E shtune, 26.07.2025, 04:53 AM (GMT+1)

Editorial » Zejneli

Xhelal Zejneli: Miti i Kosovës në shërbim të ekspansionizmit serb

E marte, 15.07.2025, 06:59 PM


MITI I KOSOVËS NË SHËRBIM TË EKSPANSIONIZMIT SERB

Nga Prof. Xhelal Zejneli

Miti i Kosovës paraqet një pasqyrë të thjeshtuar dhe të pasaktë të Betejës së Kosovës dhe të ngjarjeve të lidhura me të. Baza e mitit përbëhet nga cikli kosovar i këngëve epike.

Miti i Kosovës konsiderohet si një nga mitet politike kryesore serbe, që përbën bazën e identitetit kombëtar serb dhe thelbin e nacionalizmit serb.

Kulti i Kosovës bazohet në mitologjizimin e Betejës së Kosovës të vitit 1389. Edhe pse në atë kohë Serbia e Moravës ka qenë një principatë, një nga bindjet themelore të kultit të Kosovës thotë se "Perandoria Serbe" u shemb në Fushë-Kosovë. Princi Lazar Hrebelanoviq (rreth 1329-1389), i quajtur "car Lazari i shenjtë", gjoja me vetëdije e ka sakrifikuar "mbretërinë tokësore” të tij për të fituar mbretërinë qiellore. Millosh Obiliqi (1350-1389) u mor si model i luftëtarit të shenjtë që e jep jetën në luftën për besimin ortodoks kundër të pafeve myslimanë, duke u bërë kështu banor i "Serbisë qiellore". Serbia qiellore paraqitet si një mbretëri qiellore kombëtare në të cilën shkojnë pas vdekjes besimtarët serbë që e japin jetën për fenë dhe për Kosovën, si Lazari dhe Obiliqi.

Gjatë historisë, miti i Kosovës është bërë simbol i hakmarrjes së përgjakshme ndaj të gjithë “turqve”, përkatësisht myslimanëve në përgjithësi, të cilët janë shkak “i rënies” serbe. Me kalimin e kohës, përmbajtja e këtij kulti ka ndryshuar, kështu që pas rënies së Perandorisë Osmane, rolin e deriatëhershëm të turqve e marrin shqiptarët të cilët janë etiketuar si uzurpatorë të Kosovës, “tokës së shenjtë” serbe.

Gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë, roli tradicionalisht negativ iu rezervua boshnjakëve, të cilët propaganda e atëhershme i shpalli "turq".   Manipulimi politik i frikës nga dominimi i sërishëm “i turqve" u bë bazë ideologjike që shkaktoi tragjedinë në Bosnjë dhe Hercegovinë në vitin 1990 e këndej.

Roli i mitit të Kosovës në politikë konsiderohet fatal për arsye se nxit pikëpamjet irracionale për specifikën racore, promovon pajtimin me fatin dhe fatalizmin, nxit domosdoshmërinë e sakrifikimit duke premtuar "mbretërinë qiellore" dhe favorizon vdekjen ndaj jetës. Miti i Kosovës përbën njërën nga pengesat kryesore për ndërtimin e marrëdhënieve miqësore midis shqiptarëve dhe serbëve dhe është futur në themelet e konfliktit serbo-shqiptar.

Historiania bashkëkohore serbe Olivera Milosavleviq (1951-2015) thotë: “Mitin e Kosovës nuk e ka krijuar populli por elita, për ta manipuluar atë”. Historiani dhe arkimandriti serb Ilarion Ruvarac (1832-1905), qysh në shekullin XIX  tregoi se një pjesë e madhe e këngëve të ciklit të Kosovës fare nuk kanë qenë këngë popullore. Ato janë krijuar në Kishë dhe kanë qenë pjesë e predikimeve kishtare që më vonë këngëtarët i kanë përshtatur ashtu si kanë dashur.

Zhvillimi i mitit të Kosovës - Miti i Kosovës është pjesë e vetëdijes historike, por funksionalizimi i tij politik i cili kujtesës historike ia shton Kosovën si një zonë në të cilën serbët duhet të kthehen një ditë, ka shkaktuar dhe vazhdon të shkaktojë konflikte në marrëdhëniet midis serbëve dhe shqiptarëve” – thotë historiania dhe politikania serbe Latinka Peroviq (1933-2022).

Origjina e mitit të Kosovës - Patriarku serb Danilo III (1350-1400) i cili ishte patriark serb në vitet 1390-1396, menjëherë pas Betejës së Kosovës, me shkrimet e veta i vuri themelet e kultit të princ Lazarit dhe të mitit të Kosovës. Në shekujt pasues, kulti i Kosovës u zhvillua nëpërmjet këngëve të ciklit të Kosovës, të cilat fare nuk janë "popullore", por u krijuan në Kishë si pjesë e predikimeve kishtare, të cilave më vonë këngëtarët u dhanë formë.

Kulti bashkëkohor i Kosovës u shfaq në shekullin XIX në bazë të epikës kosovare që i këndon Betejës së Kosovës ndërmjet serbëve dhe turqve në vitin 1389. Në krijimin e mitit të Kosovës më tepër kanë ndikuar folklori dhe letërsia sesa faktet historike. Gjatë periudhës së romantizmit kombëtar, legjenda e Kosovës u bë një element i rëndësishëm i ndjenjave kombëtare serbe, diçka që i bashkonte serbët dhe i dallonte ata nga popujt e tjerë. Në procesin e krijimit të shtetit të ri serb, legjenda e Kosovës vepron si një faktor i homogjenizimit politik dhe kulturor.

Petar II Petroviq Njegoshi (1813 – 1851), i lindur si Rade Tomov Petroviq, ka qenë poet, peshkop dhe sundimtar i Malit të Zi. Angazhohej për çlirimin dhe bashkimin e të gjithë serbëve. Për hir të bashkimit me Serbinë ka qenë i gatshëm të heqë dorë nga pushtetet laike të tij. Në poemën epike të tij “Kurora e maleve” (Gorski vijenac, 1847), në bazë të elementeve të legjendës së Kosovës, hartoi sistem të përpunuar.

Sipas modelit të Njegoshit “udhëheqësit mesjetarë serbë kanë kryer mëkatin tragjik të përçarjeve dhe të mosqenët luajalë. Zoti i ka dënuar me disfatën në Kosovë. Pas kësaj, serbët kanë rënë nën sundimin turk. Kjo të përkujton historinë biblike mbi rënien sipas së cilës rënia njerëzore është ndëshkim për mëkatin e parë të Adamit për mosbindjen ndaj Zotit. Me fjalë të tjera, kjo përbën një paralele kombëtare me historinë biblike mbi rënien. Për t’u shpenguar serbët para Zotit, ata duhet të jenë unikë. Kërcënim kryesor për unitetin serb nuk parqet ushtria pushtuese turke, por helmi brenda popullit serb, "turkoshakët", përkatësisht myslimanët e vendit, të cilët kanë pranuar fenë e armikut. Më i keq është turkoshaku se turku vetë”.

Njegoshi e krijon kultin e Obiliqit, luftëtarit të shenjtë që e jep jetën në luftë për fenë. Siç mund të shpëtojë njerëzimi duke ndjekur Jezusin, edhe serbët mund të shpëtojnë duke ndjekur Obiliqin. Në sistemin e Njegoshit, armiq kryesorë nuk janë më turqit, por myslimanët vendas të cilët bëhen sakrificë njerëzore për të shlyer mëkatin fillestar të përçarjes kombëtare. Thonë se Njegoshi, peshkop dhe sundimtar ortodoks, e inkurajoi kultin e Obiliqit si një "sakrificë fisnike", i udhëhequr nga rezonimi i tij si një burrë shteti.

Në Serbi, deri në mesin e shekullit XIX Vidovdani* (Dita e Shën Vidit) ka qenë një festë pothuajse e panjohur dhe nuk ka ekzistuar në kalendarin zyrtar të kishës. Kulti i Lazarit festohej vetëm në Manastirin e Ravanicës, vepër bamirëse e tij, për arsye se manastiret e nderojnë kultin e themeluesve të vet. Gjatë shekullit XIX fillon kremtimi kombëtar-fetar i Vidovdanit dhe potencohet kulti i "car Lazarit të shenjtë".

*   *   *

Në fund të shekullit XIX Kisha Ortodokse Serbe e merr për festë të vet 28 qershorin, ditën e Shën Vidit, e cila bëhet një nga elementet kryesore të mitologjisë kombëtare serbe. Që nga shekulli XIX e këndej, miti i Kosovës ka luajtur rol thelbësor në politikën serbe dhe në krijimin e shtetit modern serb. Me këtë mit ndërlidhet ideja  "e hakmarrjes për Kosovën" dhe ai bëhet bazë e tërë strategjisë kombëtare që mbështetej në mitologjinë e Kosovës. Në gjysmën e dytë të shekullit XIX, kur Serbia u bë principatë e njohur nga ndërkombëtarët, u formuluan qëllimet politike "të çlirimit të tokës së stërgjyshërve": Sanxhakut të Pazarit të Ri (Novi Pazarit), Kosovës dhe Maqedonisë nga sundimi osman. Pas vitit 1860 e këndej, kulti i Kosovës bëhet temë qendrore e nacionalizmit serb dhe mjet justifikues për pretendimet serbe ndaj Kosovës. Janë të shpeshta thirrjet për rimëkëmbjen "e perandorisë së Dushanit". Duke qenë se një pjesë e madhe e kësaj hapësire ka qenë e banuar nga një popullatë joserbe, Beteja e Kosovës është ri-interpretuar vetëm si një konflikt osmano-serb, ndërsa shqiptarët i kanë  identifikuar me turqit dhe i kanë paraqitur si uzurpatorë të territorit historik serb.

Shqiptarët i kanë paraqitur si "popull pa histori": fise barbare gjenetikisht të paaftë për zhvillim kulturor dhe politik.

Principata e Serbisë dhe Principata e Malit të Zi, kah fundi i shekullit XIX, sipas politikës zyrtare që kanë ndjekur, kanë qenë dy shtete ortodokse serbe të bazuara në zotimin e Kosovës. Në kohën kur miti i Kosovës u bë "mit kombëtar thelbësor", me të do të shkojë edhe parulla luftarake "Për kryqin e nderuar dhe lirinë e artë!"

Kah fundi i shekullit XIX, miti i Kosovës nënkuptonte thirrje për luftë. Sundimtari i atëhershëm malazez Nikola I Petroviq Njegosh (1841-1921), në vitet 1860-1910 ka qenë princ i Malit të Zi, kurse në vitet 1910-1918 – mbret, nga dinastia Petroviq Njegosh. Në vitin 1867 shkroi poezinë “Atje, atje” (Onamo, 'namo) në të cilën flet për pushtimin e armatosur të Prizrenit dhe dëbimin "e djallit", përkatësisht "të murtajës" që andej:

Atje, atje

Atje, atje... të shoh Prizrenin!

Është e imja - do të kthehem në shtëpi!

Stërgjyshja e dashur atje më thërret,

Aty duhet të shkoj njëherë i armatosur.

Atje, atje... nga rrënojat

e oborreve perandorake do t'i them djallit:

"Ik o murtajë, nga vatra ime e dashur,

Borxhin tashmë duhet të ta kthej!”

Luftërat Ballkanike - Kulti i Kosovës lulëzoi sidomos gjatë Luftërave Ballkanike kur Kosova iu bashkëngjit shtetit serb, kurse Metohia - shtetit malazez. Serbia dhe Mali i Zi, shtete, ideologjitë kombëtare të të cilave, si fryt i aspiratave të dinastive, bazoheshin në zotimin e Kosovës, mezi e pritën luftën si rast që do të plotësonte dëshirën e tyre për t'u hakmarrë për Kosovën.

Në Luftën e Parë Ballkanike të vitit 1912, ushtritë serbe dhe malazeze e pushtuan Kosovën kundër vullnetit të popullsisë shumicë, të cilën politika serbe e interpretonte si çlirim të Kosovës dhe hakmarrje ndaj turqve për disfatën ushtarake serbe në vitin 1389. Publikut iu tha se porosia e stërgjyshërve u plotësua dhe hakmarrja për të cilën kishin pritur pesë shekuj u realizua. Me sloganin nga Lufta e Parë Ballkanike "Për Kosovën - Kumanovën", fitorja e atëhershme ndaj ushtrisë turke u interpretua si "barazim në ndeshje" që  zgjat me shekuj.

Pas Betejës së Kumanovës në vitin 1912 që u shpall si "hakmarrja e Kosovës", në kalendarin e Mbretërisë së Serbisë Vidovdani u shënua me shkronja të kuqe si një nga nëntë festat shtetërore zyrtare. Kështu miti i Kosovës, nga konteksti i këngëtarëve popullorë u bë pjesë e konstruksionit ideologjik shtetëror zyrtar.

Lufta e Parë Botërore - Edhe pse miti i Kosovës në fillim ishte i ndërlidhur me popullin serb, deri në fund të vitit 1914 filloi të trajtohet si trashëgimi kulturore e përbashkët e serbëve, kroatëve dhe sllovenëve dhe si provë se ata kanë prejardhje, kulturë dhe traditë të përbashkët. Në atë kohë, në saje të propagandës serbe, miti i Kosovës përhapet edhe ndër qytetarët e tjerë të Jugosllavisë.

Në hapjen e ekspozitës së tij në Londër më 24 qershor 1915, skulptori, arkitekti dhe shkrimtari kroat Ivan Meshtroviq (1883-16.01.1962) tha se të gjithë popujt e Jugosllavisë e kanë Kosovën e vet.

Kosovë kroate është vendi ku mbretin kroat Petar Svaçiqin (Petar Snaçiq / Petar Svaçiq; lindi në ? – vdiq në Petrova Gora, Selakova Polana, Kroaci, në vitin 1097) e vranë ushtarët e mbretit hungarez Koloman (rreth v. 1074 – 03.02.1116).

Kosovë boshnjake është vendi ku turqit e vranë mbretin e Bosnjës Stefan Tvërtko I Kotromaniq (Stefan Tvrtko I, 1338 – i vrarë më 1391) dhe e pushtuan Bosnjën.

*   *   *

Me fjalë të tjera, Ivan Meshtroviqi e konsideronte Kosovën si simbol të të gjitha disfatave në të cilat   sllavët e jugut i humbën shtetet e tyre mesjetare dhe si "vend i shenjtë" që i bashkon. Ky artist kroat e dha kontributin më të madh për përdorimin e mitit të Kosovës gjatë luftës. Që nga viti 1907, Meshtroviqi e filloi tempullin e vet të Vidovdanit, të paramenduar si "tempull kushtuar religjionit të flijimit të skajshëm". Në themelet e këtij tempulli ndodhen viktimat. Shtylla janë të gjithë ata që vuajnë, kurse në kullë ndodhen shpirtrat e pastruara.

Tempulli i Vidovdanit synonte të mishëronte "idealin e përjetshëm të heroizmit, të besnikërisë dhe të sakrificës, nga ku raca jonë e merr fenë dhe forcën morale". Kjo kishë për herë të parë u ekspozua në Vjenë në vitin 1910, në Romë në vitin 1911, në Beograd më 1912, në pavijonin serb në Bienalen e Venedikut më 1914, në Londër më 1915 dhe 1917, në Glasgou më 1915, në Bradford më 1918 dhe në Paris më 1919.

Ivan Meshtroviqi i krijoi skulpturat monumentale të heronjve të Kosovës (Marko Kraleviqit, Millosh Obiliqit, Sërgja Zlopoglegjas, etj.), që u bënë bazë për krijimin e një stili kombëtar.

Jovan Duçiqi (1874-7.04.1943) ka qenë poet-diplomat serb dhe jugosllav dhe akademik. Ai besonte se heronjtë e Betejës së Kosovës mund të krahasoheshin vetëm me ata të antikitetit, kurse Ivan Meshtroviqin e krahasoi me kompozitorin, poetin, eseistin dhe teoricienin muzikor gjerman Vilhelm Rihard Vagner (Wilhelm Richard Wagner, Lajpcig,  1813-1883), autorin e ciklit prej katër operave Unaza e Nibelungut (Der Ring des Nibelungen, 1854, 1856, 1871, 1874).

Kah fundi i 1915, kur ushtria serbe, e rrethuar në Kosovë, po tërhiqej drejt Shqipërisë, shumë serbë mendonin se paska qenë e shkruar që shteti serb të shembet pikërisht në Kosovë. Përsëri u aktualizua   motivi i tradhtisë, këtë herë drejtuar atyre që u kthyen në shtëpi pas rënies së shtetit serb, duke mos dashur të vazhdonin tërheqjen nëpër Shqipërisë.

Gjatë pushtimit të Serbisë nga Austro-Hungaria në Luftën e Parë Botërore, miti i Kosovës vazhdimisht ka qenë i pranishëm në propagandë, në letërsi dhe në art - në mërgim. Tani miti kishte jetë të re dhe përdorim të ri. Besohej se shteti serb do të ringjallej si feniksi.

Dhjetëra botime me tema të Kosovës u botuan  ndër mërgimtarët serbë në ShBA. Në Amerikën Jugore, dega e Mbrojtjes Popullore Jugosllave në Antofagastë, që e udhëhiqnin emigrantët kroatë, quhej "Vajza kosovare." Gjatë Luftës I Botërore, këngët popullore epike të ciklit të Kosovës, në Francë u botuan disa herë. Forcimi i mitit të Kosovës shihej si "energji për hakmarrje".

Në opinionin publik, Kosova ka qenë më e pranishme në Britani të Madhe. Mërgimtarët serbë,  28 qershorin e shpallën atje “Ditë e Kosovës”. Si rrjedhojë, në Britani u organizuan manifestime në favor të serbëve.

Në prag të Vidovdanit të vitit 1915, në Muzeun Viktoria dhe Alberti (Victoria and Albert Museum) në Londër u hap ekspozita e skulptorit Ivan Meshtroviq nga cikli i tij i Kosovës. Kjo pati efekt propagandistik të jashtëzakonshëm. Në vitin vijues shumë britanikë morën pjesë në kremtimin e Ditës së Kosovës.

Teksti i historianit skocez Robert Uilliam Seton-Votsonit (Robert William Seton-Watson. 1879-1951)  "Serbia dje, sot dhe nesër" u lexua në 12.000 shkolla dhe në 23.000 kisha.

Po atë ditë, Komiteti i Kosovës i kryesuar nga Elsie Inglis (1864-1917) organizoi shërbesë në Katedralen e Shën Palit në Londër. Aty folën kryepeshkopi i Canterbury-t dhe peshkopi serb Nikolaj Velimiroviq (1880-1956). U shpërndanë mbi 200.000 pamflete, kurse rreth 1.000 kinema shfaqën filma serbë.

Poeti serb Milutin Bojiq (1892-1917) botoi vëllimin me poezi “Poezi dhimbjeje dhe krenarie” (Pesme bola i ponosa, Selanik 1917). Poeti serb Dragolub J. Filipoviq botoi vëllimin me poezi “Bozhuret e Kosovës / Lulëkuqet e Kosovës”  (Kosovski bozhuri, Korfuz 1917). Shkrimtari serb Rastko Petroviq (1898-1949) botoi vëllimin “Tingëllima kosovare” (Kosovske Sonnete, Korfuz 1917). Poeti Milan B. Nediq botoi vëllimin “Net kosovare” (Kosovske noqi, Bizerta 1918). Kosova përmendet pothuajse në çdo botim të tij.

Kjo poezi lufte u frymëzua nga nevoja për t’i rishkruar kohët heroike, shpeshherë në formë epike. Poezitë ndjekin me kujdes modelin e mitit të Kosovës. I vetmi dallim qëndron në faktin se  ato nuk e caktojnë tradhtarin. Cikli kosovar i këngëve popullore u botua edhe në Francë. Shkrimtari, poeti dhe gazetari francez Léo d'Orfer (1859-1924) u vlerësua nga Akademia Franceze për përkthimin e vëllimit me poezi “Poezi lufte të Serbisë” (Les Chants de guerre de la Serbie).

Kah fundi i vitit 1917, në ekspozitën jugosllave në Galerinë Grafton në Londër, piktori kroat Mirko Raçki (1879-1982) i ekspozoi pikturat: nëna e Jugoviqëve*, nëntë vëllezërit Jugoviqë*, Vajza kosovare dhe Millosh Obiliqi, ndërsa piktori kroat Jozo Klakoviq (1889-1969) ekspozoi pikturën e vet: “Boshko Jugoviq” (Që të dy piktorët ishin kroatë). Në atë kohë, piktori serb Vasa Eshkiqeviq (1867-1933) pikturoi veprën “Përshëndetje e fundit hakmarrësit të Kosovës”.  Piktori serb Urosh Prediq (1857-1953), i frymëzuar nga miti i Kosovës, pikturoi një seri pikturash.

Luftërat në Jugosllavi në vitin 1991 e këndej - Miti i Kosovës përsëri u shfrytëzua për të formuluar politikën serbe ndaj Kosovës në vitin 1980 e këndej, kur realiteti në Kosovë kishte ndryshuar prej kohësh. Serbët në Kosovë ishin pakicë. Ata sajuan gënjeshtrën duke thënë se ndjehen të kërcënuar nga popullsia shqiptare e atjeshme që ishte shumicë.

Në fund të viteve ’80 të shekullit XX, në Serbi përsëri i ringjall miti i Kosovës që shpesh  shoqërohet nga gënjeshtra e kulluar "e gjenocidit" të shqiptarëve ndaj serbëve “në krahinën autonome të Kosovës”. Çdo incident atje ku ishin të përfshirë pjesëtarë të të dy kombësive filloi të pasqyrohet si ndëretnik dhe si synim i shqiptarëve për t’i dëbuar serbët nga “toka shekullore serbe”.

Incidente ndëretnike midis shqiptarëve dhe serbëve nuk ka pasur. Ato i trillonte politika serbomadhe dhe serbo-çetnike në Beograd. Qëllimi i nacionalistëve serbë ishte ndryshimi i Kushtetutës së vitit 1974, suprimimi i autonomisë së krahinave, ripërkufizimin e shtetit federativ në funksion të krijimit të një Jugosllavie unitare, etatiste, centraliste me dominimin serb mbi të gjithë popujt e federatës. Kësaj ideologjie anakronike, retrograde dhe antihistorike i bënë ballë shqiptarët, sllovenët dhe kroatët. Në thelb të kësaj politike të pseudo-akademikëve serbë qëndronte hegjemonizmi, ekspansionizmi dhe kolonializmi serbomadh. Synim i çetnikëve serbë ka qenë dhe mbetet dalja e Serbisë në det. Por kjo kurrë s’ka për të ndodhur. Fuqitë perëndimore kurrë s’kanë për ta lejuar një ëndërr të tillë të serbo-çetnikëve.

Në vitin 1981 e këndej, frika nga zhbërja e shtetit serb bëhet temë kryesore e intelektualëve serbë dhe një lloj mobilizimi psikologjik për luftë. Në marrëdhëniet ndërnacionale “të çrregulluara” sakaq u implikua edhe Kisha Ortodokse  Serbe, e cila “problemet” e serbëve në Kosovë i barazonte me “problemet e hebrenjve në Palestinë”.

Kështu, historia mitike e serbëve fillon të barazohet me historinë e çifutëve. Këtë tezë e aprovojnë edhe disa politikanë serbë, si p. sh. lideri i Lëvizjes Serbe të Rimëkëmbjes (akronimet në serbisht: SPO) Vuk Drashkoviq (1946- ). Në vitin 1985 ky deklaroi: "Serbët janë fisi i 13-të, i humbur dhe më i pafat i Izraelit”. Në përputhje me atë paralele, Kosova filloi të quhet tokë e shenjtë.

Me rastin e shënimit të 600-vjetorit të Betejës së Kosovës, Slobodan Milosheviqi (1941-2006), për t’i tubuar masat rreth politikës së tij, në  fjalimin në Gazimestan të Fushë Kosovës, e shfrytëzoi fuqinë simbolike të mitit të Kosovës. Në fjalimin e tij, ai e quajti Kosovën zemër të Serbisë, gjë që më vonë u bë parullë nacionaliste e pranuar gjerësisht. Ky kremtim në vendin e betejës mesjetare të vitit 1389, në prani të të gjithë autoriteteve kishtare, vendosi përkohësisht unitetin e kishës, të shtetit dhe të traditave të ndryshme nacionaliste në Serbi.

Fjalimi i Milosheviqit në Kosovë shënoi fundin e idesë jugosllave të përbashkët, kurse ai u bë  lider kombëtar serb.

Kisha Ortodokse Serbe nxiti në mënyrë aktive ringjalljen e mitit të Kosovës, duke menduar se me Milosheviqin ishte krijuar mundësia "e hakmarrjes për Kosovën". Duke iu bashkuar mobilizimit politik të Milosheviqit, në vitin 1989 Kisha Ortodokse Serbe bëri "mobilizimin shpirtëror të serbëve", duke i çuar mbetjet mortore të princ Lazarit "në të gjitha tokat serbe." Kisha i mbarti mbetjet mortore të princit mesjetar serb Lazar Hrebelanoviqit nëpër  Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë, me publicitet mediatik të madh. Krahas kësaj, filloi edhe zhvarrimi masiv i varreve masive nga periudha e Luftës së Dytë Botërore, duke manipuluar kësisoj me traumat njerëzore. Serbët fillojnë ta paraqesin veten si hebrenj të Ballkanit (viktima të përhershme). Së shpejti propaganda u drejtohet  kroatëve të cilët i paraqesin si ustashë* me orientim gjenocidal (si nazistët ndaj hebrenjve). Propaganda u drejtohet edhe myslimanëve të Bosnjës dhe Hercegovinës të cilët i quajnë turq.

Përpjekjet për t’ identifikuar boshnjakët me turqit dhe evokimi i kohës së sundimit turk, në Serbi nuk u pritën me entuziazëm të madh, siç u pritën nga serbët në Bosnjë. Nacionalistët serbë thoshin se krijimi i një shteti të pavarur boshnjak do të rezultonte me nënshtrimin e serbëve të atjeshëm një regjimi fundamentalist islamik. "Frika serbe nga zhdukja" dhe dominimi i serishëm "i turqve" nuk ishin tjetër pos manipulim politik. Ky manipulim u bë burim i agresionit dhe bazë ideologjike që shkaktoi tragjedi në Bosnjë dhe Hercegovinë në vitin 1990 e këndej. Disa nga zonat nëpër të cilat kaluan mbetjet mortore të Lazarit u bënë skena përleshjesh etnike më të përgjakshme në luftërat në Jugosllavi në vitet 1991-1999. Këto luftëra në të vërtetë nuk ishin tjetër po agresion i Serbisë dhe i armatës (anti)popullore serbosllave kundër Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës e Hercegovinë dhe Kosovës.

Gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë, Kisha Ortodokse Serbe i ngriti lartë udhëheqësit luftarakë të serbëve të Bosnjës, duke thënë se Radovan Karaxhiqi dhe Bilana Plavshiqi shkojnë rrugës së Shën Lazarit.

Mitropoliti malazez-bregdetar i Kishës Ortodokse Serbe Amfilohije Risto Radoviq (1938-2020) e quajti Bilana Plavshiqin  “Vajza kosovare”, ndërsa nënën e Radovan Karaxhiqit - nënë të Jugoviqve.

*   *   *

Miti i Kosovës vazhdon të luajë rol të rëndësishëm në politikën serbe dhe në pretendimet territoriale të Serbisë ndaj Kosovës. Politikanët serbë vazhdojnë ta përdorin mitin e Kosovës në fjalimet e tyre rreth saj. Shumë prej tyre “çështjen” e Kosovës e shfrytëzojnë për të siguruar të ardhmen e tyre politike. Gjatë krizës së Kosovës, miti i Kosovës u përdor për t'u marrë me "armiqtë e brendshëm", përkatësisht me pjesën liberale të Serbisë.

Përmbajtja e kultit të Kosovës - Kulti i Kosovës bëhet kult popullor fetar. Fillon të ushtrojë rolin jetësor të fesë dhe bëhet shtyllë  morale e vitalitetit popullor. Të gjithë personat, të periudhës parakosovare, kosovare dhe paskosovare, dalin në skenën e përbashkët të Kosovës simbol. “Me kalimin e kohës, dimensioni historik bie, kurse ai ideor, shpirtërisht ngadhënjen”, thotë filozofi kroat Vladimir Dvornikoviq (1888-1956).

Beteja e Kosovës - Sipas propagandës serbe, “kulti i Kosovës u krijua në shekullin XIX në bazë të epikës popullore serbe që i këndon Betejës së Kosovës ndërmjet serbëve dhe turqve në vitin 1389”. Pas Betejës së Kosovës, fuqia e Serbisë mesjetare filloi të bjerë në mënyrë të pandalshme dhe së shpejti ajo,  bashkë me pjesën tjetër të Ballkanit, ra nën pushtetin turk. Nëpërmjet kronikave, shkrimeve dhe traditës gojore, legjenda për Kosovën gradualisht evoluoi dhe me kalimin e kohës për së tepërmi e tejkaloi rëndësinë e betejës dhe pasojat e saj. Gjatë shekujve, Kosova u bë sinonim i rënies së shtetit serb.

Kulti i car Lazarit - Miti i Kosovës, princin mesjetar serb Lazar Hrebelanoviqin e paraqet si martir të fesë. Sipas këtij miti të shtrembëruar, humbja në Fushë-Kosovë në vitin 1389 nuk ishte humbje për arsye se ka pasur një arsye shpirtërore më të thellë: "Car Lazari" zgjodhi me vetëdije mbretërinë "qiellore" dhe jo mbretërie "tokësore".

Nacionalistët serbomëdhenj thonë se në Betejën e Kosovës princ Lazar Hrebelanoviqi e sakrifikoi me vetëdije "perandorinë e tij tokësore" për të fituar perandorinë qiellore. Princ Lazari u bë kështu mishërimi i të gjithë atyre që luftuan për  mbrojtjen e krishterimit dhe u bë shenjtor, shembulli i të cilit duhet ndjekur. Zgjedhja e tij i bëri serbët "popull qiellor", popull i zgjedhur nga Zoti. Në këngën popullore “Darka e princit”, princ Lazari ndërlidhet me Jezu Krishtin.

Studiuesit e mitit konsiderojnë se nuk ka dyshim se në Ditën e Shën Vidit të vitit 1389 princ Lazari  ka pasur për qëllim mposhtjen e turqve,  konsolidimin e pushtetit të vet, sigurimin e trashëgimtarëve, sigurimin e vetvetes dhe të  kënaqësive që i nevojiten atij. Sociologu i religjionit Mirko Gjorgjeviq (1938-2014 ) ka qenë analist serb i fesë, shkrimtar, përkthyes dhe publicist. Titoist i njohur. Është konsiderohej si një prej njohësve më të mirë të rrethanave fetare në Serbi. Kritikoi lidhjet e Kishës Ortodokse Serbe me nacionalizmin serb. Mbështeti modernizimin e shoqërisë dhe të kishës dhe braktisjen e ideologjisë së Shën Savës të cilën e konsideronte shkak të shumë fatkeqësive. Për mitin e Kosovës thotë:

“Princ Lazari e humbi betejën, por me shekuj u kultivua në model tejet i thjeshtë: Ai nuk humbi ngase nuk dinte të bënte politikë apo ngase ushtarakisht ishte më i dobët. Ai humbi ngase zgjodhi Mbretërinë qiellore.”

*   *   *

Studiuesit thonë se versioni serb i thjeshtuar i Betejës së Kosovës flet vetëm për heroizmin dhe martirizimin e princ Lazarit, duke shlyer nga kujtesa historike faktin se kundër ushtrisë turke në Fushë-Kosovë, bashkë me luftëtarët serbë kanë luftuar edhe luftëtarët shqiptarë dhe boshnjakë.  Ripërpunimi mitik i Betejës së Kosovës e injoron edhe faktin se në anën turke kanë luftuar vasalët e krishterë të sulltanit, midis të cilëve edhe serbët etnikë.

Kulti i Millosh Obiliqit – Sipas serbëve, Millosh Obiliqi është hero legjendar që vrau në Betejën e Kosovës sulltanin turk Muratin I. Kultin e Millosh Obiliqit e krijoi poeti, peshkopi dhe sundimtari malazez Petar II Petroviq Njegosh (1813-1851) në poemën “Kurora e maleve” (Gorski vijenac, Cetinë 1846). Kështu Millosh Obiliqi bëhet model i luftëtarit të shenjtë që e dha jetën e vet në luftë për fenë. Ka që thonë se peshkopi dhe sundimtari ortodoks Njegoshi e ndërtoi kultin e Obiliqit si "sakrificë fisnike", i udhëhequr nga rezoni i tij si shtetar. Në veprën e Njegoshit Obiliqi shfaqet si një lloj “supermeni serb”.

Millosh Obiliqi dhe Lazar Hrebelanoviqi në kultin kosovar bëhen mishërimi i kalorësve serbë që   e kanë dhënë jetën për Kosovën në luftën kundër të pafeve, duke u bërë kështu banorë të Serbisë qiellore.

Rimëkëmbja e perandorisë - Në mitologjinë e ciklit pas Betejës së Kosovës, perandoria e humbur dhe rimëkëmbja e saj bëhen ide kryesore ose më saktë obsesion i ideologëve kishtarë, kurse më vonë edhe i elitës intelektuale dhe ushtarake. Kisha u shndërrua në organizatë shoqërore-politike e cila kishte mision të njëjtë me shtetin dhe me ushtrinë  - thotë studiuesi serb Dragan Stojkoviq

Miti i Kosovës u zhvillua në shekullin XIX.  Synimi kryesor i tij është insistimi për të rimëkëmbur Perandorinë Serbe e cila në kohën e Betejës së Kosovës as që ka ekzistuar. Sipas mitit të Kosovës serbët paskëshin qenë zotërues autentikë të kësaj pjese të Ballkanit dhe perandoria e madhe e tyre qenkësh shuar në Fushë-Kosovë. Por duhet ditur se perandoria jetëshkurtër e Dushanit (1308-1355) ka pasur karakter multietnik dhe ishte shembur disa dekada më parë.

Në kohën e Betejës së Kosovës Serbia ka qenë principatë e cila as që e ka përfshirë rajonin e Kosovës.

*   *   *

Kosova mitike - Matija Beqkoviqi (Sentë, Vojvodinë, Serbi, 1939 - ) është shkrimtar dhe poet serb; akademik. Babanë e ka pasur malazez. Ka studiuar në Fakultetin Filologjik në Beograd. Është një prej hartuesve të “Memorandumit” të Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve që doli si libër anonim në janar të vitit 1986. Ky projekt u cilësua si nekrolog i Jugosllavisë. Pseudo-akademiku serbomadh i lartpërmendur thotë: “Kosova është Serbi dhe kjo nuk varet as nga lindshmëria e shqiptarëve, as nga  vdekshmëria e serbëve. Atje ka aq shumë gjak serbi dhe gjëra të shenjta serbe, saqë ajo do të jetë e serbëve edhe kur të mos mbetet atje as edhe një serb i vetëm.”

Kosova është gjëja kryesore e adhurimit të kultit  kosovar. Në mitologjinë politike serbe, Kosova rregullisht quhet tokë e shenjtë. Autorët nacionalistë serbë e paraqesin Kosovën si tokë të premtuar serbe, sikur Jerusalemi për hebrenjtë. Kosova paraqitet edhe si qendër shtetërore e historisë mijëvjeçare të popullit serb. Por, shumë autorë e kundërshtojnë këtë duke thënë se Kosova në përbërje të Serbisë ka qenë shumë më pak dhe  kurrë s’ka qenë qendër shtetërore. Qendër e Serbisë mesjetare ka qenë Rashka, kurse e Serbisë së kohës moderne - Shumadija.

Nacionalistët serbë e quajnë Kosovën zemër të Serbisë. Kisha Ortodokse Serbe Kosovën mitike e identifikon me kokën e Lazarit. Sociologu i fesë Mirko Gjorgjeviq thotë se Kosova për të cilën  flasin ata - nuk ekziston në realitet. Ajo nuk është veçse një territor imagjinar apo fiktiv.

Serbia qiellore - Nga princ Lazari dhe Kosova serbët së pari e krijojnë Serbinë qiellore, e cila deri më sot duhet të jetë bërë shteti qiellor më i madh. Serbia qiellore u quajt ikonë ortodokse. Udhëheqësi i çetnikëve*, Drazha Mihailoviqi (1893-1946 ) u quajt ushtar i Krishtit.

*   *   *

Serbia qiellore është një nga nocionet kryesore të mitologjisë kombëtare serbe. Serbia qiellore paraqet një lloj mbretërie qiellore ku shkojnë pas vdekjes serbët e devotshëm që e japin jetën për fenë dhe për Kosovën, ashtu si Millosh Obiliqi dhe car Lazari.

Miti i Serbisë qiellore u krijua për të shpjeguar disfatën ushtarake serbe në Betejën në Kosovë.  Në atë betejë, serbët e paskan zgjedhur shpëtimin shpirtëror dhe jo fitoren ushtarake. Duke theksuar përkushtimin ndaj mbretërisë qiellore dhe duke premtuar rimëkëmbjen e perandorisë serbe “ky mit u ka ndihmuar serbëve për t’i bërë ballë  dominimit shekullor të fuqive të huaja”.

Pasi më në fund e flakën sundimin turk dhe e rikthyen shtetësinë në shekullin XIX, serbët e ruajnë këtë mit si ndjenjë e superioriteti ndaj fqinjëve të tyre dhe  e paracaktimit të shkruar për t'u bërë fuqi dominuese në Ballkan. Ky mit u nxit prej udhëheqësve politikë dhe fetarë serbë, prej shkrimtarëve dhe artistëve dhe u shtri në mbarë Serbinë.

Lufta e shenjtë - Në mitologjinë kosovare lufta ndërlidhet me shpëtimin e Serbisë. Për rimëkëmbjen e shtetit serb, miti i Kosovës theksonte dallimin midis besimtarëve ortodoksë dhe të pafeve, përkatësisht të krishterëve të shtypur dhe pushtuesve myslimanë. Miti i Kosovës shfaqej si përzierje e patriotizmit dhe urrejtjes ndaj atyre që janë mallkim "i rënies": turqve, myslimanëve dhe "tradhtarëve" serbë.

Në mitologjinë politike serbe, në kontekstin e konfliktit serbo-shqiptar, me kalimin e kohës shqiptarët i zëvendësuan turqit që fajësoheshin për rënien e shtetit serb në vitin 1389. Miti i Kosovës u bë simbol i hakmarrjes së përgjithshme të përgjakshme kundër të gjithë "turqve", përkatësisht myslimanëve në përgjithësi, kurse konflikti nga lëmi i politikës, i ekonomisë dhe i historisë u mbart në fushën e përjetshme të mitit.

Mitologjia e Kosovës karakterizohet nga konceptimi ciklik i kohës që nënkupton përsëritjen e vazhdueshme të betejës mesjetare në kohën bashkëkohore.

Mitologjia e Kosovës operon me "frikën serbe nga zhdukja". Kjo frikë qenkësh rrënjosur thellë “te një popull mbi të cilën kanë sunduar qytetërime të huaja gati pesë shekuj”. Kjo traumë më së shumti shprehet si "frikë nga ri-dominimi i tjetrit" dhe veçanërisht si frikë nga ri-dominimi "i turqve" (i shqiptarëve, i boshnjakëve, i myslimanëve, etj.).

Elementet e mitit – Profesoresha Lubinka Tërgovçeviq Mitroviq (1948-2022) - Historiane serbe. Përhapi ide demokratike dhe mbështeti fuqimisht lirinë e krijimit. Ishte e përkushtuar ndaj idealeve humaniste dhe ideve të Iluminizmit. I identifikon këto elemente të mitit të Kosovës:

- Hakmarrja përkatësisht "hakmarrja për Kosovën" që nënkupton rivendosjen e shtetit serb në territoret ku ka ekzistuar dikur dhe dëbimin "e të pafeve", përkatësisht të turqve dhe të myslimanëve.

- Martirizimi dhe sakrifica për fenë dhe lirinë që nënkupton viktimizim total, deri në vdekje dhe si shpërblim ofron "mbretërinë qiellore", lavdinë dhe kujtimin e përjetshëm. Më e mirë vdekja në   fushëbetejë se bashkëjetesa me armiqtë.

- Motivi i tradhtisë që shërben si justifikim për humbjen ngase sugjeron se armiku nuk ka qenë as më i mirë dhe as më i guximshëm. Pra shkaku i humbjes është tradhtia. U shpall tradhtar Vuk Brankoviqi edhe pse për këtë nuk ka asnjë bazë historike. Ky motiv paraqet paralajmërim për bashkëkohësit që të mbajnë anën e shumicës, përndryshe do të anatemohen dhe përgjithmonë do të përjashtohen nga bashkësia.

- lavdia dhe përkujtimi i përjetshëm si premtim për ata që i ndjekin shembujt legjendarë: heronjve që e pranojnë sakrificën dhe heroizmin (si princ Lazari dhe Millosh Obiliqi); nënave që i rritin djemtë për luftë (si nëna e vëllezërve Jugoviq*); vashave dhe motrave që i mjekojnë plagët e heronjve (si Vajza kosovare), etj.

Aleksandar Qiriqi thotë se për përdorimin politik të mitit të Kosovës thelbësore janë tre elemente:

- përcaktimi për martirizim (mbretëria qiellore);

- akti vetëvrasës (Millosh Obiliqi vret Muratin);

- tradhtia (përkundër rolit historik real të Vuk Brankoviqit).

Miti i Kosovës apo kulti i Kosovës është një prej miteve politike kryesore serbe që përbën bazën e identitetit kombëtar serb dhe bërthamën atomike të nacionalizmit serb.

Kritika ndaj mitit të Kosovës - Shumë analistë thonë se miti i Kosovës paraqet pengesë të madhe për vlerësimin objektiv të gjërave, madje edhe të interesit kombëtar vetanak.

“Të ushqyerit kolektiv me mitin e Kosovës, me kompleksitetin shumështresor dhe me armiqësinë  ndaj të gjithë “turqve” (myslimanëve) e sidomos ndaj shqiptarëve, aq fort e ka helmuar mentalisht shumicën e serbëve saqë kolektivisht janë bërë të paaftë për ta parë objektivisht realitetin lidhur me Kosovën dhe rrjedhimisht edhe interesin e vet   kombëtar” – thotë Anton Bebler.

“Kur serbët e zakonshëm të mësojnë të mendojnë në mënyrë më racionale dhe më humane për Kosovën dhe në mënyrë më kritike për disa mite të veta kombëtare, do të kenë dobi të gjithë popujt e Kosovës dhe të Serbisë – sidomos serbët” – thotë Noel Malcolm.

Historiani serb i letërsisë, shkrimtari dhe profesori universitar Miodrag Popoviqi (Obradovce, Cërna Travë, 16.10.1920 – Beograd, 2005) që në fillim të vitit 1970 e këndej ka folur për tiparet pagane të kultit të Kosovës (hakmarrja, haraçi në gjak, therja, viktimizimi dhe ringjallja e rendit heroik) që ngërthen në vete potencial destruktiv, e që është tipik për impulset mitike të shfrenuara.

Filozofi serb Radomir Konstantinoviq thotë se absolutizimi i mitit të Kosovës (si i çdo miti tjetër) shpie në nacionalizëm jotolerant, madje edhe në pasojën e tij të skajshme - nazizëm. Ai thotë se  nazizmi serb nuk është importuar nga nacional-socializmi gjerman, por është shprehje ekstreme e pikëpamjes që në çdo gjë që është kreative dhe individuale sheh "ikje nga vetja".

Në shpalljen e serbëve “popull qiellor” disa e shohin rrënjën e racizmit.

Nadezhda Petroviq (1873-1915) është piktore serbe e fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX. E para grua fotografe lufte. Është autore e pikturës “Bozhuret e Kosovës” (Kosovski bozhuri, 1913).

*   *   *

Sipas ideologëve serbomëdhenj, armiq të serbëve janë: kroatët, shqiptarët, myslimanët e Bosnjës dhe Hercegovinës. Kroatët janë serbë të fesë katolike; myslimanët e Bosnjës dhe Hercegovinë janë serbë të islamizuar. S’ka komb kroat ngase gjuha që e flasin ata është serbishtja. S’ka komb “mysliman” apo boshnjak ngase gjuha që e flasin ata është serbishtja. S’ka komb malazezë ngase edhe malazezët flasin një dialekt të serbishtes. S’ka komb maqedonas ngase maqedonasit jetojnë në “Serbinë Jugore” (Juzhna Sërbija). Nuk pranohej autoqefalia e Kishës Ortodokse Maqedonase ngase ajo duhet t’i nënshtrohet dhe t’i bindet Kishës Ortodokse Serbe. Kosova është e serbëve dhe jo e shqiptarëve ngase ajo (Kosova) është “Serbi e Vjetër” (Stara Srbija).

Sipas ideologëve serbomëdhenj, armiq të serbëve janë: Vatikani, Gjermania, Austria, CIA dhe agjenti i Vatikanit dhe i Vjenës, Josip Broz Tito.

Në shërbim të idesë së Serbisë së Madhe kanë qenë dhe janë: Kisha Ortodokse Serbe, Akademia Serbe e Shkencave dhe e Arteve, Lidhja e Shkrimtarëve të Serbisë, një pjesë e Universitetit të Beogradit, të gjitha qeveritë e Serbisë, qeveritarët serbë, politika e Serbisë, Ushtria e Serbisë apo e serbosllavisë, ushtarakët serbë, mediumet publike – gazetat, revistat, radio-televizionet, kryeredaktorët, gazetarët, analistët politikë. Për Serbi të Madhe kanë vepruar: kryepeshkopë, peshkopë, priftërinj, akademikë, shkrimtarë, dijetarë, historianë, gjeografë. Për Serbi të Madhe kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë: mbretër apo princër, kryetarë, kryeministra të Serbisë, midis tyre:

Kryeministri i viteve 1861-1867, Ilija Garashanin (1812-1874); gjeografi, etnologu, profesori universitar, akademiku, kryetari i Akademisë Mbretërore Serbe, rektori i Universitetit të Beogradit, i shkolluar në Universitetin e Vjenës dhe në atë të Beogradit Jovan Cvijiq (1865-1927); politikani, diplomati, mjeku, oficeri, fizikani, shkrimtari dhe akademiku, i shkolluar në Vjenë (Medical University of Vienna, Vladan Gjorgjeviq (Beograd, 1844 – Baden afër Vjenës, 1930); kryeministri shumëvjeçar i qeverive jugosllave, Nikola Pashiq (Zajeçar, 1845 – Beograd, 1926); Karagjorgjeviqët*; historiani, akademiku, profesori i Universitetit të Beogradit Vaso Çubriloviq (1897-1990); lëvizja e çetnikëve*; shkrimtari, akademiku, teoricieni politik dhe kombëtar, i mbiquajtur baba i kombit,  Dobrica Qosiq (1921-2014); antishqiptari i njohur, nënkryetar i Jugosllavisë së Titos, një kohë shef i UDB-s, (shërbimit sekret jugosllav). E kishte përgjuar edhe Titon, ndaj ky në vitin 1966 e shkarkoi prej të gjitha detyrave, Aleksandar Rankoviq (1909- 1983); zjarrvënësi i Ballkanit Slobodan Milosheviq (1941-2006); lideri i Partisë Radikale Serbe, Vojislav Sheshel (1954- ).

*   *   *

Për ta realizuar idenë e Serbisë së Madhe, Beogradi ndërtoi dhe e përsosi makinerinë e propagandës. Propagandës së serbomëdhenjve s’i afrohet dot as ajo e ministrit të Propagandës në Gjermaninë naziste Jozef Gebels (1897-1945). Në thelb të propagandës serbe qëndrojnë gënjeshtra, rrena, e pavërteta, mashtrimi, shtrembërimi i fakteve, shpifjet, insinuatat, trillimet, sajimet. Me t’i vënë nën kontroll mediumet, në Serbi u vendos njëmendimi politik dhe ideologjik. U reduktua deri në shuarje liria e fjalë, liria e shtypit, liria e të menduarit ndryshe. U ndalua shtypi i lirë dhe i pavarur. Ata që mendonin ndryshe, i përpinte terri.

Kryetarin e Kryesisë së Republikës Socialiste të Serbisë Ivan Stamboliq (1936-2000) e rrëmbyen dhe e ekzekutuan në Frushka Gorë. Kryeministrin Zoran Gjingjiq (1952-2003) e vranë me atentat. Do gazetarë punën e tyre objektive dhe të paanshme e paguan me jetë.

Në skenën politike ishin dhe vazhdojnë të jenë autokratët, tiranët, despotët, autoritarët, totalitarët dhe diktatorët. Shumë prej tyre u shkolluan në universitetin e ideologjizuar dhe të politizuar të Beogradit. Me një shkollë dhe dije të tillë nuk shkohet në hap me kohën.

Ideologët dhe politikanët serbomëdhenj e quajtën vendin Serbi qiellore, ndërsa popullin serb popull qiellor, hyjnor, astral. Rrugën e tyre e ndoqi me përpikëri kryetari i përtashëm i Serbisë Aleksandar Vuçiqi (1970- ) dhe bashkëpunëtorët e tij. Këta kanë qenë pjesë e pandarë e politikës së zjarrvënësit të Ballkanit - Milosheviqit. Vuçiqi dhe bashkëpunëtorët e tij e kanë vendin në Hagë, ku të ballafaqohen me drejtësinë, të përgjigjen për krime lufte, për krime kundër njerëzimit, për gjenocid në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Kosovë. Ideologët dhe politikanët serbë nuk kanë luftuar dhe nuk luftojnë për të drejtat e serbëve jashtë Serbisë. Ata kanë luftuar dhe vazhdojnë të luftojnë për territore. Politika serbe e historisë politike të kohës më të re ka qenë dhe vazhdon të jetë politikë hegjemoniste, ekspansioniste, kolonialiste, unitare, etatiste, centraliste, antidemokratike, antihistorike. Në Evropën e shekullit XXI, Beogradi ndjek politikë retrogarde dhe anakronike. Dhe thotë se synon integrimin në BE!!

*   *   *

Uashingtoni, Berlini, Londra dhe Parisi duhej t’i kërkonin Beogradit të heqë dorë nga idetë, synimet dhe aspiratat obskurantiste mesjetare. Serbia është e prapambetur dhe e pazhvilluar. Në krahasim me Slloveninë dhe Kroacinë, ekonomia serbe është mbi tridhjetë vjet mbas. Sipas të dhënave ndërkombëtare, shkolla kroate është shumë më cilësore se ajo serbe. Para kroatëve, serbët ndjehen inferiorë.

*   *   *

Duhet theksuar se ka pasur akademikë që nuk janë pajtuar me politikën e luftës për territore. Politikën ekspansioniste serbomadhe e kanë kundërshtuar  shkrimtarë, dijetarë, intelektualë, profesorë universitarë, studiues profilesh të ndryshme, gazetarë etj.

*   *   *

Fjalimi i Slobodan Milosheviqit në Gazimestan apo në Fushën e Mëllenjave u mbajt më 28 qershor 1989 me rastin e shënimit të 600-vjetorit të Betejës së Kosovës. Kremtimi u mbajt pak pasi Milosheviqi e suprimoi autonominë e Kosovës. Sipas burimeve serbe, në Gazimestan kanë marrë pjesë një milion veta. Ka burime që thonë se të pranishëm kanë qenë dy milionë veta. Sipas agjencisë Rojters, kanë qenë të pranishëm rreth 300.000 njerëz. Shënimi i këtillë i ngjarjes së sipërthënë flet për irracionalizmin e politikës serbe dhe primitivizmin e inteligjencies. serbe. Me rastin e shënimit të Vidovdanit më 28 qershor 2025, Vuçiqi bëri të pamundurën për të shmangur një luftë civile në Beograd dhe në mbarë Serbinë brenda vetë popullit serb. Prej fjalimit të kasapit të Ballkanit në vitin 1989 deri në prag të luftës civile, në vitin 2025. Në Serbinë e prapambetur ende sundon epigoni dhe pinjolli i Milosheviqit – Vuçiqi. Çfarë absurdi!!

Prej 11 deri më 19 korrik 1995 Serbia qiellore kryen gjenocid në Srebrenicë. Ato ditë ushtria e Republikës Serbe vret 8372 burra dhe çuna boshnjakë. Akademikët serbë një fjalë s’e thanë për ta dënuar krimin. Krimin nuk e dënuan as klerikët ortodoksë fashistë serbë. Nuk u distancuan as shkrimtarët, as filozofët dhe as politikanët serbë. Kjo na qenkësh Serbi hyjnore! Serbët na qenkëshin popull qiellor dhe hyjnor! Po gjenocidi i Serbisë qiellore në Kosovë!? Masakrat në të katër anët e Dardanisë, të kryera nga ushtria, nga policia dhe nga paramilitarët serbë!

Kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq nuk pajtohet me vlerësimin se në Srebrenicë serbët kanë kryer gjenocid. Më 11 korrik 2025, presidenti i Francës Emanyel Makron (Emmanuel Macron, 1977- ) deklaron: “Ata që e mohojnë gjenocidin në Srebrenicë, nuk e kanë vendin në BE”.

Shefja e Departamentit të Shtetit Kondoliza Rajs (Condoleezza Rice) deklaroi: „Serbët duan ta ripushtojnë Kosovën në bazë të një lufte që askush s’e di se si ka ndodhur dhe a ka ndodhur vërtet“.

Ismail Kadareja (1936-2024) thotë: “Vrasja e sulltan Muratit I është e diskutueshme. Si ka mundur vrasësi t’i afrohet tendës së tij!? Ku kanë qenë truprojat në çastin e kryerjes së vrasjes?!” (perifrazim).

*   *   *

Etnologu dhe antropologu serb Ivan Çoloviq (Beograd, 1938- ) shkruan se miti i Kosovës „është kuptuar si një tregim i sakralizuar për Betejën e Kosovës i formuar në shekullin XIX në kuadër të diskursit nacionalist, përkatësisht nacionalizmit si religjion politik, ndërsa versionet paraprake të narracionit për Kosovën dhe funksionet e tyre politike dhe ideologjike i shoh si parahistori të mitit të Kosovës.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx