E diele, 28.04.2024, 11:16 AM (GMT+1)

Kulturë

Demir Krasniqi: Një këngë dashurie shkodrane me figura të fuqishme atdhedashurie

E shtune, 10.01.2009, 10:55 PM


NJË KËNGË DASHURIE SHKODRANE  ME FIGURA TË  FUQISHME ATDHEDASHURIE

 

Nga Demir KRASNIQI

 

Qyteti i Shkodrës, tradicionalisht ke qenë njëri ndër djepat më të fuqishëm të kulturës shqiptare. Në këtë djep kulture, kanë lindur, përkundur dhe rritur shumë trima atdhedashës, pena të ndritura të letërsisë shqiptare, artistë të mëdhenj të popullit, muziktarë, këngëtarë, kompozitorë të cilët kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë , artin dhe kulturën shqiptare.

            Tradita e këngës dhe muzikës shqiptare në qytetin e Shkodrës , ka filluar shumë herët dhe ajo edhe sot e kësaj dite kultivon vlera kulmore të këtij arti fisnik. Këngët shkodrane kultivohen, këndohen dhe dëgjohen me ëndje gjithandej trojeve etnike shqiptare dhe në diasporë.

            Mjeshtrit, kultivuesit dhe krijuesit e këngës shkodrane janë dëshmuar me vlera të larta artistike, si nga ana poetike, ashtu edhe nga ajo muzikore.

            Shkodra qysh në vitin 1878 kishte bandën e vet frymore, të cilën e drejtonte muziktari, këngëtari dhe krijuesi brilant i shumë këngëve të asaj kohe – Palok Kurti.

            Po ashtu, në djepin e kulturës së Shkodrës , u lind opera e parë shqiptare në vitin 1958, të cilën krijuesi i saj Prenk Jakova e pagëzoi me emrin “Mrika”.

            Krahas shumë emrave të mëdhenj të muzikës së kultivuar artistike dhe një thesari shumë të madh të këngëve popullore autoktone shkodrane, qyteti i Shkodrës do të mburret gjithmonë me emrat e mëdhenj të artistëve të dëshmuar, të cilët në vijimësi e kultivuan dhe e interpretuan këngën e bukur popullore shkodrane.

Për hir të respektit, po i përmendim vetëm disa prej tyre, si :Xhevdet Hafizi, Bik (Ludovik) Ndoja, File Gjeloshi, Luçie Miloti, Drita Papajani, Marie Kraja, Ibrahim Tukiqi, Shyqyri Alushi, Bajram Spahia, Naile Hoxha, Sebahete Vishnja, Violeta Zefi, Adnan Bala e shumë e shumë të tjerë.

            Në traditën e këngës popullore shkodrane këndohen të gjitha gjinitë e këngëve, që nga ato legjendare, historike, epike, patriotike e deri tek lirika e dashurisë, ahengut shkodranë dhe këngët dasmore.

            Ajo që e bënë këngën shkodrane që të dallojë dukshëm nga karakteristikat e këngëve popullore në qytetet dhe krahinat tjera shqiptare , është fenomeni se në qytetin e Shkodrës, si askund tjetër, u është kënduar karafilave të Shkodrës, kopshteve, luleve dhe bilbilave. Por , e veçanta e të gjitha këtyre këngëve, janë këngët e ahengut tradicional shkodranë, të cilat quhen :” Jaret shkodrane”!

            Në mesin e ciklit të këngëve të dashurisë shkodrane, në të cilat ka një brumë shumë të ngjeshur artistik melodik dhe poetik, jo rrallë , do të ndeshim në disa këngë prej tyre, për të cilat të gjithë ne konsumuesit dhe kultivuesit e tyre, mendojmë se vërtetë janë këngë të dashurisë, por që në fakt, ato nuk janë këngë dashurie, por janë këngë shumë të fuqishme atdhedashurie.

            Këngët e këtilla janë krijuar nga gjeniu popullor, në kohërat e okupimit të trojeve shqiptare, nga okupatorë dhe sundimtarë të ndryshëm, ku populli shqiptar nuk e gëzonte lirinë, nuk kishte pavarësi, as të drejta për shkollim. Karshi këtyre regjimeve të egra okupuese, as këngëtarët dhe krijuesit popullor, nuk e gëzonin lirinë e të kënduarit ashtu siç ua donte dhe dëshironte zemra dhe epshi i tyre krijues!

            Andaj, krijuesit dhe interpretuesit e tillë, shpeshherë detyroheshin që këngët e atdhedashurisë, t’ i kamuflojnë përmes figurave të fuqishme artistike, gjoja se po i këndojnë dashurisë!

            Kështu që , në këngët e këtilla, krijuesi anonim popullor, përmes figurave të fuqishme artistike, do ta identifikojë:atdheun, lirinë, robërinë, popullin e vuajtur dhe dashurinë ndaj atdheut.

            Për ta ilustruar këtë, kësaj radhe zgjodhëm njërën nga perlat e këngëve të vjetra popullore shkodrane, për të cilën ndonëse nuk kemi të dhëna për autorin, mendojmë se i takon kohës së Rilindjes Shqiptare, apo epokës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kur populli shqiptar po bënte përpjekjet dhe sakrificat më të mëdha për çlirimin dhe pavarësimin nga zgjedha e robërisë  shekullore otomane.

            Kënga që po e marrim në analizë, titullohet: ”O bylbyl, o i bukri i shpendve”.

            Duke i analizuar këngët e atdhedashurisë, të cilat gjeniu krijues popullor, i ka thurur me figura e konspiracione shumë të fuqishme, mund të konkludojmë se në këngët e këtilla, gjithkund ku duhet të përmendej “Atdheu”, krijuesi anonim do ta zëvendësojë këtë emërtim përmes figurës :”Bilbili”. Pra, dihet fare mirë se gjithandej ku përdoret nocioni “Bilbil” në këngët e atdhedashurisë, nënkuptohet nocioni:”Atdhe”.

            Në rastin konkret, në këngën të cilën po e analizojmë, kemi të bëjmë me këngëtarin anonim popullor, i cili Atdheun e tij, e cilëson si vendin më të bukur te të gjithë popujve tjerë, por që është i robëruar nga okupatori dhe nga ky robërim , është i sëmurë dhe gjëmon nga plagët e rënda okupuese.

            Figura që përdoret si krahasim në mes të Bilbilit dhe shpendëve, qartë na bënë të kuptojmë se shpendët janë bijtë e Atdheut (Bilbilit).

            Okupimin dhe robërimin, këngëtari, apo krijuesi anonim popullor, do ta shpreh përmes nocionit:”Dimër”, nga se stina e dimrit është e ftohtë për gjithë kënd, mu ashtu si që është robëria dhe gjatë stinës së dimrit , lëvizjet e jetës janë shumë më të kufizuara, sikur që është e kufizuar liria nga ana e okupatorit.

            Adhuruesit e flakët të lirisë ndaj atdheut, këngëtari anonim popullor, nën kushtet e okupimit, do t’ i quan :”dashnorë”, të cilëve iu dhemb zemra dhe vuajnë për lirinë që e duan aq shumë, por që nuk e kanë!

            Të shikojmë se çfarë na thotë këngëtari anonim popullor, përmes strofës së parë të kësaj kënge:

 

O bylbyl , o i bukri shpendve,

Çka ke n’ dimen qi gjimon, aman – aman,

Gjithë dashnorve shndoshjau zemrën, aman,

Hiqjau dertin q’i  rrethon...

 

            Në strofën vijuese të kësaj kënge, gjeniu krijues anonim popullor, do t’ i drejtohet Atdheut, me një ton ngushëllues, përmes të cilit do t’ i tregojë se, ashtu si që është Atdheu i robëruar “në kafaz” (burg) dhe “i rrethuar nga dimri (okupimi), ashtu është i robëruar edhe biri i tij – këngëtari, i cili është i lodhur, i rraskapitur dhe i mërzitur nga robëria, por që megjithatë, nuk e ka humbur shpresën se një ditë do të vjen pranvera, aq e dëshiruar!

            Pra nocioni “Pranverë” , në këngët e atdhedashurisë, gjithmonë simbolizon Lirinë e shumë pritur dhe të shumë dëshiruar nga populli i robëruar!

            Ja se si e përshkruan këtë akt, këngëtari përmes këngës:

 

Në kafaz bylbyl si ti –e ,

Prej ksi dimnit jem’  rrethu, aman-aman,

Zemra ime mush’  n’ mërzie-e, aman ,

Pret pranverën e dishrume.

 

            Gjeniu krijues anonim popullor, ndonëse i lodhur nga vuajtjet dhe shtypjet e rënda të regjimit të egër okupues, prapë se prapë do të jetë optimist dhe nuk do t’ i humbas shpresat asnjëherë, se një ditë do të vjen “Pranvera”, pra do të vjen Liria edhe për popullin dhe Atdheun Shqiptar!

            Këngëtari anonim, përmes figurave të fuqishme artistike, do t’ i thërret Lirisë (Pranverës), që të vijë sa më shpejt dhe t’ ia sjelli Atdheut : diellin, lirinë, ngrohtësinë, gjallërinë, gëzimin, dashurinë  dhe të gjitha të mirat (lulet) , për të cilat ky popull i vuajtur ëndërron dhe vuan me shekuj!

            Jetën në “dimër” ( robëri) , krijuesi anonim popullor e krahason me një gjumë të rënd, nga i cili i gjithë populli është ngopur dhe lodhur! Prandaj, përmes vargjeve të këngës, e fton Atdheun, që të zgjohet nga gjumi i robërisë dhe t’ ia thotë këngës së Lirisë, me të cilën do t’ ua kënaqë zemrat të gjithë “dashnorëve”( dashamirëve- atdhedashësve, liridashësve) të  vuajtur dhe të etur për Liri!

            Dhe vetëm Liria e plotë, do t’ ua shëroj  dhe do t’ ua kënaqë zemrat njerëzve të vuajtur, të nëpërkëmbur e të përbuzur nga robëria!

            Pra, kjo është edhe porosia e kësaj këngë, e cila përfundon kështu:

 

Del pranver’  me lulet tuja,

Mjaft ky dimen na la fjet’,aman-aman,

Ti, bylbyl, kangës pra thuja, aman,

Knaqjau zemrën dashnorve t’ shkretë!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora