Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Letra e Tatjanës dërguar Onjeginit
E merkure, 28.05.2025, 02:54 PM
LETRA E TATJANËS DËRGUAR ONJEGINIT
Romani
në vargje “Eugjen Onjegini” - Pushkin
Nga
Prof. Xhelal Zejneli
Po
të shkruaj. E ç’mund të bëj diç më mirë se kjo? Ç’mund të të them më shumë?
Tani varet prej teje se a do të më shpërfillësh. Por nëse fati im i zi sado pak
të trondit dhe të shqetëson, ti nuk do të heqësh dorë nga unë. Në fillim doja
të hesht. E po të mos e kisha shkruar këtë letër ti s’do të kishe kuptuar për dhimbjen time dhe as për turpin
që më shkaktojnë këta rreshta . U tregova e guximshme dhe tani shpresoj se
përsëri do të na vish. Shpresoj se ndonjëherë do ta vizitosh fshatin tim.
Shpresoj të takohemi dhe të kënaqem me zërin tënd. Të të them diçka që pastaj
të kem për çka të mendoj. E vetmuar, të vuaj ditë të tëra dhe në netët e gjata,
derisa të më vish përsëri. Si një djalë i veçantë që je, s’e duron dot mërzinë
që të shkakton fshati. Ne mbase nuk shkëlqejmë me asgjë, por ndaj të tjerëve
jemi të sinqertë. Përse më erdhe këtu në fshat? Në stepën ku jetoj. Po të mos
kishe ardhur unë kurrë s’do të të kisha takuar dhe s’do të kisha ditur se
ç’është vuajtja. Pastaj do të isha përpjekur për t’i qetësuar ndjenjat e mia të
trazuara. Ndoshta një ditë do të kisha gjetur një shok besnik dhe do të isha
bërë gruaja e tij e devotshme, kurse për fëmijët e mi, një nënë e mirë.
Kushedi?! Po ndaj të tjerëve? Oh jo, askujt tjetër në këtë botë, nuk do t’ia
kisha falur zemrën. Që atëherë kështu ka qenë e shkruar. Për ty jam dhuratë e
qiellit. Jeta ime ka qenë peng i shpresës se do të të takoj midis njerëzve. E
di mirëfilli se të dërgoi Zoti që deri sa të jem gjallë të jesh mbrojtësi im.
Më erdhe në ëndërr por ishe i padukshëm. Sytë e tu më ndiqnin kudo. Shumë kohë
më parë në shpirtin tim jehonte një zë. Jo, këtë s’e kam ëndërruar. Sikur e
dija se do të vije. Dukesha si e vdekur por ndjehesha edhe e përflakur. Dhe
thashë: ishte ai! Më dukej se të dëgjoja - e vetmuar. Më ke folur njëherë kur i ndihmova një lypësi të varfër, kur u
luta të ndalen stuhia dhe mundimi në një zemër të dëlirë. A nuk qe ti në atë
çast, o fantazma ime e dashur. U humbe në terrin e natës si një hije, pastaj u
ktheve dhe u përkule mbi kokën time. Me zë të ulët më the fjalë të sinqerta
shprese, fjalë plot dashuri. Vallë, kush je ti? Rojtari i shpirtit të një vashe
apo fryma ogurzi që më tundon. Hiqmi dilemat që po ma zënë frymën Mos janë këto
ëndrrat e mia, lajthitjet e një vajze të re. A mos është diçka krejt tjetër.
Sidoqoftë, s’kam se ç’të fsheh. I dorëzohem mëshirës tënde dhe para teje derdhi
lot dhimbjeje. Të lus të më marrësh nën mbrojtjen tënde. Këtë kërkoj prej teje.
Të të vijë keq se këtu jam e vetmuar. S’kam askënd që të më kuptojë.
Rraskapitem dhe e humbi mendjen, kurse zemra - e heshtur vuan. Po të pres, të
shpërthejë një zë në mua. Më kthe në jetë, më gjallëro të paktën me një shikim.
Me qortimin e ashpër dhe të drejtpërdrejtë më nxirr nga ky gjumë i rëndë. Oh më
nxirr, se mbarova! Kam frikë të lexoj. Nga turpi që t’i shpreh këto ndjenja, më
është zënë fryma. Por nderi yt më jep frymë plot jetë, ndaj i dorëzohem asaj pa
frikë...