Kulturë
Idriz Zeqiraj: Dr. Rugova ishte vizionar i pakontestueshëm
E premte, 11.04.2025, 06:59 PM
DR. RUGOVA ISHTE VIZIONAR I PAKONTESTUESHËM (II)
-Gani Mehmetaj: "Rugovën, si e kam
njohur"- pasqyrë e një epoke të trazuar-
NGA IDRIZ
ZEQIRAJ
Më 24 prill 1992, në Kosovën e
pushtuar nga soldateska serbo-sllave, populli i Kosovës, në kushtet e dhunës
dhe terrorit të egër, organizoi zgjedhje të dinjitetshme e demokratike,
Parlametare dhe Presidenciale. Subjektet dhe individët pro-jugosllavë, të
tufëzuar në UJDI, lëshuan sallën, me akuza për gjakderdhje e luftë civile,
kinse, po provokohet Serbia. Dhe, kjo po ndodhte pas -2 Korrikut të Pavarësisë-
dhe -Kushtetutës të 7 shtatorit 1990-!
Ndarja e Kosovës dhe tri opsionet në
rrethana të reja:
Në komunikimin javor me popullin,
Konferenca për shtyp të Presidentit Rugova, shpalosi tri opsionet e mundshme të
platformës së tij:
1) Nëse Jugosllavia do të ruajë kufijtë
e jashtëm, Kosova do të jetë Republikë e barabartë;
2) Nese kufijtë e brendshëm ndryshojnë,
sipas parimeve etnike, shqiptarët do të jenë në një Republikë, (përfshirë
trevat jashtë Shqipërisë londineze);
3) Nëse Jugosllavia do të shpërbëhet,
shqiptarët do të bashkohen në një shtet.
Evropa dhe SHBA hezitonin të pranonin
shpartallimin e Jugosllavisë! Ndërkohë, Rugova i ngushëllonte ata, me slloganin
e përsëritur: "Kosova e pavarur, e hapur ndaj Shqipërisë dhe
Serbisë". Qarqet politike serbe bisedonin për ndarjen e Kosovës, të paraqitur
nga Dobrica Qosiq, akademik, babai i kombit serb. Serbët ta marrin
Leposaviçin, por jo të japin tri komunat në Kosovën Lindore.
Gazetari Mehmetaj trajton edhe
konfliktin Rugova-Franjo Tuxhman. Luftën serbo-sllovene dhe serbo-kroate
shqiptarët e panë me simpati. Dy Republikat i propozuan Millosheviqit -Federatë
asimetrike-, por serbët nuk e pranuan dhe sllovenët e kroatët shpallën
pavarësinë. Tuxhmani i kërkoi Rugovës: "Ne e hapëm frontin në veri të
Jugosllavisë, ju hapeni frontin e luftës në jug!" SHBA-Anglia e pyetën
Rugovën: "A mund ta mbani frontin 7 muaj!" Rugova u gjegj: "As 7
ditë. Mbrojtjen territoriale të Kosovës, e ka shkatërruar Serbia. Kosova është
plaçkitur. 100 mijë punëtorë janë larguar nga puna!" Sllovenët u treguan
fisnik, i përcollën ushtarakët profesionalë të Kosovës për Gjermani e Zvicër.
Ndërsa kroatët u bënë thirrje oficerëve
dhe ushtarëve tanë të luftonin për Kroacinë. Rugova nuk u pajtua, me arsyetimin
se "djemtë tanë duhet të përgaditen për çlirimin e Kosovës". Në atë
kohë isha korrespodent i Mërgatës, për Radio-Zagrebin, por, kroatët e ndërprenë
bashkëpunimin, u koritën. Megjithatë, atje luftuan disa oficerë dhe ushtarë të
Kosovës, përfshirë edhe Bekim Berishën- Abeja, Hero i tri shteteve!
Me ngrohtësi, repekt e dashuri shkruan
luftaraku i shqiptarizmës, Gani Mehmetaj, për miqësinë e dlirë Rugova-Papa Gjon
Palin e Dytë, i cili u "bë engjëlli ynë mbrojtës"; për Kishën
Katolike të Dardanisë, me Imzot Nikë Prela, i cili u kujdes si ati i kombit;
prifti i shumëdashur dhe i kudondodhur në takime, Dom Lush Gjergji: "E
takova Rugovën për herë të parë në Brezovicë, në takimin e Shoqatës së
Shkrimtarëve të Kosovës. Për herë të parë, nga goja, mendja e zemra e tij e
madhe dëgjova fjalën dhe vlerësimin e Tij: "Kisha jonë katolike ka dhënë
një kontribut të jashtëzakonshëm për gjuhën, traditën, kulturën, qenien tonë
kombëtare shqiptare"..., - tha Dr. Rugova.
Fillimisht, kreu i Kishës Katolike
Imzot Nikë Prela, me përvojën e gjyqeve dhe burgjeve plolitike, me ndërmjetësimin
e Profesor Anton Çettës; më vonë Rugova punoi shumë edhe me Imzot Mark Sopin.
Kisha ndihmoi shumë në themelimin dhe organizimin e Shoqatës Humanitare
"Nëna Tereze". Pritja në audiencë ke Papa Gjon Pali II, Presidenti
Rugova, Don Lucian Avgustini, Don Dodë Gjergji, më 11 mars 1993. Me atë rast
takoi edhe kryeministrin italian, Xhuliano d`Amato, të cilit i kërkoi ndihmën e
Italisë. Thënë në sintezë: "Rugova shkroi histori si dhe mbeti në
histori".
Për takimin e shumëpërfolur të Adem
Jasharit me Komandantin Ibrahim Rugovën, studiusi Gani Mehmetaj sjell elemente
të reja, të dhëna e të thëna për herë të parë. Shefi i Zyrës në Përfaqësinë e
Kosovës, Skënder Zogaj, rrëfen: "Fotografia është bërë, më 12 mars 1993,
në Aeroportin e Rinasit me gazetarët. Adem Jashari më shprehu dëshirën për t`u
takuar me -Komandantin- Ibrahim Rugova. Ai ka qenë adhurues i madh i Rugovës,
dhe unë, jam dëshmitar - para robit dhe para Zotit -, që Ademi e quante Rugovën
vazhdimisht -Komandanti-, dhe këtë e shprehte me një ndjenjë butësie dhe
respekti të veçantë, me seriozitet të qartë dhe me një bindje të thellë
përcaktimi",- deklaron veprimtari i devotshëm Skënder Zogaj, kryetar i
Komisionit zgjedhor të kryetarit të LDK-së, më 23 dhjetor 1989.
Dr. Rugova ishte vizionar i
pakontestueshëm."Kafen e mëngjesit do ta pimë në Durrës, kurse drekën do
ta hamë në Prishtinë". "Rruga Prizren-Durrës do të ndërtohet domosdo.
Jam i sigurtë në këtë projekt. Kombi do të bashkohet, madje më shpejt nga sa
mendojmë ne. Do të ndërtohet edhe hekurudha nga Gjakova në Durrës",-
deklaronte Presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugova, tej tri dekada më parë.
Atëbotë, në një gazetë kozmopolitike të Kosovës, gazetari argat dhe zëdhënës i
Serbisë, dje dhe sot, Baton Haxhiu, shkruante për Rugovën: "ëndërrimtar në
delir, fantazi, jo seriozitet!" Si motër e saj ishte fletushka
kundra-kombëtare, "Zëri i Kosovës", e dominuar nga kuadro partiak të
Tiranës zyrtare social-komuniste dhe enveristët e Kosovës, hafije të dyfishtë,
të UDB-së dhe të SHISH-it, të instruktuar nga "diplomatët" e monizmit
shqiptar enveristë.
Autori i vëmendshëm, Mehmetaj, sjell në
librin "Rugovën, si e kam njohur" Konferencën famëkeqe dhe fatkeqe të
Dejtonit, e cila, realisht, Bosnje-Hercegovinën e bëri shtet rakitik, hiç
funksional, duke e lënë vegzën për ndarje të çdokohshme të saj. Të entuziasmuar
nga lufta në Kroaci, disa aventurierë, profanë në politikë dhe në artin
luftarak, kërkonin luftë, edhe pse disfata ishte e parathënë. "Pse të mos
e rikthejmë Radio-Prishtinën, që e pushtuan forcat serbe",- thoshte Adem
Demaçi?! -Por mund të vritën shumë njerëz,- i thanë bashkëbiseduesit.
"-Ani çka nëse vritën 20 mijë njerëz!" Ai ngulmonte dhe bëri thirrje
për luftë të përgjithshme. Përsëri i thanë se mund të vritën shumë njerëz.
"S`është gjë nëse vritën 350 mijë burra" - deklaronte Demaçi!
Zakonisht, në këtë çështje ishin të
bashkuar grupet enveriste e titiste, të cilët e kritikonin, madje edhe e
anatemonin Rugovën, pse nuk po e fillonte luftën! Realisht, ata cyteshin nga
Rusia dhe Serbia, të cilët prisnin këtë aventurë të shqiptarëve, për t`i dhënë
shkas një sulmi pushtues serb, duke e bërë "fait a copli", siç thonë
frengët, pra -fakt të kryer-! Dhe, kjo ka ndodhur me pushtimin dhe boshatisjen
nga shqiptarët të Çamërisë, 85 vjet më parë.
Studiusi Gani Mehmetaj, në një kapitull
të veçantë, pasqyron një qasje të gabuar të liderit të së djathtës shqiptare,
Dr. Sali Berishës, karshi Rugovës, rrjedhimisht, të Kosovës, me kërkesën
absurde për pjesëmarrjen në zgjedhjet e Serbisë, në mbështetje të opozitarit
serb, Drashkoviqit, kundër Millosheviqit. Dihet, ajo ishte një humbje e
parathënë. Por, Rugova dha përgjigjën e duhur, madje proverbiale: "Nuk
përzihemi në punët e një shteti të huaj, sepse kjo do të ishte njohje e shtetit
të Serbisë, mohim i shpalljes së pavarësisë, më 2 korrik1990".
Ndërsa qasja ndaj subjekteve politike
shqiptare në Maqedoni, përbën fajësi. Dr. Berisha dërgoi dy anëtarë të kryesisë
të PD-së në Tetotvë, për të parë zënkat e partisë së Arbër Xhaferit e Menduh
Thaçit me "Prosperitetin" e Nevzat Halilit. Arbër Xhaferi ishte argat
i katër Shërbimeve Informative. Vinte nga UJDI-ja për shpëtimin e Jugosllavisë.
Filloi të flirtonte me PD-në e Berishës, por, në të njëjtën kohë,
"kulloste" me PS-në e Nanos, sepse të një brumi ideologjik ishin. Me
emigracionin e shqiptarëve në Maqedoni, kishim bashkëpunim të shkëlqyer, sepse
shumica e tyre kontribuonin për Fondin shtetëror 3 %-shin, Shoqatën "Nëna
Tereze" dhe organizimet e tjera i kishim të përbashkëta. Në nivel Gjermanie
ishte veprimtari Nami Ramadani, me shokë, nga Ilirida, i cili vazhdon edhe sot
të jetë aktiv.
Në Ludvigshafen, në Republikën e
Rheinland Pfalz-it, në vizita të ndara, erdhën kryetari Nevzat Halili dhe
rektori i Universitetit të Tetovës, Profesor Fadil Sylejmani. Duke qenë kryetar
i LDK-së për atë Republikë, njëherësh edhe anëtar i Kryesisë të LDK-së, në
nivel Gjermanie, më kërkuan të organizoja disa takime me qytetarët nga
Maqedonia, ose -Ilirida- e Nevzat Halilit. Përkrahja ishte për kryetar Halilin.
M`u lut të bisedoja me kryeministrin Bukoshi, sepse Arbër Xhaferi po bëhet
gjithnjë e më i rrezikshëm, po bashkëpunon me pushtetin maqedonas. Bisedova me
Bukoshin, duke ia kujtua se Nevzat Halili është anëtarë i Këshillit të Partive
Shqiptare në ish-Jugosllavi. Dr. Bukoshi ishte i një mendjeje me Dr. Berishën.
"Nevzati na pyet, na konsulton, por e bënë të kundërtën çfarë ne i
sugjerojmë!" Kjo dizinformatë servirej nga intriganti Xhaferi.
Ngjashëm me kryetar Nevzatin, u ankua
edhe Rektori Fadil Sylejmani dhe kërkoi, gjithashtu, organizimin e disa
takimeve me qytetarët e Maqedonisë, për të mbledhur ndihma për Universitetin e
bojkotuar të Tetovës, nga pushteti maqedonas dhe bandës të agjentit Arbër
Xhaferi. Shumë emocional dhe krejt i besueshëm ishte në rrëfimin e tij të
çiltër, të organizuar në sallën e madhe të xhamisë në Ludvigashafen, ku merrnin
pjesë edhe shqiptarët nga Kosova dhe trevat tjera. Loti i Rektorit, përloti të
gjithë të pranishmit. E habitshme, si ka mundësi që një profesor Universiteti,
siç ishte Arbër Xhaferi, ta luftonte aq egërsisht Universitetin shqiptar të
Tetovës dhe rektorin e tij Sylejmani?! Vlen të theksohet se shqiptarët,
pavarësisht, nga vinin, kontribuonin për Universitetin e memëzi hapur të
Tetovës.
Gazetari hulumtues, Gani Mehmetaj, në
përmbledhjen publicistike, "Rugovën, si e kam njohur", ka arritur të
jetë gjithëpërfshirës i ngjarjeve kryesore, ku protagonist ishte intelektuali
shumëdimensional, Ibrahim Rugova, për të cilin, në mesin e shumë personaliteteve
të vendit dhe botërore, kanë dhënë vlerësime supreme. Ndër ta edhe Presidenti
Sali Berisha dhe shkrimtari i mirënjohur, Ismail Kadare: "Në historinë
shqiptare, Ibrahim Rugova nuk ka ndërmjetës, që nga Gjergji ynë i Mesjetës, për
rolin unik në bërjen e shtetit të dytë shqiptar në Ballkan - Kosovën".
Rugova në rrethanat supërspecifike të
pushtimit, mbizotëron opinioni se bëri maksimumin e mundshëm për Kosovën.
Kontaktoi që nga Papa i Romës e deri ke Presidenti amerikan, Bill Klinton. Megjithatë,
në "Çarshi" flitej se duhet luftë. Amerikanët kishin një porosi të
prerë për Dr. Rugovën: "Nëse një pushkë kërcet në Kosovë, me vullnetin dhe
dijeninë tënde, rruga e mbarë pa ne. Luftën duhet ta nisë e para Serbia dhe jo
Kosova". Këtë e konfirmojnë, të paktën, dy akademikë shoqërues të Rugovës,
Jusuf Buxhovi dhe Milazim Krasniqi.
Arsyet e ndërprerjes të ndihmave nga
Qeveria në egzil, për Prishtinën, jo zyrtrisht, është thënë se LDK-ja ka
shpërfillur kërkesën e dhënies llogari -kush dhe sa paguhet-, nga 50 mijë makat
gjermane në muaj, për 99 personat në Kosovë, kërkesë kjo normale dhe ligjore.
Por, rreth Rugovës ka pasur edhe kapadai dhe përgjigja ka qenë neglizhiuese,
ndoshta, edhe mospërfillëse! Ose ka pasur edhe arsye më të thella!?
Emërimi nga Presidenti Rugova i një
kuadri shumë meritor, Anton Kola, ish-nënkryetar i LDK-së dhe i angazhuar në
Ministrinë e Mbrojtjes në Kosovë, i dënuar në mungesë, tani, shef në Zyrën e
Përfaqësisë të Kosovës, në Tiranë, nuk u pranua nga kryeministri Bukoshi. Dhe,
kjo ishte nonsens i madh, për kushtet në të cilat ndodhej Kosova. Megjithatë,
Rugova "lëshoi pe", e tërhoqi vendimin. Por, kjo la shije të hidhur
në opinionin vendor dhe në Mërgatë, që përjetohet rëndë edhe sot, pas tej tri
dekadave!
Për ta kompensuar bllokadën qeveritare,
Rugova kompozoi një qeveri në heshtje, sepse rreziku i arrestimeve ishte
permanent. Ndërkohë, djemtë veprimtarë, kryetarë të Degëve të LDK-së në
Mërgatë, të prirë nga: Hafiz Gagica, kryetar i Kolegjiumit të Degëve në
Diasporë dhe në Gjermani, Hajdar Sadria në Zvicër, Ismajl Bytyçi në Beneluks,
Dr. Muhamet Shatri në Suedi, Skënder Gashi, i pasuar nga Ibish Rugova, në
Austri, Shaqir Shabani në Francë, Enver Seferi në Norvegji, Shaqir Shaqiri në
Angli, Agim Rexhaj në SHBA, të tjerë në Itali, Kanada, Ausrali..., me
komisionet e Fondit të 3 %-shit, vazhdonin begatimin e Fondit në fjalë.
Organizimi ka qenë i përkryer dhe
verifikimi ka qenë dhe mbetet i mundur edhe sot. Dhënia e dhunshme e miliona
markave, frangave, dollarëve "komandantëve" fiktivë dhe abuzivë, ka
qenë skandal i madh financiar, sepse nuk janë përdorë për nevojat e luftës, por
janë përvetësuar nga disa "komandantë" kriminelë e hajna.
"Pusullat", letrat e futura në -kutinë postare-, të varur në derën e jashtme
të Përfaqësisë të Kosovës, në -Rrugën "Skënderbeu"-, në Tiranë, për
ministrat me emër e mbiemër, me përmbajtjen klishe: "Për tradhti ndaj
Atdheut, jeni i dënuar me vdekje. Në rastin më të parë do të ekzekutoheni. -
SHTABI I PËRGJITHSHËM I UÇK-së -!