Mendime
Federata e Arbërisë: Kundër shpërfilljes së gjuhës shqipe në teknologjitë globale dhe platformat digjitale
E marte, 03.06.2025, 06:54 PM
DEKLARATË ZYRTARE E FEDERATËS SË ARBËRISË:
Kundër shpërfilljes
së gjuhës shqipe në teknologjitë globale dhe platformat digjitale
Të nderuar autoritete, institucione
kulturore, gjuhësore dhe akademike, brenda dhe jashtë trojeve shqiptare,
Federata e Arbërisë, si një organizatë kulturore
dhe identitare me mision të qartë për ruajtjen dhe promovimin e gjuhës,
historisë dhe trashëgimisë kombëtare shqiptare, shpreh shqetësimin e saj të
thellë për mosrespektimin dhe deformimin e gjuhës shqipe në
platformat teknologjike, sistemet e inteligjencës artificiale dhe programet
grafike globale.
Në një kohë kur teknologjia po udhëheq mënyrën e
komunikimit, mungesa e përfshirjes së plotë dhe të drejtë të shkronjave
shqipe "Ë" dhe "Ç", si dhe deformimi i fjalëve shqipe në
mënyrë automatike, përbën një rrezik real për asimilimin digjital
të gjuhës sonë dhe përçudnimin e identitetit tonë kulturor në sytë e
botës.
Kjo nuk është një çështje
teknike – është çështje e sovranitetit kulturor dhe gjuhësor.
Kërkesat tona:
1.
Përfshirja e
standardit të gjuhës shqipe në sistemet ndërkombëtare të AI-së, grafikes dhe
komunikimit digjital, me korrektësi absolute të
shkronjave tona burimore.
2.
Reagim zyrtar nga
Ministritë e Arsimit dhe Kulturës të Shqipërisë dhe Kosovës, Akademitë e
Shkencave, si dhe Institucionet Gjuhësore Kombëtare, për të garantuar përdorimin e saktë të shqipes në
teknologji.
3.
Thirrje komunitetit
akademik, dijetarëve të gjuhës, shoqatave të diasporës dhe mediave shqiptare, që të mos heshtin përballë këtij asimilimi
digjital që po i ndodh gjuhës së Skënderbeut, Naimit dhe Fishtës.
Federata e Arbërisë nuk do të heshtë. Ne
do të reagojmë në çdo formë të mundshme kombëtare dhe ndërkombëtare, për të
ruajtur dritën dhe pastërtinë e gjuhës shqipe, ashtu siç na e lanë
amanet rilindasit, patriotët dhe martirët tanë të historisë.
Me nderime kombëtare,
FEDERATA E ARBËRISË
Zëri i identitetit, unitetit dhe kulturës shqiptare-Tiranë-Prishtinë-Shkup
-Diaspora Shqiptare