Kerko: a
Anton Marku: Fqinjët
E diele, 07.06.2020, 09:00 PM
FQINJËT
(tregim)
Nga Anton
Marku
- Grua,
kjo është e padurueshme! Do të dal
të ju flas. Nuk mund të
duroj më - tha ai dhe i ngrit
nga shtrati, - tashmë ka
kaluar mesi i natës dhe ata nuk po e
ndalin muhabetin, thuajse janë në
fushat e Anadollisë.
- I dashur, prit dhe sonte. Mbase
të tjerët që
banojnë sipër
tyre do të thërrasin
policinë. Ata janë
austriakë dhe policia do të
jetë në anën e
tyre.
- Grua, kupto! Ta kam thënë
qindra herë dhe po ta them prapë: Këtu
funksionon ligji dhe jo lidhjet si tek ne në
Ballkan. Organet
e rendit nuk bëjnë dallim se kush çfarë është.
- Po
atëherë pse nuk po e thërret vetë policinë. Pse nuk i lajmërove mbrëmë apo parmbrëmë? Kjo zhurmë nuk ka filluar tash, por
para shumë ditëve dhe ende po vazhdon.
- Jo,
jo. Unë nuk jam mësuar të bëj rolin e spiunit. Pastaj
...
- Çka
pastaj?
- E
... nuk jam tërësisht i sigurt se do të mund të jua sçaroj në gjermanisht se si qëndron puna... ashtu ... si
duhet... me gramatikë.
- Eh,
ore i gjorë! Edhe pas dhjetë viteve në Vjenë ende nuk i beson vetvetes
të bësh një thirrje telefonike në gjuhën e këtij vendi. E në anën tjetër nuk të vjen turp të thuash se të huajt po e prishin këtë shtet.
- Pusho
grua. Pusho! Unë kam punuar tërë këto vite në punishte e nuk kam pasur
kohë për të mësuar gjuhën. Tanët atje poshtë kanë pasur nevojë të përhershme që të ju dërgoj para secilin muaj. Kështu është tradita në familjet e mëdha. Përderisa prindërit i kam ende gjallë do të më duhet të ju dërgoj të holla edhe vllezërve që jetojnë me ta. Dhe pastaj ...unë nuk kam thënë se të gjithë të huajt po e prishin këtë shtet por vetëm disa prej tyre...
- Do të
thuash ata që erdhën
pas nesh, apo?
- Po
pra.
- E si
erdhëm ne atëherë? A të
kujtohet apo ke harruar?
- Më
kujtohet, si jo. Por, ka një
dallim këtu: Ne ikëm
nga lufta me të huajt, këta
nga lufta mes vete.
- Pse, ka ndonjë
ndryshim? Lufta është
luftë. Për të
gjithë njësoj.
- Ohuuu ... mos më
qaj kokën më. Unë
durova mjaft. Tani do të dal
të ju bërtas
me zë të
lartë tek dritarja e do të ju
them: ‘‘Ej, Kollega, hier ist kein Istanbull’’.
- Jo, të
lutem mos shko. Vendos dhe sonte pambuk në
vesh dhe pas pak do të të
marrë gjumi.
- Nuk dua! Nuk dua! Pse do duhej
ta bëja? Këtu
ka rregulla, e ato thonë se
gjithmonë, e sidmos pas orës
njëzet e dy të
gjithë duhet të
flasin me zë të ulët. E
sheh, të gjithë banorët
tjerë i kanë
dritaret e mbylluara, vetëm e
tyre është e
hapur, andaj dëgjohen gjithandej.
Ai u vesh, zbriti shkallëve
dhe doli në rrugë. Nga
dritarja ende dëgjoheshin të
qeshura, zëra plakash dhe fëmijësh.
Dukej se në dhomën e
pritjes ishin mbledhur dhjetëra
njerëz.
Para se të
vepronte u ndal dhe u mendua pak. Jo se kishte frikë,
por mendja po ia thoshte se po të thërriste
nga jashtë do ta merrnin për qyqar,
të dehur apo të çmendur.
Prandaj u afrua tek porta kryesore e ndërtesës,
llogariti se cili mund të
ishte numri i derës dhe kur llogaria i
doli tamam, i ra ziles.
- Po, urdhëroni!
- u dëgjua zëri i
një vajze nga brenda.
- Jam një
fqi juaji dhe desha të bëj
një ankesë. Ka kaluar mesnata dhe unë ... ne... duam të flemë.
- Po
mirë, pse nuk flini? Keni ndonjë problem? A mund të ju ndihmoj disi zotëri fqi?
- Dhe
... doni të thoni se nuk e dini arsyen pse nuk po flemë, ë? Kjo është shumë cinike. Injoranca juaj nuk
ka kufinj, zonjë … apo mbase zonjushë…por, ju jeni nga grua dhe
unë do të doja të flas me një burrë. A
mund të bisedoj
me kryefamiljarin tuaj, ju lutem?
- Patjetër. Një
moment! - tha ajo.
Ai mund të dëgjonte
se si ajo i foli dikujt: ‘‘baba, baba, a mund të
vish pak, të lutem. Poshtë është një njeri
i cili dëshiron të
flas me ty.’’
- Me mua? Në këtë orë?
- Po. Dhe thotë se
është me
rëndësi.
- Mirë,
po vij, zemër.
- Po zotëri!
- u dëgjua nga ana tjetër e
receptorit, - çfarë
mund të bëj për
juve?
- Të
pushoni.
- Si, si? Nuk ju kuptova mirë.
- I nderuari zotëri
N.N, unë jam një
fqi juaji nga ndërtesa përballë
dhe ka një javë që, prej
kur ju jeni vendosur në këtë
lagje, unë dhe gruaja ime nuk
po mund të flemë. Në tërë
lagjen vetëm ju dëgjoheni.
Mbase atje nga ju vini është
normale që të
flitet me zë të
lartë dhe të bësh
dhe zhurmë edhe pas mesnatës,
por këtu ….
- Këtu është ndryshe…
e di - Foli burri me një
gjermanishte të përkryer
- dhe ju kërkoj
ndjesë. Sinqerisht! Nuk
kemi qenë të
vetdijshëm se po dëgjohemi
edhe jashtë. - tha ai me një
ndjenjë fajësia
dhe u dëgjua se si u bërtiti
të tjerëve
në dhomë në
gjuhën turke.
- Po dëgjoheni.
Dhe atë shumë
bile. Sidoqoftë, besoj se nuk do të
ketë nevojë të
vij prapë për këtë çështje.
Këtu ka rregulla. Kuptuat?
- Po zotëri,
ka rregulla, por dhe përjashtime
ndonjëherë.
- Përjashtime
asnjëherë. Këtu
jo. Këtu ka ligj. Ka dhe
polici. Nuk ka arsye të bëhet
kaq zhurmë.
- Ja që për
ne kishte një arsye dhe në këtë
rast ajo është
fajtore. Jo ne.
- Zotëri
i nderuar...
- Kemail... mund të më
quani Kemail.
- … zotëri
Kemail … unë përndryshe
quhem Dardan, nuk është
mirë që …
- O,
Dardan, Dardani, Kosova ... më falni, jeni shqiptar?
- Po, jam, dhe ,,,
- Po neve ju kemi miq ore. Mu ju jeni arsyeja pse ne këtu po festojmë.
- Zotëri, mos të hyjmë në histori se po u zhytëm atje mbase do të dalë se më shumë ishim armiq se sa miq.
- Jo ore jo, të lëmë
historinë. Ju lutem, duhet
gjithsesi të ngjiteni lartë
dhe të pini diçka me ne. Ju
lutem! Pastaj … ja po vij unë
personalisht të ju marr poshtë.
Dardani mbeti i hutuar. Nuk po dinte se çfarë po ndodhte. Në çastin tjetër para tij u shfaq një burrë rreth të pesëdhjetave, i zeshkët, me flokë pak të zbardhura, me mustaqe,
rroba elegante, këmishë të bardhë dhe kravatë të kuqe. Zgjati dorën dhe u prezantua:
- Unë jam Kemaili, fqinji juaj i
ri dhe tash dhe miku juaj.
- Mirëmbrëma! Është vonë dhe unë erdha vetëm të ju tërheq vërejtjen për ...për...
- E
di, e di ... për zhurmën. Por, ejani lartë ju lutem dhe do të j’ua sqaroj të gjitha. Insistoj! Mos ma
prishin, ju lutem!
Dardani
shikoi orën:
- Gruaja
po më pret ende. Më lejoni që së pari të bëj një telefonatë e pastaj ...
- Gratë, gratë! Nuk dukeni nga ata burra
që kërkojnë leje nga gruaja për gjithçka.
