Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Vuajtjet e djaloshit Verter
E marte, 13.05.2025, 06:55 PM
VUAJTJET E DJALOSHIT VERTER
Nga Prof.
Xhelal Zejneli
“Vuajtjet
e djaloshit Verter” (Die Leiden des jungen Werthers) është roman i shkrimtarit
gjerman Johan Volfgan fon Gëte (Johann
Wolfgang von Goethe, 1749-1832). E shkroi në vitin 1774. Heroi i romanit, e
rrëfen në letra disponimet shpirtërore më delikate dhe pikëllimet dashurore. Ky
është suksesi i parë botëror i romanit gjerman në letërsinë e kohës së re.
Pasuria e jetës psikike të Verterit (Werther) dhe synimi për zhvillimin e lirë
të personalitetit, janë në kundërshti të dhimbshme me konvencionet shoqërore.
Kjo kundërshti do ta shtyjë Verterin në vdekje. Tema e kësaj proze lirike e ka shprehur ndjenjën
jetësore të një sërë brezave në mbarë Evropën.
Me
këtë vepër korri sukses të çmuar. Romani u shkrua në formë epistolarë (në formë letrash). Sipas këtij romani
lindi edhe shprehja verterizëm me të cilën nënkuptohet sentimentalizmi i tepërt dhe disponimi
romantik i tepërt, ngarkimi emocional, moda e imitimit të veshjes së Verterit dhe të
pikëpamjeve mbi botën.
Personazhet
në vepër bazohen në persona të vërtetë nga jeta e Gëtes. Figura e Verterit
është inspiruar nga jeta e mikut të tij i cili për shkak të dashurisë bëri vetëvrasje.
“Vuajtjet e djaloshit Verter” është vepër e rëndësishme e
lëvizjes Sturm und Drang (Stuhi
dhe vrull) që u krijua brenda disa javëve. Vepra i kundërvihet fuqishëm
poetikën klasiciste. Është roman që i shpreh ndjenjat, përkatësisht dhimbjen
botërore (weltschmerz),
njohjen e tmerrshme për kotësinë e ekzistimit të njeriut dhe për mosekzistimin
e sinqeritetit dhe të ndjeshmërisë së vërtetë.
* * *
Romani kryesisht është përmbledhje e letrave të cilat poeti dhe piktori i
ri ia shkruan mikut të vet. Verteri dashurohet te Loto (Lotto) e cila është e
fejuara e Albertit. Për shkak të dashurisë së pafat të cilën nuk mund ta
realizojë, Verteri ia merr vetes jetën.
* * *
Duhet ditur përmbajtjen e shkurtër dhe të
detajuar të veprës, duhet ditur elementet letrare, duhet bërë analizën e
personazheve, duhet ditur shënimet për autorin.
Analiza e veprës – “Vuajtjet e djaloshit Verter” është një
prej veprave më të njohura dhe më ogurzi të historisë së letërsisë . Është
vepër e parë tregimtare e Gëtes. Romani doli në kohë të duhur, duke përshkruar
dhe duke përfshirë plotësisht imagjinatën evropiane, duke paraqitur rininë e
ndjeshme që tentojnë e vetëvrasjen.
Ky ishte suksesi i drejtpërdrejtë i Gëtes. Ai vuri në lëvizje një zhanër të
tërë letrar – Sturm ind Drang (Stuhi dhe vrull) si dhe karrierën e
personit të parë letrar të famshëm.
Romani në kohën e vet ishte sensacion. Madje një kohë pati edhe parfum Verter, Eau de Wertwr që
përdorej si inspirim dhe frymëzim për veprat, siç është opera “Verteri” e kompozitorit francez Zhyl Masenet (Jules Émile Frédéric Massenet, 1842-1912), romani “Frankenshtajni ose Prometeu modern”
(Frankenstein, or The Modern Prometheus, 1818) i prozatores angleze Meri Sheli (Marry Wollstonecraft
Shelley, 1797-1851) në të cilin
përbindëshi mëson se si të bëhet
njeri duke lexuar Verterin si dhe
romani “Vuajtjet e reja të djaloshit V.” (1973)
i shkrimtarit dhe dramaturgut gjerman Ulrih
Plenzdorf (Ulrich Plenzdorf, 1934-2007)
.
Gëte ndihmoi në
krijimin e romantizmit. Ofroi edhe pasqyrën e një fjalori të shqetësimeve
të të rinjve që kanë mbërritur deri në ditët e sotme.
Romani është pak a
shumë autobiografik. Në vitin 1772 Gëte ishte shegert i ri juridik dhe jetonte
në Vetzlar. Aty mbase e kishte vendosur edhe Verteri. Këtu i lindi një pasion i
zjarrtë ndaj një vajze që quhej Sharlota
Buf (Charlotte Buff, 1753-1828). Ajo ishte e fejuara e shokut të tij Johan Kristian Kestner (Johann
Christian Kestner, 1741-1800). Trekëndëshi që pasoi u tregua për Gëten tejet i
dhimbshëm. Ai shqyrtonte mundësinë e vetëvrasjes para se të zgjidhte vuajtjen e
vet për Sharlotën.
Ndërkohë, një mik i
Gëtes i quajtur Jeruselum, ishte në një situatë të ngjashme të magjepsjes me
një grua të martuar. Si rrjedhojë, vrau veten. Rrëfimi i Jeruselumit e fascinoi
Gëten dhe ai u identifikua me vuajtjet e imagjinuara të personave që i njihte,
duke u bazuar në përvojat e veta, përfshi edhe Verterin.
Verteri mbetet vepër
më e popullarizuar e Gëtes, madje edhe më e popullarizuar se “Fausti”, edhe pse lexuesit e sotëm
veprën e tij do ta lexojë më me arsye se lexuesit e fundit të shekullit XVIII
dhe të fillimit të shekullit XIX. Libri qëndron si një rrëfim i punuar
pothuajse në mënyrë të përkryer,
Libri figuron
(ironike për një vepër të përfshirë nga ndjenja dhe spontaniteti) si një rrëfim
i përpunuar gati në mënyrë të përsosur, i vëzhguar nga afër dhe i realizuar me
mjeshtri, me shumë detaje paradoksale. Jo vetëm që vepra është një lloj kapsule
kohore, duke na lejuar një vështrim në një epokë pasioni dhe morbiditeti të
pashoq, por gjithashtu tejkalon kohën e saj si një meditim mbi skajet e pikëllimit
rinor. Puna në këtë vepër është një kapsollë kohore e përkryer. Autori na
mundëson të shohim kohën e pasionit të pakrahasueshëm dhe të morbiditetit, por
edhe e tejkalon kohën e vet si meditim për skajshmëritë e pikëllimit rinor.
Elementet
letrare të veprës
Ky roman i përket gjinisë letrare epike,
llojit letrar - roman lirik, epistolar (në formë letrash). Veprimi zhvillohet në shekullin XVIII në
Gjermani, Valhajm (Wahlheim).
Trajtohet tema e dashurisë dhe
obsesioni i Verterit me gruan që nuk mund ta ketë. Ajo i shkakton më shumë
dhimbje sesa hare. Ai ndjen se nuk i përket kësaj bote dhe shoqërisë në të
cilën jeton.
Ideja e veprës është: Ndonjëherë vdekja duket si rrugëdalje e vetme nga
problemet emocionale.
Përfundimi i romanit:
“Atë natë rreth njëmbëdhjetë varrmihës e
varrosën Verterin në vendin qe kishte zgjedhur vetë ai. Plaka dhe djemtë e saj
e përcollën kufomën për në varreza. Alberti nuk mundi. Jeta e tij ishte në
rrezik. Arkivolin e mbanin punëtorët. Në varrim nuk mori pjesë asnjë prift.”
Personazhe të veprës
janë Verteri, Lota, Alberti..