E merkure, 30.04.2025, 05:30 AM (GMT+1)

Mendime

Llesh Ndoj: Udhëtimi im “dy në një”…

E marte, 29.04.2025, 06:55 PM


Udhëtimi im “dy në një”…

-A e meriton këtë gjendje fshati ynë? -

Nga Llesh Ndoj, Lezhë

Vendlindja ka peshë të rëndë në kujtesën e secilit. Jo më kot është thënë se në vendlindje rritesh duke shpresuar largimin e plakesh duke ëndërruar rikthimin. Dhe pse kanë kaluar tashmë tri dekada e gjysëm që kur u largova përfundimisht nga të banuarit e përditshëm atje, shfrytëzoj çdo rast të mundshëm për të udhëtuar drejt Domgjonit, Fanit dhe Mirditës. Fizikisht, në të shumtën e rasteve udhëtoj vetëm, por në fakt jo! Në asnjë nga këto udhëtime nuk gjendem “i vetëm”, pasi gjatë të gjithë rrugës e gjatë gjithë kohës së shkurtër të qëndrimit atje, gjendem i dyjëzuar: fizikisht udhëtoj drejt Mirditës, Fanit e Domgjonit ku kam lindur e jam bërë prind, pa ndjerë thuajse asnjë lodhje fizike, ndërsa mendërisht “udhëtoj” në historinë e hershme e të vonë, histori fort e lavdishme e njerëzve të kësaj zone, e ndjehem shpirtërisht i lodhur, sidomos për mungesën e vëmendjes qeveritare e jo vetëm, ndaj këtyre zonave, pas viteve nëntëdhjetë e në vijim, dhe lënies së tyre “jetim” nga braktisja e pamëshirshme prej njerëzve. Mirë do të ishte t’na bashkonte atje me si vëllezërit tanë 11 Qershori, kur domgjonasit përkujtojnë Shmarramejn (Shën Barnabën), pajtorin e kishës dhe festën tradicionale të fshatit tonë, ose me 25 prill, ditën e Sh’Markut, pajtori i kishës dhe festa tradicionale e Fanit, apo të mblidheshim për dasma, koncerte e aktivitete sportive, si dikur, por… Paradoksalisht, rastet më të shumta të udhëtimeve drejt atyre vendeve të bekuara nga Zoti e të mallkuara nga njeriu, vijnë si detyrime për t’u dhënë lamtumirën e fundit bashkëfshatarëve të ndarë nga jeta. Jo vetëm ata që e përmbyllin frymëmarrjen e fundit pa u larguar nga vendlindja, por edhe plot të tjerë, tashmë të larguar me banim prej vitesh, e mbyllin jetën e tyre duke lënë amanet që trupi t’u tretet në vendlindje, pranë eshtrave të njerëzve të dashur të ndarë nga jeta më herët e me shpresën e takimeve nëpër kujtime...

“Ra ky mort e u pamë”, pati shkruar Kadareja i madh, duke analizuar ngjarjet në Kosovë. E dhimbshme por e vërtetë, këto raste fatkeqe na takojnë me bashkëfshatarët e larguar e shpërndarë nga Rrësheni deri në Sarandë, por edhe na fusin në mendime e reflektime të thella, duke ridimensionuar peshën reale të vendlindjes tek secili prej nesh.

Ja pse udhëtimet e mija drejt vendlindjes janë gjithnjë “dy në një”!

1.

Rruga nga Lezha në drejtim të Fanit tim e Domgjonit krenar, atje mes Munellës, Zepës e Rrunës, është disi e shkurtër, po ta krahasosh me periudhën përpara se Rruga e Kombit të kalonte asaj ane duke çarë mespërmes kodra e male. Ajo, edhe pse në disa segmente, si Lezhë – Milot e Milot - Rrëshen, mbetet akoma dhe padrejtësisht thjesht një rrugë interurbane kryesore, shpesh me trafik të rënduar, sidomos gjatë verës për shkak të numrit të lartë të turistëve, posaçërisht të vllezërve shqiptarë të Kosovës që i frekuentojnë plazhet e Shqipërisë nga Velipoja deri në Sarandë, është një rrugë e kandshme për udhëtim, e cila gjarpëron mes maleve ku gjelbërimi i stinës ka efekt qetësues për syrin dhe shpirtin. Ndonëse lëvizja bëhet me shpejtësi të kufizuar, mbërrin deri në vendin ku një tabelë me mbishkrimin “Exit” pasohet nga një tjetër me mbishkrimin “Fan Center”, një përzgjedhje e pakujdesshme dhe e panevojshme gjuhësore kjo, për më pak se 2 orë, i palodhur dhe me ndjesi positive. Por këtu nis një tjetër pamje, gjithsesi lodhëse dhe, për më tepër, e mërzitshme.