- Ashtu
është. Nuk jam i këtij soji.
- Atëherë, më
vini pas, ju lutem!
Ku ata të dy
hynë në
dhomën e pritjes të
gjithë të
pranishmit u ngritën në këmbë dhe
një nga një i zgjatën dorën të panjohurit. Heshtjen
e theu Kemaili:
- Më
lejoni të ju prezantoj
Dardanin, fqiun tonë.
Ai vjen nga Kosova, nga vendi ku ne bëmë
edhe martesën e Aishes. Po ju nga
cili vend në Kosovë
vini zotëri Dardan?
- Nga Prizreni.
- Nga Prizreni? Uaa! ... po ne
ishim atje javën që
kaloi.
- Si? Për çka?
Për punë
apo si turistë?
- Uluni
zotëri Dardan. Ju lutem, zëni vend. Me çfarë mund të ju shërbejmë. Çfarë do të dëshironit
të pini?
- Mbase
një gotë ujë. - tha ai pasi u mendua
gjatë.
- Ujë?
Mbase do duhet diçka tjetër. Ndryshe.
Me të fortë. Të
mos ju vij keq…
- Epo ...
- Epo, të
banosh përballë birrarisë ‘‘Ottakringer’’
e të mos të të qëlloj
birrë në
frigorifer është
pothuajse e pafalshme. Asllan - i foli njërit
prej djemëve që
ishin në dhomë. -
na i sjell dy birra të
ftohta.
Dardani u ndie ngusht, por u
lirua sapo u hap frigoriferi në të
cilin kishte shumë të
tilla.
Atëherë
nikoqiri mori fjalën e
tha:
- Miku im Dardan, vajza ime e
madhe, Aishia është
aktore me profesion dhe vitin e kaluar mori pjesë në
festivalin ndërkombëtar
të filmit ‘‘Dokufest’’
në Prizren. Atje takoi
fatin e jetës së
saj, Agronin, gazetar në
Kosovë. Pas disa muajsh u
fejuan dhe ne bëmë
dasmën e përbashkët,
po në atë
qytet të lashtë
dhe atë mu fundajavën që
lamë pas. Tani çifti i ri gjendet
në muajin e mjaltit në bregdetin
e Shqipërisë. Ne
jetojmë një
kohë të
gjatë në
Austri dhe kemi një
farefis të madh dhe jo të
gjithë patën
mundësi që të
marrin pjesë në
dasëm. Andaj, shumë
prej tyre vijnë dhe na urojnë
martesën e së
bijes këtu, në
banesë. Pasi që unë,
bashkeshortja dhe fëmijët punojmë
deri vonë pasdite, e vetmja
kohë për
vizita është në orët e
mbrëmjes. Ja dhe sonte,
si dhe këto mbrëmjet
e kaluara, ky është
grupi i katërt i mysafirëve
që ne pritëm. Këta
të ulur majtas nga ju
janë të afërmit
e bashkëshortes sime.
- Ehëëëë...
nuk kisha si ta dija këtë.
Meqë kështu
qëndron puna, atëherë gëzuar,
me fat dhe urime çiftit të ri!
- tha Dardani dhe ngriti gotën
duke e cakërruar me të
gjithë në
dhomë. Në atë çast
ra zilja e një celularit.
Ishte
i tij. Nga ana tjetër u
dëgjua zëri
i brengosur i gruas:
- Burrooo, u bë
vonë… u bëra
merak për ty. Çfarë ndodhi? Ku mbete deri tash?
- Ja,
këtu, tek fqiu, Po festojmë së bashku.
- Çfarë? Po festoni? ... po çfarë po festoni?
- Miqësinë tonë të re.
- Hëë… - foli e përgjumur gruaja. - cilën miqësi, ore burrë?
- Ta
sqaroj kur të kthehem. Mos u mërzit. Nuk jam vetëm. As
i dehur. Fli tani. Natën e
mirë! - tha ai dhe mbylli
telefonin.
- Epo, edhe një
herë, me fat dhe gëzuar
…dhe mirë se erdhët në
lagjen tonë! - tha Dardani, pasi që u
ngrit në këmbë,
hapi dhe pak dritaren gjysmë të mbyllur
dhe cakërroi prapë
gotat me të gjithë.
Dhe
kjo nuk do të ishte dollia e fundit gjatë kësaj nate.
Vjenë, 7 qershor 2020