E merkure, 30.04.2025, 05:28 AM (GMT+1)

Kulturë » Zhiti

Visar Zhiti: Papa Françesku shkon në qiell, vizita e tij e fundit

E hene, 21.04.2025, 06:59 PM


PAPA FRANÇESKU

SHKON NË QIELL - VIZITA E TIJ

E FUNDIT…

Nga Visar Zhiti

Papa Françesku shkon në shtëpinë e Atit… E gjithë bota jep lajmin se ai ndërroi jetë sot në moshën 88 vjeçare…

Papa aq i dashur për njerëzimin, që i shërbeu fuqishëm dhe po aq denjësisht Zotit dhe Kishës…

Bota e gjithë sot flet për atë, jetën dhe veprën e tij… Bota është në zi…

Ne, shqiptarët, kujtojmë që na deshi shumë dhe vizitën e parë apostolike jashtë Selisë së Shënjtë dhe Italisë, zgjodhi ta bëjë në Shqipërinë tonë si në një vend të vuajtur, me një kishë martire dhe emblematik për vëllazërinë ndërfetare.

Me atë u kanonizua shenjtërimi i Nënë Terezës tonë, u lumturuan 39 martirë të Kishës tonë, të vrarë nga regjimi i dikurshëm totalitarist dhe krijoi si kardinal një prift të thjeshtë, që vinte nga burgjet, bashkëvuajtësit tonë, Dom Ernest Troshanin.

Papa Françesku dërgoi Kardinalin Parolin, Sekretarin e Shtetit në përurimin e Katedrales “Nënë Tereza”

në Prishtinë dhe të përshëndeste popullin e Kosovës…

Më jehon zëri i Papa Françeskut, kur tha se shqiptarët thonë se janë bij të shqiponjave… - dhe janë bërë të njohura imazhet e tij me një qeleshe shqiptare me shqiponjë apo kur bën me duart e tij të bardha shqiponjën tonë, teksa qeshte me disa të rinj shqiptarë në një takim ndërkombëtar, - ndërsa në Tiranë na porositi  të gjithëve: “…por mos harroni folenë dhe plagët!”

Foleja dhe plagët ngjajnë, - shkruajta unë. Papa fliste si poet dhe i donte poetët.

Ne patëm fatin të ishim në disa mesha të celebruar prej tij, edhe atje ku ai banonte në Santa Marta, ta takojmë dhe të bisedojmë, të mahniste se si të dëgjonte, i tëri për ty, kujtoj kur i dhuruam librin tim për Nënë Terezën, “Plagët nuk kanë atdhe”.

Atdheu i plagëve jemi ne…

Dom Gjergj Meta, ipeshkvi i Dioqezës së Rrëshenit, ku ishte dhe burgu famëkeq, ku vuajtën shumë nga klerikët tanë, shkruan sot:

“Të dashur besimtarë katolikë!

Papa Françesku u kthye në shtëpinë e Atit! Ka dhënë shpirt sot në orën 7:35 të mëngjesit!

Falenderojmë Zotin për shërbimin e tij në gjithë këto vite e të lutemi për shpirtin e tij!”



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx