Mendime
Eshref Ymeri: Maskarada e përvitshme në Sheshin e Kuq të Moskës
E shtune, 10.05.2025, 02:54 PM
Maskarada e përvitshme në Sheshin e Kuq të Moskës
(Një
frymëzim prej Prof.dr. Fatmir Terziut)
Nga
Eshref Ymeri
Në numrin e sotëm (09 maj 2025) të Portalit “Fjala e
Lirë”, Prof.dr. Fatmir Terziu kishte botuar Esenë me titull “Sa i
dobishëm libri “Rezonanca magnetike për Rusinë dhe për rusët” për këtë ditë”.
Në këtë Ese, si një intelektual i shquar, si një penë me
Emër të Madh në kulturën tonë mbarëkombëtare, Profesori shkruan:
“E fundit që vjen nga diskursi i
manipulimit i përket Rusisë. Vetë vendit dhe propagandës së këtij vendi edhe në
Ditën e Fitores. Por Dojçe Welle shkon tek “Manipulimi i Ditës së
Fitores nga Putini”, me analizën: Propaganda nuk mund ta ndryshojë
historinë”.
Pikërisht kjo Ese më frymëzoi t’i rikthehem trajtimit të
ritualit të zhvillimit të paradave “madhështore” çdo 09 maj në Sheshin e Kuq.
Siç dihet, çdo vit, më 09 maj, në Sheshin e Kuq të Moskës,
organizohet parada ushtarake në përkujtim të kësaj date, kur ushtria sovjetike
hyri në Berlin, çka shërbeu si përfundim i luftës kundër nazifashizmit në Evropë.
Kjo paradë organizohet me solemnitet shumë të madh, përcillet me parakalimin e trupave me hap
rreshtor dhe me fluturimin e aeroplanëve luftarakë mbi sheshin në fjalë. Por me
organizimin e kësaj parade, klika udhëheqëse e Kremlinit, duke filluar prej
paradës së parë të vitit 1945 dhe deri tani, opinionit publik sovjetikorus nuk
ia ka thënë asnjëherë të vërtetën historike për arsyet e sulmit të ushtrisë
gjermane kundër Bashkimit Sovjetik
më 22 qershor 1941.
Viktor Suvorovi (1947) është shkrimtar rus, i cili u bë i
njohur gjerësisht në lëmin e rishikimit të historisë, ish-bashkëpunëtor i
rezidenturës legale të Drejtorisë shtetërore të zbulimit të Bashkimit Sovjetik
në Gjenevë. Në vitin 1978 ai u arratis në Britaninë e Madhe. Në Bashkimin
Sovjetik, sipas fjalëve të veta dhe intervistës së ish-shefit të Drejtorisë
shtetërore të zbulimit, qe dënuar me vdekje në mungesë. Në librat e tij, ku
përshkruhen ngjarje historiko-ushtarake, ai pati propozuar një koncept
alternativ të rolit të Bashkimit Sovjetik në Luftën e Dytë Botërore. Koncepti i
propozuar dhe metodat e argumentimit të tij, patën ngjallur shumë diskutime dhe
kritika në qarqet e historianëve dhe në rrethet shoqërore. Libri i parë dhe më
i njohur, kushtuar kësaj teme, mban titullin “Akullthyesja.
Kush e filloi Luftën e dytë botërore”, botuar në Moskë në vitin
1993, në të cilin, mbi bazën e burimeve historike, argumentohet se fajtori
kryesor i fillimit të luftës ishte Bashkimi Sovjetik, i cili kishte marrë
vendimin për të sulmuar Gjermaninë të djelën e 06 korrikut 1941. Në libër
theksohet se, me urdhër të Stalinit, të gjitha fortifikimet ushtarake në
kufijtë perëndimorë të Bashkimit Sovjetik, qenë hedhur në erë me dinamit, me
motivimin se “Bashkimi Sovjetik nuk bën kurrë luftë mbrojtëse, ai bën vetëm
luftë mësymëse”. Paskëtaj, të gjitha divizionet sovjetike, të
dislokuara në Lindjen e Largët, u zhvendosën në kufijtë perëndimorë të
Bashkimit Sovjetik.
Përgatitja e sulmit të Bashkimit Sovjetik kundër Gjermanisë
naziste e kishte burimin te Pakti Molotov-Ribentrop i 23 gushtit të vitit 1939,
sipas të cilit, Polonia do të pushtohej nga të dyja palët nënshkruese, në mënyrë
që të kishin një kufi të përbashkët. Në bazë të atij Pakti, Stalini i “siguronte”
Hitlerit krahët lindorë dhe i linte dorë të lirë të vinte nën sundimin e vet vendet
e Evropës Perëndimore. Hitleri, për naivitetin e tij, i verbuar nga etja për
pushtet, nuk e kuptoi grackën që i pati ngritur Stalini, ndaj edhe forcat e tij
të armatosura i hallakati që nga Norvegjia deri në Afrikën e Veriut, duke mos
pasur parasysh fjalët e pararendësit të tij, Bismarkut (Otto von Bismarck -
1815-1898), i cili u ka lënë brezave pasardhës një porosi tepër domethënëse:
“Çdo marrëveshje, e nënshkruar me
Rusinë, nuk vlen as sa letra, në të cilën është shkruar”.
Hitleri, në bazë të të dhënave të kundërzbulimit gjerman,
për sulmin e ushtrisë sovjetike qe informuar që në dhjetorin e vitit 1940. Pikërisht
që asokohe ai pati filluar përgatitjet për një sulm paraprak mbrojtës. Pra, kjo
ishte arsyeja që ai arriti t’ia merrte iniciativën nga dora Bashkimit Sovjetik
dy javë përpara. Autori ka shkruar, gjithashtu, një sërë librash artistikë,
kushtuar ushtrisë sovjetike, zbulimit ushtarak dhe historisë së Bashkimit
Sovjetik të periudhës para luftës. Sipas gazetës së përditshme “Novëje
Izvjestija”, tirazhi i disa librave të Viktor Suvorovit pati arritur në më
shumë se një milion kopje.
Në librin e sipërcituar, ai shkruan:
“Ekzistojnë
jo pak udhëzime për faktin se afati i fillimit të operacionit sovjetik “Shtrëngata”
qe lënë për
më 06 korrik të vitit 1941… Zhukovi (si edhe Stalini) kishte qejf t’i jepte
goditjet e veta të dielave në mëngjes. 06 korriku i vitit 1941 ishte e diela e
fundit para përqendrimit të plotë të trupave sovjetike (në
kufijtë perëndimorë të Bashkimit Sovjetik - E. Y.). Gjeneral-armatë S.P. Ivanov (1907-1993) e përmend këtë datë
pa dorashka: “…trupat gjermane arritën të na e merrnin iniciativën nga
dora dy javë më përpara” (Citohet
sipas: Viktor Suvorov. “Akullthyesja.
Kush e filloi Luftën II Botërore”. Shtëpia Botuese “Novoje vremja”. Moskva 1993, f. 333).
Vendimin e prerë për fillimin e sulmit të
Bashkimit Sovjetik kundër Gjermanisë e dëshmon edhe një fakt tjetër.
Stalini, duke qenë i bindur në “madhështinë” e Bashkimit Sovjetik dhe në
“pathyeshmërinë” e forcave të tij të armatosura, as që mund ta përfytyronte, e
jo më ta mendonte, se Hitleri do të kuturiste të ndërmerrte ndonjë sulm. Prandaj ai
e pati vlerësuar si të rremë një informacion që i pati ardhur nga zbulimi
sovjetik në Berlin. Sipas atij informacioni, në fund të muajit maj të vitit 1941, Gjermania i kishte përfunduar të gjitha përgatitjet për një
sulm kundër Bashkimit Sovjetik. Për këtë informacion bëhet fjalë në një
artikull të drejtorit të Shërbimit të zbulimit të jashtëm të Rusisë, Sergej Narëjshkin,
i cili titullohet: “Zbulimi hyri i pari në luftë”. Artikulli është
botuar në revistën “Mbrojtja Kombëtare” me rastin e afrimit të
80-vjetorit të Luftës së Madhe Patriotike dhe mban datën 21 qershor 2021. Në atë
artikull autori shkruan:
“Më 17 qershor 1941, Stalini pati thirrur në Kremlin
komisarin e popullit për sigurinë, Vsjevollod Merkulov (1895-1953), dhe shefin
e zbulimit, Pavel Fitin. Udhëheqësi kërkonte të informohej personalisht dhe me
hollësi se sa i saktë ishte burimi. Njoftimi, i cili qe dërguar nga rezidentura
e Berlinit më 16 qershor, ndodhej në tryezën e tij të punës… Aty thuhej se të
gjitha masat ushtarake për përgatitjen e sulmit të armatosur kundër Bashkimit
Sovjetik, kishin përfunduar plotësisht dhe goditja mund të jepej në çdo kohë.
Shefi i zbulimit të jashtëm, Pavel Fitin, pati marrë përsipër përgjegjësinë për
ta bindur Stalinin për saktësinë absolute të informacionit. Pasi i dëgjoi me vëmendje
shpjegimet e tij, udhëheqësi reagoi me ton të ashpër: “Është një informacion i
rremë. Mund të largoheni””.
Kjo shpërfillje, kjo mendjemadhësi e Stalinit, e edukuar
për dhjetëvjeçarë me radhë në psikologjinë e mbarë popullit rus nëpërmjet letërsisë,
shtypit, kinematografisë, televizionit, teatrit, shkollës dhe mjeteve më të
fundit të informimit masiv, pati sjellë pasoja shumë tragjike pas 22 qershorit
të vitit 1941.
Julia Llat?jnina (1966) është gazetare, shkrimtare ruse,
drejtuese emisionesh radiotelevizive. Më 09 shtator 2017 ajo
pati njoftuar në efirin e radiostacionit “Jehona e Moskës” se ishte
larguar nga Rusia, pasi disa të panjohur i patën djegur makinën. Ajo qe shfaqur
në efir me skaip (skype) dhe pati rrëfyer se ndodhej jashtë vendit, së bashku
me prindërit. Që në gushtin e vitit 2016, gazetaren e pati sulmuar një i
panjohur jo larg zyrës së radiostacionit të lartpërmendur dhe i hodhi përsipër
fekale. Asokohe ajo pati menduar se shkak i atij incidenti të turpshëm ishin
artikujt e saj analitikë, të botuar në organin “Novaja Gazeta”: Ajo shkruan:
“Më 22 qershor (të vitit
1941 - E.Y.) populli rus u shndërrua në turma frikacake… Si ta
shpjegojmë atë burracakëri të pashembullt të popullit rus, i cili, duke
zotëruar një armatim që ua kalonte gjermanëve edhe për nga sasia, edhe për nga
cilësia, e pati braktisur armatimin dhe qe hedhur në anën e gjermanëve?” (?itohet sipas: Julia
Llatënjina. Faqja e internetit “Novaja Gazeta”. 08 maj 2010).
Dhe me të vërtetë: fill pas sulmit të ushtrisë gjermane,
Ushtria e Kuqe filloi të tërhiqej me shpejtësinë e lopëve kur u turren ujqit.
Madje ajo tërheqje (kur miliona ushtarë patën rënë robër) prej kufijve perëndimorë
të Bashkimit sovjetik, vazhdoi gjatë 1100 kilometrave, deri në periferi të Moskës
të datës 02 dhjetor, kur në ndihmë të saj erdhi “gjenerali i shquar” me
emrin “dimri rus”.
Joáhim Gáuk (Joachim Gauck - 1940), është personalitet
politik gjerman, President i Republikës Federale të Gjermanisë në vitet
2012-2017. Më 06 maj 2015 ai mori pjesë në një ceremoni mortore, të organizuar
në varrezën e ushtarëve sovjetikë në qytetin Shlos Holte-Shtukenbrok (Schloß
Holte-Stukenbrock). Në fjalën e tij ai theksoi:
“Miliona ushtarë të Ushtrisë së Kuqe qenë çuar drejt
vdekjes si robër të gjermanëve, ata vdiqën të torturuar nga sëmundjet, nga
uria… Në qoftë se nga robërit ushtarakë perëndimorë në kampet gjermane patën
vdekur vetëm 3%, nga 5,3 milionë robër ushtarakë sovjetikë, patën vdekur shumë
më tepër se gjysma” (Citohet sipas: “Gáuk: vdekja e robërve sovjetikë -
krim i nazizmit”. Faqja e internetit “DW”. 06 maj 2015).
Humbjet reale në njerëz të Bashkimit Sovjetik gjatë
viteve të luftës, janë mbajtur rreptësisht sekrete nga autoritetet shtetërore
sovjetike dhe ruse, madje deri në ditët tona. Për humbje të tilla ka shkruar
Leonid Rëjbacki, doktor i shkencave ekonomike, profesor, drejtues i Qendrës së
demografisë sociale të Institutit të studimeve politikosociale të Akademisë së
Shkencave të Rusisë. Në Esenë e tij me titull “Humbjet në njerëz të
Bashkimit Sovjetik në Luftën e Madhe Patriotike”, të botuar në faqen e
internetit “Perspektivëj” të datës 07 maj 2022, ai shkruan se e vërteta
për humbje të tilla u zbulua vetëm gjatë kohës kur në krye të Bashkimit
Sovjetik ishte Mihail Gorbaçovi (1931-2022). Sipas tij, gjatë asaj lufte qenë
vrarë 27 milionë njerëz, nga të cilët 18 milionë civilë dhe 09 milionë ushtarë
dhe oficerë.
Duke pasur parasysh këto humbje jete njerëzish të përmasave
katastrofike, si është e mundur që të organizohen çdo vit parada aq butaforike
në Sheshin e Kuq, ndërkohë që 09 maji duhej të përkujtohej, para së gjithash,
edhe si dita e një zije kombëtare, të cilën e pati shkaktuar politika
shoviniste rusomadhe për pushtimin e mbarë Europës? Si është e mundur që të
organizohet gjithë ajo paradë butaforike, kur numri i ushtarakëve rusë, të vrarë
në Ukrainë, po i afrohet shifrës prej një
milion syresh?
Në këtë mes nuk ka asgjë për t’u habitur, sepse
shovinizmi, urrejtja për vendet e tjera është e rrënjosur thellë në
formimin psikologjik jo vetëm të bandave
në krye të vendit, por edhe të mbarë popullit rus, i cili sundimtarët e vet i
vlerëson si të dërguarit e Hyjnisë. Kjo është arsyeja që njeriu në Rusi
trajtohet si material ndërtimi. Prandaj shkrimtari rus Ivan Shmelov (1873-1950),
autori i romanit “Dielli i të vdekurve”, të botuar në Paris në vitin 1923,
shkruan:
“Rusët janë një popull që e urren lirinë dhe hyjnizon
skllavërinë, i ka qejf prangat në duart dhe në këmbët e veta, i do despotët e
vet gjakatarë, nuk ka ndjesi për kurrfarë bukurie, është i pistë fizikisht dhe
moralisht, gjatë qindravjeçarëve jeton në errësirë, në obskurantizëm dhe nuk ka
marrë as mundimin më të vogël për diçka njerëzore, por ama gjithmonë është i
gatshëm t’i skllavërojë, t’i shtypë të gjithë pa përjashtim, mbarë botën. Ky nuk është popull, por një mallkim historik i njerëzimit”
(Citohet sipas faqes së internetit “Adskije novosti”. 19 shkurt 2015).
Me paradat butaforike të 09 majit, banda e Kremlinit
gjithmonë është munduar të përvetësojë tërësisht kontributin anglo-amerikan për
arritjen e fitores mbi nazizmin gjerman, duke harruar ndihmën e jashtëzakonshme
me armatime që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i patën dhënë Bashkimit Sovjetik
gjatë luftës, duke anashkaluar zbarkimin e një milion trupave anglo-amerikane në
Normandi në qershorin e vitit 1944, si edhe faktin historik që ato trupa patën
hyrë të parat në Berlin më 08 maj 1945.
Është e vërtetë që Bashkimi Sovjetik përballoi barrën më të rëndë gjatë luftës, por fushatën katërvjeçare kundër ushtrisë gjermane, Ushtria e Kuqe e përfundoi në mënyrën më të turpshme.
Natalia Gesse
(1914-1998), mikesha e ngushtë e shkencëtarit Andrea
Saharov (1921-1989), në vitin 1942 hyri në Fakultetin e gazetarisë të
Universitetit të Svjerdllovskut, në vitin 1943 i ndërpreu studimer dhe shkoi
vullnetarisht në frontin e luftës, ku pati punuar si korrespondente ushtarake.
Në kujtimet e veta, ajo shkruan: “Ushtarët
rusë i përdhunonin të gjitha femrat gjermane, nga mosha 8 deri në moshën 80
vjeçe. Ajo ishte një ushtri përdhunuesish” (Citohet sipas: Nikollaj Ivanov. “Për heroizmat e ushtarit sovjetik, të ushtarit përdhunues… I kushtohet
23 shkurtit të turpshëm”. Faqja e internetit “FakeOff”. 23 shkurt
2015).
Leonid Rabiçev (1923-2017), njihet si poet, grafist, piktor, shkrimtar-memuarist rus,
pjesëmarrës në frontet e luftës me gradën toger pas sulmit të ushtrisë
hitleriane kundër Bashkimit Sovjetik më
22 qershor 1941. Në librin e vet me kujtime, me titull “Lufta i ka të
gjitha”, të botuar në vitin 2009, si dëshmitar i drejtpërdrejtë, ai hedh
dritë mbi krimet e ushtrisë sovjetike, e cila, në pranverën e vitit 1945, pasi
hyri në territorin gjerman, deri në Berlin, përdhunoi dy milionë femra
gjermane, duke filluar nga vajzat miturake të moshës 8-vjeçare, deri te plakat
80-vjeçare. Në librin e vet ai shkruan:
“Tankistët, këmbësorët, artileristët, ndërlidhësit tanë e
arritën një kolonë refugjatësh dhe, duke lënë mënjanë ndjenjën e detyrës,
nderin dhe nënrepartet gjermane në tërheqje e sipër pa rezistencë, u turrën me
mijëra drejt grave dhe vajzave të vogla… Ato që ishin mbytur në gjak dhe kishin
humbur ndjenjat, i tërhiqnin mënjanë, kurse fëmijët që suleshin drejt tyre për
ndihmë, i pushkatonin në vend. Nga pas tashmë vazhdonte nënreparti tjetër. Dhe
përsëri ndalesë dhe unë nuk mund t’i përmbaj dot ndërlidhësit e mi, të cilët,
gjithashtu, zënë radhë të reja për përdhunime, kurse telefonistet e mia
shkrihen së qeshuri… Deri në horizont, midis pirgjeve me rrecka dhe qerreve të
përmbysura, të zë syri kufoma grash, pleqësh dhe fëmijësh”.
Kaliforni, 09 maj 2025