Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Teksasi dënon komunizmin dhe kërkon mësimin e krimeve të tij në shkolla
E marte, 27.05.2025, 06:58 PM
DHOMA E PËRFAQËSUESVE E SHTETIT TEKSAS – DËNON KOMUNIZMIN DHE KËRKON MIRATIMIN E LIGJIT QË NË SHKOLLAT E SHTETIT TË MËSOHET MBI KRIMET E KOMUNIZMIT
Nga Frank Shkreli
Dhoma e Përfaqsuesve e
shtetit Texas miratoi të mërkurën e kaluar projekt-ligjin sipas të cilit
shkollat publike të atij shteti duhet të mësojnë nxënsit dhe studentët -- nga
fillorja deri në mbarim të shkollës së mesme -- mbi krimet e komunizmit
ndërkombëtar. Ky projektligj ishte aprovuar marsin që kaloi nga Senati i shtetit
Teksas me 28-3 vota dhe javën që kaloi Dhoma e Përfaqsuesëve e këtij shteti
miratoi projektligjin me vota dërmuese, 119 në favor, ndërsa 13 demokratë
votuan kundër. Projektligji i dërgohet tani Governatorit republikan të shtetit
Teksas,Greg Abbot, i cili sipas medias lokale atje, pritet ta nënshkruaj duke e
bërë këtë ligj detyrues për të gjitha shkollat publike në Teksas. Detyron
ndryshimin e programeve aktuale mësimore për klasët 4-12 me qëllim që të
kuptohet më mirë historia kriminale e “komunizmit dhe ideologjive”, që siç u
shpreh zëvëndës governatori i atij shteti, Dan Patrick, një ligj i tillë ishte
i nevojshëm, “ashtuqë historia të mos përsëritet më”.
Mediat njoftojnë se Bordi
Shtetëror i Arsimit të Teksasit do të këshillohet me viktimat e komunizmit për
të bërë ndryshimet e nevojshme në programet e mësimit për klasët 4-12-vjeçares.
Miratimi i këtij projektligji nga dy dhomat legjislative të Teksasit është në
vazhdën e shumë përpjekjeve të tilla, viteve të fundit, nga disa shtete
amerikane për të njohur, zyrtarisht, publikun dhe politikën amerikane mbi krimet
e komunizmit dhe për të kujtuar viktimat e komunizmit anë e mbanë botës. Frank Shkreli: Florida përforcon
me ligj standardet shtetërore të edukimit mbi rreziqet, krimet dhe të këqiat e
komunizmit | Gazeta Telegraf. Por jo vetëm
shtete individuale të Amerikës, por edhe Kongresi amerikan i është bashkuar
kësaj lëvizjeje për të denoncuar komunizmin si ideologji dhe për të kujtuar
viktimat e tij.
Frank Shkreli: Kongresi i
Shteteve të Bashkuara denoncon tmerret e socializmit | Gazeta Telegraf.
Këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
është Fondacioni i Viktimave të Komunizmit (Victims of Communism Foundation),
organizata kryesore që promovon, lobon dhe mbështet – në nivel shtetëror dhe
federal – që zyrtarisht të dënohen krimet e komunizmit dhe të kujtohen miliona
viktimat e pafajshme të atyre regjimeve, anë e mbanë botës. Për fat të mirë, komuniteti
shqiptaro-amerikan dhe viktimat e komunizmit në Shqipëri kanë një zëdhënse të
fortë, shumë të aftë si Këshilltare e Fondacionit, Elida Dakoli,
pianiste e njohur botërisht, autore, profesoreshë, aktiviste e të drejtave të
njeriut, sipërmarrëse dhe aktiviste kundër krimeve të komunizmit këtu në
Shtetet e Bashkuara.
Shqiptaro-Amerikanja Elida Dakoli,
D.M.A.Dr. rrjedhë nga një familje, politikikisht, e përsekutuar nga regjimi diktatorial
komunist i Enver Hoxhës. Ajo është
stërmbesa e Avokatit Hysen Myshketa, një nga themeluesit e Parlamentit të parë
Shqiptar në vitin 1921 dhe një mbështetës i flaktë i demokracisë shqiptare në
kohën kur ai jetoi e veproi. Pas vrasjes së tij nga regjimi komunist, familja e
Elida Dakolit u persekutua për bindjet e tyre politike anti-komuniste, pro-demokracisë.
Sadik Dakoli, gjyshi i saj nga babai, është vrarë edhe ai në kampet komuniste. Elida
ka deklaruar se persekutimet ndaj anëtarëve të familjes së saj kanë vazhduar me
dekada dhe ndonëse kanë kaluar 35-vite të ashtuquajturit tranzicion nga regjimi
komunist në “demokraci”, ende nuk dihet se ku i kanë varret familjarët e saj, të
vrarë nga komunizmi. Për më shumë hollësi mbi historinë e vuajtjeve të familjes
Dakoli mund të lexoni në portalin Kujto.al: Elida Dakoli: Një histori
përndjekjeje, e shoqëruar në piano - kujto.al | Arkiva Online e Viktimave të Komunizmit
në Shqipëri. Si aktiviste e
palodhur anti-komuniste në Shtetet e Bashkuara, Elida Dakoli nuk pushon së
kërkuari drejtësi për familjarët e saj të vrarë nga komunizmi enverist. Si
anëtare e lidershipit të Fondacionit të Viktimave të Komunizmit, me qëndër në
Washington, Elida Dakoli -- Elida Dakoli, D.M.A. | Victims
of Communism Memorial Foundation – është në krye të përpjekjeve për të dënuar krimet e
komunizmit ndërkombëtar, përfshir viktimat e komunizmit në Shqipëri, dhe për të
kujtuar ato viktima, me moton që ato krime të mos përsëriten më. Prandaj Elida
Dakoli i është bashkangjitur ndoshta organizatës më të njohur anti-komumiste në
Amerikë, Fondacionit të Viktimave të Komunizmit, në përpjekjet për të informuar
politikën dhe publikun e gjërë në Shtetet e Bashkuara për krimet e komunizmit
ndërkombëtar, anë e mbanë botës, pjesë e të cilës, natyrisht, janë edhe krimet
e regjimit komunist ndaj kundërshtarëve të tij politikë në Shqipëri, por jo
vetëm.
Po e ve në dukje rolin e Elida Dakolit dhe
përpjekjet e saja për të edukuar publikun dhe politikën amerikane mbi krimet e
komunizmit në Shqipëri dhe në botë – duke e lidhur punën e saj të palodhur disa
vjeçare në këtë fushë, drejtë për drejtë, me vendimin që mori javën e kaluar
legjislatura e shtetit Teksas për të detyruar shkollat publike në atë shtet që
në programet mësimore të përfshihen krimet e komunizmit ndërkombëtar dhe
historinë e komunizmit në, përgjithësi, si dhe të kujtohen viktimat e atyre
regjimeve. Në portalin e Fondacionit të Viktimave të Komunizmit thuhet se në
paraqitjet e saja para legjislaturës, me dëshmitë e saja për krimet e
komunizmit në Shqipëri, Elida Dakoli ka shkundur Dhomën e Përfaqsësuesve të Teksasit
me historinë tepër të dhimbëshme të përvojave tragjike të familjes së saj nën
regjimin komunist të Shqipërisë.
Unë jam përpjekur ti sjellë këto
shembëlla të dënimit të krimeve të komunizmit dhe miratimit të ligjeve që
mandatojnë mësimin në shkolla të krimeve të komunizmit ndërkombëtar nga Kongresi
Amerikan dhe nga legjislatura shtetesh të ndryshme këtu Shtetet e Bashkuara të
Amerikës Jo për të shitur mend as për të provokuar njeri – por për të informuar
me qëllim dhe me shpresë se edhe Shqipëria, por edhe Kosova mund të marrin
shembëll dhe të ndërmarrin nisma të tilla legjislative për mësimin në shkollat
shqiptare – mbi krimet e komunizmit – që janë ndër krimet më barbare në trojet
shqiptare dhe në në botën komuniste, në përgjithsi. Për fat të keq, në rastin e
Shqipërisë por edhe të Kosovës – sa u përket krimeve të komunizmit sllavo-aziatik
prej gjysëm shekulli në trojet shqiptare, kemi të bëjmë me një klasë politike
të pa ndërgjegjëshme dhe të papërgjegjëshme, për të mos thenë të pa moralshme,
sa i përket dënimit të krimeve të komunizmit dhe kujtimit të viktimave të atij
regjimi sllavo-shqiptar që ka skllavëruar shqiptarët për një gjysëm shekulli!
Për 35-vjet tani, kjo klasë politike shqiptare han me dy lugë sa i përket
krimeve të komunizmit dhe dënimit të krimeve të atij regjimi, siç ka bërë e
gjithë bota perëndimore. Brenda vendit hanë me “lugë të ndryshkura” të
komunizmit të Enver Hoxhës duke mohuar ose në minimum duke u treguar indiferent
ndaj krimeve të komunizmit, por shpesh edhe nostalgjikë ndaj atij regjimi.
Ndërsa me të huajt, siç ishte rasti i takimit të fundit të “European Political
Community (EPC)”, Komuniteti Politik Evropian në Tiranë, politika zyrtare
shqiptare paraqitej si demokratët më të mëdhej të Evropës dhe Amerikës, duke
përdorur “lugë argjendi”, me të huajt – me pretendimin se “Shqipëria është
Evropë”.
Po, po,shqiptarët dëshirojnë të jetojnë
sin ë Evropë, në një Shqipëri të lirë e demokratike, me zgjedhje të lira, e në
një Shqipëri të begatë për të gjithë dhe pa dallim. Shqipëtarët më shumë se
liderët e tyre politikë, dëshirojnë të këthehen në Evropë. Por në Evropë nuk
shkohet me bagazhin e krimeve të komunizmit dhe me nostalgjinë zyrtare
komuniste për Enver Hoxhën, e dukshme në të gjitha nivelet zyrtare të
politikës, medias dhe fushave të tjera.
Si në asnjë vend tjetër ish-komunist, falë kësaj klase politike
nostalgjike për një sistem barbar të vdekur, shqiptarët që kanë mbetur pa u
larguar nga trojet shqiptare vazhdojnë të jetojnë, brenda gënjeshtrës komuniste
gjysëm shekullore dhe jo brenda të vërtetës historike! Ndryshe nga Shqipëria
dhe Kosova të cilat nuk dënojnë, zyrtarisht, krimet e komunizmit gjatë dhe pas
Luftës së II Botërore – këtu në Shtetet e Bashkuara disa shtete – siç është
Teksas-i, shteti i dytë më i madh pas Kalifornisë, me më shumë se 30-milionë
banorë, po miratojnë ligje për të mësuar brezat për krimet e komunizmit
ndërkombëtar – me qëllim që të mos përsëriten më. Po, Shqipëria, por edhe Kosova, kur do të
përballen me të kaluarën barbare komuniste të dy regjimeve si motra që së
bashku dhe veças kanë shkaktuar mijëra viktima shqiptare të kundërshtarëve të
komunizmit, anë e mbanë trojeve shqiptare?
Fatkeqsisht, në rastin e Shqipërisë, kemi
të bëjmë me atë që Vaclav Havel e ka quajtur “sistem post-totalitar”, i cili
sipas tij nuk duhet të keqkuptohet se me parashtresën ‘post’, nuk do të thotë
se ai sistem nuk është totalitar. Sipas
Havelit, një regjim i tillë, “është
rob i gënjeshtrave të veta, ai duhet të falsifikojë gjithçka.
Post-totalitarizmi, falsifikon të kaluarën. Ai falsifikon të tashmen dhe
falsifikon të ardhmen. Falsifikon statistikat…”, ka shkruar ndër të tjera Havel
në esenë, (i978) “Fuqia e të pafuqishëmve”, në lidhje me sistemet
post-totalitare. Një shkrim, që në atë kohë, ka shkundur themelet e komunizmit
në Evropën Lindore e Qendrore, por jo në Shqipëri, as atëherë e siç duket as
sot, 35 vjet pas shembjes së Murit të Berlinit. Mos përballja me të të kaluarën
kriminale të një sistemi totalitar siç ishte komunizmi i Enver Hoxhës, dhe me
viktimat e pafajshme të atij sistemi, le të kuptohet, sipas Vaclav Havelit se
një sistem që mund t’a quaj veten post-totalitar nuk do të thotë,
domosdoshmërisht, se nuk është totalitar.
“Kjo është arsyeja pse jeta në atë sistem
është kaq e përshkuar me hipokrizi dhe gënjeshtra: qeveria me burokraci, quhet
qeveri popullore; klasa punëtore skllavërohet në emër të klasës punëtore;
degradimi i plotë i individit paraqitet si çlirimi i tij përfundimtar; privimi
i njerëzve nga informacioni thuhet se po ua ve në dispozicion informacionin;
përdorimi i fuqisë për të manipuluar, quhet kontrolli publik i pushtetit dhe
abuzimi arbitrar i pushtetit quhet respektim i kodit ligjor; shtypja e
kulturës, quhet zhvillimi i saj; zgjërimi i ndikimit perandorak paraqitet si
mbështetje për të shtypurit; mungesa e shprehjes së lirë konsiderohet si forma
më e lartë e lirisë; zgjedhjet qesharake bëhen forma më e lartë e demokracisë”,
ka shkruar, ndër të tjera, Vaclav Havel në esenë Fuqia e të Pafuqishëmve (the
Power of the Powerless).
Dr Elida Dakoli, Shqiptaro-Amerikanja,
anëtare e Këshillit të Fondacionit të Viktimave të Komunizmit në Washington
(Victims of Communism Foundation) dhe banuese në shtetin Teksas i ka dhënë
goditje të rënda komunizmit shqiptar në dëshmitë e saja gjatë viteve në Dhomën
e Përfaqësuesve të shtetit Teksas, ndërsa ka kujtuar përvojat tragjike të
familjes së saj nën regjimin komunist të Enver Hoxhës. Dëshmi që i kanë
paraprirë miratimit, javën që kaloi, të projektligjit në legjislaturat e
Teksasit për të detyruar mësimin – në të gjitha shkollat publike të atij shteti
-- mbi historinë dhe krimet e komunizmit.
Përfaqsuesi demokrat i shtetit Teksas,
Riçard Pena Raymond u bëri thirrje anëtarëve të Partisë së tij të votojnë në
favor të projektligjit që u kërkon shkollave publike të edukojnë fëmijtë për
krimet e komunizmit dhe të kujtohen viktimat e tij, ashtu që ato kirme të mos
përsëriten më. ©Texas House of Representatives© The Center Square
UNITED STATES - Texas State Capitol building in Austin, Texas. (Photo By Bill Clark/CQ Roll Call)