Speciale » Basha
Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (13)
E enjte, 24.07.2025, 07:00 PM
GRATË SHQIPTARE – SHTYLLA TË QËNDRESËS KOMBËTARE (13)
GRATË E VAJZAT DËSHMORE TË UÇK-SË
AZË
ZEKË BRAHIMAJ
(1.1.1921 – 3.8.1998)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Të
shkruash për nënë Azë Zekë Brahimajn apo nënën e UÇK-së, nuk është thjesht një
detyrë shkrimore, por një nder i veçantë dhe një burim krenarie që vështirë se
mund të përshkruhet me fjalë të zakonshme. Ajo përfaqëson një figurë të tillë
që meriton jo vetëm respekt, por edhe një përkushtim të thellë për ta kujtuar
dhe nderuar ashtu siç i takon. Megjithatë, përpjekja për të përmbledhur gjithë
jetën, veprimtarinë dhe sakrificat e saj në disa faqe të shkruara është një
ndërmarrje tepër sfiduese. Kërkohet kohë e gjatë, studim i kujdesshëm dhe një
hapësirë e madhe në letër për të pasqyruar sadopak madhështinë e saj.
Nënë
Aza është mishërimi i plotë i figurës së gruas shqiptare të pathyeshme dhe të
guximshme. Ajo është modeli i gjallë i trimërisë dhe i përkushtimit që tejkalon
dimensionin personal dhe bëhet pjesë e historisë kolektive të rezistencës shqiptare.
Në kohët më të vështira dhe më të errëta, kur shpresat për çlirim dhe drejtësi
dukeshin të zbehta, ajo nuk u tërhoq dhe nuk u tremb. Përkundrazi, luajti një
rol vendimtar në mbështetjen dhe organizimin e lëvizjes ilegale shqiptare.
Kontributi
i saj ishte një angazhim i palëkundur, i përditshëm dhe i ndërgjegjshëm, që
kërkonte guxim të jashtëzakonshëm dhe sakrifica të mëdha. Për të, çështja
kombëtare nuk ishte një slogan i zbrazët, por një obligim i shenjtë që duhej
përmbushur pa asnjë hezitim, pavarësisht rreziqeve të vazhdueshme dhe çmimit
personal.
Për
këtë arsye, të shkruash për nënë Azë Zekë Brahimajn nuk është vetëm një detyrë
historike, por edhe një përgjegjësi morale, për të ruajtur të gjallë kujtimin e
saj, për të ndriçuar shembullin e saj për brezat e ardhshëm dhe për të afirmuar
vlerat më të pastra të rezistencës dhe të identitetit shqiptar. Ajo është dhe
do të mbetet një nga figurat më frymëzuese të historisë sonë – një dëshmi e
gjallë e forcës, mençurisë dhe dashurisë së pamatë për atdheun.
Azë
Zekë Brahimaj lindi në vitin e largët, më 1 janar 1921 në fshatin Grabanicë,
një vend i komunës së Klinës që për dekada të tëra ka ruajtur frymën e
qëndresës dhe traditat e forta shqiptare. E rritur në një mjedis që vlerësonte
ndershmërinë, punën dhe dashurinë për atdheun, Aza u formua që herët si një
grua me karakter të fortë dhe me vlera të thella familjare.
Ajo
u martua me Shaban Arif Brahimajn nga Jabllanica e Dushkajës, një krahinë e
njohur e komunës së Gjakovës për njerëzit e saj të ndershëm dhe të përkushtuar
ndaj çështjes kombëtare. Jeta e saj bashkëshortore u karakterizua nga punët e
palodhura, përkushtimi dhe respekti i ndërsjellë, duke u bërë një shembull i
qetë, por i fuqishëm i jetës tradicionale shqiptare që ndërtonte familje të
shëndosha dhe të lidhura fort pas tokës dhe atdheut.
Si
nënë, Aza u përkushtua me gjithë shpirt për të rritur dhe edukuar bijtë dhe
bijat e saj: Arifin, Selmanin, Nazmiun dhe Lahiun, duke u kujdesur që të
trashëgonin virtytet dhe vlerat që ajo dhe bashkëshorti i saj i mbanin si të
shenjta. Por historia familjare e Azës nuk mbaron këtu. Ndër bijat e saj ishte
edhe Ruka – një grua që do të mbante barrën e rëndë dhe nderin e
jashtëzakonshëm të të qenit nëna e dy heronjve të shquar të kombit shqiptar:
Luan Haradinajt dhe Shkëlzen Haradinajt.
Përmes
Rukës, Aza do të bëhej gjyshe e nipërve që dhanë jetën në mënyrë të lavdishme
për lirinë dhe dinjitetin e Kosovës. Ruka lindi gjithashtu edhe bijën Hyrë,
duke vazhduar kështu një linjë familjare që mishëronte përkushtim të thellë
ndaj familjes dhe atdheut.
Në
këtë mënyrë, jeta e Azë Zekë Brahimajt nuk ishte vetëm rrëfim i një gruaje që
përmbushi me dinjitet dhe dashuri rolin e nënës dhe të bashkëshortes, por një
pjesë e gjallë dhe e rëndësishme e historisë sonë kolektive – një gur themeli i
asaj trashëgimie morale dhe kombëtare që edukoi dhe frymëzoi breza luftëtarësh
dhe atdhetarësh.
Kontributi
i Nënë Azë Zekë Brahimajt në luftën për çlirimin e Kosovës është i njohur dhe i
vlerësuar gjerësisht si një prej gurthemeleve moralë të asaj periudhe
historike. Ajo ishte një pjesëmarrëse aktive dhe e përkushtuar, që e
konsideronte detyrim të shenjtë mbështetjen e rezistencës së armatosur kundër
pushtimit serb.
E
formuar në frymën e atdhedashurisë së vjetër shqiptare, Nënë Aza nuk mund të
rrinte duarkryq ndërsa vendi i saj gjendej nën pushtim dhe dhunë sistematike.
Ajo u përfshi me tërë qenien e saj në lëvizjen çlirimtare dhe, që nga viti
1996, u rreshtua qartë dhe pa hezitim përkrah Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në këtë përkushtim nuk ishte vetëm ajo, por e gjithë familja e saj – një
familje që mishëroi me përpikëri idealin e bashkimit dhe të sakrificës për
lirinë e atdheut.
Inkuadrimi
i saj në radhët e UÇK-së nuk kishte të bënte vetëm me ndihmë materiale apo
logjistike, ishte një akt i hapur sfide ndaj pushtuesit dhe një shprehje e
vendosmërisë për të përballuar çdo rrezik dhe sakrificë. Ajo dëshmoi me vepra
se lufta për çlirim nuk ishte vetëm detyrë e djemve të rinj me armë në dorë,
por një mision gjithëkombëtar ku çdo nënë, çdo familje, çdo brez kishte rolin
dhe përgjegjësinë e vet të pashmangshme.
Për
këtë arsye, emri i Nënë Azës është i lidhur ngushtë me betejën e Kosovës për
liri dhe pavarësi, duke qëndruar si shembull i gjallë i guximit, i vendosmërisë
dhe i dashurisë së pakushtëzuar për tokën dhe për popullin e saj.
Nënë
Azë Zekë Brahimaj ishte një nga figurat më të përkushtuara në fazat më të
hershme të organizimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në trevën e
Dukagjinit. Ajo u bë një hallkë e pazëvendësueshme në krijimin dhe konsolidimin
e celulave të para të UÇK-së, duke shndërruar shtëpinë e saj në një vatër të
vërtetë të rezistencës dhe të bashkimit të atyre që ishin të vendosur të
luftonin për lirinë e Kosovës.
Nëna
Azë nuk i mbylli kurrë dyert e shtëpisë së saj për askënd që kishte për ideal
çlirimin kombëtar. Ajo priti, strehoi dhe ushqeu me dashuri dhe përkushtim të
jashtëzakonshëm një plejadë të tërë luftëtarësh që më vonë do të bëheshin
heronj dhe dëshmorë të kombit shqiptar. Mes tyre ishin figura të shquara si
Zahir Pajaziti, Mujë Krasniqi, Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, Luan dhe Shkëlzen
Haradinaj, Abedin Rexha, Bedri Shala,
Abejen, Xheladin Gashi, Xhelal Hajda, Sylejman dhe Rexhep Selimi, Ramush
dhe Daut Haradinaj, Kadri Veseli, Hashim Thaçi, Sahit dhe Musë Jashari, Nait
Hasani dhe shumë të tjerë.
Por
mikpritja e Nënë Azës nuk ishte një akt i thjeshtë bujarie tradicionale. Ajo
nuk u jepte vetëm bukë dhe strehë – i jepte diçka shumë më të rëndësishme:
forcë morale, siguri shpirtërore dhe besim të patundur në drejtësinë e kauzës.
Për shumë nga këta luftëtarë, shtëpia e saj ishte jo vetëm një vend ku mund të
pushonin dhe të përgatiteshin, por edhe një burim frymëzimi dhe mbështetjeje që
i mbante të lidhur me idealin e lirisë.
Në
këtë mënyrë, Nënë Aza nuk ishte thjesht një dëshmitare e historisë, por një
aktere e saj aktive dhe e palodhur. Ajo kontribuoi jo vetëm me atë që kishte
materialisht, por me gjithë shpirtin dhe zemrën e saj, duke u bërë simbol i
nënës shqiptare që jo vetëm rrit fëmijë të denjë, por edhe luftëtarë të lirisë.
Për këtë arsye, figura e saj mbetet një nga dëshmitë më të çmuara të bashkimit
të traditës, virtytit dhe rezistencës në historinë e Kosovës.
Kontributi
i Nënë Azë Zekë Brahimajt në luftën çlirimtare të Kosovës nuk kufizohej vetëm
në mikpritjen dhe përkujdesjen për luftëtarët në shtëpinë e saj. Ajo dha ndihmë
të çmuar dhe të shumëanshme, veçanërisht në fushën kaq jetike të logjistikës –
hallka themelore pa të cilën asnjë ushtri çlirimtare nuk mund të mbijetonte dhe
të vepronte me sukses.
Njësitë
logjistike që vepronin në zonat e lira, pranë komandave të UÇK-së, ishin
përgjegjëse për furnizimin, organizimin dhe koordinimin e mbështetjes për
frontin e luftës. Në këtë aspekt, Nënë Aza ishte një bashkëpunëtore e palodhur
dhe e besueshme, që garantonte vazhdimësinë dhe funksionimin e këtyre hallkave
të ndërlikuara. Ajo kontribuoi edhe për njësitë mobile që kishin për detyrë të
siguronin komunikimin dhe lidhjet ndërmjet grupeve të ndryshme logjistike,
shpesh në kushte të vështira dhe nën kërcënimin e vazhdueshëm të ndjekjeve dhe
rrethimeve.
Veprimtaria
e saj nuk ishte statike. Azë Brahimaj udhëtonte me guxim dhe vendosmëri nëpër
shumë vende të Kosovës, duke përballuar rreziqe të mëdha për të mbajtur gjallë
dhe të sigurta rrjetet e bashkëpunimit. Ajo kishte kontakte të rregullta dhe të
ngushta me qendra të rëndësishme të rezistencës si Jabllanica, Gllogjani dhe
shumë të tjera, duke garantuar lidhje të pandërprera midis grupeve lokale dhe
udhëheqjes së luftës.
Në
këtë mënyrë ajo ishte një hallkë e gjallë, e palëvizshme dhe thelbësore e
makinerisë së luftës çlirimtare. Kontributi i saj i dhënë me përkushtim, urtësi
dhe vendosmëri është një dëshmi e qartë se fitorja e kauzës shqiptare nuk ishte
vetëm rezultat i armës, por edhe i rrjetit të gjerë e të organizuar të njerëzve
të zakonshëm – si Nënë Aza – të cilët i dhanë zemër dhe forcë të gjithë
lëvizjes çlirimtare.
Në
rrethanat e vështira dhe të pasigurta të luftës, kur lëvizja e luftëtarëve të
UÇK-së shpesh ishte e kufizuar, sidomos gjatë ditës kur strehoheshin në ndonjë
bazë të fshehtë, ishte pikërisht Nënë Azë Zekë Brahimaj ajo që merrte përsipër
të siguronte lidhjen jetike midis grupeve. Me vendosmëri dhe pa u tërhequr
përpara rrezikut, ajo ishte ajo që bartte porositë dhe njoftimet e rëndësishme,
duke u bërë një hallkë e patjetërsueshme e komunikimit të brendshëm të lëvizjes
çlirimtare. Ky rol i saj i kujtonte të gjithëve me respekt veprimtarinë e grave
të NDSH-së gjatë viteve 1945–1947, po edhe më vonë gjatë jetës ilegale, të
cilat, edhe ato, kishin marrë përsipër misionin e rrezikshëm të ruajtjes së
lidhjeve të rezistencës në kushte terrori e represioni.
Pavarësisht
moshës së saj të thyer, Nënë Aza nuk u kursente asnjëherë. Me mund e përkushtim
të jashtëzakonshëm, ajo gatuante bukë dhe kujdesej për nevojat më elementare të
luftëtarëve që strehoheshin për ditë e javë në shtëpinë e saj, duke e bërë atë
jo vetëm një strehë fizike, por edhe një vatër ngrohtësie njerëzore dhe morali
të lartë. Për të, shërbimi ndaj luftës nuk ishte një barrë, por një nder që e
kryente me dashuri dhe me përkushtim të pashoq.
Nënë
Aza krenohej me të drejtë për bijtë dhe nipërit e saj luftëtarë. Ajo ndjente
një mburrje të veçantë për Lahiun, djalin e saj që ishte pjesë e kreut të
organizimit të luftës, dhe për nipërit në Gllogjan, Luanin, Shkelzenin,
Ramushin, Dautintë e të tjerët të cilët mbartnin mbi supe barrën e rëndë të
fatit të luftës në tërë zonën e Dukagjinit. Ishte e vetëdijshme për rëndësinë
historike të kohës që po përjetonte dhe për përgjegjësinë që ajo dhe familja e
saj kishin marrë përsipër.
Duke
e kuptuar qartë këtë rol dhe këtë barrë, ajo kishte marrë një vendim të
palëkundur: të mos largohej kurrë nga shtëpia e saj, ta ruante me dinjitet dhe
ta mbronte konakun e burrit dhe të sajin – vendin ku kishte lindur dhe rritur
bijtë e bijat, ku kishte ndërtuar jetën me nder e dinjitet, dhe ku tani kryente
misionin e saj të fundit dhe më të madh: të ishte nënë, mbrojtëse dhe
mbështetëse e luftës për liri. Në këtë mënyrë, Nënë Aza u shndërrua në simbol
të durimit, forcës dhe dashurisë së pakushtëzuar për atdheun dhe familjen.
Më
2 gusht 1998, gjatë një prej ofensivave më të egra të ushtrisë serbe në zonën e
Dukagjinit, Nënë Azë Brahimaj mori një vendim që do të vuloste përgjithmonë
figurën e saj si simbol të qëndresës dhe sakrificës shqiptare. Ndërsa të tjerët
mund të mendonin për të shpëtuar jetën duke u larguar, ajo refuzoi prerazi të braktiste
pragun e shtëpisë së saj. Ky vendim nuk ishte marrë nxitimthi, por ishte fryt i
një bindjeje të thellë dhe të hershme se vendi i saj ishte aty, krah për krah
me bijtë dhe nipërit e saj që kishin marrë armët për të mbrojtur atdheun.
Ajo
ishte e vendosur të mbetej në shtëpi për të bërë atë që dinte më mirë e që e
kishte bërë me përkushtim të jashtëzakonshëm, të siguronte që luftëtarëve të
lirisë të mos u mungonte buka, të ishte mbështetje morale dhe praktike në ditët
më të vështira të luftës. Ishte mënyra e saj për të luftuar, për të kontribuar
në kauzën e shenjtë të çlirimit, edhe pse në një moshë të thyer.
Por
më 3 gusht 1998, forcat serbe, të pamëshirshme dhe të etura për të shkatërruar
çdo shenjë rezistence dhe dinjiteti, ndërmorën një akt të egër dhe të pashpirt.
Në oborrin e shtëpisë së saj, ata vranë Nënë Azën, duke mos kursyer as nënën e
saj 100-vjeçare, Zizën, e cila në ato momente ndodhej tek vajza e saj.
Ky
krim i rëndë nuk ishte vetëm vrasje fizike, por një tentativë për të
shkatërruar vetë frymën e qëndresës shqiptare, për të thyer moralin e një
populli që kishte vendosur të mos nënshtrohej më. Megjithatë, vdekja e Nënë
Azës dhe e nënës së saj të moshuar nuk arriti të shuante idealin për të cilin
ato sakrifikuan gjithçka. Përkundrazi, ajo mbeti dëshmi e gjallë e guximit dhe
e dashurisë së pamatë për tokën dhe popullin e vet – një akt i pastër heroizmi
që u përjetësua në kujtesën e kombit si shembull i pashuar i dinjitetit
njerëzor dhe atdhetarisë.
Gratë
si Nënë Azë Brahimaj janë vërtet të rralla – figura të jashtëzakonshme që i
japin kuptim të ri dhe të thellë nocionit të guximit dhe të sakrificës për
atdheun. Ditën kur forcat serbe i afroheshin pragut të shtëpisë, ajo nuk pranoi
të dorëzohej dhe as të nënshtronte krenarinë e saj përballë një pushtuesi të
pamëshirshëm.
Në
ato çaste vendimtare, ajo tregoi vendosmëri dhe kthjelltësi të jashtëzakonshme:
nxori dy granatat e dorës që i kishte ruajtur me kujdes për muaj të tërë,
pikërisht për një moment të tillë, kur rreziku do të ishte i pashmangshëm dhe
mbrojtja e shtëpisë dhe e nderit do të kërkonte aktin më të lartë të
vetëflijimit. Me këtë veprim, ajo nuk bëri vetëm një akt simbolik rezistence,
por kreu një akt të ndërgjegjshëm dhe të planifikuar për të mos u lënë armikut
kënaqësinë e triumfit të lehtë.
Ishte
një mënyrë e qartë për të shpaguar veten dhe për të ruajtur nderin e familjes e
të kombit. Ky gjest heroik e vulosi Nënë Azën jo vetëm si një nënë dhe grua të
fortë, por si një luftëtare të vërtetë që nuk pranoi kurrë të përkulej.
Veprat
e saj, të mbushura me përkushtim, sakrificë dhe trimëri, e bënë të pavdekshme
në kujtesën kolektive të popullit shqiptar. Ajo u ngrit në një simbol të gjallë
të rezistencës, një shembull i pashembullt i asaj force morale që ka mbajtur
gjallë kombin tonë nëpër shekuj. Në këtë mënyrë, Nënë Aza do të jetojë përherë
si një figurë e ndritshme e historisë sonë – një kujtesë dhe një frymëzim për
brezat që do të vijnë.
Nënë
Azë Brahimaj është shembulli i rrallë i njeriut që i vuri të gjitha forcat,
aftësitë dhe jetën e vet në shërbim të interesave më të larta të kombit. Ajo
nuk njohu kursim, as kompromis me veten, në përpjekjen për të mbrojtur të
drejtën, dinjitetin dhe lirinë e popullit të saj. Për të, shërbimi ndaj atdheut
nuk ishte detyrë e rastësishme apo e kufizuar në kohë – ishte misioni i jetës
së saj, që e mbajti gjallë deri në momentin e fundit.
Me
vendosmërinë dhe trimërinë e jashtëzakonshme që e karakterizonte, Nënë Aza e
siguroi emrin e saj në altarin e lirisë kombëtare. Ajo e kuptoi qartë dhe me
ndërgjegje të plotë se sakrifica personale ishte çmimi i domosdoshëm për lirinë
dhe se nuk kishte rrugë tjetër përveçse të jepte gjithçka që kishte.
Deri
në frymën e fundit, ajo mbeti e patundur në këtë përkushtim të shenjtë, duke
dëshmuar me jetën dhe veprën e saj se atdhedashuria nuk matet me fjalë, por me
vepra dhe me gatishmërinë për të flijuar gjithçka për të mirën e përbashkët. Në
këtë kuptim, Nënë Aza u shndërrua në simbol të pastër të rezistencës shqiptare,
një figurë që mishëron përjetësisht idealet më të larta të sakrificës dhe të
dashurisë për atdheun.
Pas
rënies së saj heroike, kontributi i jashtëzakonshëm dhe sakrifica sublime e
Nënë Azë Brahimajt nuk mbetën të harruara nga shteti dhe shoqëria kosovare.
Vepra e saj u njoh dhe u vlerësua zyrtarisht, duke u bërë pjesë e kujtesës dhe
mirënjohjes kombëtare.
Në
shenjë respekti dhe nderimi të thellë për jetën e saj të përkushtuar dhe për
kontributin e çmuar në luftën për çlirimin e vendit, ajo u dekorua pas vdekjes
me mirënjohje të posaçme nga ish-presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete
Jahjaga. Ky akt zyrtar e afirmoi vlerën e saj si figurë që nuk i përkiste vetëm
familjes apo fshatit të saj, por të gjithë kombit.
Po
ashtu, edhe presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e nderoi me
dekoratë, duke vulosur edhe një herë vendin e saj të merituar në panteonin e
figurave të shquara të historisë sonë të re. Këto dekorime janë më shumë se
simbole shtetërore, ato janë dëshmi e vlerësimit të përbashkët shoqëror për një
jetë të jetuar në shërbim të atdheut dhe për një sakrificë që frymëzon brezat e
sotëm dhe të ardhshëm.
Ndërsa
djali i saj Lahi Brahimaj në përvjetorin e 26 të rënies heroike të Nënës Azë
dhe të tjerëve shkruan:
“Në
këtë 26-vjetor të rënies së saj, ndalemi me respekt të thellë për të nderuar
heroizmin e Nënë Azë Zekë Brahimajt, duke kujtuar njëkohësisht edhe sakrificën
e nënës së saj, Zizë Syla, si dhe të gjithë dëshmorëve të 3 gushtit 1998 –
Idriz Gucati, Sejdi dhe Arif Kasumaj dhe Ukshin Hamza. Ky përvjetor nuk është
vetëm një ditë përkujtimi formal, por një moment reflektimi të thellë mbi
domethënien e tyre në historinë tonë më të re dhe mbi trashëgiminë e tyre
morale që mbetet e gjallë ndër ne.
Nënë
Aza, me figurën dhe veprën e saj, mishëron tiparin e rrallë të një nëne
luftëtare, një figure unike në rrëfimin tonë historik. Ajo ishte një
pjesëmarrëse aktive, një qendër frymëzimi dhe një simbol i pathyeshmërisë. Nëna
Azë është shembulli i gjallë i asaj force morale dhe shpirtërore që ka bërë të
mundur rezistencën tonë kombëtare edhe në kohët më të vështira.
Ndërsa
e kujtojmë me pietet, është thelbësore të theksojmë se lavdia e Ushtrisë
Çlirimtare të Kosovës nuk do të kishte pasur madhësinë dhe forcën që njohim pa
kontributin e nënave tona të pathyeshme. Ishte pikërisht guximi, vendosmëria
dhe vetëmohimi i grave si Nënë Aza që dhanë dimensionin më të thellë dhe më të
ndritur të kësaj lufte.
Trimëria
e saj, gatishmëria për të sakrifikuar gjithçka dhe vendimi i palëkundur për të
qëndruar në krah të bijve dhe të luftëtarëve të lirisë, e bëjnë atë një figurë
të veçantë dhe të paharrueshme në kujtesën e kombit. Emri i saj është një burim
frymëzimi për brezat që vijnë, një thirrje e vazhdueshme për të mbrojtur lirinë
dhe dinjitetin me të njëjtën vendosmëri dhe vetëmohim që ajo e dëshmoi deri në
fund.
Kështu,
kujtimi i Nënë Azës mbetet i gjallë jo vetëm në histori dhe në kujtesën
popullore, por edhe i mishëruar në nderimet më të larta të shtetit të lirë për
të cilin ajo dha gjithçka.
Literatura:
1. Hamdi V. Thaçi, Drenica djep i UÇK-së dhe
Batalioni I i Brigadës 114 “Fehmi Lladrovci”, Prishtinë, 2017
2. Hanëmshahe Ilazi, Gra të njohura të
trojeve shqiptare, Prishtinë, 2015
3. http://kosovaelire.com/uckdeshmoretAzeIbrahimaj.php
4. https://www.facebook.com/story.php/?story_fbid=8806148469505735&id=100003320079550
5. Rajmonda Malecka, Azë Zekë Brahimaj
(poezi), 22 nëndor, 2024
6. http://www.kosovaelire.com/uckdeshmoretAzeIbrahimaj.php
7. https://www.facebook.com/KorrektPressOfficial/posts/-aze-brahimaj-e-njohur-si-n%C3%ABna-e-u%C3%A7k-s%C3%AB-ajo-ishte-nd%C3%ABr-ato-n%C3%ABnat-e-m%C3%ABdha-q%C3%AB-lind/1010917221053061/
8. https://www.radiokosovaelire.com/lahi-brahimaj-nenes-se-uck-se/
9. https://raporto24.com/historia-motivuese-e-nenes-aze-qe-ndihmoi-uck-ne-dhe-ne-fund-u-veteflijua-per-liri/
10. https://gazetametro.net/thaci-kujton-aze-brahimajn-e-quan-nene-te-uckse/
11. https://www.zemrashqiptare.net/news/4825/rp-0/act-print/rf-1/printo.html
12. https://www.faktiditor.ch/aze-brahimaj-nena-e-uck-se/
13. https://www.zemrashqiptare.net/news/4597/rp-0/act-print/rf-1/printo.html
14. https://www.janinapress.com/2020/08/03/fronti-popullor-kujton-nenloken-e-uck-se-aze-brahimaj/
15. https://hogoshti.blogspot.com/2012/06/lista-e-deshmoreve-te-kosoves-te-rene.html?m=0
16. https://ambra.forumattivo.com/t3073-ushtria-clirimtare-e-kosoves-deshmoret-e-kombit
17. https://shqiperia.yahoogroups.narkive.com/457kCYIG/aze-brahimaj