Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Jasunari Kavabata
E shtune, 10.05.2025, 02:57 PM
JASUNARI
KAVABATA
Nga
Prof. Xhelal Zejneli
Jasunari Kavabata (Yasunari
Kawabata, 1899-1972 është shkrimtar japonez. Në vitin 1968, gjatë kremtimit të
restaurimit të Meijit, Jasunari Kavabata u bë i pari shkrimtar japonez që e
mori çmimin “Nobel për letërsi. Çmimi iu dha “për mjeshtërinë tregimtare e cila me ndjeshmëri të madhe e shpreh
thelbin e frymës japoneze”. Është një prej shkrimtarëve japonezë më të
respektuar dhe më të përkthyer. Njeri i cili e çmonte vetminë, i cili vërtet
jetonte vetë dhe në distancë, madje edhe në çastet më të rënda, Kavabata shumë
më parë fliste për pavlefshmërinë dhe kotësinë e famës. Megjithëkëtë, merrte pjesë
në të gjitha ceremonitë, pritjet dhe nderimet që mbaheshin për nder të tij. Me
t’u kthyer nga Stokholmi, disa herë udhëtoi jashtë vendit për të mbajtur
ligjërata apo për të marrë pjesë në simpoziumet letrare. Në vitin 1971 zhvilloi
një fushatë aktive për mikun i cili ishte kandiduar për guvernator në Tokio. Bëri
vetëvrasje
në studion e ve afër Kamakurës, në prill të vitit 1972, pa lënë ndonjë shënim
apo sqarim.
* * *
Kavabata lindi në Osakë në vitin 1899. Prindërit i vdiqën kur
ishte dy vjeç. Pas tyre i vdiqën gjyshja dhe motra e vetme. Kur ishte
katërmbëdhjetë vjeç i vdiq gjyshi me të cilin jetonte prej moshës
shtatëvjeçare. Vdekja e prindërve dhe e të afërmeve të tjerë la gjurmë të pashlyeshme
në jetën e Kavabatës dhe të krijimtarisë letrare të tij.
Vepra e parë e
dalluar e tij është ditari i shkruar në moshën 15-vjeçare dhe i botuar pak më
vonë me titullin “Ditari i një
pesëmbëdhjetëvjeçari”. Në këtë vepër Kavabata tregon kuptim letrar tashmë
të zhvilluar, duke i përshkruar në mënyrë tronditëse ditët e fundit të gjyshit
të vet. Përshkrimet i karakterizohen me realizëm, pothuajse të pabesueshëm për
një moshë aq të re. Ditari e nxori në shesh talentin e tij të jashtëzakonshëm,
tregoi ndjenjën e tij të thellë për të bukurën dhe vuri në dukje aftësinë e
këtij shkrimtari të ri për të krijuar vepra me vlera të pakapërcyeshme.
Pas vdekjes së gjyshit jetoi në internatin
e një shkolle të mesme, derisa nuk u largua prej Osake për t’u regjistruar në
Gjimnazin e parë elitar të Tokios. Studio në Tokio letërsinë angleze dhe japoneze. Karrierën letrare e
filloi para se të diplomonte në Universitetin Perandorak të Tokios në vitin
1924.
Iu bashkua grupit të shkrimtarëve
japonezë të rinj të cilët mbronin lëvizjen letrare - neosenzualizmin, duke iu kundërvënë realizmit,
prozës rrëfimtare apo narrative në formë të romanit “në vetën e parë” (Ich-roman)
dhe të
letërsisë proletare të viteve ’20 të shekullit XX. Me udhëheqësin e
kësaj lëvizjeje R. Jokomicu (R. Yokomitsu) mori pjesë në themelimin e revistës
“Bungei jidai” (1924), në të cilën ishin paraqitur poetikat avangarde të
letërsisë botërore – dadaizmi, surrealizmi, futurizmi,
ekspresionizmi.
Kavabata i shfrytëzonte përvojat e
surrealistëve francezë dhe me forcën e sugjestionit dhe të simbolikës e
orienton gjuhën kah lëvizja e lirë e figurave pa një kontroll logjik të
theksuar.
Shpejt u bë i njohur me krijimet e vogla
që i quajti “Një grusht tregime” dhe
me romanin gjysmë-autobiografik “Vallëzuesja
nga gadishulli Izu” (Izu no odoriko, 1926/1927) me të cilin u afirmua. Ky roman është ekranizuar disa herë. Me
stilin e vet të jashtëzakonshëm, me shprehjen e kursyer dhe me ndjenjat e buta,
ky tregim i solli Kavabatës famë të hershme. Në të Kavabata i gjallëron
ndodhitë e rinisë së tij të hershme me theks pikëllues dhe ndjeshmëri senzuale
të subtile. Këto veçanti do t’i përshkojnë edhe veprat e mëvonshme të tij.
* * *
Gjatë studimit
të letërsisë japoneze, prej vitit 1920 Kavabata i botonte krijimet e veta në
revista të ndryshme: Shinshicho, Bungei shunju etj. Pas diplomimit në vitin 1924, iu bashkua grupit të
shkrimtarëve të rinj të cilët ishin për një drejtim letrar të ri të quajtur “neoimpresionizëm”
ose “neosenzualizëm” ose “neopercepcionizëm”. Organ i këtij grupi shkrimtarësh të rinj dhe të talentuar ishte
revista e sapothemeluar Bungei gjidai rreth
të cilës tuboheshin shkrimtarët Riiqi Jokomicu (Riichi Yokomitsu), Tepei Kataoka, Kameo Chiga, Taramako Ito, Kanesaku Ishihama, Shigesaku
Sasaki, Mitsuzo Sasaki, Jasunari Kavabata etj.
Teoricien kryesor i këtij drejtimi ishte
Riiqi Jokomicu, kurse burim frymëzimi i kësaj lëvizjeje ka qenë krijimtaria e
shkrimtarëve evropianë modernë, sidomos e tregimtarit dhe romancierit francez Pol Moran (Paul Morand, 1888-1976) dhe
vepra e njohur e tij “Hapur gjatë tërë
natës” (Ouvert la nuit, 1921). Idetë e këtyre shkrimtarëve të rinj
janë shprehur në disa ese teorike, njërën prej të cilave e ka shkruar edhe vetë
Kavabata. Eseja mban titullin “Përpjekje
të reja të shkrimtarëve avangardë”, botuar në vitin 1925.
Në këto ese shfaqen pikëpamje të reja,
rekomandohen ndjeshmëri të rafinuara, teknikë e re e të shprehurit dhe stili i
ri. Anëtarët e grupit konsideronin se shprehja letrare e re duhet të jetë e
freskët dhe ta ndriçojë në mënyrë poetike thelbin e ndjenjave të shprehura;
ndjenjat duhet të jenë tejet perceptuese dhe senzuale; realitetin duhet
shprehur me ndjenja subtile (të holla), me sugjestivitet (ndjellësi) dhe me
simbole të rafinuara, asisoj që të shprehet artistikisht rëndësia e jetës së
brendshme; arti duhet të ketë karakter të pashmangshëm, kurse shprehjet të kenë
ritëm poetik dhe ndjeshmëri të gjallë, perceptimi duhet të jetë i stërholluar
(i rafinuar) deri në një gjendje morbide dhe dekadente, por duhet të ketë
elemente intelektuale.
Por kishte rrezik që përpjekjet e tyre
të ndahen prej forcës jetësore themelore dhe të shndërrohen në një lloj
argëtimi dekadent. Sidoqoftë, ata predikonin “jetë të re” dhe “art letrar
të ri”. Idetë e tyre janë të lidhura ngushtësisht edhe me paraqitjen e dadaizmit,
të ekspresionizmit, të surrealizmit dhe të drejtimeve avangarde
të tjera. Mund të thuhet se kjo lëvizje lindi edhe si reaksion ndaj drejtimeve realiste
në letërsinë japoneze, sidomos ndaj paraqitjes së letërsisë revolucionare proletare.
Ata predikonin një art dinamik – me synimin kryesor për ta sqaruar aftësinë e vetë
shkrimtarit, ndërsa krijimtaria e tyre ishte e ngjyrosur me një dozë nihilizmi.
Stili i të shkruarit i
Kavabatës dhe periudha e paraluftës
– Kavabata dallohet dukshëm nga rrjedha kryesore e këtij grupi, duke vënë
theksin mbi stilin klasik; dallohet për nga vetmia e vet e përkorë dhe toni
elegjiak (i trishtuar, i përvajshëm); për nga theksimi i një bote të veçantë
ndjeshmërie të butë dhe subtile, sugjestiviteti metaforik, mbresash të thella
dhe simbolizmi. Ai përqendrohet kryesisht në theksimin e nevojës për lindjen e
një gjuhe të re e cila do ta zëvendësonte gjuhën ekzistuese tregimtare
objektive anemike. Kavabata konsideron se në vend të fjalive gramatikisht të
përkryera, shkrimtari duhet të përdorë fjali fragmentare, ndonjëherë të
papërfunduara, duke e paraqitur në mënyrë më të plotë personazhin e përshkruar,
botën e tij dhe konceptimin dinamik të jetës prej tij. Me fjalë të tjera,
Kavabata angazhohet për unitetin e subjektit dhe të objektit, për integrimin e
botës, të njeriut dhe të artit. Në frymën e “neopercepcionizmit” Kavabata
shkroi rreth dhjetë vjet. Vepra më të njohura të kësaj periudhe janë: “Eksperti për varrime” (Kaiso no meijin,
1923), “Fryma e trëndafilit” (1927), “Grupi
Kurenai prej Asakuse” (Asakusa Kurenai-dan, 1929), “Gjilpëra, qelqi dhe bretkosa” (1930), “Fantazia e kristaltë” (1931) etj.
Por, vepër më
e rëndësishme e fazës së paraluftës e krijimtarisë së Kavabatës është proza
lirike “Tokë dëbore” (Yukiguni, 1935-47). Pas saj, deri në fillim të Luftës II
Botërore shkroi edhe “Shpendët grabitqarë
dhe bishat e egra” (Kinju, 1933). Në veprën “Tokë dëbore” erdhën në shprehje të plotë konceptet e Kavabatës mbi
letërsinë dhe artin. Këto koncepte Kavabata i përmblodhi në esenë “Bukuria e Japonisë dhe unë” të shkruar
me rastin e marrjes së çmimit “Nobel”. Aty i paraqet parimet e veta themelore
mbi artin. Edhe pse kjo ese nuk është një diskutim i hollësishëm për vlerat
artistike, në të Kavabata e pasqyron zgjedhjen e parimeve të caktuara të cilat
kanë pasur për të rëndësi të jashtëzakonshme. Shumë prej tyre kanë qenë të
ndërlidhura me zen-budizmin. I
pari prej këtyre parimeve ka qenë asimetria.
Kavabata thekson aranzhimin e luleve dhe kopshtarinë (hortikulturën) si dy
veprimtari artistike të cilat më së miri e zbulojnë përdorimin e
sugjestivitetit.
„Në krahasim me kopshtet në Perëndim shumica e të
cilëve janë mbjellë në mënyrë simetrike, kopshtet japoneze kryesisht janë
asimetrike për arsye se asimetria, më shumë se simetria ka forcën për ta
shprehur në mënyrë simbolike shumicën dhe hapësirën e gjerë. Kuptohet, kjo
asimetri e gjen baraspeshën e vet në ndjeshmërinë delikate të japonezëve”.
Asimetria dhe sugjestiviteti që buron
prej saj bëjnë të mundur që prej një gjëje të vogël të evokohet e tërë bota.
Strukturat e mbyllura, të sistemuara në mënyrë harmonike, vetëm e përkufizojnë
vetveten. Por Kavabata thekson se asimetria nuk është natyrore dhe spontane,
por lind nga disiplina e krijuar nga “baraspesha
e imponuar prej ndjeshmërisë delikate”. Në fund të esesë Kavabata i cek
fjalët e një poeti mesjetar japonez për një bashkëkohës të tij të madh Saigyõ Hõshi (1118-1190), njërit prej
poetëve japonezë më të mirë, idealet letrare dhe poetike të cilit kanë qenë transcendentale
dhe në njëfarë dore edhe religjioze.
„Saigyõ shpesh vinte për të folur për poezinë. Pikëpamja
e tij për poezinë ishte shumë larg të qenit e zakonshme. Sythat e qershisë,
qyqja, hëna bora: të ballafaquara me format e llojllojshme të natyrës, sytë dhe
veshët e tij ishin të mbushur me boshllëk. Dhe a nuk ishin fjalët që i tha,
fjalë të vërteta? Kur këndonte për sythat, ai nuk mendonte për sythat; kur
këndonte për hënën, nuk e kishte mendjen te hëna. Kur i vinte rasti për këtë,
kur ndihej i frymëzuar, atëherë shkruante poezi. Ylberi i kuq në qiell ishte si
një lule që po merrte ngjyrë. Drita e bardhë e diellit ishte si qielli që
ndriçohej. Megjithatë, një qiell i zbrazët, për nga natyra e vet, nuk ka nevojë
të ndriçohet. As nuk mund të ngjyroset. Me shpirtin si një qiell i zbrazët ai u
jepte ngjyrë të gjitha skenave, edhe pse asgjë prej tyre nuk mbetej tek ai. Në
një poezi të tillë gjejmë Budën, manifestimin e së vërtetës
përfundimtare."
Arti i Saigyos përbëhej prej sugjerimit të së vërtetës së përgjithshme dhe jo
nga deklarimi i saj. Ndjeshmëria e Kavabatës e shtyri atë të mbrojë të njëjtin
qëndrim dhe shumë metoda të njëjta në krijimet e tij të prozës artistike. Por,
ndjeshmëria e tillë është rezultat i ushtrimit këmbëngulës dhe rigoroz.
Kavabata krenohej me tekstet letrare klasike të së kaluarës japoneze dhe
gjithmonë i përdorte ato si modele letrare.
Parimi i dytë kryesor i Kavabatës është e
bukura. Në një ese tjetër që është ligjëruar në vitin 1969 në
Universitetin e Harvardit, e që është botuar me titullin “Ekzistimi dhe zbulimi i së bukurës”, Kavabata citon poezinë haiku
të poetit japonez Kobajashi Isa (Kobayshi
Issa, 1763-1827/28). Issa është nofkë e tij që do të thotë “filxhan çaji.”: “Çfarë bukurie! Qielli në natën e mbarimit
të vitit.
* * *
Duke komentuar mendimin e Kjorait se “elegante është ajo që buron prej rrethanave të veçanta”, Kavabata
vjen në përfundim:
“Me rastin e zbulimit të asaj që është elegante,
d.m.th. të së bukurës që ekziston, me rastin e ndijimit të së bukurës që e kemi
zbuluar, madje edhe me rastin e krijimit të së bukurës që e kemi ndjerë,
rrethanat e posaçme të asaj që ekziston natyrshëm në ato rrethana, vërtet janë
të rëndësishme dhe mund të thuhet se ato janë bukuri e qiellit. Po qe se
arrijmë të vërtetojmë se këto rrethana të posaçme janë të vërteta, atëherë mund
të themi se kjo është një dhuratë e
Perëndisë së bukurisë”.
* * *
Pas Luftës II Botërore, romani i parë që
shkroi Kavabata ishte “Njëmijë kojrrilë” (Senba-zuru, 1949-51). Në këtë roman dhe në romanin “Tokë
dëbore” (Yukiguni, 1935-47)
Kavabata u prezantua si përfaqësues i estetizmit dhe stilist subtil (i
hollë) i cili personazhet i krijon asisoj që dashuria e tyre në fund mbetet e
parealizuar. Këtë temë e përdor pothuajse në të gjitha veprat prej të cilave
shpërthen ndjenja e fortë e vetmisë dhe e pikëllimit. Shpesh flet për vdekjen
dhe për botën e të vdekurve.
Gjatë luftës shkroi shumë pak. U tërhoq
në heshtje të përkohshme dhe iu përkushtua kryesisht studimit të letërsisë
japoneze klasike. Për dashurinë e vet ndaj letërsisë japoneze klasike flet në
shumë vende. Në esenë “Bukuria e Japonisë
dhe unë” thotë: “Në poezi, në
shekullin X të hershëm, paraqitet e para antologji të cilën e kanë porositur
perandorët, ‘Përmbledhje e poezive të vjetra dhe të reja’ (Kokinshiju), kurse
në prozë ‘Histori për Isenë’. Pas kësaj pasojnë kryeveprat e jashtëzakonshme të
prozës japoneze klasike – ‘Histori për Gengjin’, e shkrimtares dhe damës së
oborrit Murasaki dhe ‘Libri për kokën e shtratit” i shkrimtares Sei Shonagon.
Të dyja këto shkrimtare kanë jetuar kah fundi i shekullit X deri në gjysmën e
shekullit XI. Kështu u krijua tradita e cila ndikoi, madje edhe e orientoi
letërsinë japoneze gjatë tetëqind vjetëve. Sidomos “Histori për Gengjin”
paraqet arritjen më të lartë të letërsisë japoneze. As sot në Japoni nuk
ekziston prozë artistike që do të mund të krahasohej me këtë. Është për t’u
habitur se si një vepër aq moderne të jetë shkruar në shekullin XI. Ajo njihet
edhe kudo në botë. Kjo vepër ka qenë burim i gjerë dhe i thellë i inspirimit
për poezinë, për artet e bukura, për artizanatet
dhe për artin e kopshtarisë së peizazhit”.
Pas luftës
Kavabata shkroi edhe një sërë romanësh të jashtëzakonshme. Prej tyre dallohen: “Tingulli i malit" (1953), romani "Liqeni"
(Mizuumi, 1954), "Ditë pranvere"
(1954), "Rruga dytësore"
(1954), "Njeriu nga Tokio"
(1954), "Mendime të një bashkëshorteje"
(1954), "Në mes të lindjes së një njeriu"
(1955), "Shtrirja e trishtimit"
(1955), "Gruaja në makinë"
(1955).
Në vitet në vijim botoi libra me tregime
dhe romane: "Ai vend, ky vend"
(1956), "Luani dhe çupa"
(1956), "Të jesh grua"
(1956), "Skuqja në mbrëmje"
(1957), "Një ditë" (1957), "Qyteti Hiura" (1958), "Avenyja e drurëve" (1958), "Evropa" (1958), "ajo që nuk e bëjnë meshkujt"
(1958).
Kavabata është mjeshtër i penës letrare
dhe krijuesi i mendimeve të fuqishme. Ka shkruar mbi njëqind tregime të
shkurtra, disa faqesh. Ato i ka konsideruar si më të pëlqyera. Shumicën prej
tyre i kas shkruar në të njëzetat e jetës. Ajo ka qenë “poezia rinore” e tij për të cilën ka thënë: “Shkrimtarët në rini kryesisht shkruajnë poezi, kurse unë në vend të
poezisë i kam shkruar këto vinjeta (vizatime zbukurimi në një libër)”.
Vazhdoi të shkruante tregime të shkurtra deri në vitet e tij më produktive pas
Luftës II Botërore. Në këto tregime të shkurtra rrëfimesh mund t’i gjejmë jo
vetëm elementet e njohura të botës letrare të Kavabatës në kuptimin e gjerë të
fjalës – raportin e ndjenjave njerëzore dhe të bukurisë së natyrës – por edhe
temat serioze të kryeveprave të tij të mëvonshme, siç janë vetëdija për një
epokë të re, për vështirësitë dhe disfatat dhe pajtimi i qetë, i hidhët dhe i
ëmbël me vetminë, pleqërinë dhe vdekjen e pashmangshme.
* * *
Në dhjetë vitet e fundit të jetës së vet
Kavabata botoi një sërë tregimesh dhe novelash. “Poeti i madh që synon largësinë” (1959), “Bukuroshet e fjetura” (Nemureru bijo, 1960), "Bukuria dhe pikëllimi"
(Utsukushisa to kanashimi to, 1961), "Qyteti
i vjetër" (1961), "Përroi i
petaleve të rëna" (1962), "Midis
njerëzve" (1963), "Tamajura"
(1965), tregimi surrealist "Një dorë"
(Kataude, 1964-65) e të tjera.
Sipas prozatorit dhe dramaturgut japonez
Jukio Mishima (Yukio Mishima,
1925-1870), kryevepër e Kavabatës është proza bizare-erotike “Bukuroshet e fjetura” (Nemureru bijo, 1960).
Kavabata ishte një kaligraf i shkëlqyer
gjë që është shumë e rëndësishme për stilin dhe gjuhën e tij ngase elementi
vizual në ideogramet japoneze ka rëndësi të veçantë. Faqet e veprave të tij janë
të mbushura me përshkrime piktoreske të detajeve të parëndësishme. Syri i Kavabatës
vëren detaje nga natyra dhe jeta që i mbushin veprat e tij me larmi
kaleidoskopike, megjithëse të përmbajtura dhe kryesisht të përqendruara në një
detaj të dallueshëm me të cilin ai ndonjëherë e ngjall të tërën si një poet haiku. Elementet më të bukura të poezisë
haiku dhe të prozës klasike japoneze, në veprën letrare të tij kanë gjetur
jehonë bashkëkohore. Ai e ruajti më të mirën e letërsisë së vjetër japoneze duke
i dhënë asaj forma të reja dhe duke u marrë me tema bashkëkohore si dhe me problemet
e njeriut modern. Idealet estetike të letërsisë klasike japoneze vazhdojnë të
jetojnë edhe në veprën e Kavabatës. Termat mono no avara ose "bukuri e patregueshme dhe e
trishtueshme", wabi ose "vetmi
e përmbajtur", sabi ose "varfëri
modeste", hosomi ose "dobësi",
karumi "lehtësi shpirtërore",
okashimi ose "komedi e matur"
jetojnë në faqet e veprave të Kavabatës më shumë sesa në veprat e çdo
shkrimtari tjetër bashkëkohor japonez.
* * *
Ai gjithmonë e ka hedhur poshtë vetëvrasjen si një mundësi për të dalë
prej problemeve jetësore. Në esenë “Ëndrra
në çastet e fundit të jetës” shkruan: “Sado
që njeriu të jetë i tjetërsuar nga bota, vetëvrasja nuk është akt qytetërues.
Sado krenar të jetë për arritjet e veta, po qe se bën vetëvrasje, ai është larg
të qenit i shenjtë dhe i urtë”.
Temën e vetëvrasjes e prek edhe në esenë
“Bukuria e Japonisë dhe unë” ku
thotë: “
“Nuk çuditem shumë dhe nuk shprehi dhembshuri me
vetëvrasjet e tilla siç janë Akutagawa,
shkrimtari i pasluftës Osamu Dazai
(1909-1948) dhe të tjerë. Por kam pasur një shok i cili vdiq i ri. Qe një nga piktorët avangardë
japonezë i cili po ashtu kishte menduar një kohë të gjatë për vetëvrasje. Në të
njëjtën ese shkrova për të: 'Më duket se tashmë kjo i ishte bërë shprehi. Vazhdimisht
përsëriste se nuk ka art më të madh se vdekja; të vdesësh do të thotë të jetosh
në kuptimin e vërtetë të fjalës'. Megjithatë, supozoja se për të, i lindur në
një tempull budist dhe i arsimuar në një shkollë budiste, koncepti i vdekjes ishte
krejt ndryshe nga ai në Perëndim. ‘Prej atyre që mendojnë për gjërat, a ka
ndonjë që ende nuk ka menduar për vetëvrasje?'
* * *
Jeta dhe rruga krijuese e këtij mjeshtri
të madh të penës përfundoi me vetëvrasje. Ai mbeti i padepërtueshëm si në
veprat e tij të jashtëzakonshme, ashtu edhe në aktin e tij të fundit - atë të
vetëvrasjes. Në historinë e letërsisë japoneze do të mbetet si një shkrimtar i
madh i cili ndërtoi ura midis të kaluarës dhe të tashmes, kombinoi traditën dhe
modernen dhe u përball me të gjitha problemet e mprehta që e shqyenin njeriun
modern. La pas vetes një citadelë kryeveprash.