Dalja nga autostrada drejt qendrës së Fanit, aty ku ndodhet Kisha e Shën Markut, institucioni më i rëndësishëm shpirtëror për vendasit, Shkolla e Mesme e Përgjithëshme “Ndrec Ndue Gjoka”, një “universitet” ky për zonën, si dje edhe sot, qendra shëndetësore, Njësia Administrative dhe disa njësi tregtare, është e ngushtë, plot me gropa, dhe e rrezikshme, pasi nuk ka as parmakë anësorë mbrojtës.

Qendra e Fanit, apo “Livadhi i Gjacit”, siç e thërrasin vendasit, megjithëse aty janë të gjitha institucionet vendore, nuk ka pësuar asnjë transformim si e tillë, përkundrazi. Rrugë e sheshe plot pluhur e gropa, ndërtesa të shkatërruara, përveç Kishës, shkollës e ndërtesës komunale, dhe pak njerëz që, më shumë vrapojnë se ecin, të ngarkuar nga hallet e problemet e jetës. Për të gjitha fshatrat e Fanit, prej këtu nis “nxitja” për braktisje totale. Kemi kështu pra një autostradë që i ka vlerat e saj të pa mohueshme, por që pak ose aspak i shërben ruajtjes së jetës në Fan. Asnjë fshat i asaj zone nuk lidhet me qendrën administrative, apo me autostradën, me rrugë normale makine, përveçse me shtigje të hapura nga vendasit ose të trashëguara nga e shkuara, ku gomat e pak mjeteve që kalojnë janë edhe “mirëmbajtësit” e tyre. Nuk ka lidhje normale as fshati Bisakë, as Shtrungaj, ku ato parcela të vogla toke i ka “gëlltitur” si përbindësh autostrada, nuk lidhen as Konajt piktoresk, Kujti i bukur, as Xhuxha, Petoçi e Shëngjini. Bile edhe Thirra e Sangu që e mbajnë në gji autostradën si krenari, nuk lidhen me rrugë me të, përveçse me ndonjë shteg “të vjedhur” dhe duke rrezikuar shumë.

Të njëjtën pamje paraqet edhe Domgjoni. Pas shumë vitesh kërkesa e përpjekje, vetëm pak vite më parë ai u lidh me rrugë makine disi normale, por kjo vetëm në më pak se gjysmën e gjatësisë së saj prej 5 km, ngusht dhe me një asfalt dosido, ndërsa pjesa tjetër mbetet e njëjta si përpara 50 viteve, kur ishte hapur me krahë e vullnetarisht nga gratë, nënat e motrat tona kooperativiste, dhe në përkeqësim të vazhdueshëm nga koha. Qendra e Domgjonit, me shkollën 9-vjeçare “Ndue Prend Bajraktari”, Kishën e Shën Barnabës, qendrën shëndetësore e Gurrën e Lashtë, vuajnë për vëmendje e investime minimale shtetërore. Një fshat e zonë me kaq shumë histori e resurse jetese të mjaftueshme, po vdes çdo ditë nga mungesa e perspektivës e lënia në harresë të plotë prej qeverisë. Shkrova diku më lart se më së shumti me bashkëfshatarët na bashkojnë rastet fatkeqe, vorret. Por, fatkeqësisht, as ato nuk mirëmbahen si duhet e po të mungojë vemendja e familjarëve, zor me i gjet as varret e atyre që pushojnë përjetësisht aty, për të vendosur pranë tyre nga një tufë me lule malli e për të derdhur ndonjë pike lotë kujtimi.

Para shumë viteve, nisur nga një konstatim i imi gjatë një vizite atje, ku mësova se edhe ajo qendër e vogël e modeste shëndetësore e ndërtuar rishtas, nuk kishte as drita dhe injeksionet kryheshin nëpër shtëpia (pushteti vendor nuk i kishte lidhur fare energjinë elektrike!), fakt që e publikova në platformën “Shqipëria që duam”, për herë të parë deri më sot aty mbërriti Kryeministri Edi Rama. Mendova se ky do të ishte rasti i bukur e fatlum që ai të ndihmonte sadopak për zhvillimin e këtij fshati. Edhe pse i nxitur të mos flisja për probleme të tjera veç asaj që kisha ngritur në Platformë, në fjalën time, që e dëgjoi me vëmendje dhe pa më ndërprerë siç e ka zakon, ia thashë të gjitha problemet, përmbledhtazi e qartë, në prani të 10-15 vetave që zinte qendra shëndetësore. Edhe një moment, në fillim të takimit, ku u fikën dritat (ishte ditë furtune ajo ditë!) dhe ai tha si me gjysëm zëri: A po na e bëjnë me kast?!, unë e shfrytëzova dhe i thashë se energjia vinte në shtyllat e drurit të vitit 1970, ndaj ndodh, se nuk mendoj të ketë gjë të qëllimshme…

I dëgjoi të gjitha, më falenderoi dhe e falenderova, por të dy njëri pas tjetrit, Ai edhe unë, ikëm duke e lënë pas Domgjonin e Fanin siç e gjetëm! Ashtu vazhdon edhe sot, me përkeqësim të vazhdueshëm, sa nën efektin e kohës e faktorëve natyror aq edhe nga mungesa e kujdesit të faktorit njerëzor.

2.

Duke udhëtuar nëpër Fan e drejt Domgjonit tim, në mendje më kalon e gjithë historia dhe kontributet patriotike të njerëzve të asaj zone të lashtë, e në shpirt më vret, pa u ndjerë, vuajtja e saj, shuarja graduale drejt “vdekjes” e mungesa e perspektivës.

Kjo zonë, në regjistrimin e vitit 1989, i fundit regjistrim i periudhës së sistemit monopartiak, numëronte gati 13 mijë banorë, kishte shkollën e mesme të bashkuar “Ndrec Ndue Gjoka” në qendër me rreth 1100 nxënës, prej të cilëve 600 në ciklin tetevjeçarë, 200 në arsimin e mesëm ditën, 100 vahzdonin të mesmen natën e 200 të tjerë me korespondencë, dhe në çdo fshat kishte shkollë 8-vjeçare. Të tilla kishte Bisaku, Konajt, Shëngjini, Dardhazi, Sangu, Domgjoni. Vetëm shkolla e Domgjonit numëronte atëhere 320 nxënës. Kishte disa shkolla anekse si në Gjakëz, Shtrungaj, Petoç, Thirrë, Hebe etj. Shtëpitë e kulturës ishin në Fan e Domgjon e ato organizonin shfaqje filmash, koncerte artistike, aktivitetet sportive të shumëllojëshme ishin kudo të pranishme e zhvilloheshin kampionate lokale në futboll, volejboll, mundje etj. Kishte edhe një bibliotekë të pasur në qendër, krahas atyre modeste nëpër shkolla, e shumëçka tjetër. Kishte kopshte e çerdhe kudo e jeta “ziente” plot gjallëri, ndonëse në varfëri. Qendra e Fanit ngjante me një qendër të vogël qytetase, plot zhurmë e aktivitet. “Në dash me të ik dita sahat, thonim ne fanasit, shko në Livadh të Gjacit (qendra e Fanit)”. Kështu ndodhte në çdo qendër fshati të banuar.

Thënë kjo, nuk kam asnjë iluzion se kthimi i asaj kohe, asaj qeverisje e asaj politike, është zgjidhja! Jo, aspak! Çeshtja shtrohet ndryshe. Fani ka histori ekzistence rreth dymjjë vjeçare. Guri i Xhuxhës me shënimet e tij tejkaloi edhe parashikimet më entuziaste, duke na dërguar larg, shumë vite para Krishtit. Dëshmojnë për këtë lashtësi çdo pëllëmbë e gur. Atje gjenden kudo rrenoja kishash, nisur nga ajo e Shën Marisë në Bisakë, kisha e Petkut në Konaj, ajo e Shën Gjinit, në Shëngjin, e Shën Trinisë (Shnriatit) në Xhuxhë, e Shëngjonit në Sang e kudo. Bile edhe në Munellë, tek vendi i quajtur Qafa e Livadhit të Priftit, në një kodrinë nga ku shihet krejt Fani, ka rrenoja e gojëdhëna se ka patur kishë. Toponimet e shumta e objektet e veçanta, flasin për një vendbanim të lashtë. Flet shpella e Batrave, rrenojat e Shnriatit, flet Gurra e Lashtë e Domgjonit e shekullit pestë, flet Qyteza, (Gradishta apo Kalaja e Domgjonit), me siguri e periudhës para shekullit IV - V. Flasin e ulërasin Kuvendi i Fanit i vitit 1911, lufta me turqit, lufta me serbët në Sang, Bargjanë e Munellë. Flet tradita e trashëguar brez pas brezi e kultura e jetesës, artizanati, e gjithshka tjetër, se kjo zonë u ka mbijetuar të gjitha kohërave, përfshirë edhe sistemin pesëdhjetëvjeçar socialist, me dinjitet, me luftë, me politikë, gjithmonë me punë e djersë. Ndërsa sot po braktiset totalisht. E kjo vetëm nga mungesa e rrugëve dhe sigurimi i qëndrueshëm i energjisë elektrike, shkollimit e shërbimit shëndetësor.

Fanasit janë punëtorë e mjeshtra duarartë, Fani ka resurse turistike të mëdha, ka klimë të ashpër, por të përshtatshme për zhvillimin e frutikulturës e vitikulturës, ujë të bollshëm (jo për hidrocentrale që ndryshojnë ekosistemin, por për njerëz, kafshë e bujqësi!), ka pyje e kullota për zhvillimin e blegtorisë e për të siguruar prodhime natyrore të destinuara për eksport, ka livadhe të mrekullueshme për turizëm alpin, për sporte si ski etj, e gjithshka tjetër për t’u jetuar dinjitetshëm, përveç vëmendjes qeveritare.

Sot në Fan janë më pak se 2000 banorë, nga 13’000 që ishin në vitin 1989, në Domgjon janë më pak se 200, nga 2400 që ishin në vitin 1989, shkollat po mbyllen, qendrat shëndetësore nuk i hapin dyert edhe pse ekzistojnë.

Perspektiva është e zymtë… E megjithatë, ata pak njerëz që kanë mbetur atje akoma, qëndrojnë e punojnë, edhe si ftesë e nxitje që ne mos t’ia kthejmë shpinën përfundimisht, e Qeveria t’ia lëshojë vetëm “një cep syri” asaj ane. Kur shoh tokat e punuara e sistemuara të familjeve që jetojnë atje ose rikthehen herë pas here, dhe i krahasoj me ato “të harruarat” që vuajnë mungesën, më duket se krahasoj dy epoka të largëta.

Edhe një gjë s’duhet harruar: Fani shkolloi e nxori nga gjiri i vet edhe plot intelektual të çdo fushe, disa edhe të njohur e me detyra të rëndësishme shtetërore, disa të tjerë janë bërë biznesmenë të njohur. Nuk duhet ta harrojmë se jemi këta që jemi edhe me kontributin e Fanit e të fanasve e duhet t’ua kthejmë atyre një pjesë të investimit që kanë tek ne, jo me hidrocentrale që prishin mjedisin e japin fitime të majme për një individ a një familje, por me investime që mbajnë gjallë jetën atje, punësojnë sa më shumë njerëz, thithin flukse turistësh, edhe pse ndoshta japin pak fitime për investitorin.

Sot bëhet më lehtë se nesër…

Po shteti?

Për aq sa është prezent në atë zonë, pak punë prish edhe po “të mos jetë fare”. Ai duhet të bëhet i gjallë me rrugët kryesore nga autostrada drejt qendrave të çdo fshati, me vitalizimin e disa pikave turistike si Gurra, Munella, Zepa, Batrat e livadhet e Xhuxhës, me energjinë elektrike të qëndrueshme e të sigurt dhe me stimulimin e investitorëve vendas e të huaj për zhvillimin e agroturizmit, duke lëvruar kredi pa interes, duke lejuar deri 10 vite aktivitet pa taksa e, në radhë të parë e mbi të gjitha, duke ua dhënë tokën të zotëve, pa asnjë burokraci. Atje sekush i di kufijt e tjetrit, prona mbetet e shejtë e normat e sjelljes ndaj saj të ligjëruara deri në gen, ndaj s’duhet të hezitohet.

Kufijt i zgjidh fshati. Shteti t’i mbikqyrë e dokumentoje!

***

Mund ta shëtitja Fanin me këmbë nga Zepa në Munellë e Kumbull, si dikur fëmijë me bagëti, apo kuadër për pak kohë në ish - kooperativën e Klosit, pa e ndjerë lodhjen fizike aspak, edhe pse vitet ecin pa më pyetur, por kur shoh shtëpi të rrënuara, oxhaqe që s’nxjerrin tym, ara të pa punuara, pemët e thara që po i zëvendësojnë pishat e lisat, pyje që i mbyt qetësia vrastare e mungesës së blegtorisë, e ku veç kënga e zogut e ndonjë ulërimë kafshësh e shpezësh të egra (të vetmet që kanë përfituar nga kjo harresë!) nuk mungon, shpirti s’të ndihmon të vazhdosh e ligshtimi të lodh…

Jemi në fushatë eklektorale e çfarë nuk na dëgjojnë veshët nga partitë politike e liderët e tyre, por askush nuk artikulon asgjë për këtë gjendje të pa merituar të fshatit në tërësi e atyre malore në veçanti, për braktisjen e tyre në krejt Shqipërinë e për mungesën totale të perspektivës së tyre. Jo! Fani e Domgjoni, Mirdita e Veriu shqiptar, ashtu si edhe çdo pëllëmbë tjetër e kësaj copë toke të quajtur Shqipëri nuk e meriton braktisjen, as nuk meriton neglizhencën tonë e “sytë qorr e veshët shurdh” të pushtetit.

Varret dhe e nesërmja do t’na namin të gjithëve!

Domgjon, 27 prill 2025



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx