E shtune, 26.07.2025, 12:05 AM (GMT+1)

Kulturë

Bedri Tahiri: Gëzuar 92-vjetori i lindjes, i nderuar Ali Xhemë Peci!

E diele, 13.07.2025, 11:55 AM


GËZUAR 92- VJETORI I LINDJES I NDERUARI ALI XHEMË PECI!

Nga Bedri TAHIRI

Sot (12-07-2025) është një ditë e veçantë për mësuesin, atdhetarin dhe veprimtarin e palodhur të çështjes kombëtare, z. Ali Xhemë Peci!

Ai sot kremton 92-Vjetorin e lindjes! Mrekulli e madhështi!

Kjo nuk është e gjitha!

Ky burrë katërqind dërhemë, në këtë përvjetor, na solli edhe dy dhurata të çmuara, dy margaritarë, dy lapidarë përjetësie, dy flakadanë të pashuar lirie, dy monumente kulture, që rrezatojnë përherë atdhedashuri e aromë lirie!

Janë këto dy kryevepra (ribotime të plotësuara nga Lena Graphic), të qëndisura me fije argjendi nga dora e tij mjeshtërore:

Shaban Shala- Hero i Shqipërisë Etnike dhe

Xhemë Zhazha- Dëshmor i Shqipërisë Etnike

* * *

Shaban Shala- Hero i Shqipërisë Etnike”- Lapidar për Njeriun e përkushtuar ndaj idealeve të larta kombëtare, për t’i këputur njëherë e përgjithmonë vargonjtë serbo sllavë, të cilët po e ngufatnin Kosovën dardane.

“Përkimet e mia me ato të Shabanit ishin për idealin kombëtar, sepse të dy ishim të fisit Shalë, ishim të ditëlindjes 1933, na bashkonte profesioni i mësuesit, dhe ishim që të dy edukues të brezave të rinj. Edhe unë edhe Shabani, veç fëmijëve të tjerë e kishim nga një vajzë me emrin Çamëri, emër ky që nuk u pëlqente udbashëve, të cilët na mbanin në shënjestër së bashku me këlyshët që u shërbenin atyre verbërisht”, -shkruan autori.

Shaban Shala i Letancit të Besianës punoi nëpër shkolla dhe u burgos tri herë. Ai me ligjërimet e tij shprehte dashurinë për lirinë dhe urrejtjen për armikun që kishte bërë e po bënte gjenocid të vazhdueshëm. Ai e donte me shpirt gjuhën shqipe. Në këtë gjuhë ai shkroi poezitë e veta që tingëllonin si himne të zjarrta patriotizmi, me të cilat bënte thirrje për liri dhe kundër shpërnguljes së vatrave të tëra familjare për në Turqi, si dhe kundër vëllavrasjes.

Shaban Shala- frymëzim brezash. Dje, sot dhe nesër. Në pranverën e përgjakshme të vitit të madh 1981, rinia revolucionare e atdhetare e Llapit, në veprimtarinë ilegale mbante emrin SHABAN SHALA. Brigada e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila u dallua me fitoret e saj kundër regjimit kriminal të Millosheviqit (1989/1999) mbajti me krenari emrin e heroit kombëtar! Një mori shkollash mbajnë emrin e tij të madh, me të cilin ato kanë nderuar dhe kanë përjetësuar etjen që kishe ti për dritë dhe dituri, për dije dhe për kulturë. Nxënësit dhe arsimtarët e këtyre shkollave, frymëzuar nga ky emër i dashur dhe i nderuar, shquhen për suksese në mësime e atdhedashuri për Shqipëri, si dhe për dashuri ndaj Flamurit kuqezi...

Burgosja e tij e tretë, më 27 shkurt 1962, qe fatale, sepse atdhetarit sypatrembur, ia solli vdekjen...Qeveria e Kosovës e shpalli Shaban Shalën Hero, më 2012. Shaban Shala-Shaban Shqipëria, i Llapit të Kosovës kreshnike, luftoi e veproi si atdhetar i vërtetë, për atdhe, për liri, për flamurin kuqezi, për mëmëdheun tonë të shenjtë, për Mëmën Shqipëri.

Lavdi Heroit Kombëtar - Shaban Shalës!

* * *

Xhemë Zhazha- Dëshmor i Shqipërisë Etnike”- Një tjetër Lapidar përjetësie për Trimin syshqiponjë të Krahëbardhës Ilire, për Xhemë Zhazhën, i cili me heroizmat e të bëmat e Tij dhe të të parëve të Tij si dhe trimave tjerë shaljanë, nderoi kombin e Atdheun dhe zbardhi fytyrën gjithë Shqiptarisë e Dardanisë!

Në fakt, në brendinë e këtij libri, shpërfaqet një histori e ter ngjarjesh e betejash të luftërave tona shekullore, të zhvilluar gjithandej gjeografisë shqiptare, me theks të veçantë në Shalën heroike e tej e tej deri në Tregun e ri e në Kolashin të Ibrit...

Jetëshkrimi për Xhemë Zhazhën dhe familjen e tij përfshinë plot pesë breza.

Xhemë Smajl Zhazha, i përbetuar për të luftuar në mbrojtje të tërësisë tokësore të tokave arbërore, i brumosur me idealin e shenjtë të Shqipërisë Etnike, i pajisur me virtytet dhe tiparet më dalluese të racës ilire-shqiptare, e nën përkujdesjen dhe përcjelljen e vazhdueshme nga axha Hajdar e shumë të tjerë, përherë ishin aty ku duhej, aty ku dëgjohej kënga e grykëhollës e ku ruhej nderi e krenaria!.

Xhemë Smajl Zhazha ishte strateg i lindur i luftës e mendar i hollë, i zoti i pushkës dhe fjalës, i odës e i aksionit, i etur për dije, liri e përparim, por i rrethuar me hasëm e bashkëpunëtorë besnikë të pushtuesve shekullorë, të cilët edhe ia dolën ta likuidonin, duke e pushkatuar më 21 shkurt 1947.

Ky trim i dalluar, ishte organizator dhe bashkëpunëtor i devotshëm i Ballit Kombëtar- pra i Rezistencës Kombëtare Shqiptare, kundër pushtuesve partizano-çetnikë, që terrorizonin dhe masakronin popullsinë e pafajshme të Shalës e të Tregut të Ri, duke u shquar në luftime si guximtar që armikut i merrte gjak në vetull, siç i thonë një fjale.

Kulla e Xhemë Zhazhës u bë vatër e qëndresës dhe e rezistencës kombëtare shqiptare.

Profilin luftarak të protagonistit Xhemë Smajl Zhazha e plotësojnë edhe shumë e shumë trima që vdekjen e shikonin drejt në sy dhe i thoshin: Plaç! I tillë qe edhe Hajrullah Miftari (Bali Hajrë), i fshatit Vllahi të Shalës ku kaloi rininë e tij e ku edhe duke qenë për tri vjet në mal si luftëtar i lirisë, u vra në dimër/nëntor të vitit 1945, në një moshë rreth 35 vjeçare. Ai ishte komandant sypatrembur i aradheve balliste, që luftoi krah për krah Riza Selacit dhe shokëve të tjerë në mbrojtje të tërësisë tokësore të trojeve stërgjyshore.

Në këtë vazhdë dalin në skenë si dragonj mali Kadri Bistrica, Ahmet Selaci, Ukshin Kovaçica, Adem Voca etj.

Pinjoll i denjë i këtij trungu të lashtë atdhetarie, mbase më meritori, mbetet autori i librit, profesori, atdhetari e veprimtari i palodhur i çështjes kombëtare, z. Ali Xhemë Peci.

“Nga Xhema dhe Hajdari kemi trashëguar virtytet dhe tiparet e tyre më fisnike e bujare, por kemi trashëguar edhe dashurinë e tyre të madhe për dritën e diturisë, udhërrëfyes i yni i përhershëm në jetën dhe në veprën tonë arsimore e politike, për t’iu bërë krah atdheut e për t’i dalë zot fateve të kombit e të gjithë Shqipërisë. Që të dy e kanë dashur edhe librin, prandaj dashuria për librat mbeti trashëgim që na e mbollën ata, Xhema dhe Hajdari,- shkruan Aliu.

Dhe, në këtë përvjetor, që po afrohet një shekulli jetë, Baci Ali, na dhuroi këta dy libra të shkëlqyer, punuar me përkushtim të veçantë, me një gjuhë të pastër e të pasur, me një rrjedhë logjike të ngjarjeve, me një narracion të lehtë e të kapshëm, me fakte e dëshmi historike, duke na dhënë tablo realiste për ngjarje e personalitete të kohëve të pakohë, kur jeta dhe vdekja rrinin përqafuar!

Urime, përgëzime, shëndet, suksese e mbarësi, i nderuari Ali Xh. Peci!

Prishtinë, 12 korrik 2025

* * *

Shënim: Derisa po përgatisja këtë shkrim të shkurtër për Bacin Ali dhe librat e tij, duke qenë edhe recensent, ai më kishte shkruar:

Respekt dhe mirënjohje për profesorin, shkrimtarin e intelektualin atdhetar Bedri Tahiri, i cili me përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm ka ndihmuar në botimin e dy librave të mi. Sa here jam takuar me të, me ka lënë mbresa të veçanta si dhe më ka dhuruar librat e tij shumë të çmuar me sfond atdhetarie. Me veprën e tij të shumanshme, duke përjetësuar heronjtë dhe dëshmorët tanë, Bedri Tahiri nderon kulturën tonë atdheun dhe kombin tonë!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx