Mendime
Hamza Halabaku: Heshtakët e dikurshëm, sot janë bërë rrahagjoksit më të mëdhenj
E hene, 14.07.2025, 06:57 PM
Reagim me shkas
HESHTAKËT E DIKURSHËM,
SOT JANË BËRË RRAHAGJOKSIT MË TË MËDHENJ
Aq
sa po kalojnë vitet nga ngjarja historike e 2 korrikut të vitit 1990, kur u
miratua Deklarata Kushtetuese e Kosovës, po shtohen disa rrahagjoksë, të cilët
po manipulojnë me gjysmë të vërteta rreth zhvillimeve të asaj dite të
rëndësishme të historisë më të re të Kosovës
Nga
Hamza Halabaku
Që
nga shtatori i vitit 1990, jetoj në Gjermani dhe së paku dy herë në vit gjendem
për vizitë në Kosovë. Gjithashtu përpiqem që njëra nga këto vizita Kosovës të
përputhet me datën e 2 korrikut që lidhet për përvjetorët e miratimit të
Deklaratës Kushtetuese të Kosovës dhe mbledhjen historike të asaj dite të delegatëve
të Kuvendit të Kosovës, për të cilën kam një nostalgji të veçantë. Siç dihet
mbledhja e delegatëve u zhvillua para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, e cila
ishte vu në një shtetrrethim nga policia serbe dhe nuk i lejoi delegatët të
futeshin brenda.
Asokohe
isha ndihmës i sekretarit të Kuvendit të atëhershëm të KSA të Kosovës dhe
përgjegjës për Byronë e Sekretarit të Kuvendit, ku kryhej puna finale për
përgatitjen e dekreteve, ligjeve, rezolutave, vendimeve dhe aktvendimeve e
dokumenteve të tjera që i miratonte Kuvendi. Ato duhej të botoheshin në
“Gazetën zyrtare të KSA të Kosovës”, natyrisht me nënshkrimin tim, me që isha
epror i atij shërbimi. Në atë pozitë më kishte emëruar Kryesia e Kuvendit të
KSA të Kosovës, më 2 qershor të vitit 1982, ndërsa deri atëherë isha me punë në
Sekretariatin Krahinor për Arsim, Shkencë e Kulturë.
Mu
kujtua 2 korriku i vitit 1990, sa punë patë bërë atë ditë shërbimi i Byrosë së
Sekretarit të Kuvendit, shef i të cilit isha unë. Atë ditë, në zyrën time
kishte ardhur shoku im i ndjerë Shaban Brunçaj, që ishte njëri nga juristët më
të mirë të Shërbimit profesional të Kuvendit të Kosovës. Kishte ardhur të më
ndihmonte, edhe pse nuk e kisha ftuar, në mënyrë që të mos na shpëtonte asnjë
gabim gjatë përgatitjes së Deklaratës për ta dërguar në “Gazetën zyrtare të KSA
të Kosovës” Atë ditë kisha vrapuar, me letrat në dorë, për ta dërguar në
“Gazetën Zyrtare të KSA të Kosovës” që Deklarata kushtetuese të botohej sa më
parë dhe të njëjtën e dërgova, po ashtu me dorën time në Arkivin e Kosovës,
ngase kështu më kishte porositur edhe Iljaz Kurteshi, një funksionar i lartë i
Kosovës në Federatën Jugosllave, që ajo të mikrofilmohet dhe të ruhet, sepse
pushteti i atëhershëm kishte mundësi të na e merrte dhe të na e griste e pastaj
si do tu tregonim pasardhësve tanë që Kuvendi i Kosovës kishte miratuar një
dokument Kushtetues me të cilin Kosova shpallej si njësi e pavarur dhe e
barabartë në kuadër të Federatës (Konfederatës) të Jugosllavisë. Iljaz Kurteshi
atë kohë ishte delegat i Dhomës Federative të Kuvendit të Jugosllavisë.
Në
mbrëmje, të 2 korrikut të vitit 1990, sekretari i Komisionit të Kuvendit të
Kosovës, për çështje Kushtetuese (zotëri Halit Muharremi) bashkë me kryesuesin
e mbledhjes së Kuvendit të Kosovës që u mbajt para hyrjes së Kuvendit, Bujar
Gjurgjeala, erdhën para banesë sime për ta nënshkruar Deklaratën Kushtetuese si
dhe Procesverbalin që unë e kisha mbajtur atë ditë. Ndihem shkumë krenar që
nënshkrimi im është krahas nënshkrimit të zotit Bujar Gjurgjeala!
Disa
herë, kur delegatët e Kuvendit të Kosovës ishin katandisur nëpër disa republika
të ish Jugosllavisë së atëhershme si dhe në disa shtete të Evropës, pas
miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës më 7 shtator të vitit 1990, i
kam përshëndetur publikisht përmes gazetave që botoheshin atëherë, në vend e në
diasporë, si për shembull, po e përmendi njërin nga shkrimet në “Bota sot” më
25 qershor 2002, në faqen 25, Letër përshëndetëse drejtuar ish delegatëve të
Kuvendit të Kosovës të cilët shpallën Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut
1990, me titull: “Ju ishit ata që i hapët rrugën çlirimit të Kosovës”, e tjera,
e tjera.
Çdo
respekt për të gjithë 111 (njëqind e njëmbëdhjetë) delegatët e asaj
legjislature, po ama ka qenë edhe dikush në prapaskenë, nga shërbimi i Kuvendit
të Kosovës, ka qenë edhe shefi i Byros së sekretarit, ndihmësi i sekretarit që
e ka mbajtur, respektivisht hartuar procesverbalin, me dorën e vet dhe e ka
dërguar Deklaratën Kushtetuese për botim në “Gazetën zyrtare” pastaj në Arkivin
e Kosovës që ajo të ruhet. Mu kujtua gjithë ajo punë e sakrificë që ka bërë
edhe shërbimi që meriton një falënderim të veçantë. Mu kujtua se atë mbrëmje
origjinalin e Deklaratës Kushtetuese bashkë me procesverbalin e vendosa te
fqinji im, Ibush Reçica, nga frika se policia do ta bastis banesën time. Mu
kujtuan bisedat e ashtuquajtura informative, në fund të korrikut të atij viti,
në organet e punëve të brendshme.
Edhe
një informatë, për juve lexues të nderuar. Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut
të vitit 1990 e kanë nënshkruar 115 delegatë. Mirë, ama katër nënshkrime, kanë
qenë të delegatëve të Kuvendit të Serbisë nga Kosova. Ata nuk kanë pasur të
drejtë ta votojnë Deklaratën Kushtetuese po as aktet e tjera që i ka nxjerr,
respektivisht i ka miratua Kuvendi i Kosovës. Nuk kam pasur guxim t’i lë emrat
e tyre që të botohen në “Gazetën zyrtare të Kosovës”, sepse do të isha
përgjigjur penalisht për falsifikim të nënshkrimeve.
Edhe
sivjet nga gjysma e dytë e qershorit ndodhem në Prishtinë dhe me padurim po
prisja të jem i pranishëm në ndonjë manifestim për 2 korrikun, ose në ndonjë
takim me delegatët që miratuan Deklaratën Kushtetuese më 2 korrik të vitit
1990, që ishte një akt kushtetues që Kosovën zyrtarisht e ndau nga Serbia.
Sepse, në pikën 4 të kësaj deklarate përveç tjerash thuhet: “bëhet anulimi i
Vendimit të Kuvendit të Kosovës i datës 23 mars 1989 mbi dhënien e pëlqimit në
këto amendamente”. Vendimi mbi dhënien e pëlqimit në amendamentet e Kushtetutës
së Republikës Socialiste të Serbisë ishte bërë nën masat e rrepta të shtetrrethimit.
Nga të gjitha anët, atë ditë, ishte rrethuar ndërtesa e Kuvendit të Kosovës me
tanke ushtarake e policore dhe në sallën e Kuvendit të Kosovës kishin hyrë
shumë njerëz e punëtorë të sigurimit sekret të Serbisë si dhe shumë
bashkëpunëtorë të atij sigurimi nga Kosova.
Më
29 qershor të këtij viti u interesova për agjendën që do të shënonte
35-vjetorin e Deklaratës Kushtetuese. Pasi u telefonova 2-3 ish-delegatëëve të
legjislaturës së fundit me Kushtetutën e vitit 1974, mësova se nga njerëzit e
pushtetit nuk ka ndonjë manifestim, por Shoqata “Jakova” në Gjakovë kishte
ftuar 3-4 delegatë të asaj legjislature dhe ata më 1 korrik do të jenë mysafirë
të asaj shoqate në Gjakovë. Zhgënjimi im ka të bëjë me faktin se në disa
emisione radio-televizive dhe tribuna si kjo në Gjakovë flitet për shumë
çështje që kanë ndodhur ditën e 2 korrikut 1990 nga ata që nuk kanë qenë të
informuar sa unë. Sepse, pozita që mbaja asokohe, ndihmës i sekretarit të
Kuvendit të atëhershëm të KSA të Kosovës, ma mundësoi hyrje-daljen nga ndërtesa
e Kuvendit të Kosovës ditën e 2 korrikut 1990. Mbase mund të kem qenë i vetmi,
ose ndër të paktët zyrtarë të Kuvendit të Kosovës, që pata rastin të ndiqja
situatën që zhvillohej para ndërtesës dhe brenda ndërtesës së Kuvendit të
Kosovës. Unë e kam shkruar edhe një
libër me titull “Një ditë midis dy epokash”, ku brenda kopertinave janë
përshkruar detaje të shumta të gjithë asaj që ka ndodhur atë ditë para dhe
brenda ndërtesës së Kuvendit të Kosovës. Fjalë për librin janë thënë edhe në
recensionet e dy emrave shumë të njohur të delegatëve të asaj legjislature,
Prof. dr. Skënder Skënderit dhe e të ndjerit Bujar Gjurgjealo, që e ka
udhëhequr, pa iu trembur syri fare, mbledhjen historike të 2 korrikut të vitit
1990.
Këtë
reagim me shkas po e bëj për shkak se aq sa po kalojnë vitet nga ngjarja
historike e 2 korrikut të vitit 1990, po shtohen edhe disa rrahagjoksë, të
cilët po manipulojnë me gjysmë të vërteta rreth zhvillimeve të asaj dite të
rëndësishme të historisë më të re të Kosovës. Pra po vazhdojnë të dalin në
skenë disa bashkëpunëtorë të Kuvendit të atëhershëm të Kosovës që si heshtakë
të dikurshëm sot janë bërë rrahagjoksit më të mëdhenj.