E shtune, 26.07.2025, 08:05 AM (GMT+1)

Speciale » Basha

Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (10)

E merkure, 16.07.2025, 04:59 PM


GRATË SHQIPTARE – SHTYLLA TË QËNDRESËS KOMBËTARE 10)

GRATË E VAJZAT DËSHMORE TË UÇK-SË

AFIJE ADEMI – JASHARI

(06. 10. 1937 – 07. 03. 1998)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Të shkruarit për luftën e fundit në Kosovë, padyshim se përfaqëson një sfidë të madhe historike, politike dhe njerëzore. Është e pamundur të ndërtosh një rrëfim të plotë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës pa ndalur vëmendjen edhe tek një dimension thelbësor dhe shpeshherë i anashkaluar: roli i gruas në këtë luftë. Dashur apo padashur, çdo trajtim serioz i këtij konflikti na shtyn drejt kësaj teme që kërkon ndriçim të thelluar dhe respekt të veçantë.

Lufta e fundit në Kosovë nuk ishte thjesht një përballje mes forcash ushtarake, ajo ishte një përplasje e madhe që preku çdo qelizë të shoqërisë dhe përfshiu të gjitha shtresat, duke i dhënë luftës një karakter të gjithëmbarshëm popullor. Brenda këtij realiteti, gratë dhe vajzat nuk qenë vetëm spektatore të vuajtjeve apo bartëse të dhimbjeve të përditshme që sjell lufta – ato u bënë aktere të drejtpërdrejta të rezistencës, të përkushtuara ndaj idealit të lirisë, në mënyra të ndryshme dhe shpeshherë heroike.

Numri i grave dhe vajzave që u përfshinë në luftë – qoftë si luftëtare në rreshtat e UÇK-së, qoftë si ndihmëse në prapavijë, apo si mbështetëse morale dhe organizative është dëshmi e qartë e asaj se rezistenca nuk ishte asnjëherë thjesht çështje burrash. Ato mbartën armët, bartën plagët, mbajtën gjallë shpresën, por edhe duruan mbi trupin dhe shpirtin e tyre një pjesë të dhembjes më të thellë që solli kjo luftë.

Kësisoj, përpjekja për të shkruar një histori të ndershme dhe gjithëpërfshirëse të luftës për çlirim të Kosovës do të ishte e paplotë pa vendosur gruan në piedestalin që e meriton. Roli i saj nuk ishte margjinal, por thelbësor – si një shtyllë që mbajti peshën e përballjes dhe qëndresës kolektive. Kjo luftë, në shumë forma, ishte edhe lufta e saj. Dhe historia do të duhej të bëjë drejtësi për këtë kontribut të pashlyeshëm.

Në rrjedhën e historisë shqiptare, gruaja ka qenë vazhdimisht pjesëmarrëse aktive në momentet kyçe të fatit kombëtar. Ajo kurrë nuk e ka perceptuar veten si të ndarë nga përpjekjet e popullit për liri, dinjitet dhe drejtësi. Në vend që të qëndrojë në margjinat e historisë, gruaja shqiptare është pozicionuar shpesh në zemër të ngjarjeve, duke dëshmuar se përkatësia gjinore nuk ka qenë pengesë, por një dimension shtesë i forcës dhe sakrificës.

Kjo përfshirje bëhet veçanërisht e dukshme në momentet më dramatike dhe vendimtare të historisë sonë të afërt, siç është Beteja e Prekazit, e zhvilluar më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998. Kjo betejë, që do të ngulitej thellë në ndërgjegjen kolektive të shqiptarëve, përfaqëson jo vetëm një ndër aktet më të dhimbshme të rezistencës sonë kombëtare, por edhe një ndër kulmet më të lavdishme të saj.

Prekazi nuk ishte thjesht një vend ku u derdh gjak për liri; ai u shndërrua në simbolin më të fuqishëm të qëndresës, të flijimit dhe të sakrificës familjare. Brenda këtij episodi tragjik, gratë nuk ishin thjesht dëshmitare të dhimbjes, por bartëse të qëndresës, të vendosmërisë dhe të stoicizmit që e karakterizon ndërgjegjen kolektive shqiptare. Aty, në zemrën e zjarrit, u provua edhe një herë se gruaja shqiptare nuk qëndron në prapaskenë kur kombi thërret, por ngrihet krahas burrit për të mbrojtur atdheun, familjen dhe dinjitetin.

Për këtë arsye, kur flasim për Prekazin, nuk mund ta ndërlidhim atë vetëm me aktin e rezistencës së armatosur, por edhe me heroizmin moral e shpirtëror të grave që u bënë pjesë e kësaj sakrifice. Prekazi është betejë e dhimbjes dhe e krenarisë, betejë që na mëson se liria nuk vjen pa kosto, dhe se në këtë rrugë, gratë shqiptare kanë qenë, janë dhe do të mbeten ndër shtyllat kryesore të mbijetesës dhe të afirmimit kombëtar.

Lufta e Prekazit, e cila zgjati tri ditë të njëpasnjëshme në marsin e vitit 1998, përfaqëson një nga kulmet më të ndritura dhe njëherazi më të dhimbshme të rezistencës së popullit shqiptar në Kosovë. Kjo betejë nuk ishte një përballje e zakonshme ushtarake, ajo u shndërrua në një akt të jashtëzakonshëm të vetëflijimit kolektiv, ku nuk u luftua vetëm me armë, por me gjithë qenien, me ndërgjegje dhe me dinjitetin më të thellë njerëzor e kombëtar.

Në këtë rezistencë të pashembullt, nuk bënë dallim as mosha e as gjinia. Të gjithë anëtarët e familjes Jashari – burra, gra, pleq dhe fëmijë – u ngritën në mbrojtje të atdheut si një trup i vetëm, si një familje që kishte shndërruar shtëpinë në kala, dhe jetën në simbol të pavdekësisë. Në ballë të kësaj qëndrese qëndronte kryetrimi Adem Jashari, emblema e luftës për liri, i cili bashkë me vëllain Hamëzan dhe babain Shaban Jashari, udhëhoqi me trimëri të pashoqe një betejë që do të përjetësohej në ndërgjegjen historike të kombit.

Por ajo që e bën këtë akt edhe më të jashtëzakonshëm është pjesëmarrja e të gjithë lagjes Jashari, ku çdo individ, pavarësisht moshës apo gjinisë, mori pjesë në betejë si pjesë e një vullneti të përbashkët për të mos lejuar nëpërkëmbjen e lirisë dhe të dinjitetit kombëtar. Kjo luftë e përgjakshme, por e lavdishme, nuk la pas vetëm viktima – ajo krijoi heronj e dëshmorë, krijoi një trashëgimi shpirtërore dhe morale që do të ushqejë përherë identitetin dhe rezistencën shqiptare.

Në këtë mënyrë, Prekazi nuk është vetëm emër gjeografik apo skenë e një lufte, ai është kthyer në metaforë të sakrificës sublime, ku çdo frymë, çdo zë dhe çdo zemër që rrahu në ato tri ditë, u bë pjesë e përjetshme e historisë sonë kolektive.

Në radhën e gjatë të atyre që ranë në Betejën e lavdishme të Prekazit, përjetësisht do të kujtohet edhe emri i Afije Adem Jasharit. E lindur më 6 tetor të vitit 1937, Afija ishte bijë e Ademit nga fshati Likoshan, e lidhur që nga lindja me tokën dhe historinë e Drenicës – zemrës së qëndresës shqiptare. Jeta e saj ishte shënuar nga dhimbja dhe përballja me dhunën shtetërore që kishte përfshirë Kosovën qysh në dekadat e para pas Luftës së Dytë Botërore.

Ende fëmijë, vetëm tetë vjeçe, Afija kishte qenë dëshmitare e një tjetër kapitulli të errët dhe të përgjakshëm të historisë – represionit të egër të forcave partizane të regjimit të Titos dhe të ministrit famëkeq të Brendshëm, Aleksandar Rankoviq. Gjatë vitit 1945, pas përplasjes së armatosur midis forcave komuniste dhe rezistencës shqiptare të udhëhequr nga Shaban Palluzha, të gjitha fshatrat e Drenicës përjetuan një valë të egër dhune, represioni dhe terrori shtetëror. Afija, edhe pse fëmijë, nuk i harroi kurrë ato ditë, të cilat i ruajti në kujtesën e saj si plagë të pashëruara.

Përvoja e hershme e dhunës, e përjetuar jo vetëm si dëshmitare, por si pjesë e drejtpërdrejtë e atij realiteti të ashpër, kishte formësuar botëkuptimin dhe ndjenjën e saj për drejtësinë dhe lirinë. Gjatë gjithë jetës së saj, ajo nuk kishte reshtur së treguari me përulësi dhe vendosmëri për tmerret e asaj periudhe, për luftën e shqiptarëve dhe për heroizmin e Drenicës që nuk u përkul as në ditët më të vështira.

Vdekja e saj në Prekaz, në krah të familjes Jashari, nuk ishte thjesht një humbje njerëzore, por një akt simbolik që rrumbullakësonte një jetë të tërë të përkushtuar në heshtje për mbijetesën, dinjitetin dhe identitetin kombëtar. Rënia e saj nuk është veçse një dëshmi e dhimbshme e faktit se historia jonë është e përshkuar nga sakrifica e brezave që e kanë mbrojtur këtë truall me jetën e tyre. Në figurën e Afijes përmblidhen dhimbja e një kohe dhe qëndresa e një populli.

Afije Jashari, përveçse figurë që mishëronte qëndresën dhe kujtesën historike të Drenicës, ishte edhe simbol i gruas shqiptare që me përkushtim, dashuri dhe sakrificë i qëndronte përballë sfidave të jetës familjare dhe shoqërore. Në një kohë të rënduar nga pasiguria politike dhe dhuna e sistematizuar, ajo kishte ndërtuar një jetë bashkëshortore me Sadik Qerim Jasharin nga Prekazi – një lidhje që do të shndërrohej jo vetëm në themel të një familjeje të madhe, por edhe të një tradite që do t’i mbijetonte kohës.

Nga kjo martesë e bekuar, Afija solli në jetë dhjetë fëmijë – pesë djem dhe pesë vajza – duke përmbushur me devotshmëri misionin e nënës shqiptare: ruajtjen e jetës, trashëgiminë e vlerave dhe edukimin në frymën e dashurisë për vendin, familjen dhe punën. Ajo nuk ishte vetëm nëna që jepte ngrohtësi, por edhe edukatorja që mëkonte ndjenja të thella përgjegjësie dhe atdhedashurie te fëmijët e saj.

Me duar të lodhura nga puna, por me zemër të pathyeshme, ajo e përballoi jetën me dinjitet dhe qëndrueshmëri, duke qenë njëherazi bashkëshorte e përkushtuar dhe nënë e pamposhtur. Brenda mureve të shtëpisë së saj, ajo kultivoi jo vetëm jetën e përditshme, por edhe ndjenjën e përkatësisë, që u trashëgua më pas te brezat që u bënë pjesë e historisë heroike të Kosovës. Jeta e saj nuk mund të ndahet nga historia e familjes Jashari, sepse në heshtjen, punën dhe dashurinë e saj qëndronte forca e një gjenerate që rriti dëshmorë dhe mbolli rrënjët e lirisë.

Jeta ilegale nuk ishte një përvojë e panjohur për Afije Jasharin; përkundrazi, ajo ishte pjesë e realitetit të saj të përditshëm – një realitet i heshtur, i ngarkuar me ndjenja të përziera frike, përgjegjësie dhe përkushtimi. E vetëdijshme për rrethanat politike të kohës dhe për përmasat e rezistencës që po lindte në gjirin e popullit shqiptar të Kosovës, ajo jetoi në një ambient ku heshtja ishte mburojë dhe durimi një formë qëndrese.

Afija e dinte mirë se bashkëshorti i saj, Sadik Jashari, sikurse edhe kunetërit dhe më vonë bijtë e tyre, ishin të angazhuar në mënyrë të organizuar në radhët e lëvizjes çlirimtare, në atë që më vonë do të shndërrohej në bërthamën e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo lëvizje, e cila do të shënjonte një kapitull të ri të historisë sonë, kishte në krye pikërisht Adem Jasharin, kushëririn e burrit të saj – figurën emblemë të sakrificës dhe luftës për liri.

Brenda kësaj atmosfere, Afija luajti një rol të heshtur, por thelbësor. Ajo jo vetëm që e pranonte me dinjitet peshën e rrezikut që rëndonte mbi familjen e saj, por edhe dinte ta ruante me përpikëri sekretin që mbante gjallë rrjetin e rezistencës. Ajo nuk ishte thjesht dëshmitare e lëvizjeve të bashkëshortit dhe të afërmve të tij – ajo ishte bashkëpunëtore e heshtur, mbështetëse e qëndrueshme dhe rojtare e kujdesshme e çdo informacioni që mund të vinte në rrezik jetën e atyre që kishin zgjedhur rrugën e luftës për liri.

Në këtë mënyrë, jeta e saj merr dimensionin e një qëndrese të heshtur, të përkushtuar dhe të qëndrueshme. Pa qenë ndoshta në vijën e parë të betejës, Afija ishte pjesë e pandashme e infrastrukturës morale dhe praktike të luftës, një hallkë e fuqishme në zinxhirin e rezistencës, ku besnikëria, mençuria dhe durimi ishin armët e saj më të forta.

Më 31 dhjetor të vitit 1991, në një periudhë kur tensionet politike dhe represioni shtetëror kishin arritur një kulm të ri, familja Jashari ndodhej përballë një sfide ekzistenciale. Në këtë kontekst dramatik, kur forcat serbe ndërmorën një rrethim dhe më pas një sulm të drejtpërdrejtë kundër shtëpisë së Shaban Jasharit, shumë hapësira private brenda lagjes Jashari u transformuan në pjesë të rezistencës aktive. Ndër to, oda e Sadik Qerim Jasharit dhe e bashkëshortes së tij, Afije Jashari, u shndërrua në një pikë strategjike të rëndësisë së veçantë.

Kjo hapësirë, që më parë ishte vend mikpritjeje dhe kuvendimi familjar, mori një funksion të dyfishtë: nga njëra anë, shërbeu si depo për ruajtjen e armëve që do të përdoreshin në mbrojtjen e jetës dhe dinjitetit; nga ana tjetër, u bë vendtakimi për veprimtarët e organizuar në bërthamën e parë të rezistencës së armatosur, përfshirë Musën dhe Sahit Jasharin – nipat e Sadikut – të cilët vepronin nën komandën e Adem Jasharit, simbolit të qëndresës shqiptare.

Ky moment dëshmon qartë se në zemër të çdo përpjekjeje për liri gjenden edhe hapësirat intime, familjare, të cilat në rrethana të jashtëzakonshme shndërrohen në vende të rezistencës kolektive. Brenda këtij kuadri, edhe roli i Sadikut ishte thelbësor – ai jo vetëm që kontribuonte me hapësirën fizike të shtëpisë së tij, por ishte i angazhuar drejtpërdrejt edhe me gruan e tij- Afijen në mbikëqyrjen dhe përcjelljen e lëvizjeve të forcave serbe, të vendosura në afërsi, në Fabrikën e Municionit përballë lagjes Jashari.

Ky akt i organizimit dhe i mbështetjes aktive, i zhvilluar brenda një familjeje që kishte zgjedhur rrugën e rezistencës, tregon se lufta për liri në Kosovë nuk ishte një ngjarje e jashtme, por një realitet i brendshëm, që prekte çdo shtëpi, çdo individ dhe çdo odë. Në këtë rrëfim, oda e Sadikut dhe e Afijes nuk përfaqëson më vetëm një hapësirë arkitekturore tradicionale, por një vatër të gjallë të lirisë në përgatitje.

Për tri ditë të pandërprera, qielli i Prekazit u mbulua nga tymi i barutit dhe britmat e dhembjes, ndërsa mbi shtëpitë e lagjes Jashari dhe mbi trupat e pafajshëm të anëtarëve të saj u derdh i tërë arsenali i makinerisë ushtarake serbe. Aty nuk u kursyen as fëmijët, as gratë, as pleqtë – asnjë jetë, asnjë frymë shqiptare që kishte zgjedhur të qëndronte në truallin e vet me dinjitet. Përballë këtij tmerri, u shënua një nga kapitujt më të errët dhe më heroikë të historisë sonë kombëtare.

Në këtë akt të pashembullt të krimit dhe të qëndresës, 20 anëtarë të familjes së ngushtë të komandantit legjendar Adem Jashari u flijuan, duke u përjetësuar përtej kufijve të jetës fizike. Së bashku me ta ranë edhe 12 pjesëtarë të familjeve të Sadikut, Hamitit dhe Qerimit, 11 të tjerë nga familjet e Halitit, Zymerit dhe Zejnë Jasharit, si dhe dhjetëra të tjerë nga e gjithë lagjja e Prekazit, e cila për tri ditë qëndroi si një kështjellë gjaku, dinjiteti dhe qëndrese.

Të gjithë të rënët ishin të moshave të ndryshme – nga fëmijë të mitur e vajza të reja, te nëna, gjyshe dhe pleq që, ndonëse të pambrojtur, refuzuan të dorëzohen. Ata që mbanin armë, qëndruan deri në fund; ata që nuk kishin armë, rezistuan me guximin e heshtur dhe qëndresën e shpirtit. Askush nuk u ligështua, askush nuk hoqi dorë nga dinjiteti, sepse për ta, liria kishte më shumë vlerë se vetë jeta.

Prekazi, në këtë kontekst, nuk është më vetëm një vend – ai ishte kthyer në një simbol të shumëfishtë: i sakrificës dhe i qëndresës, i dhimbjes dhe i krenarisë, i vuajtjes njerëzore dhe i heroizmit të përmasave epike. Ai përfaqëson thelbin më të vërtetë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Prekazi është vendlindja, formimi dhe kulmi i betejës së UÇK-së, një vend ku lufta për liri nuk ishte një akt ushtarak i izoluar, por një përkushtim familjar, kolektiv dhe historik.

UÇK-ja u mishërua me Adem Jasharin, por ajo u përjetësua me të gjithë Jasharët që qëndruan krah tij – burra, gra e fëmijë – duke mbrojtur jo vetëm shtëpitë e tyre, por edhe dinjitetin e një populli të tërë. Ata ranë, jo për të heshtur, por për të folur përjetësisht nëpërmes historisë. Ata ranë, jo për të humbur, por për të mos lejuar që Kosova të vdiste. Dhe kështu, nga rrënojat e Prekazit u ringjall shpresa, u konsolidua rezistenca dhe u ngjiz rrëfimi më autentik i luftës për liri.

Pas tërheqjes së turpshme të forcave serbe nga Prekazi, në dhjetor të vitit 1991, u bë gjithnjë e më e qartë për Sadik Jasharin dhe për të gjithë pjesëtarët e familjes Jashari se strategjia e qëndresës së përbashkët dhe organizimit të brendshëm kishte filluar të japë rezultatet e para konkrete. Ky moment u përjetua jo vetëm si një fitore morale, por edhe si një dëshmi e qartë se lidhja e pathyeshme mes pjesëtarëve të një familjeje të angazhuar dhe reagimi i bashkërenduar ndaj dhunës shtetërore serbe mund të bënte dallimin në terren.

Pikërisht nga kjo përvojë, nisi të forcohej edhe besimi i palëkundur në nevojën për një rezistencë të organizuar, tashmë jo vetëm me përmasa simbolike apo morale, por të strukturuar si qëndresë e armatosur. Në këtë fazë, përpjekja për liri kaloi në një dimension të ri – atë të përgatitjes së një lufte të drejtë dhe të domosdoshme për çlirim.

Adem Jashari, bashkë me Hamzën, Musën, Sahitin dhe të tjerë veprimtarë të rinj, filluan të jetojnë dhe veprojnë në kushte të plota fshehtësie, duke ndërtuar bazat e asaj që më vonë do të njihej si bërthama themelore e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo fazë ilegale e veprimit nuk ishte thjesht mbijetesë apo shmangie nga represioni – ishte organizim strategjik, ishte përgatitje e vetëdijshme për një përballje të pashmangshme dhe të drejtë me strukturat pushtuese.

Ky proces shënon një kthesë të rëndësishme historike: nga reagimi spontan drejt ndërtimit të rezistencës së qëndrueshme dhe të disiplinuar. Lidhja farefisnore e Jasharëve, që nga njëra anë përfaqësonte një trashëgimi të fortë morale dhe kulturore, shndërrohej tanimë në një strukturë vepruese të rezistencës, ku besnikëria, organizimi dhe përkushtimi ndaj çështjes kombëtare bëheshin themele të luftës për liri.

Pas ngjarjeve të dhjetorit 1991, forcat policore serbe nuk do të guxonin të hynin më në Prekaz për gati shtatë vjet, deri në pragun dramatik të pranverës së vitit 1998. Ky përjashtim i heshtur ishte më shumë një paralajmërim i stuhisë që po përgatitej, sesa shenjë e ndonjë përmbajtjeje të qëllimshme. Dhe ajo stuhi shpërtheu më 5 mars 1998, kur, rreth orës 6 të mëngjesit, forcat ushtarake dhe policore serbe filluan një nga sulmet më brutale dhe të përmasave të mëdha që kishte njohur ndonjëherë një vendbanim civil në Kosovë.

Në mënyrë të koordinuar dhe të pamëshirshme, Prekazi – më saktë lagjja Jashari – u godit me të gjitha llojet e armëve të rënda: me topa të kalibrave të ndryshëm, me tanke dhe me artileri të sofistikuar, duke u bërë shënjestër e një agresioni që nuk njihte asnjë dallim ndërmjet luftëtarëve dhe civilëve. Rrethimi ishte i plotë, i hekurt, duke bllokuar hyrjen dhe daljen nga të gjitha anët – një izolim i paramenduar që kishte për synim asgjësimin total të familjes Jashari dhe të simbolikës që ajo përfaqësonte për lëvizjen çlirimtare.

Epiqendra e këtij sulmi të përgjakshëm u vendos mbi shtëpitë e Shaban Jasharit – kryefamiljarit të kësaj familjeje historike – dhe mbi shtëpitë e Sadik, Hamdi dhe Qerim Jasharit, të gjitha të ndodhura fare pranë pozicioneve të ushtrisë serbe, që kishte instaluar njësi të blinduara në lindje të lagjes. Nga kjo distancë strategjike prej vetëm 200 metrash, shtëpitë u bënë cak i bombardimeve të pandërprera, pa u kursyer as gratë, as fëmijët, as të moshuarit.

Të gjitha shtëpitë e lagjes, njëra pas tjetrës, u vunë në shënjestër. Në secilën prej tyre ndodheshin nga dhjetë deri në njëzet anëtarë të familjeve që nuk kishin asnjë mundësi shpëtimi – të ngujuar nën bombardime të përditshme, pa ushqim, pa ilaçe, por me vendosmërinë për të qëndruar, për të mos u dorëzuar dhe për të mos lejuar nëpërkëmbjen e nderit dhe të lirisë.

Në këtë betejë të pashoqe, që sot përbën kulmin e qëndresës heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ranë me nder edhe Sadik Jashari bashkë me bashkëshorten e tij, Afije Jasharin. Krah tyre u flijuan edhe bijtë e tyre, Hamdiu dhe Ramizi, si dhe bijat, Elfija dhe Fatimja. Rënia e tyre nuk ishte një akt i zakonshëm tragjik, por një përpjekje sublime për të ruajtur me jetë atë që kishte mbetur nga nderi dhe identiteti kolektiv i një populli që po luftonte për mbijetesë.

Kjo betejë e përgjakshme dhe e lavdishme, e zhvilluar në zemër të Drenicës, i dha Kosovës jo vetëm një plagë të thellë, por edhe një testament të pashlyeshëm për brezat që do të vinin – se liria fitohet vetëm kur nuk mbetet më asgjë për të humbur, veçse jeta që jepet për një të nesërme më të drejtë.

Nga kjo vëllazëri e shquar, që përfaqësonte zemrën e qëndresës së armatosur në Prekaz, gjatë atyre ditëve të përgjakshme dhe heroike të marsit 1998, ranë me nder figura të tjera të familjes Jashari, duke përforcuar përjetësisht simbolikën e flijimit kolektiv për lirinë e Kosovës. Hamit Qerim Jashari, Qerim Hysen Jashari, Shahin Qerim Jashari, Ukshin Qerim Jashari dhe Salë Jashari – të gjithë pjesëtarë të kësaj vëllazërie të gjerë – u bënë dëshmitarë të përkushtimit pa kushte dhe të betimit të heshtur për të mos iu nënshtruar asnjëherë dhunës dhe urrejtjes së pushtuesit.

Në mesin e të rënëve ishte edhe bashkëshortja e Hamit Jasharit, një grua që jo vetëm qëndroi pranë bashkëshortit të saj, por mori pjesë aktive në përpjekjen për të ruajtur nderin, jetën dhe dinjitetin e familjes në kushte ekstreme. Po ashtu, ra edhe Hajrije Jashari, një tjetër pjesëtare e kësaj familjeje të gjerë që, në ato momente të rrethimit të hekurt, nuk e zgjodhi shpëtimin individual, por qëndroi përkrah të vetëve, e gatshme të ndajë fatin me ta, deri në fund.

Rrezja e martirizimit në këtë betejë nuk u kufizua vetëm në gjakun e familjes biologjike. Nën rrethim u ndodhën edhe anëtarë të zgjeruar të fisit dhe miq të afërt të familjes Jashari, të cilët patën të njëjtin fat, sepse qëndruan pranë kur ishte më së vështiri. Midis tyre ishte Isak Halili, nip i familjes, si dhe miqtë besnikë Fatime Bazaj dhe Smajl Bazaj, që u gjendën në lagjen e sulmuar, por që nuk zgjodhën të dorëzohen apo të largohen – përkundrazi, u bënë pjesë e aktit të qëndresës dhe u përfshinë në rrëfimin e lavdisë së përbashkët.

Ky përkushtim i rrallë kolektiv, ku familjarë, gra, burra, nipër e miq u bënë bashkë në një sakrificë të përbashkët, e shndërroi betejën e Prekazit në një monument të gjallë të ndërgjegjes kombëtare. Secili prej këtyre emrave nuk është thjesht pjesë e një liste të të rënëve – ata janë gurë themeli të lirisë që u ndërtua me gjakun e tyre, të vendosur përjetësisht në ndërgjegjen e një populli që nuk do të lejojë që kjo sakrificë të harrohet apo të relativizohet. Prekazi, në këtë mënyrë, nuk është vetëm histori është testament, është udhëzim dhe është betim për liri.

Trashëgimia e Afije dhe Sadik Jasharit nuk mbaron me sakrificën e tyre sublime në betejën heroike të Prekazit – ajo vazhdon të jetojë përmes brezave që ata lanë pas. Në mesin e bijve të tyre janë Avdiu, Xhemajli dhe Arsimi, ndërsa bijat e kësaj familjeje të lavdishme janë Sanija, Remzija dhe Shehidja – emra që mbajnë me krenari peshën e një historie që është shkruar me gjak, qëndresë dhe përkushtim ndaj atdheut. Përmes tyre dhe përmes shumë nipërve e mbesave, historia e kësaj familjeje nuk është thjesht e ruajtur, por e jetuar dhe e trashëguar me nder.

Familja e Sadik Jasharit, e cila sot jeton dhe kontribuon në Austri, vazhdon ta mbajë gjallë kujtimin e të rënëve për liri jo vetëm në zemër, por edhe në përditshmëri. Duke i përsëritur emrat e Sadikut, Afijes, Elfijes dhe Fatimes në brezin e ri, kjo familje dëshmon se kujtimi i dëshmorëve nuk është një akt simbolik, por një përkushtim i vazhdueshëm ndaj vlerave që ata përfaqësonin. Emri i secilit prej tyre është bërë pjesë e identitetit familjar, pjesë e një trashëgimie që lidhet ngushtë me historinë e çlirimit të Kosovës.

Në shenjë respekti dhe nderimi për sakrificën e tyre, familja Jashari ka marrë mirënjohje të shumta nga strukturat më të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes së Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, nga Zona Operative e Drenicës si dhe nga shoqatat e luftës të cilat e ruajnë gjallë kujtesën e asaj periudhe historike.

Ky nderim nuk ka mbetur vetëm në fjalë apo dokumente zyrtare – ai është skalitur përjetësisht mbi varrezat e dëshmorëve të kësaj familjeje, në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Aty, mbi gurët e ftohtë të kujtesës, janë gdhendur emrat që përfaqësojnë jo vetëm një familje, por një ideal të tërë kombëtar. Ky kompleks, qëndron sot si një pelegrinazh i ndërgjegjes shqiptare, ku historia e çdo emri është një gur në themelin e lirisë që gëzojmë sot – dhe emrat e familjes së Sadik e Afije Jasharit janë pjesë e pashlyeshme e këtij themeli.

Literatura:

https://www.radiokosovaelire.com/afije-ademi-jashari-6-10-1937-7-3-1998/

https://sq.wikipedia.org/wiki/Antar%C3%ABt_e_Familjes_Jashari_t%C3%AB_r%C3%ABn%C3%AB_gjat%C3%AB_luft%C3%ABs_s%C3%AB_U%C3%87K-s%C3%AB

https://sq.wikipedia.org/wiki/Adem_Jashari

https://telegrafi.com/keta-jane-59-deshmoret-e-rene-ne-betejen-e-familjes-jashari-dokument/

https://www.radiokosovaelire.com/komuna-e-skenderajt-nderon-sakrificen-e-komandatit-legjendar-adem-jashari-dhe-familjes-jashari-ne-27-vjetorin-e-epopese-se-ushtrise-clirimtare-te-kosoves/

https://www.drini.us/epopeja-e-jashareve-nje-heroizem-i-pashembullt-ne-historine-e-njerezimit/

https://www.rrenjet.iamalbanian.com/index.php?route=%2Ftree%2Falbanian%2Findividual%2FX6743%2FAfije-Ademi



(Vota: 24 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx