E merkure, 04.12.2024, 07:12 PM (GMT)

Mendime

Bledi Kasmi: Të vërtetat e hidhura

E merkure, 17.12.2008, 07:19 PM


Të vërtetat e hidhura

Nga Bledi KASMI

Kryetari i PS u përpoq dje që të anashkalojë debatin mbi hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit dhe ta konvertojë atë në një replikë etike në largësi me kryeministrin Berisha, duke iu shmangur thelbit të çështjes dhe duke u vërtitur pas tezave të edukatës morale dhe politike të të paktën 20 viteve më parë. I veshur ndryshe nga pak vite më parë, kur shante me prag familje kundërshtarët e tij politikë nga podiumet e institucioneve politike, apo kur i konsideronte gazetaret kritike të tij në prani të mediave si prostituta, dje u rrek të merrte pozat e një shenjtori, duke predikuar për moralin e të vdekurve.

Lufta e klasave vdiq, duke na lënë pas viktimat e gjalla të saj, por edhe persekutorët e shëndetshëm. Fati i këtyre dy kategorive gjatë këtyre 18 viteve, pas varrosjes së luftës së klasave, është krejt i ndryshëm. Të parët nuk u hakmorën ndaj krimeve të kryera ndaj tyre, besuan tek shteti ligjor dhe drejtësia sociale, duke shpresuar tek forca e lirisë. Shumë e konsiderojnë këtë një vlerë të çmuar dhe të pazëvendësueshme, por krejt ndryshe është interpretuar ajo përgjatë gjithë kësaj periudhe nga persekutorët e tyre, të cilët e kanë konsideruar atë si një dobësi apo si një mungesë kurajoje për të reaguar.

Bashkëjetesa mes këtyre dy kategorive ka qenë, është dhe do të vazhdojë të mbesë e sforcuar, për sa kohë në mes janë varjet në litar dhe pushkatimet e armiqve të klasës, burgimet dhe internimet në gulakët e diktaturës. Dhe më pas, hendeku më i madh ndarës është mungesa e pendesës, që kurrë nuk ka ndodhur gjatë këtyre 18 viteve, duke na bërë të qartë se persekutorët nuk janë penduar për krimet e tyre. Kjo i bën dy kategoritë të shihen si armiq të heshtur të një lufte të ftohtë, që duket sikur nuk ka të përfunduar.

Kryetari i ri i PS, sapo i zuri vendin Nanos, nxitoi t'u kërkojë ndjesë shqiptarëve për keqqeverisjen e PS. Pranoi gabimet e mëkatet e paraardhësit të tij në emër të forcës politike, të cilën ai trashëgoi. Por gabimet e kësaj partie nuk ishin vetëm tetëvjeçare. Mbi kurrizin e saj rëndon historia e gjysëm shekullit diktaturë, ku nuk ka pasur gabime si ato të tetë viteve të qeverisjes socialiste, por një trashëgimi krimi dhe genocidi komunist gjysëm shekullor. Nëse duhet të kishte një ndjesë dhe një ndarje reale të historisë së PS nga arkiva e saj e krimit, atëherë e para duhet të shkonte nga trashëgimtari i ri i PS për ata martirë të fjalës së lirë dhe heronj të lirisë që u masakruan dhe u dergjën burgjeve dhe internimeve për ato vlera që janë vendosur në vend nga dhjetori i '90-ës, por nuk janë rehabilituar akoma nga sekti i socialistëve tanë.

Ky gabim i Ramës nuk mund të ishte një harresë e rastit apo moskuptim i situatës në të cilën ndodhej PS, por ai ishte një qëndrim i brendshëm, që natyrisht vjen i diktuar nga e kaluara e vetë kreut të PS dhe familjarëve të tij. Nëse Rama nuk do të kishte atë ngarkesë negative të diktaturës mbi shpatullat e tij, natyrisht që do të ishte i lirë nga hijet e së shkuarës dhe asgjë nuk do ta pengonte që të jepte kontributin e tij në vendosjen e një drejtësie sociale, historike për vendin. Fakti se nuk kemi një kryetar PS -je të lirë nga e djeshmja e diktaturës po e dëshmojnë shumë fakte që po shfaqen gjatë këtyre dy ditëve.

Nëse i ati i Ramës paska vendosur firmën si anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor mbi varjen në litar të poetit Havzi Nela, apo pushkatimin e poetëve të vrarë, Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës, si dhe dhjetëra të rinjve të tjerë dhe nëse Rama nuk e ndjen se është një detyrim i tij politik që të ndahet, të paktën politikisht nga këto krime, atëhere këto dosje nuk mund të mbyllen me një konferencë shtypi, ku thuhet se i vdekuri me të vdekurin dhe i gjalli me të gjallët. Sepse nuk kemi asnjë garanci se i biri i të atit nuk do të firmosë dhe vulosë edhe ai për armiq të rinj të klasës në kushte të tjera, por me të njëjtin mllef. Ai mund të heshtë vetë, por nuk mund të vendosë si standart për të gjithë shoqërinë heshtjen ndaj këtyre krimeve, nuk mund të kërkojë arkivimin dhe mbajtjen mbyllur të dosjeve të diktaturës, vetëm sepse atje mund të dalë edhe emri i babait dhe dajës së tij.

Shumëkujt i kujtohet kur në një nga daljet e para televizive të Ramës si Kryetar i PS-së e pyetën; se cila është alternativa që partia e tij do të paraqesë në program e saj elektoral për shtresat e ish-të përndjekurve politik dhe ish-pronarëve, dhe ai me dozat e arrogancës iu përgjigj; se këto shtresa nuk janë prioritet i tij dhe PS-së. Nëse i rikthehesh sot atij debati të atyre ditëve arrin t'i japësh edhe shpjegimin e plotë përgjigjes së atëhershme të Ramës, në konteksin e qëndrimit që ai po mban për hapjen e dosjeve. Këto shtresa shihen akoma nga Rama me dozat e forta të luftës së klasës, ku konsiderohen armiq për të cilat ai dhe partia që drejton nuk mendojnë ndryshe nga PPSH, apo nga i ati dhe daja e tij, ndonëse jemi 18 vjet pas dhjetorit '90.

Në daljen e tij Rama nuk na tha se nuk janë të vërteta ato që kreu i mazhorancës artikuloi për të atin e tij dhe njerëz të tjerë të familjes, nuk na tha as se ndjehej krenarë për këta të afërm dhe kontributin e tyre për "demokracinë". Ai na kërkoi të heshtim dhe të mos flasim për të vërtetat e hidhura të diktaturës duke na kërkuar të na imponojë standartet e tij të lirisë.

Shfaqja e djeshme e Ramës tregon një pozitë aspak të qartë politike të tij. Eshtë kapur krejtësisht i papërgatitur për të menaxhuar një situatë të tillë nga hapja e dosjeve ku para se të mendojë për bashkëpunëtorët i duhet të gjejë një alibi për veten. Debati për krimet e komunizmit dhe hapjen e dosjeve nuk mund të transformohet në një debat për etikën sikurse tentoi të bënte dje Rama. Nuk mund të transformohet as në një debat mbi moralin e familjes, pasi kjo do të ishte një temë tjetër, e cila në vend që t'a ndihmonte, vetëm sa do t'a ngatërronte akoma më keq kreun e PS, duke e futur në udhë pa krye. Në këtë amulli të tij politike, Rama duhet të bëjë një zgjedhje shumë të thjeshtë, të mos luajë më shumë porta, por të përqëndrohet vetëm tek njëra, përballja me hapjen e dosjeve dhe tek e vërtetat e hidhura të tyre.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora