Mendime
Sonila Meço: Kur drejtësia është lavjerrës, zgjedhjet janë hipnozë
E diele, 18.05.2025, 06:53 PM
Kur drejtësia është lavjerrës, zgjedhjet janë hipnozë
Nga
Sonila Meço
Paranteza
e një analize zgjedhore e postzgjedhore është se Shqipëria mbetet shtet i
kapur. Si e tillë makineria autoritare simulon demokracinë.
Pas
kësaj paranteze një shtojcë me apendix:
*
Kur drejtësia hesht, pushteti flet në emër të popullit.
Opozita
lufton në një fushë ku arbitri është armiku, jo garantuesi i lojës.
Kur
krimi elektoral nuk ndëshkohet, ai vetëm përsëritet dhe sofistikohet.
Tani
brendia:
Opozita
nuk hyri në këto zgjedhje me iluzionin e një gare të barabartë. Ajo e dinte që
përballë kishte një makineri të tërë shtetërore, me drejtësinë, median, paranë
publike dhe administratën në funksion të mbijetesës së pushtetit.
Por
të bojkotosh zgjedhjet, le sistemin të veprojë i patrazuar. Të hysh e të garosh
edhe pse në simulim demokratik së pari është detyrim të mbash të hapur rrugën e
shpresës dhe i vlen shoqërisë për të për të ruajtur një vijë të kuqe të fundme
mes qytetarit dhe pushtetit arbitrar.
Opozita
në një simulim demokratik me institucione të kapura as fiton, por as humbet.
Kush lexon “humbjen” pranon edhe “fitoren” e anës tjetër. Fitore, apo dominimi
i (anti)sistemit mbi demokracinë? Në demokraci, fitorja nuk matet vetëm me
shifra, por me legjitimitet, drejtësi dhe barazi loje. Ndaj nuk ështe as
“humbje” e as “fitore”, përndryshe ose bie në grackën e mohimt të realitetit,
ose pranon një farsë si fitore demokratike.
Opozita
hyn në zgjedhje për të dëshmuar se ekziston ende një ndërgjegje politike dhe
qytetare që nuk e ka mbyllur llogarinë me këtë sistem. Për kë lexon “humbjen”
si fundin e Shqipërisë, mendoj se vlen një tjetër qasje: njeriu që nuk shet
votën, që nuk pranon poshtërimin, që nuk hesht nga frika, nuk është i humbur.
Është fillimi i Shqipërisë tjetër. Aty patjetër duhet të jetë një opozitë. Dhe u gjend derisa rreth 600,000 vota shkuan
për të. Njerëz, që nuk e duan regjimin, që i rrinë përballë. Që munden të
rezistojnë. Megjithëse e dinë fuqinë e (anti)sistemit. Por mu këtu kjo opozitë,
nuk duhet të ngjajë e paqartë karshi një realiteti krejt të qartë. Nëse e
konsideron veten opozitë ndaj regjimit, cilado qoftë ajo, flet me përgjegjësi,
analizon me integritet dhe nuk i shërben as pasivitetit, as propagandës.
Kur
ende pa u çertifikuar zgjedhjet e pa reaguar drejtësia diskutimi mbërthehet tek
ikja e liderit të opozitës, duhet zbërthyer qartë edhe dilema se nëse opozita
humbet për faj të një lideri, atëherë pse do të kishte nevojë pushteti të
vidhte zgjedhjet? Të masakronte votën e diasporës? Po të ishte aq e thjeshtë, a
do të përdorte pushteti patronazhistët, policinë, prokurorinë, trenin bullgar,
bandat? Nëse lideri i opozitës është kaq i pavlefshëm dhe i padëshiruar, pse
qeveria ka vite që përpiqet ta eliminojë politikisht, juridikisht dhe
personalisht? Pse u investua në shpalljen e tij “non grata”? A nuk do ta bënte
me çdo lider opozite? Fakti se zgjedhjet
manipulohen masivisht tregon se problemi nuk është thjesht lideri i opozitës,
por frika nga vetë vota e lirë.
Pra
për këdo pranon se jetojmë në regjim, zgjidhja nuk mund të nisë nga aty ku e
çon propaganda diskutimin, duke fshehur krimin sistemik pas një emri.
Asnjë
dyshim se sistemi është armiku. Por opozita është e dënuar të jetë më e mençur,
më e pastër, më e bashkuar dhe më e fortë se ai.
*
Këtu duhet sërish apendiksi:
Kur
drejtësia hesht, pushteti flet në emër të popullit.
Opozita
lufton në një fushë ku arbitri është armiku, jo garantuesi i lojës.
Kur
krimi elektoral nuk ndëshkohet, ai vetëm përsëritet dhe sofistikohet.
Dhe
të flasësh për drejtësi, për demokraci, për popullin e pambrojtur, nuk është
militantizëm. Është shërbim publik.