Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Thimi Filipi, një emër sfidues në artin skenik
E enjte, 03.07.2025, 04:50 PM
35
VITE NGA LAMTUMIRA E THIMI FILIPIT
Thimi
Filipi, një emër sfidues në artin skenik dhe qëndroi me përulësi të thellë te
tempullin e filmit
Nga
Albert Vataj
Në
arkitekturën e kujtesës sonë kulturore, disa figura nuk kanë nevojë të shpallen
për të qëndruar. Ato janë aty, me një prani që rrjedh natyrshëm nga
thjeshtësia, nga përkushtimi me pasion dhe vetmohim dhe nga pesha e karakterit
që bartin në kohë dhe kujtesë. Një ndër këto figura është Thimi Filipi, aktor i
madh i skenës dhe ekranit shqiptar, që la një trashëgimi të çmuar në artin e
interpretimit dhe në ndërtimin e karaktereve që mbeten të pashlyeshëm në
memorien e artit shqiptar.
Në
galerinë e artit dramatik dhe kinematografik shqiptar, ai është një emër që
qëndron me përulësi të thellë, por me peshë të patundshme. Po ai, Thimi
Filipit, aktorit që e ndërtoi figurën e vet artistike jo mbi rrahjen e egos,
por mbi përkushtimin, karakterin dhe besnikërinë ndaj misionit krijues. I
lindur në qytetin e traditave të hershme dhe kontributorëve të zedhshëm të
artit skenik, në Korçë më 1906.
Thimi
Filipi e nisi udhëtimin e tij drejt skenës nga rrënjët popullore të një shpirti
të ndjeshëm dhe të formuar në shpirtin qytetar të Beratit, ku hodhi hapat e
parë në teatrot amatorë të këtij qyteti me një traditë të gjallë kulturore.
Në
periudhën e Luftës së Dytë Botërore, ai u përfshi në lëvizjen partizane, duke
kontribuar në krijimin e teatrove në formacionet e luftës, një shembull i asaj
si arti mbetet shpresë edhe në kohët më të errëta. Pas çlirimit, për një
periudhë punoi në spitalin e Beratit, për t’iu kthyer më pas pasionit të
vërtetë: aktrimit. Ai ndoqi një kurs profesional për aktorë dhe shumë shpejt,
me një natyrshmëri të admirueshme, u bë pjesë e Teatrit Profesionist të
qytetit, e më pas, nga viti 1955, trupë e përhershme e Teatrit “Andon Zako
Çajupi” në Korçë, ku roli i tij i parë në dramën “Lulja e kujtimit” do të
shënonte hyrjen e një karakteri të ri në teatrin shqiptar, një aktor që sillte
me vete qetësinë e brendshme, mençurinë popullore dhe ndjeshmërinë e matur të
njeriut që nuk interpretonte, por jetonte rolin.
Por
është kinematografia ajo që do t’i japë atij një shtrirje më të gjerë publike,
duke i besuar një seri rolesh që përbëjnë sot një arkivë të çmuar të
personazheve dhe identiteteve shqiptare në film. Ai debuton në ekranin e madh
me një rol simbolik, Sekretari i Partisë në filmin “Tana” (1958), i cili është
edhe filmi i parë i prodhuar tërësisht në Shqipëri. Që nga ky rol e në vazhdim,
ai do të ndërtojë një portofol të pasur me mbi 30 filma, ku spikat besueshmëria
karakteriale, ngjyresa e matur dramatike dhe një mënyrë interpretimi që nuk e
forcon rolin me patetizëm, por e ngulit atë në kujtesën e spektatorit me fuqinë
e heshtjes dhe gjurmës njerëzore.
Në
çdo rol, Thimi Filipi nuk sillej si një aktor që e impononte veten mbi figurën
që portretizonte, por si një shkrirje e plotë në brendinë e karakterit. Nga
Neziri në “Përballimi” (1976), një figurë me gravitet moral dhe dinjitet epik,
te Fahredini tek “Njeriu me top” (1977), një karakter që ngërthen ngurimin dhe
dashurinë prindërore në realitetin e vështirë të jetës shqiptare; nga Xhemal
Struga në “Ballë për ballë” (1979), ku shfaqet si përfaqësues i bindjes
politike në një klimë tensioni, deri tek usta Nashua në “Si gjithë të tjerët”
(1980), një nga rolet më të ndiera të tij, ku përmes një mjeshtërie të matur
shpaloset portreti i mjeshtrit popullor, që me një humanizëm të heshtur bart
peshën e urtësisë.
Roli
i babait të Irenës në “Pranvera s’erdhi vetëm” (1988), një nga më prekësit në
fundin e karrierës, vjen si një përmbyllje simbolike e një aktori që gjithnjë
kishte luajtur babanë, udhëheqësin moral, mësuesin e heshtur të jetës. Në këtë
rol ai përçoi ndjeshmërinë e një brezi që po largohej, por që linte pas një
trashëgimi të ngrohtë emocionale.
Thimi
Filipi nuk ishte aktori që rrëmbente skenën me zhurmë; ai ishte prezenca e
heshtur, forca e thellë e fjalës së matur, graviteti i figurës që nuk ka nevojë
të flasë shumë për të thënë gjithçka. Ai mishëroi prototipin e shqiptarit të
mençur, të përulur, të drejtë, shpesh të vendosur në pozita etike që e
shndërronin në udhërrëfyes të dramës filmike.
Në
vitin 1987 ai u nderua me çmimin “Aleksandër Moisiu”, një vlerësim që lidhet më
shumë me pjekurinë e figurës së tij artistike sesa me kulmin e suksesit. Pas
vdekjes së tij në Berat më 11 korrik 1992, një vit më pas, ai u nderua me
titullin më të lartë “Artist i Popullit”, një vlerësim i vonuar, por i merituar
thellësisht, për kontributin e tij në pasurimin e artit skenik dhe
kinematografisë shqiptare.
Thimi
Filipi nuk ndërtoi vetëm personazhe, ai gdhendi profile njerëzore, krijoi
identitete të kujtueshme, dhe përmes një gjuhë aktoriale të thjeshtë e të
ndershme, krijoi një arketip të shqiptarëve të zakonshëm që mbajnë mbi shpinë
jetën me dinjitet. Figura të tilla nuk janë vetëm pjesë e historisë së artit tonë,
por janë pjesë e ndërgjegjes sonë kulturore, rrënjë që e mbajnë të gjallë
kujtesën e një brezi që punoi në heshtje për ta ngritur skenën shqiptare në
lartësinë e nderit.