolektive të një populli që, i vendosur për të mos u nënshtruar, pranoi të
paguante çmimin më të lartë për të drejtën e tij për liri dhe dinjitet.
Brenda
mureve të asaj shtëpie që për një moment kthehej në kala të mbrojtjes së
fundit, ndodheshin të rrethuar nga të gjitha anët pjesëtarë të shumtë të
familjes Jashari, të bashkuar jo vetëm nga gjaku, por edhe nga ideali i
përbashkët i qëndresës. Mes tyre ishte Abdullahu, biri i Zejnës, së bashku me
prindërit e tij dhe vëllezërit e vegjël, Bujarin dhe Blerimin. Ata ishin
bashkë, duke u bërë një trup i vetëm në përballje me frikën dhe kërcënimin, të
vendosur të ndanin fatin deri në fund.
Në
atë hapësirë të mbushur me ankth e vendosmëri, gjendeshin gjithashtu Murtez
Zymer Jashari dhe Hajzer Zymer Jashari—bij të një tjetër dege të fisit, të
lidhur jo vetëm nga gjaku, por edhe nga një vetëdije e thellë e obligimit për
të mbrojtur tokën dhe nderin familjar. Pranë tyre ishte Mihrije Jashari, nëna e
Murtezit, një figurë simbolike e qëndresës dhe e sakrificës së heshtur, e cila,
si shumë nëna shqiptare, bartte mbi supe barrën e dhembjes dhe krenarisë
njëkohësisht.
Nuk
mungonin as motrat e Murtezit, Sabrija dhe Hanifja, praninë e të cilave e
shohim si simbol të asaj pjesëmarrjeje të heshtur dhe heroike që gratë
shqiptare kanë pasur gjithmonë në mbrojtjen e pragut të shtëpisë. Në këtë listë
emrash që rrëfen një dramë të gjallë familjare dhe kombëtare, përfshihej edhe Halit
Imer Jashari me bashkëshorten e tij, Elhemen, duke dëshmuar lidhjet e ngushta
dhe solidaritetin e palëkundur midis degëve të familjes. Ata ishin pjesë e
rezistencës së Jasharajve, të bashkuar në fat dhe në ideal.
Kështu,
ajo shtëpi e rrethuar nga të gjitha anët nuk ishte më thjesht një ndërtim prej
guri e dheu, por një fortesë simbolike, një vend ku ideali i mbrojtjes së
familjes dhe të atdheut merrte formën më të pastër dhe më të prekshme të
përkushtimit njerëzor. Të gjithë këta emra nuk ishin vetëm dëshmitarë të një
tragjedie, por bartës të një historie kolektive që u gdhend përgjithmonë në
kujtesën e kombit si simbol i qëndresës dhe i sakrificës sublime.
Në
rrethana të jashtëzakonshme, të shënuara nga një rrethim i pamëshirshëm dhe i
hekurt, shtëpia e Jasharëve u kthye në një arenë të rezistencës heroike, ku
zjarri i artilerisë së rëndë serbe binte pa dallim nga të gjitha anët, duke u
përpjekur të shkatërronte jo vetëm trupat, por edhe shpirtin e qëndresës
shqiptare. Brenda kësaj përmase tragjike dhe madhështore njëkohësisht, ranë në
altarin e atdheut bij e bija të kësaj familjeje të shquar, të cilët u bënë
mishërim i sakrificës së fundit.
Në
mesin e tyre ishin edhe Sabrije e Hanife Zejnë Jashari, të cilat me jetët e
tyre dëshmuan pjekurinë dhe guximin që tejkalonte moshën. Po ashtu, aty ranë
Murtez Zymer Jashari dhe Hajzer Zymer Jashari, bij të një dege të familjes që
kishin ardhur jo për mikëpritje të zakonshme, por për t’u bërë pjesë e
përbashkët e mbrojtjes së nderit familjar dhe të tokës amtare.
Në
atë listë të gjatë të martirëve figuron edhe Halit Imer Jashari, bashkë me
bashkëshorten e tij, Elhemen, të cilët nuk u tërhoqën përballë terrorit, por
zgjodhën të ndanin fatin e përbashkët me të afërmit e tyre. Mihrije Jashari,
nëna e Murtezit dhe Hajzerit, u bë simbol i qëndresës së grave shqiptare, që
edhe në ditët më të zeza nuk u nda nga familja dhe nuk kursyen as jetën për të
ruajtur nderin.
Po
ashtu, Bahtije Jashari, gruaja e Zejnës, e rritur me këngët për Shotë Galicën
dhe Shaban Polluzhën, gjeti vdekjen në atë shtëpi, duke i qëndruar besnike atij
ideali për të cilin ishte edukuar që fëmijë. Sabrije dhe Hanife Zymer Jashari,
motrat e Murtezit, dëshmojnë se nuk kishte moshë apo gjini që të mbrohej nga
krimi serb: përballë armëve të rënda të artilerisë, fëmijë dhe gra, burra e
pleq, të gjithë u barazuan në flijim. Në fund, të rënët më të vegjël, Bujar dhe
Blerim Zejnë Jashari, i dhanë kësaj tragjedie një dimension edhe më të
tmerrshëm, duke vulosur fytyrën e egër të dhunës që nuk kursente as më të pafajshmit.
Kur
erdhi dita e katërt e këtij rrethimi të përgjakshëm, forcat serbe më në fund
arritën të thyenin rezistencën heroike të Jasharëve. Fitorja e tyre ushtarake
ishte njëkohësisht një dëshmi e turpit dhe barbarisë: kufomat e të rënëve i
tërhoqën pa mëshirë, pa asnjë respekt për të vdekurit, duke i transportuar
fillimisht në një vend të njohur si “Servisi” i Lah Tushilës, në dalje të
Skenderajt. Ky akt i ftohtë dhe çnjerëzor shënonte jo vetëm fundin e betejës së
armëve, por fillimin e një dëshmie të re, dëshmisë së gjenocidit të dokumentuar
mbi trupat e pajetë të një familjeje që kishte zgjedhur të mos dorëzohej kurrë.
Ky
kapitull i errët i historisë duhet kuptuar si një ndër episodet më dramatike të
përballjes midis një populli të vendosur për të jetuar i lirë dhe një makinerie
shtetërore të projektuar për të fshirë nga faqja e dheut çdo shenjë të atij
identiteti që nuk pranonte të nënshtrohej. Dhe mbi këtë akt, u ndërtua një
kujtesë kolektive që sot, më shumë se kurrë, i jep kuptim fjalës liri.
Brenda
mozaikut të dhembjes dhe lavdisë që përbën historia e rezistencës në Prekaz,
veçohet me peshë të veçantë tragjedia dhe heroizmi i familjes së Zejnë
Jasharit. Kjo familje i dha lirisë së Kosovës jo një, por tre bij në moshën më
të bukur dhe më premtuese të jetës—Abdullahun, Bujarin dhe Blerimin. Ata ishin
ende në lulëzimin e rinisë, me ëndrra të pakthyera në realitet, me një jetë që
sapo po hapej para tyre si një premtim i madh.
Por
përballë këtij premtimi personal, ata zgjodhën amanetin më të lartë—t’i shërbenin
lirisë së atdheut edhe me jetën e tyre. Flijimi i tyre nuk mund të lexohet
thjesht si një humbje familjare, por si një akt suprem i devotshmërisë, që e
shndërroi pragun e shtëpisë së tyre në altar të lirisë kombëtare. Kësaj
sakrifice të pashoqe iu bashkua edhe figura e nënës, Bahtije Jashari, e cila
nuk qëndroi në distancë si një dëshmitare pasive e fatit të fëmijëve të saj.
Ajo ra përkrah tyre, duke mishëruar atë ideal të thellë të nënës shqiptare që
nuk ndan as jetën, as vdekjen nga fëmijët e saj. Në këtë akt të
jashtëzakonshëm, Bahtija nuk ishte vetëm një nënë, por një figurë e shenjtë e
rezistencës, që vulosi me gjak premtimin e brezave për të mos lejuar robërinë.
Kështu,
historia e familjes së Bahtije e Zejnë Jasharit nuk është thjesht kronikë e një
tragjedie lufte, por testament i gjallë i një përkushtimi të plotë dhe të
pakushtëzuar ndaj atdheut. Ata nuk i kursyen më të dashurit e tyre, as
vetveten, përballë idealit më të lartë: lirisë së Kosovës. Ky flijim i
shumëfishtë mbetet një nga dëshmitë më të forta të çmimit të rëndë me të cilin
u pagua pavarësia, dhe njëkohësisht një burim i pashtershëm frymëzimi për të
gjithë ata që sot e konsiderojnë lirinë si një të drejtë të natyrshme dhe të
patjetërsueshme.
Trupat
e këtyre bijve dhe bijave të kombit, të cilët me flijimin e tyre vulosën
idealin e lirisë, prehen sot në Kompleksin Memorial të Varrezave në Prekaz. Ky
vend i shenjtë, i kthyer në simbol kombëtar të sakrificës dhe qëndresës, është
vendi ku janë varrosur të gjithë ata që ranë më 5, 6 dhe 7 mars të vitit
1998—ditë të paharrueshme që përshkruajnë kulmin e dramës dhe madhështisë së
epopesë të Prekazit.
Aty,
pranë njëri-tjetrit, gjenden të shtrirë në prehjen e përjetshme djem të rinj
dhe burra të pjekur, gra dhe fëmijë, të cilët nuk i ndau dot as arma e huaj, as
terrori i pushtuesit. Në të njëjtin dhe, nën të njëjtën baltë të atdheut që
mbrojtën deri në frymën e fundit, ata ruajnë përjetësisht bashkimin e tyre, si
një testament i heshtur por i fuqishëm për brezat që do të vijnë.
Mes
tyre qëndron edhe figura e paharruar e legjendarit të UÇK-së, Adem Jashari,
emri i të cilit është bërë sinonim i guximit, vendosmërisë dhe flijimit absolut
për lirinë. Varrimi i të gjithë të rënëve bashkë me të nuk është një rastësi,
por një akt i ngarkuar me domethënie të thellë historike e morale: një shenjë e
unitetit të pathyeshëm dhe e një ideali të përbashkët që i bashkoi në jetë dhe
i bashkon në vdekje.
Prekazi,
kësisoj, nuk është më thjesht një fshat i zakonshëm, por një vend i
shenjtëruar, një faltore e kujtesës kombëtare ku vizitorët vijnë për të
reflektuar mbi çmimin e lirisë dhe mbi përgjegjësinë që mbart çdo brez për ta
ruajtur atë. Në hijen e atyre varreve, çdo shqiptar e kupton më qartë se liria
nuk është dhuratë, por amanet i larë me gjak, që kërkon nderim dhe përkushtim
të përhershëm.
Sakrifica
e familjes së Zejnë Jasharit dhe të tjerëve, e shndërruar tashmë në një simbol
të pashlyeshëm të qëndresës dhe përkushtimit atdhetar, është nderuar dhe
vlerësuar gjerësisht nga institucionet dhe strukturat më përfaqësuese të luftës
çlirimtare dhe të shoqërisë sonë. Në një akt të thellë mirënjohjeje dhe
respekti, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka njohur dhe
ka çmuar kontributin e kësaj familjeje, duke e konsideruar atë shembull të
rrallë të flijimit dhe të devotshmërisë për kauzën kombëtare.
Po
ashtu, Zona Operative e Drenicës—zemra e organizimit dhe rezistencës së
armatosur—ka shprehur vlerësimin e saj të veçantë për këtë familje, duke njohur
sakrificën e jashtëzakonshme të dhënë në emër të lirisë. Ky nderim nuk është
thjesht ceremonial, por mbart në vetvete një peshë të rëndë historike dhe
morale, pasi i jep zë asaj që ishte dhe mbetet thelbi i luftës së UÇK-së:
gatishmëria për të dhënë gjithçka për atdheun.
Edhe
shoqatat e dala nga lufta, që mbledhin në gjirin e tyre dëshmitë dhe kujtimet e
atyre ditëve të zjarrta, kanë shprehur mirënjohjen e tyre, duke e përfshirë
këtë familje në radhët e më të nderuarve të kombit. Për ta, emrat e Bahtijes,
Abdullahut, Bujarit dhe Blerimit nuk janë thjesht emra të rënësh në listë, por
figura që mishërojnë idealin më të pastër të sakrificës dhe të dashurisë për
vendin.
Kujdesi
për të nderuar këtë kontribut nuk ka munguar as në nivelin lokal: Kuvendi
Komunal i Skënderajt, i vetëdijshëm për peshën që kjo familje ka në historinë
dhe identitetin e Drenicës, ka shprehur zyrtarisht mirënjohjen e tij. Ky
vlerësim institucional është një dëshmi se kujtesa e sakrificës nuk mund dhe
nuk duhet të humbasë në rrjedhën e kohës.
Në
këtë mënyrë, familja e Bahtije e Zejnë Jasharit është vendosur në piedestalin e
nderit kombëtar jo vetëm përmes fjalëve dhe mirënjohjeve formale, por edhe në
ndërgjegjen kolektive të një populli që e di mirë se liria e fituar me gjak
mbetet përgjegjësi e përhershme.
Përveç
faktit që emrat e dëshmorëve të kësaj familjeje janë gdhendur përgjithmonë në
kompleksin memorial të Jasharajve—atë faltore të kujtesës kombëtare ku historia
dhe sakrifica ndërthuren në mënyrë të pandashme—një tjetër monument përkujtimor
është ngritur me pietet të veçantë para shtëpisë së rezistencës së Halit
Jasharit. Ky vend i shenjtëruar nuk është vetëm një shenjë respekti formal apo
një dekor simbolik, por një hapësirë e menduar me kujdes për të dëshmuar, për
të edukuar dhe për të frymëzuar brezat që do të vijnë.
Në
këtë kompleks përkujtimor të ngritur para pragut të një shtëpie që dikur ishte
bastion i qëndresës së pamposhtur, janë skalitur me mjeshtëri në mermer
fotografitë dhe emrat e njëmbëdhjetë të rënëve të kësaj dege të lagjes Jashari
të Prekazit. Mermeri, si material i ftohtë dhe i qëndrueshëm, bëhet kështu
dëshmitar i ngrohtësisë njerëzore dhe i gjakut të derdhur për lirinë. Ai ruan
të ngulitura në vetvete fytyrat e atyre që nuk pranuan robërinë dhe i kthen ato
në shenja të përjetshme të krenarisë kombëtare.
Ky
memorial para shtëpisë së Halit Jasharit nuk është vetëm një vend përkujtimi,
por edhe një ftesë për reflektim mbi kuptimin e sakrificës dhe përgjegjësinë që
ngërthen kujtesa historike. Ai e zgjat simbolikisht pragun e shtëpisë nga një
hapësirë private në një hapësirë publike të ndërgjegjes kombëtare, duke e
shndërruar atë në një mësim të gjallë për çdo vizitor: se liria nuk është
fituar as lehtë, as rastësisht, por është blerë me jetët e atyre që nuk u
kursyen.
Në
këtë mënyrë, kujtesa për njëmbëdhjetë të rënët e kësaj dege të Jasharëve nuk
mbetet e varrosur vetëm në faqet e historisë, por ngrihet përpara syve të botës
si një monument i përhershëm i dinjitetit dhe i rezistencës, që fton çdo
shqiptar të ruajë dhe të nderojë amanetin e tyre.
Lavdia
dhe nderimi i përjetshëm u takojnë atyre burrave dhe grave që, në çastet më të
errëta të historisë sonë, u ngritën mbi frikën dhe mbi interesin personal për
të mbrojtur atdheun dhe identitetin tonë kolektiv. Ata që ranë në mbrojtje të
Kosovës nuk dhanë thjesht jetën si një akt individual heroizmi, por e
shndërruan vdekjen e tyre në themel mbi të cilin u ndërtua e ardhmja e lirë e
këtij vendi.
Dëshmorët
e kombit përfaqësojnë virtytin më të lartë të përkushtimit qytetar dhe
atdhetar: gatishmërinë për të sakrifikuar gjithçka për të ruajtur lirinë,
dinjitetin dhe të drejtën e një populli për të jetuar në paqe e pavarësi. Ata
janë fenerë që ndriçojnë udhën e brezave të ardhshëm, duke na kujtuar se liria
nuk është dhuratë, por një amanet i shenjtë që kërkon përkujdesje dhe mbrojtje
të vazhdueshme.
Prandaj,
nderimi për dëshmorët nuk mund të mbetet vetëm në fjalë ceremonialë, por duhet
të mishërohet në veprime konkrete—në ruajtjen e vlerave për të cilat ata ranë,
në forcimin e shtetit të së drejtës, në kultivimin e unitetit kombëtar dhe në
edukimin e brezit të ri me dashuri e përgjegjësi ndaj atdheut. Ata që dhanë
jetën për Kosovën i përkasin jo vetëm të shkuarës sonë të lavdishme, por edhe
të tashmes dhe të ardhmes sonë, si udhërrëfyes të përhershëm të dinjitetit dhe
lirisë kombëtare.
Literatura:
1. Bardh Hamzaj & Faik Hoti, Jasharët
(Historia e rrëfyer nga Rifat, Besarata, Bashkim, Murat dhe Lulzim Jashari),
Prishtinë, 2003
2. Fehmi Ajvazi, Figura e Adem Jasharit,
Prishtinë, 2018
3. https://www.radiokosovaelire.com/avdullah-zejne-jashari-27-5-1982-5-3-1998/
4. https://deshmoretelirise.com/faqja/bujar-z-jashari/
5. https://prointegra.ch/nje-cerek-shekulli-nga-gjenocidi-ne-prekaz/
6. https://www.drini.us/epopeja-e-jashareve-nje-heroizem-i-pashembullt-ne-historine-e-njerezimit/
7. https://www.botasot.info/aktuale-lajme/1526894/kush-ishin-grate-e-vajzat-qe-u-vrane-ne-renien-e-familjes-jashari/
8. https://www.radiokosovaelire.com/myrtez-zymer-jashari-5-3-1979-5-3-1998/
9. https://www.radiokosovaelire.com/hajzer-zymer-jashari-15-4-1969-5-3-1998/
10. https://www.gazetametro.net/blerina-7-vjec-fatimja-9-dhe-blerimi-12-keta-jane-20-anetaret-e-familjes-jashari-qe-u-vrane-nga-ushtria-serbe/