E premte, 02.05.2025, 07:50 AM (GMT+1)

Kulturë

Ndue Dedaj: Portreti i nënës

E enjte, 01.05.2025, 06:43 PM


NDUE DEDAJ

T r i p t i k

KLONI

Kloni është gjithnjë aty, i pakrye(r)

Në mua, në ty, në të tjerët rreth nesh,

Nuk është ndryshkuar aspak nga shirat,

Edhe se nuk është më prej telash me gjemba;

Edhe se nuk ka pushkën e gjatë në dorë,

Edhe se zogjtë mund të kalojnë.

Kloni është në fjalët që s’i thua dot,

Në rolin që të kanë thënë të jesh sufler

I një teatri pa skenë, i një shteti vagabond;

Në hapat që nuk mund të hedhësh ravës,

Në parullat që i shkruajnë majmunët

Si të jenë letra dashurie përvëluese...

Kloni nuk ka piramida të bardha -

Në vend të tyre luron nga një ulkonjë;

Ruhuni, mos ia shkelni bishtin ditën as natën

Mos e tregoni si një përrallë të vjetër

Edhe nëse ju duket i buzëqeshur,

Mos u rreni, se është duke qeshur!...

PORTRETI I NËNËS

Qindra vjet që Rembrandi i pikturon sytë,

flokët si të vashave të eposit të kreshnikëve,

qindra vjet që Mikelanxhelo gdhend me daltë

fytyrën e saj të rreshkur si një shi i dielltë.

Një pikturë - skulpturë si asnjë tjetër mbi dhé

kjo e kësaj gruaje njëqindvjeçe - ime nanë.

Piktori i përzien ngjyrat me lëngun e qershisë

mollës zhince, gështenjës së tokës së zjarrtë

dëllinjës kokërrkuqe, pishës me krahnezë,

i njom bojnat me ujin e Zallit të Dibrrit...

Si vetë rruga e mundimshme e fatit kjo pikturë

e bardha ndërkallur vetvetishëm në të zezën,

e kuqja në të verdhën dhe mesdita oker.

Skulptori shkul nga shkrepi brinjën e Gurit Nus,

që plaket në vetminë e tij si krushk i pamoshë,

asht guri që pati rënë si meteor nga nalt.

Qe gur Sizifi, nuk qe fishek në pajë!...

S’e vini re? E bukura ime asht prap shtatzanë

Për të njëqindën herë - me shekullin e vet.

NDODHI SOT

S’ra asnjë tërmet, s’pati ndonjë kataklizmë

S’u rrafshuan malet, s’u shkrumbuan livadhet,

S’shterruan lumenjtë, qielli nuk u nxi...

Era nuk kishte gryka ku të thyente qafën

Pemët s’kishin ku t’i ngulnin rrënjët nën dhé,

Gjelat nuk këndonin, dita s’zgjohej si më parë

Ishin shurdhuar kumbonët, s’dëgjoheshin lutjet,

Askush s’e dinte çfarë ndodhte në parajsë!?

Nën rrasë kishte dhënë shpirt një bollë.

Toka përherë e me më pak këmbësorë...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx