Kulturë » Zhiti
Visar Zhiti: Darka e Fundit...
E shtune, 19.04.2025, 06:57 PM
DARKA E FUNDIT…
SHIKOJE
SI TË TILLË ÇDO DARKË
DHE
DO TË KUPTOSH PAFUNDËSINË
Nga
Visar Zhiti
Ështe
Dita e Meshtarëve, e shërbimeve… dhe arti di të na çojë dhe ku shkojnë lutjet
dhe dëshirat…
“Darka
e Fundit” është kudo, gjeniu Leonardo Da Vinci e “ka shtruar” në Milanon e tij
dhe kujtoj se edhe ne kemi vajtur atje
dhe emocionet janë gjithmonë të tanishme:
-
15 minutat e Mahnitjes -
E
kam shkruar, e si mund të ikje nga Milano pa parë muralen më të rëndësishme në
botë, “L’Ultima Cena” të Leonardo Da Vincit?
“Radhët
janë të gjata në Kishën “Santa Maria delle Grazie”, vijnë nga të gjithë
kontinentet, në çdo stinë, janë parashkruar për vizitën ditë më parë, javë e
muaj, vetëm një çerek ore zgjat e gjitha dhe ka që nisen për në Itali vetëm për
ato 15 minuta mahnitëse.
…U
futëm në atë gjysmëmugëtirë prej ëndrre, me hapat që kumbonin po aq fort, gati
sa rrahjet e zemrês, ashtu si në herën e parë. Eda ime m’u bë se fshiu një lot
fshehurazi. Harqet e Kishës hapeshin e hapeshin, përfshinin shekullin XV të
Leonardos dhe mbërrinin në Vitin e Parë, kur filloi epoka e re e njerëzimit, në
atë të Krishtit, që na solli Doktrinën e Dashurisë.
Darka
e fundit. Cenacolo… Vepër komplekse në të gjitha pikpamjet, nga stili dhe
ikonografia, fantazmë dhe mrekulli si një kryevepër e madhe…
Krishti
në mes, qiellor… që bashkon Qiellin me Tokën… dishepujt, që përhapën porositë e
Tij, frymën, plagët e kryqit që rrezëllijnë yllësisht… po Juda cili është aty?
Ai që s’ka aureolë. Po Leonardo të gjithë apostujt i ka konfiguruar jashtë
traditës pa aureolë dhe Juda është midis tyre… Dhe mua më shfaqet me fytyra të
tanishme, që i njoh… Minutat regëtijnë, 5…6…7… kaloi gjysma e tyre, shpejt si
shekujt… 8… 9… 10… 12… dishepujt… kthehet minuta 3: Në emër të Atit, të Birit
dhe Shpirtit të Shenjtë… që është Një… 1… Krishti… e fotografoj… prapë e prapë…
shkrap kërciti brenda zemra… si numri 15… u hap një derë tjetër, duhet dalë,
urdhëri u përsërit butë dhe në anglisht… Duhet dalë në epokën tonë… pse, në
ç’kohë ishim, s’ishte jona? Ku na çon kjo portë kishe?… Jashtë muzeut aq shumë
marramendës dhe modern… sa dritë ka përreth…
Ecnim
ndanë tryezave jashtë të restoranteve rrugëve të Milanos plot me diell. Në të
gjitha tryezat ishin shportat me bukë nga Darka e Fundit… do të iknim nga
Milano… po të shkojmë dhe në Universitetin “Sacro Cuore”… studentë plot, në
rrugë, lexojnë shkallëve… Ati Jonë - thonë arbëreshët… At’jon… fërgëllon ajri…
studentë prapë… tryeza në rrugë… shporta dhe shpirtra… dhe bukë shpirtërore…
bukë e dijes, arti… e hidhur, më pak e hidhur… e ëmbël… bukë e përditëshme… që
na e jep, o Zot! Dhe lavdi Leonardo Da Vinci-t!
Amen…
Ke
ende frymën e atyre 15 minutave… të Darkës së Fundit… Mbushu plot me atë frymë…
15 minuta… të kësaj dite të gjithë, të gjithë jetës tënde, që s’është vetëm
jotja… rilexoj: askush nuk ka vetëm një jetë…”.
Të
gjithë jemi ftuar në Darkën e Pafundme.