Speciale
Sylejman Salihu: Konvertimi i popullatës pejane nga malazezët
E hene, 21.04.2025, 06:59 PM
KONVERTIMI I POPULLATËS PEJANE NGA MALAZEZËT
Nga
Sylejman Salihu
Unë
kisha dëgjuar më përpara për familjen Harapi të Shkodrës, madje kisha dëgjuar
më shumë për Anton Harapin, apo edhe për ndonjë tjetër nga Harapët , por nuk
kisha dëgjuar për Zef Mark Harapin. Natyrshëm vjen pyetja: Kush ishte ai? Që në
fillim të librit "Dita e trishtimit n' Pejë" për të shkruhen këto
fjalë: "Ai ishte një ndër ata persona, mësues, që e mbajtën gjallë jetën
teatrale për më se dy dekada në Shkodër e më gjerë, si dhe dhanë një kontribut
të shquar në letërsi, etnografi dhe historinë e Shqipërisë"(f. 7) Kaq sa
për hyrje. Por Zef Mark Harapin kësaj radhe e njoha përmes një libërthi, që
lexohet për 2-3 orë dhe ndonëse gjuha , dialekti dhe drejtshkrimi që ai përdorë
mund të ta ngadalësojë leximin, por kur i ke hyrë librit, dhe kur e ke kuptuar
se përse do të flasë ai, doemos që do ta kapërcesh pengesën me lehtësi, duke ndjerë
edhe një trishtim të thellë, të një plage të rëndë shoqërore të popullit tonë.
Jo gjithnjë na bie të lexojmë libra që na kënaqin me artin dhe estetikën e
tyre, sepse ka disa nga ata që na dokumentojnë gjëra të hidhura dhe na
trishtojnë, por edhe na hapin sytë më shumë për të kuptuar periudha të rënda
dhune historike mbi ne. Autori në librin
mbi njëqind faqe "Ditt e trishtimit n' Pejë" shpërfaqë një vit
të trishtë, një vit të "mbrapshtë" siç do të thoshte Kadare,
domethënë një vit tragjik, për shqiptarët e këtij qyteti të bukur të
Dukagjinit. Janë vitet 1912-13 kur Perandoria Osmane e lodhur u largua, duke
lën? rrëmujën prapa. Por të tjerë armiq po prsinin me një këmbë në kufirin e
tokave tona, për të marrë copa të atdheut si një plaçkë, që gjoja ishte ruajtur
për ta. Madje siç shpreheshin, ata do t'
i rikthenin "tokat e tyre" "Stara Serbiinë"(Sërbinë e
Vjetër). Dhe kush ishte ky armik? Ishte fqiu i parë, Mali i Zi. Në fillim
autori na tregon pak histori duke ardhur ngadalë në kohën e atij fillimshekulli,
i cili nisi keq për shqiptarët, sepse Kosova mbeti me miratimin e Konferencës
së Ambasadorëve të Londrës të vitit 1913, nën Sërbi deri në vitin 1999. Këtu
autori na e paraqet ardhjen e malazezëve, të cilët nuk dallojnë shumë nga
serbët, apo "shkjetë" siç i quan ai me gjuhën dhe të folmen e
shkrodranishtes së tij. Mali i Zi me Krajl Nikollën e donte Pejën, e ëndërronte
atë, madje e kishte ëndërruar edhe kur paskësh qenë student në Paris, prandaj edhe ishin bërë gati të gjitha
strategjitë për ta pasur nën këmbët e veta. "Kapica" e Malit të Zi do
të vinte dhe do ta ndërronte plisin e bardhë. Kështu ishte vullneti i Krajl
Nikollës, të cilit ushtarët e tij do t' i thurnin këngë, kur tashmë kishin
pushtuar Pejën e bukur e të kamur me
rrethinë, ku i kanë t? gjitha, derisa këndojnë: "Dosta leba, dosta
para/Zhivjo-o nashe Gospodara, Nikolli"(39), që në shqip do të mund të
përshtateshin:"Bukë boll, e pare boll/Rroftë kryezoti jonë, Nikollë".
*
Por
shqiptarët nuk mendonin si ai. Ata do ta mbronin tokën e tyre, dhe do ta
mbronin me gjakun e tyre. Nuk mund të ikte kush nga lufta, që po vinte, sepse
nënat malësore shqiptare, nuk i kishin rritë djemtë e tyre që ikin dhe marrin
dangën e madhe të dezertorit apo të ikanakut. "Me ikë prej lufte â punë e
paa burrni, e m'nji mndyrë t' posaçme për koom t' shqyptarit, madje n' a kaa
lânë për mësim malcorja, kuer kjo e kaa nisë n' luftë nji djalë t' vetun qi e
kishte: "Biroo, shko n' luftë e qindro, ku t' ngulish kamën aty len edhe
kryet, por saa me ikë e me t' vuu n' qejnim shokët t' uu mrapa, maa mirë mos u
nis e rri bashkë me mue e t' tjerrim bashkë"(33-34). Lufta po vinte dhe i
pari i
Pejës, Zenel Begu mori lirat e kuqe me vete dhe iku në Stamboll, kurse
feudali tjetër Jashar Pasha shkoi dhe i ra në dorë Sërbisë. "T' shtunden me 26 tetuer u hap zani n'
Pejë se Malazezt hinë n' Shtupeq t' madh, tre sahat larg qytetit"(36).
Ushtria malazeze në krye me serdar Janko
Vukotiçin, tashmë kishte hyrë në Pejë
dhe siç ndodh rëndom , pushtuesi kërkonte haraçin e tij. Malazezët që vinin
nga shkëmbinjtë dhe kreshtat e thata, kur ranë në Rrafshin e Dukagjinit
kërkonin edhe të bënin qejf. Në stilin e një bajlozi, ata kërkojnë raki, bukë e
duhan. "U lutem edhe me bâ gadi vênë e rakii, buk e duhan, me i dhânë
ushtriis s' onë qi âsht lodhun tash njizet dit tui luftue"(38). Zef Mark
Harapi, që ishte mësues në atë koh? në Pejë, në shkollën që e kishte hapë
Austria apo Shvaba siç e quanin malazezët, vëzhgon me detaje çdo lëvizje dhe
çdo lloj dhune që ushtrohej mbi shqiptarët, nga pushtuesi i ri. Ai në mënyrë
kronologjike ka përshkruar të gjitha
veprimet e Malit të Zi, të gjitha llojet e
zullumit, të plaçkitjeve, të
rrahjeve, të vrasjeve, të dhunimeve, me një gjuhë të dokumentuar dhe të
argumentuar. Ndonëse katolikët e qarkut të Pejës, ishin mbështetës të pushtetit
austriak, i cili edhe i kishte marrë nën mbrojtje, pushteti malazez, përpiqej
që t' ua mbushte mendjen shqiptarëve të krishterë të konfesionit katolik, se
pushteti i Cetinës me në krye Krajl Nikollën ishte më i mirë se ai i turkut madje edhe se i Austrisë dhe mjaftonte që këta të ishin të disiplinuar dhe
të mos rebeloheshin kundrejt këtij pushtuesi të ri me Krajl Nikollën në kry.
"Edhe po u tham tesh e per gjith herë me hjekë meç Austriin pse kjo vetun
ju merr n'qafë..."(49). Tash pushtuesi kërkonte që të nënshtruarit të
ndërronin fenë duke vu kryqe dhe kapicë mbi kokë, sepse ndryshe do të pasonin
masat ndëshkuese, të cilat ishin drakoniane dhe tipike mesjetare. Kështu një
ditë edhe mësuesit shqiptar shkodran të konfesionit katolik Zef Mark Harapit i erdhi kërcënimi:
"Deri nesër do t' vesh kapicë t' Malit t-Zi, për ndryshe kee burg dhe
gjobë"(55). Pushtuesi e mbante veten mirë të etabluar dhe largimi i tij
nga tokat shqiptare nuk ishte asnjëherë në mendje dhe se trofeu i fituar me luftë
do të mbahej përgjithmonë se lëre më që të largohet:.."e para lëshohet
Çetina se lëshohet ky vend me rrethe"(57). Ky ishte mendimi i pushtetarëve
të Cërna Gorës. Përveç plaçkitjeve të rënda, të cilat cënonin rëndë pronat dhe
ekzistencën fizike të shqiptarëve, si represion ishte edhe kërkimi dhe dorëzimi
i armëve, një metodë kjo e vjetër e tyre, që u përdor pastaj në Kosovë edhe në kohën e Aleksander
Rankoviqit. Kjo nënkuptonte çarmatosjen e shqiptarëve, të cilët pastaj nuk do
të kishin mundësi të mbronin tokat dhe pragun e vet. "Lypte prej katolikve
armë tjera, t' cillat nuk i kishin"(66). Kur ato nuk i kishin, prandaj
edhe nuk mund t' i dorëzonin fillonin masat represive: "Si bite nata i
lidhshin per njênë krah m' nji gardh e me nji cung i bishin turîve e parzmit e
nder brryla: mushëshin mandej nji teneqe
vojit gurit me uj e ja u shprazshin mîi krye e uji derdhej nëpër t' tanë
shtatin e t' yne. Merrnie me mend saa
mundim kan hjekë ata t' mjerë për gjith at t' ftoftë e kuer uji ju ngrite akull
n' shtat. N' at dimën shum t' kshtenë i lidhne me konop për fytit e i hidhshin
me gjith petke ndër vija ujnash e i ngrehshin rrëshqanë për konopit e i qitshin
n' breg , kshtu ja u bâshin shpesh herë. T' shumve ju duel shpirti mjes atii
ujit t' ftoftë"(67) Harapi si katolik që ishte duket sikur ka theksuar më
shumë dhunën malazeze mbi shqiptarët katolikë, të cilëve u thuhej se ishin të
njejtë , (brate-vëlla)sepse e kishin kryqin që i "bashkonte".
Klerikët katolikë të drejtuar nga argjipeshkvi Lazër Mjeda, që u jepte zemër të
mos e pranonin konvertimin, ishin në
shënjestër të vazhdueshme që këtë ta bënin. Konvertimi i katolikëve në
ortodoksë ishte parësore për pushtetin e ri. Secila shtëpi duhej të kishte një
kryq n? derën e shtëpisë, madje edhe në kapelën e tij, qoftë edhe të vizatuar.
I detyronin me gjithë familje të shkonin në kishë dhe të konvertoheshin në
besim të ri, sepse kërcënimi i ri thoshte:"..deri t' ejten do t' shkote krejt katundi i Novosellës me
gra e thmii, pleq e plaka, t' rii e t' reja
me u bâa shkje n' kishë t' Deçanit"(73). Kur ata nuk kishin armë të
dorëzonin, që s' kishin mundur as t' i blenin se kushtonin deri në 20
napoeleona (67) dhe konvertimin e kundërshtonin, atëherë fillonin masat represive dhe ndëshkimet
barbare. Le të flasë autori flet me gojën e personazheve: "Nji herë na
lypin armë; armët ja u biim e mandej thonë se kemi mâa e mâa e s' keni tjetër
pshtim, përposë qi m' u bâa shkjee. Nja gjashtë vetë prej katundit t' onë i kan
thânë se, armët i këna pasë ju a këna dhânë Sundimit t' Pejës e praa as armë s'
kenë me dhanë as shkjee nuk bâhena. At herë
i kan kapë, i kan futë ndë ujë akull-shtin e xiirr -mandej ja u kan
rreshtue duert nder rrasa me nji guur t' madh
ja kan shtypë, deri saa u kaa raa t' pakët n' zêmër...."(74).
*
Por
ajo zezonë historike në Lugun e Baranit kishte edhe ekzekutorët e vet, që
kishin emër. Ai që kishte ekzekutuar vdekjet e shqiptarëve ishte personazhi dhe
antishqiptari i quajtur Sava. Madje me
emrin Sava kishte dy ekzekutorë: Savë Dajaku dhe Savë Batarja, që kishte hyrë
edhe në këngë si personazhi më famkeq me
dhunën që kishte ushtruar mbi
shqiptarët. Autori Zef Harapi shpjegon:"Kta dy êmna ja pat njitë n'
qejnim populli njënit Savë qi, e kishte ndêjën n' Gjakovë pse rrite gjinden n'
dajak e bate për dekë, shum edhe i niste për Pejë e ktu bâheshin batare prej
tjetrit Savë i cilli mrriti me grii deri n' 3000 vetë mrëndë n' Gjytet, nahije
mshehtas neper pyllna e llugje"(79). Savë
Batarja ishte tmerri i shqiptarëve, se s' kishte lënë të tortur? pa
bërë, duke mbushur burgjet me shqiptarë, qoftë myslimanë, qoftë katolikë, të
cilët detyroheshin të bëheshin "shkjee" tamam si viktima të një
inkuizicioni sllav pasmesjetar dhe antishqiptar. Por le të citojmë autorin! "Gospodin
Sava per me bâa nji ndeer (sic) shkote vetë tu dera e burgut e u thotë: "Kush bâhet shkjaa
pshton, tjerët bâhen batare"(80). Pastaj vazhdojmë citatin q? tregon
pamjen tjetër tragjike: "T' kishte
raa pikëllim n' zêmër me i pasë paa ata t' ngartë kuer i çoshin me i grîi me
kaa shtatë e dhetë vetë tubë t' lidhun me duer mrapa, me ftyrë t' zbeet e kahe
shikojshin dugâjet, gjinden e rrugës, miqt e vet: me sy t' përlotshem e pa çilë
gojë. Vêndi i vraiis ishte jashtë gjytetit. Çilshin nji gropë t' giatë e buzë
saj rêndoshin t' gjikuemt për dekë me ftyrë kah ushtarët qi, do t' qitshin kaa
dymdhetë herë për nieri e ata t' ngratë rrxoheeshin e bishin n' vorr t'
vet"(81). Vdekja me plumb mbase ishte e lehtë, sepse tortura tjera më të
rënda ishin praktikë e malazezëve të Krajl Nikollës, që të kujtojnë ato vdekjet
e Nikolla Kopernikut e Jan Husit, kur digjeshin mbi turrën e druve nga
inkuizicioni kishtar i mesjetës: "Shum
vetë qi guxuene me i dalë per baall ktii urdhnit t' paa-udhë i xëshin, i
rrihshin mirë e mirë, mandej përdhuni ja shtîshin kryet n' grykë t' kaftorrit
(stufës) t' ndezun e ja mashin ashtu deri saa i piqeshin syyt; ase i lyshin
duert me voj gurit e i nepshin zjermin me shkrepcë; ase i shtergoshin kryet me
nji vegël t' hekurit deri saa ja qitshin syyt jashtë e trûtë ja derdhshin; ase
me nji piskërr i ndukshin mustakët fije për fije"(81).Dhuna dhe masakrat
ishin bërë një përditshmëri në Pejë. Ishte nj? zallahi e madhe. Vetëm për një
javë Qeverija kishte vra 113 vetë. Madje edhe në një shtëpi në kërkim të
pushkëve numri i të vrarëve kishte qenë i madh: "N' Rugovë t' Pejes kaa
mrriit me vraa, për shkajk t' pushkve deri n' njimdhetë preje nji shpijet e
lânë shpiinë vetun për nji plakë 60 vjetshe"(82). Të lodhur nga dhuna,
masakrat dhe persekutimi deri në vdekje dhe shfarosje, shumë shqiptarë u
detyruan të ktheheshin në fenë ortodokse. E Zef Harapi vazhdon përsëri rrëfimin
e tij: "Kahë marimi i Marcit u kthyene n' shkjenim shum myslimana t'
shpijave t' mira t' Pejës. Graa myslimane duelne me ftyrë zblue e nder karroca
e streme shkoshin n' kishë t' Pejës me marrë pagzimin; për nûnë u pat kenë bâa
Krajlica Milenë e Cetinës"(84-85).
*
Por
le të vazhdojmë të tregojmë edhe për një rast tjetër sa të dhembshëm aq edhe tragjik, sa të
trishtueshëm, aq edhe heroik. Nëse gratë suljote dikur kërcenin nga shkëmbinjtë për të mbrojtur
moralin dhe dinjitetin e tyre nga ushtarët turq, atëherë edhe një vajzë pejane
do ta bënte më përpara vdekjen e saj sesa të bëhej plaçkë e një oficeri
malazez. Me aktin e saj tragjik, për të
mos i rënë dorë "shkjaut" të Cetinës, ajo pranon të vetëvaret në një
degë mani, në oborrin e shtëpisë së saj. Autori thotë se një oficer malazez
kishte hetuar një vajzë të bukur të një shtëpie shqiptare dhe i kishte premtuar
babait të vajzës 18 vjeçare se në këmbim të vajzës, që do ta mirrte ai për grua
apo si robinjë, do ta lironte babain dhe familjen e tij nga konvertimi me
dhunë. Babai i gjorë pèr t? shpëtuar familjen kishte pranuar ofertën ogurzezë
dhe tash mbetej vetëm ekzekutimi i marrëveshjes. Kur oficeri shkoi ta mirrte
prenë e tij, gocën e bukur pejane, fillon edhe shpalosja e aktit që parathotë
tragjedinë. Le të shohim pamjen në vazhdim përmes këtij rrëfimi tragjik:
"I
duel n' derë vajza: -Urdhno-i tha, se baba e nana t' presin nelt , n' kaq edhe
unë po bâhemm gaadi. -Ajo vetë muer nji konop e duel n' kopshte e vari veedin
për degët e nji mândit. Asht çue ai zyrtari kaa lypë vajzën, kaa kërkue baba e
nâna kuer e t' plasun t' zëmrës e kan paa t' vjerrun për mand e dekë"(85).
Autori nuk ngurron të na paraqesë edhe pamje tjera të trishta e të shëmtuara,
teksa përshkruan sesi njerëzit që
pritshin në radhë për konvertim përpara kishës, i fshinin lotët, jo si shenjë
gëzimi që po bëheshin ortodoksë, por si shenjë pikëllimi se po detyroheshin të
braktisnin besimin e tyre të moçëm, të trashëguar ndër shekuj. Kështu kishte
ndodhur me myslimanët e Strellës, t' Grabanicës, t' Isniqit, t' Krushevës, t'
Papiqit. "Krejt numri i shkjeeve t' kthyem kje afër 1500 vetve"(91)
*
Le
t? kthehemi edhe nj?here te Savë Batarja , ky emër famkeq që është bërë
personazh edhe i këngës popullore shqiptare. Ai paraqitet me gjithë kërcënimet
dhe egërsinë , me despotizmin dhe
batërdinë, teksa kërkon konvertimin në ortodoks të shqiptarëve. Derisa një
pjesë e shqiptarëve nuk e kishte përballuar dhunën dhe represionin malazez dhe prandaj edhe ishin konvertuar në
ortodoksë, janë të tjerë, që e kundërshtojnë këtë, duke paguar qoftë edhe me
kokën e tyre. Motivi i konvertimit ka gjetur frymëzim edhe te epika historike
shqiptare. Poeti popullor nuk ka mundur ta anashkalojë këtë kohë dhune e
konvertimi pa e kënduar në vargjet epike popullore. Vargjet epike historike e
paraqesin këtë periudhë të errët me vargje edhe krenarie, edhe trishtimi, edhe
trimërie, edhe flijimi. Personazhe të këngës janë Savë Batarja, Hazir Alija,
Sali Bajraktari e Hasan Bajri. Në vargjet pasuese kryeplaku i drejtohet Savë
Batares:
" Maje n'men Savë-
i ka thanë
Shum selam kralit t'm'i
bajsh
Selam kralit, ti, me i
çue
S'ke gjetë kishë për m'u
kryque... !
Me
këto vargje poeti spikatë elementin e qëndresës shqiptare karshi dhunës
malazeze. Shprehet stoicizmi dhe
martirizimi me fjalë të plakut të urtë
që do t' ia acarojnë ndjenjat hakmarrëse
Savë Batares, i cili merr menjëherë masat ndëshkuese, duke i shndërruar në
viktima mijëra shqiptarë, të cilët janë shkrirë në detin e madh sllav. Por edhe
qëndresa dhe flijimi për të mos ndryshuar fe e besim ishin aq të forta sa u
mbrojtën me lumenj gjaku nga shqiptarët që vdesin "për fe e atdhe".
"Hazir Alia trim
koka qillue
Përpjet gishtin e ka çue
Du me u gri e me u
coptue
Tybe n`Zotin fenë s`muj
me e nrrue
Krisi pushka e dajaku,
Rrugët e shehrit i
mbuloj gjaku"
Me
të njëjtin zë kryengritës i drejtohet
Savë Batares edhe Hasan Bajri, i cili ia kujton Savë Batares faktin se derisa
ishin nën sundimin turk, asnjëherë nuk u kishin shkaktuar kurrfarë dhune dhe
kurrfarë dëme serbëve, veçanërisht në fushën e besimit të tyre pravosllav:
"Hasan Bajri n' kam
u çue:
T' u nxiftë fjala shka,
çka po thue!
Pesqind vjet t' kena
sunue,
Asniher me zor n'xhami
s'të kam çue,
S'të kena thanë fenë m'e
nrrue"
*
Fenomeni
i konvertimit ndër shqiptarët ka qenë kurdoherë i rëndë dhe është endur mbi
shqiptarët si një murtajë, nga e cila janë shkaktuar shumë dhimbje dhe shumë
tragjedi nëpër shekuj, qoftë në kohën e Perandorisë Osmane, qoftë në kohën e
pushtimit të Kosovës nga serbomalazezët, pas largimit të kësaj perandorie.
Madje edhe sot ka një frymë të rikonvertimit në fenë e moçme, e cila po
përcillet me shumë turbulenca dhe polemika të ashpra, të cilat jo që po
pakësohen por përkundrazi po shtohen.