E premte, 06.06.2025, 10:23 AM (GMT+1)

Speciale

Paulin Z. Zefi: Portreti artistik autentik dhe fizionomia e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut

E diele, 18.05.2025, 07:00 PM


Portreti artistik autentik dhe fizionomia e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut

(Kumtesa ime e mbajtur sot në Bülach, Zvicër??, gjatë ekspozitës "GJERGJI NË ART", organizuar nga Shoqata "Gjergj Kastrioti", Zvicër)

Nga Paulin Z. Zefi

Deri më sot, përveç variantit të M.Barletit, i cili tregohet shumë i kursyer, nuk ekziston ndonjë përshkrim tjetër, qoftë edhe i shkurtër, mbi tiparet e fytyrës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Mjerisht, në atë kohë, siç konstaton Odhise Paskali, Shqipërisë i mungonte artisti, që paralel me historinë monumentale të M.Barletit, të na kishtë lënë në trashëgim të çmuar veprën e artit, që të na jepte idenë e Skënderbeut të vërtetë, sepse pikërisht në epokën e lulëzimit të Rilindjes Europiane, vendi ynë ishte i përfshirë në një luftë titanike kundër një armiku të egër dhe 100 herë më të madh, duke bërë që vendi i artistit shqiptar të ishte fusha e betejës (1). Në gojëdhënat e ruajtura brez pas brezi nga populli jonë, ai portretizohet si një krijesë jashtëzakonisht e fuqishme: “Burrë me brina në ballë” dhe si “Dragua me fletë nën sqetull (2) etj., por kuptohet qartë se këto lloje përfytyrimesh janë fryt i fantazisë dhe të lidhura ngushtë me mitologjinë tonë të lashtë! Prandaj, për të krijuar një ide sa më të saktë të fizionomisë së tij, jemi të detyruar që t’i drejtohemi paraqitjes së portretit të tij në ikonografi (3). Imazhi i parë dhe më i hershëm i portretit të Gjergj Kastrioti-Skënderbeut, që daton 13 vite para vdekjes, është një kokë e gdhendur në gur, e cila është punuar nga arkitekti dhe skulptori nga Zara, Juraj Matejev Dalmatinac më 1455, me ndihmën e skulptorit arbër, Andrea Aleksi nga Durrësi dhe, kjo skulpturë me dimensione 29.7 x 18.9 cm gjendet e ekspozuar deri në ditët e sotme në absidën (kurorën) jugore të Katedrales “Shën Jakovi”, në Shibenik të Kroacisë (4). Gjatë viteve të fundit të jetës, datojnë edhe tre imazhe të tjera: 1) Medalioni me portretin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut me mbishkrimin “GEORGIVS CASTRIOTT DE SCANDERBEG INVICTISS", i punuar në vitin 1463 nga skulptori dhe artisti i njohur italian, Antonio di Puccio Pisano, i quajtur Pisanello, që është një medalion me karakter perkujtimor ose jubilar, i cili gjendet në "Sigmund Morgenroth Collection of Renaissance Medals and Plaques", AD & A Museum, në Santa Barbara të Kalifornisë, në SH.B.A.; 2) Portreti me akronimin “E V (Epirota Victor)”, që gjendet në manuskriptin "De Romanorum Magistratibus" të autorit, Andrea Domenico Fiocco, një libër i shkruar dhe i botuar për herë të parë më 5 nëntor 1465 dhe 3) Portreti që gjendet në afreskun mbi portën e "Palazzo Scanderbeg", në Romë, për të cilin thuhet se është punuar në bazë të skicave të piktorit italian, Gentile Bellini, gjatë qëndrimit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Romë nga data 12 dhjetor 1466 deri më 14 shkurt 1467 (5). Përpos katër punimeve që u përmendën më lart, të gjitha portretet e tjera të pafundme artistike të punuara në pikturë, në gravurë, në skulpturë apo nëpër medalionë, janë kryesisht të vona dhe si të tilla nuk kanë ndonjë rol përcaktues në portretizimin objektiv të imazhit real që ka patur Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Përfytyrimet e imazhit të tij nga piktorë, skulptorë dhe artistë të ndryshëm janë aq të shumta, sa ende deri më sot nuk është botuar një album i plotë, i cili mundet t'i paraqesë të gjitha këto punime që gjenden të ruajtura dhe të ekspozuara në shumë qytete të Europës. Po ashtu, janë me dhjetëra e qindra portrete të Heroit tonë Kombëtar që zbukurojnë botimet e vjetra biografike kushtuar atij. Sipas At Vinçenc Malaj, O.F.M., nëpër koleksione botërore, shtetërore dhe private, është ruajtur një numër i madh i portreteve të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, por mjerisht vjetërsia dhe kualiteti i tyre artistik është mjaft i dobët, janë të gjitha kopje, ose kopje të kopjeve të shumta të fundit të shek. XVI, të shek. XVII dhe XVIII (6). Megjithatë, vihet re se shumica e këtyre pikturave, skulpturave dhe gravurave, japin pak a shumë të njëjtin përfytyrim për Heroin tonë Kombëtar (7). Historiani italian, Antonello Biagini, vëren se në artin pamor ekzistojnë dy mënyra të ndryshme për të pasqyruar portretin e Gjergj Kastriotit, të mbiquajtur Skënderbeu: “Një fytyrë krenare, e ashpër, burrërore, prej luftëtari trim e prijësi të zot, të aftë për të udhëhequr njerëzit e vet drejt fitores, për ku shohin dy sy të rreptë; ose me tiparet e ëmbëlsuara të një ati, që u jep besim të bijve." Mirëpo, sipas studiuesve të ndryshëm, në historinë e arteve pamore shqiptare dhe të huaja, nuk njihet ende me siguri ajo që mund të cilësohet si vepra më e hershme nga e cila u frymëzuan artistët e mëvonshëm (9), pra vepra, e cila ka shërbyer si prototip për piktorët dhe skulptorët gjatë kompozimit të figurës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut (10). Studiuesit shqiptarë, të cilët janë marrë posaçërisht me ekzaminimin e hollësishëm të disa prej punimeve më të vjetra artistike, duke u përpjekur të përcaktojnë portretin artistik autentik, janë: Faik Konica (11), Fan Stilian Noli (12), Vinçenc Malaj (13), Dhorka Dhamo (14), Odhise Paskali (15), Aanastas Kondo (16), Ferid Hudhri (17), Flamur Hadri (18), Zef Prela (19), Kasem Biçoku (20), Kristo Frashëri (21), Moikom Zeqo (22), Ilira Çaushi (23), Ilia Karanxha (24), Ylli Polovina (25), Petrika Thëngjilli (26), Rexhep Goçi (27), Eqrem Zenelaj (28), Naim Flamuri (29), Lutfi Alia (30), Valter Shtylla (31), Astrit Tota (32), Ilir Konomi (33), Musa Ahmeti (34), Albert Vataj (35) dhe sidomos Luan Tashi (36), i cili ka bërë një punë kolosale. Pavarësisht se autorët e lartpërmendur janë të ndarë midis varianteve të ndryshëm, pjesa më e madhe prej tyre fokusohen kryesisht te portreti i Heroit tonë Kombëtar i realizuar në pikturë, i cili është më i njohuri dhe që konsiderohet si origjinal dhe autentik, që sot ruhet në "Galleria degli Uffizi", në qytetin e Firences. Ky portret është i ekspozuar në korridorin monumental të "Galleria degli Uffizi" me etiketën: "Tavola 1.2. Il ritratto di GEORGIUS SCANDER:BEK, Olio su tela; 60 x 45 cm. Numero dell’inventario 16 (C.P.p 215, Nr 249). La cornice in legno di noce, verniciatura d’oro. Galleria Degli Uffizi. Attribuito a Cristofano dell’Altissimo (1525-1605).” Në atentatin me dinamit, që pësoi "Galleria degli Uffizi" më 27 maj të vitit 1993, u dëmtuan shumë piktura që ndodheshin në korridorin e galerisë, por fatmirësisht ky portret, i cili ndodhej aty, shpëtoi pa u cënuar. Gjatë punës restauruese të pikturave që u krye nga Barbara Schleicher në periudhën "dhjetor 1993 - maj 1994”, portreti u çlirua nga ndërhyrjet dhe doli në dritë puna e mirëfilltë e mjeshtrit, Cristofano dell’Altissimo. Po ashtu, artistja-restauratore në fjalë, poshtë mbishkrimit "GEORGIVS SCANDERBEG", që jemi mësuar ta shohim në disa botime, ajo zbuloi mbishkrimin origjinal të piktorit fiorentin: "GEORGIUS CASTRIOTUS SCANDERBECUS." Portreti i punuar me vaj në kanavacë mendohet se është realizuar në vitin 1466, por duke qenë se "autori zyrtar" i tij konsiderohet i lartpërmenduri, Cristofano Dell’Altissimo, i cili ka lindur në vitin 1530 pra, 62 vjet pas vdekjes të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, do të thotë se është kopje e një portreti tjetër, të realizuar në vitin 1466, kur Prijësi arbër ishte 61 vjeç. Në këtë portret, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu paraqitet në profil, me kokën e kthyer djathtas, me mjekër të gjatë, të thinjtë dhe të dallgëzuar (mjekër profetike), e cila i rrëshqet hijshëm mbi kraharor, me hundën e madhe e pak të përkulur, mustaqet e bardha e të gjata i mbulojnë buzën e sipërme, buza e poshtme e spikatur dhe pak e shpërvjelur ose kacavjerrur. Në kokë mban një kësulë/beretë prej skarlati të kuq, të ashtuquajtur "alla Carmagnola", për të cilën flet Dh.Frangu. Poshtë saj rrëshqet një copë astari ose pecetë me ngjyrë të bardhë, që padyshim, përveç funksionit estetik, ajo do të ketë shërbyer për të thithur djersët. Balli i gjerë e pak i rrudhosur është i mbuluar deri në gjysëm nga "alla Carmagnola", faqja jepet me mollëza të gjera, vetullat janë të pakta, qepallat qëndrojnë të tendosura lehtë ose gjysmë të lëshuara, ngjyra e syve është kafe e errët, shikimi është mjaft i thellë dhe i mprehtë, por më tepër i ëmbël se sa i vrazhdë. Mban veshur një mantel të kuq prej mëndafshi, të rrethuar në pjesën e përparme dhe më pak në atë të pasme me një rrip gëzofi me ngjyrë të zezë e ndërsa në qafë duket qartë një qafore/jakë e kuqe, nën të cilën bie në sy një astar i bardhë i qendisur ose ndoshta bëhet fjalë për qaforen e një veshje të brendshme. Flokët janë të prera shkurt, por në këtë portret dallohen qartë "qafa e fuqishme dhe e përkulur, si e athletëve" dhe "ngjyra (e lëkurës) e bardhë si e derdhur në të kuq të padukshëm", pikërisht ashtu siç e përshkruan M.Barleti. Ndërsa, për studiuesin N.Flamuri, një element shumë i rëndësishëm që zbulon portretin origjinal të Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, janë edhe vrragat ose shenjat e plagës me topuz të paraqitura në tëmth. Sipas tij, kur shihet mënyra skulpturale e dydimensionale e portretit, që është madje aq e thelluar dhe që e tregon në tëmth varrën (plagën) e topuzit, në syrin e djathtë, atëherë lind pyetja: -E zëmë sikur të ishte shpikje, pse duhej të ishte patjetër ky detaj ashtu si i djegur dhe të pasqyrohej me këmbëngulje nga piktori që ka realizuar këtë portret? (37).

Siç u tha më lart, pjesa më e madhe e biografëve të vonë të Heroit tonë Kombëtar, së bashku me specialistët më të njohur të Historisë së Artit, edhe pse disa prej tyre me mjaft rezerva, ata e kanë pranuar si të mirëqenë faktin se portreti origjinal dhe autentik i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut është pikërisht ai që sot ruhet në "Galleria degli Uffizi", në Firenze, i punuar nga Gentile Belini, më pas i riprodhuar me besnikëri nga Cristofano Dell’Altissimo si pjesë e koleksionit të pasur të humanistit e shkrimtarit erudit, Paolo Giovio, në Como. Po ashtu, mendohet se është pikërisht ky punim, i cili dëshmon se Gentile Belini ishte i lidhur me “Shkollën e Shqiptarëve” apo “Shkollën e Shën Marisë, Shën Gallo (1442)”, në San Severo, në Venecia, e themeluar nga piktori Vittore Carpaccio (38).Ky portret i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut fillimisht ndodhej në Palazzo Vecchio, që ishte rezidenca e fisnikëve Medici, më pas e transferuan në Palazzo Pitti, ndërsa në vitin 1568, Duka i Toskanës, Cozimo I Medici, urdhëroi ta vendosin në sallën Mappamondo të muzeut Palazzo Vecchio (39). Në vitin 1587, për mungesë hapësire ekspozimi në Villa Medici, Granduka i Toskanës, Ferdinandi I Medici, urdhëroi transferimin e portretit në korridoret monumentale të Galleria degli Uffizi, ku ndodhet aktualisht i ekspozuar dhe i kataloguar si vepër e piktorit fiorentin, Cristofano di Papi Dell’Altissimo. Në ditët e sotme, ky portret i punuar me një mjeshtëri të rrallë dhe me ngjyra të ndezura, i cili hijeshon shumë kopertina librash e albumesh, kartolina apo banner të ndryshëm dhe që është stampuar nga Banka e Shqipërisë në “Kartmonedhën 5000 lekë”, emetim i vitit 2001, na ndihmon për të krijuar një përshkrim të hollësishëm të tipareve të fytyrës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.

BIBLIOGRAFIA:

1) O.Paskali, Mendime rreth figurës së Skënderbeut në artin figurativ europian, në: Konferenca e dytë e studimeve albanologjike (12-18 janar 1968), Universiteti Shtetëror i Tiranës-Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, I, Tiranë, 1969, f. 550.

2) Dh.Liperi, Mitologjia skënderiane, f. 60-70 ; Shih edhe Sh.Pllana, Skënderbeu në krijimtarinë gojore të Kosovës dhe të Maqedonisë, në: Simpozium për Skënderbeun / Simpozijum o Skenderbegu (9 – 12 maj 1968), I.A.P., Prishtinë - Priština, 1969, f. 287-301.

3) K.Frashëri, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, jeta dhe vepra (1405-1468), f. 264.

4) L.Tashi, Portrete te? Skenderbeut gjate? shekujve: Themelues i identitetit kombëtar shqiptar, Botimi i dytë (i plotësuar) / Portraits of Skanderbeg over the centuries: Founder of Albanian national identity, Second edition (updated), Prishtinë / Prishtina: Zyra e Kryeministrit te? Kosove?s / Office of the Prime Minister of Kosovo, 2019, f. 22-23.

5) Ibidem, f. 24-33.

6) V.Malaj, Përfytyrimi i Skanderbegut dhe authenticiteti i tij, në: Gjergj Kastrioti “Athleta Christi” (Përzgjedhje studimesh të Klerikëve Katolikë), f. 33.

7) K.Biçoku, Skënderbeu, f. 168.

8)A.Biagini, Historia e Shqipërisë: nga zanafilla deri në ditët tona, f. 23.

9) I.Çaushi, Skënderbeu në artet figurative, në: Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në historinë e shqiptarëve, (përmbledhje kumtesash), U.T., F.H.F., D.H., Tiranë, 2005, f. 218.

10) K.Biçoku, Skënderbeu, f. 168.

11) F.Koniza, Existe-t-il un portrait authentique de Scanderbeg?, në: "Albania", 4, Bruxelles: 1901, f. 58-60.

12) F.S.Noli, Vepra IV, f. 607).

13) V.Malaj, Përfytyrimi i Skanderbegut dhe authenticiteti i tij, në: Gjergj Kastrioti “Athleta Christi” (Përzgjedhje studimesh të Klerikëve Katolikë), f. 31-40.

14) Dh.Dhamo, Skënderbeu në artet figurative shqiptare, në: Konferenca e Dytë e Studimeve Albanologjike (12-18 janar 1968), Universiteti Shtetëror Tiranës-Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, I, Tiranë: 1969, f. 517-547.

15) O.Paskali, Mendime rreth figurës së Skënderbeut në artin figurativ europian, në: Konferenca e dytë e studimeve albanologjike (12-18 janar 1968), Universiteti Shtetëror i Tiranës-Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, I, Tiranë, 1969, f. 549-550.

16) A.Kondo, Një portret i panjohur i Skënderbeut, në: Drita, Viti XXII 8 (1108), 21 Shkurt 1982, f. 11.

17) F.Hudhri, La figura di Skanderbeg in castelli, cattedrali e musei europei, në: Giorgio Castriota Skanderbeg e l'identità nazionale albanese (atti del Convegno Internazionale di Studi Albanologici Palermo-Santa Cristina Gela 9-10 febbraio 2006, a cura di Matteo Mandalà), Palermo: Besa, 2009, f. 117-122.

18) F.Hadri, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu dhe epoka e tij në historiografinë shqiptare, f. 128-129.

19) Z.Prela, La figure de Scanderbeg dans les arts, në: "Hylli i Drites", 4, Tiranë: 1993, f. 94-97.

20) K.Biçoku, Skënderbeu, f. 167-170.

21) K.Frashëri, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, jeta dhe vepra (1405-1468), f. 264-300.

22) M.Zeqo, Sinopse për Skënderbeun: studime historike, f. 164-170.

23) I.Çaushi, Skënderbeu në artet figurative, në: Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në historinë e shqiptarëve, (përmbledhje kumtesash), U.T., F.H.F., D.H., Tiranë, 2005, f. 216-228.

24) I.S.Karanxha, Ky është portreti më besnik i Skënderbeut, në: "Shqiptarja.com", 4 shtator 2014.

25) Y.Polovina, Gjysma e harruar e Skënderbeut, f. 84-174.

26) P.Thëngjilli, Skënderbeu: Arritje, mangësi, pikëpamje të ndryshme, f. 1014-1020.

27) R.Goçi, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në artet figurative, II, Prishtinë: N.B.G. Eurographic, 2018.

28) E.M.Zenelaj, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu / Giorgio Kastriota-Scanderbeg (në veprat e artistëve evropianë dhe burime të vjetra arkivore / in the works of European artists and archival sources), Album Historik Kombëtar / National Historical Album, (Ne rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar Shqiptar / On the occasion of marking the 550th anniversary of the death of the Albanian National Hero), Prishtinë: Artini, 2018.

29) N.Flamuri, Plaga në syrin e djathtë zbulon portretin origjinal të Skënderbeut, Në: Shqiptarja.com, 29 mars 2018 (http://shqiptarja.com/.../plaga-ne-syrin-e-djathte-zbulon... skenderbeut).

30) L.Alia, Portreti i Gjergj Kastriotit në Galerinë "Uffizi"- Firence, (https://kurbini.info/.../portreti-i-gjergj-kastriotit-ne.../).

31) V.Shtylla, Portreti i Skënderbeut nga duart e Rembrandt-it, në: "Shqiptarja.com", 2 shtator 2018.

32) A.Tota, Portreti i heroit Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në artet figurative, në: Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, heroi kombëtar i shqiptarëve, (Materiale, kumtesa, dokumente, dëshmi, recenzione nga Sesioni Shkencor i mbajtur në Lezhë më 28 korrik 2018 me me temën "Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Heroi kombëtar i shqiptarëve" / Kryeredarktor Nue Oroshi), Prizren-Prishtinë: Lumbardhi, 2019, f. 472-477.

33) I.Konomi, Zbulohet foto-portreti i rrallë i Skënderbeut, në: "Konica.al", 6 janar 2019.

34) M.Ahmeti, Zbulohet një grafikë e panjohur deri më sot e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, në: "Dielli/The Sun", September 5, 2022.

35) A.Vataj, Skënderbeu i Rembrandit, në: "Dielli/The Sun", January 17, 2024.

36) L.Tashi, Portrete te? Skenderbeut gjate? shekujve: Themelues i identitetit kombëtar shqiptar, Botimi i dytë (i plotësuar) / Portraits of Skanderbeg over the centuries: Founder of Albanian national identity, Second edition (updated), Prishtinë / Prishtina: Zyra e Kryeministrit te? Kosove?s / Office of the Prime Minister of Kosovo, 2019.

37) N.Flamuri, Plaga në syrin e djathtë zbulon portretin origjinal të Skënderbeut, Në: Shqiptarja.com, 29 mars 2018 (http://shqiptarja.com/.../plaga-ne-syrin-e-djathte-zbulon...).

38) I.Çaushi, Skënderbeu në artet figurative, në: Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në historinë e shqiptarëve, (përmbledhje kumtesash), U.T., F.H.F., D.H., Tiranë, 2005, f. 218.

39) L.Alia, Portreti i Gjergj Kastriotit në Galerinë "Uffizi"- Firence,(https://kurbini.info/.../portreti-i-gjergj-kastriotit-ne.../).

Nga: Paulin Zefi.

Bülach, Zvicër.

Dt. 18.05.2025.



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx