E merkure, 30.04.2025, 05:58 AM (GMT+1)

Kulturë

Albulena Pllana Breznica: Më qante shpirti

E merkure, 02.04.2025, 06:52 PM


ALBULENA PLLANA BREZNICA

MË QANTE SHPIRTI

(Në qytetin e Mitrovicës)

Isha në qytetin e minatorëve, në Mitrovicë

Vështroja kalimtarët nga këmbët deri te koka,

Fytyra të ngrysura nga skamja e mjerimi

Ecejaket e tyre ishin pothuaj të kota!!!

Disa të vjetër mbanin nipat e mbesat,

Disa të tjerë mbaheshin mbi bastune,

Gocat e reja me çanta për parfumeri

Aty këtu shihja ndonjë të ri!!!

Qyteti gumëzhinte nga makinat e vjetra

Qëndroja pranë një rrethrrotullimi,

Aty afër një furrë buke dhe ëmbëltore

Ndonjë vogëlush blinte kornet-akullore!

Andej rrugës një librari që të binte në sy

Vështroja a mos hy njeri për libër-dituri,

Qëndrova duke mbajtur kokën me duar

Mbeta deri vonë në mbrëmje duke numëruar!!!

Libraria e mbushur me libra plot,

Hynte ndonjë nxënës për gomë apo laps,

I tërë qyteti i varfëruar, i ndarë në dysh!

E tërë ish industria tani në kolaps.

Shëtita nëpër rrugën Mbretëresha Teutë,

Prapë një librari e mbushur plot libra e fletore,

Me punëtorët e vjetër para dere ku s’hynte njeri!

Afër saj e mbushur me njerëz, prapë një ëmbëltore!!!

Pse nuk lexohet e mësohet si dikur këtu

Ua!  me kërciti zverku nga habia e mllefi,

Si do të jetojë kjo gjeneratë e dalldisur

Kam frikë se do ta gëlltisë të tërin kurbeti!!!

Na ishte Mitrovica dikur qytet me njerëz të gëzuar

Kishte shumë fabrika e punëtorë në miniera,

Furnizonte botën me metale të rralla

Prodhime të shumta metalesh edhe akumulatorë!

Këtu nxirrej plumbi, zinku e bismuti

Nxirrej ari e argjendi

Tani çdo gjë e vyshkur, e ndryshkur

Duket se po i del tymi këtij vendi!

Të rinj largohen në heshtje nga vendlindja

Kërkojnë punë e strehim në perëndim,

Shtëpitë pothuaj janë boshatisur, lënë shkret

Vajtoj e qaj pa pra, për vendin tim...

Do mbesin këtu pleq e plaka të vetmuar

Do kërkojmë nga vende tjera mjekë për shërim,

Kjo për mua është shumë brengosëse-trishtuese

Si nuk mendohet të gjallërohet i bukuri vendi im?!

NËNA TEREZË

U lind fëmija i tretë në familje

Doli në këtë botë në Shkupin shqiptar,

Nga prindër Kolë e Drane Bojaxhiu

Shndëriti kudo që shkeli, u shkri si qiriu!

Mësimet e para i bëri në shkollë shqipe të Shkupit

Edhe gjimnazin e mbaroi me sukses,

Dëshira për mësuese i ishte ngulitur në kokë

Mbi të gjitha ndihmoi shumë shoqe e shokë...

Vendosi në rini të bëhet murgeshë

Mori rrugën pa kthim për Kalkutë,

Nga mësuesja u bë Misionare e Dashurisë

Më e dashura për të varfrit e Indisë!

Sa keq që ne e njohëm shumë vonë

Këtu çdo gjë ishte e censuruar,

Për ne u bë në botë Nëna më e Madhe

Mësoi e gjithë bota se ishte shqiptare.

Kur e shikuan të vegjlit për herë të parë

Thanë na erdhi një hyjneshë plot shpresë,

Nderove emrin, familjen e kombin me punë

Nuk flije kurrë pa vënë të varfrit në gjumë!

Nuk harrove kurrë atdheun Arbëror

Ku e le shtëpinë, vendlindjen e farefisin,

U ktheve e dekoruar me fytyrë ngjyrë pëllumbi

Kur zemërngushtët thanë se Gonxhja na humbi!!!

NË QYTETIN E LIDHJES SË PRIZRENIT

Shtëpitë e ndërtuara me arkitekturë të veçantë

Bukuri e rrallë me klimë e ujë të bekuar,

Njerëz të bukur me fytyra të buzëqeshura

Nga gjestet, llafet e lëvizjet, duken të edukuar.

Shëtis me një mik buzë Lumëbardhit,

Uji i pastër gurgullon mbi gurë,

Kalimtarët e rastit shëtisin të harlisur

Disa ndalen e kuvendojnë mbi urë.

Ka ura të vjetra që të kapin mendimet

Kishte dikur mjeshtër guri në këtë anë,

Këtu janë mbajtur takime të rëndësishme

Kaluan këtejpari shumë kapedanë!!!

Ndalemi para shtëpisë-muze, Lidhjes së Prizrenit

Kisha mësuar shumë gjëra për këtë dikur,

E tani e harlisur futem brenda me nxitim

Shumë gjëra janë të skalitura në mur!!!

Muzeu u shkatërrua shpesh nga barbarët

Por dëshira jone e plotë ishte përherë,

Gjërat e ruajtura nga të parët tanë me kujdes

Viheshin përsëri në vendin e duhur me nderë!!!



(Vota: 2 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx