E diele, 27.07.2025, 04:46 AM (GMT+1)

Mendime

Ndue Dedaj: Paketa e maleve dhe 'Mali i Shenjtë' në Orosh

E premte, 27.06.2025, 06:57 PM


PAKETA E MALEVE DHE “MALI I SHENJTË” NË OROSH

(Lobim për një rrugë eko-turistike të dorës së parë)

NGA NDUE DEDAJ

Mali i Shenjtë (ose bjeshkët e Oroshit) në Mirditë, mbi 1300 metra lartësi, është i vetmi me këtë emër në Shqipëri, krahas malit të shenjtë të Tomorit, që Naimi e quante “fron i perëndive”. Nëse në Tomor ngjiten pelegrinët dhe turistët në vijimësi, jo se mund të jetë bërë më e mira dhe atje në anën infrastrukturore, në Malin e Shenjtë të Mirditës, edhe pse vetëm 13 kilometra nga Rruga e Kombit deri lart në Nënshejt, është si të jeshë duke u ngjitur për në hënë, ku një numër jo i vogël makinash, këtë martë, përfunduan në karrotrec...

Në fillim të javës u ngjitën në lartësitë e Oroshit rreth treqind vetë, për të promovuar turizmin malor dhe lobuar për rrugën e re, për të cilën kryetari i bashkisë së Mirditës, Albert Melyshi na thotë se projekti sapo ka përfunduar dhe së shpejti do t’i paraqitet qeverisë për financim. Projekti përfshin kalimin e rrugës së asfaltuar në dy objektet më të rëndësishme historike të Oroshit dhe mbarë krahinës, Abacinë mijëvjeçare dhe Sarajet e Kapidanit, atraksione me mjaft interes për vizitorët. E jo vetëm kaq, rruga do të bënte që dhe “Guri i Skënderbeut”, afër Nënshejtit, të vizitohej nga shtegtarët e maleve dhe lartësive, gjithnjë duke u rrëfyer nga vendasit gojëdhanat për këtë gur...

Por, mbi të gjitha, rruga synon zhvillimin e turizmit malor në një territor nga më të përshtatshmit në Shqipëri për këtë veprimtari ekonomike. Janë vetëm 13 kilometra rrugë të munguar për të prekur këtë “parajsë” tokësore, natyrore të begatë, plot pyje pishe, ahue arrneni, shpella karstike, burime të ftohta etj. Nga ana tjetër, për shkak të terrenit tepër të thyer, thuajse pingul, një mundësi e artë do të ishte dhe një teleferik vetëm dy kilometra i gjatë, por ky mbase do të shihej si luks, edhe pse dikur teleferikë të thjeshtë ka pasur në këto gryka, për mbartje mineralesh (Derven - Rubik), lënde drusore dhe bari nga kullotat e bjeshkëve.

Të rrimë te rruga, projekti ka zdhedhur variantin më të shkurtër, pasi është dhe një tjetër, nga Bulshari, më i përshtatshëm nga terreni, por dhjetë kilometra më i gjatë, përndyshe, prej 23 kilometrash. Nëse para 90-ës, ku mal mahnitës, bashkë me Fushat e Lugjeve, ishte “pronë” e pylltarëve, druvarëve dhe barinjve, më pas nisi të vizitohej nga shkollat, turistët, sidomos ata të huaj, disa prej të cilave kemi pasur rastin dhe t’i shoqërojmë, si italianë, kroatë, amerikanë etj. Do të ishte e tepërt mbase të sillnim këtu pasazhe nga shkrimet e një vargu dijetarësh të vendit dhe të huaj, nëpër kohëra, si Abat Prend Doçi, Edit Durham, Auguste Degrand, Carleton Coon, Ann Bridge, Zef Mark Harapi, Stavri Frashëri, akademik Mark Tirta etj.

Rruga për në Orosh nuk do të ishte kurrësesi vetëm për një fshat, por për jo pak të tillë, përfshi dhe ato kufijarë të Kukësit e Dibrës, që dhe në të kaluarën e kanë bashkëshfrytëzuar me vendasit (mirditorët) këtë bjeshkë përrallore, për blegtorinë etj. Edhe festat fetare e popullore si Shën Gjoni, më 24 qershor, janë kremtuar me të ardhur nga trevat e tjera, paçka besimit fetar të ndryshëm të disave. Kjo ka qenë jeta e këtyre komuniteteve malore në mesjetën e vonë dhe një përtërirje e saj në kushtet e reja të shekullit XXI do të ishte e domosdoshme, pasi sot nuk flitet më veç për panaire artizanale si tre-katër shekuj më parë, por për investime në bujtina, blegori, pylltari, miniera etj.

E marta dëshmoi se çfarë mund të bëjnë aktorët e ndryshëm kur bashkohen për një promovim të potencialeve ekonomike e turistike të vendit të tyre, ku kësaj here “violinë e parë” ishin emigrantët që mbuluan shpenzimet, të cilët edhe pse të pranishëm në veprimtari, nuk dolën në podium. Përkundrazi ishin të tjerët që i falënderuan ata, që jo vetëm nuk ia kthejnë shpinën vendlindjes, por dhe duan ta rigjallërojnë atë, jo me patetikë atdhetare “folklorike”, por realisht, ashtu siç kanë parë me sytë e tyre në bjeshkët e Italisë, Austrisë, Zvicrës etj. Teksatë tjerë oroshas, që kanë punuar në emigracion, kanë projekte turistike në proces, apo në themele.

Në veprimtarinë e sipërthënë kishte banorë të zonës, biznesmenë të njohur, deputetë, drejtues vendorë dhe të qarkut, njerëz të politikës dhe veprimtarë të shoqatave, gazetarë të mediave të ndryshme, bardës të folkut dhe etnografisë, fëmijë e të rinj, si dhe ipeshkvi i Dioqezës së Rrëshenit imzot Gjergj Meta. “Firma” e të gjithëve ishte për t’i dhënë udhë në radhë të parë projektit të rrugës, që përshkon njërin nga parqet kombëtare dhe zonat e mbrojtura të vendit. Edhe pse këto pak radhë kanë për synim lobimin, duke iu bashkuar zërave të tjerë, nuk na falet që kemi mbërritur në këtë farë brakstisje të maleve. Duke qenë tepër vonë, duhet nxituar me investime para se këtu të mbetën vetëm zogjtë dhe gjinkallat e zhegut! Ende bjeshkët e Munellës, Zepës, Kaçinarit, Selitës (ku gjendet dhe Kroi i Bardhë unik) etj. përshkohen vetëm nga rrugë “traktori”, ndaj Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, thotë se duhen luajtur të gjithë “gurët” dhe harmonizuar të gjithë faktorët (bashkia, qeveria, biznesi, donatorët, agjensitë turistike etj.) për të realizuar jo vetëm këtë projekt rrugor, por disa projekte ekonomike me përparësi për zonën, që kanë të bëjnë me agropërpunimin, vreshtarinë, blegtorinë etj. Lobimi nuk nënkupton “lutjen” drejtuar qeverisë, për të konsideruar këtë apo atë projekt, pasi Oroshi sa ç’është përgjegjësi e bashkisë së Mirditës, po aq është dhe i qeverisë, në mos më shumë e kësaj të fundit, pasi ka në posedim buxhetin e shtetit, grantet qeveritare etj.

Fjalët e shumta nuk vlejnë në këtë rast, mjafton të lobojmë të gjithë për rrugën e Oroshit, atraksionit turistik - historik numër një në Mirditë, që qeveria ta vlerësojë në përparësitë e zhvillimit të zonës, duke gjetur mundësinë e financimit të këtij projekti të mirëpritur. Paketa e Maleve mund të ishte e duhura për realizimin e tij dhe vitalizimin e një bjeshke aq të frytshme, as njëqind kilometra nga Tirana. Ndërkohë që Muzeu i Kujtesës në Spaç, ndonëse në këtë rajon dhe krejt afër me Oroshin, është një projekt kombëtar.

“Paketa” e detit ishte më se e nevojshme dhe thuajse është përmbyllur sa i përket infrastrukturës, por nëse deti e bën vetë gjysmën e punës, jo vetëm se është më afër “mbretit”, për malet lypet më shumë se një paketë, një aksion qeveritar i pandalshëm, deri sa ato të bëhen të aksesueshme dhe kësisoj të jetueshme, në kontekstin e ri eko-turistik, agroturistik etj.

Kështu malet tona do të bëheshin dhe më të shenjta…



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx