E merkure, 04.06.2025, 10:18 PM (GMT+1)

Kulturë » Vataj

Albert Vataj: "Gomari në shpinën e ushtarit", një çast human në mes të zjarrit të luftës

E hene, 19.05.2025, 06:31 PM


"Gomari në shpinën e ushtarit", një çast human në mes të zjarrit të luftës

Nga Albert Vataj

Në korrik të vitit 1958, në një fushë të thatë afër Jebelit në Algjeri, një grup ushtarësh të gjysmë-brigadës së 13-të të Legjionit të Huaj Francez u ndesh me një krijesë të braktisur, një gomar i vogël, këlysh, që po vdiste nga uria. Në vend që ta linin aty, të pafuqishëm përballë rrethanave të luftës, një nga ushtarët e mori mbi supe. E mbajti si të ishte fëmijë. E quajtën Bambi.

Kjo fotografi, një dokument i heshtur i një akti të thjeshtë njerëzor, bart në vetvete një ndjeshmëri që kapërcen përmasat e luftës dhe ushtarakut. Ajo tregon se edhe mes pushkëve, minave dhe frikës, ekziston një vend për mëshirë.

Pamja e gomarit të vogël që mbështetet mbi helmetën dhe krahët e një ushtari nuk është thjesht kuriozitet apo kontrast ironik. Është një rrëfim i një akti që lind nga ajo pjesë e njeriut që nuk është as stërvitur dhe as urdhëruar, por që reagon për të mbrojtur të pambrojturin, për të ruajtur jetën, për të mos lejuar që njeriu të bëhet i verbër ndaj të voglës, ndaj jetës që rënkon pa zë.

Në këtë foto nuk është vetëm ushtari që mban gomarin, është njerëzimi që mban mbi supe mëshirën. Është shpresa se as lufta nuk e vret krejtësisht ndjeshmërinë. Se nuk jemi të humbur për aq kohë sa kemi fuqi të përkulemi, të ngremë një jetë të pafuqishme dhe ta shpëtojmë nga harresa.

Gomari Bambi u bë maskota e njësisë. Por në këtë çast të ngrirë në kohë, ai u bë edhe maskota e njerëzores, e asaj që mbetet prej njeriut, kur gjithçka tjetër është errësuar.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx