Kerko: a
Mevlud Buci: Një thesar i etnologjisë së brezave
E diele, 24.05.2020, 02:57 PM
LIBRI “MATJA NË GUR E NË DRU” NJË THESAR I ETNOLOGJISË SË BREZAVE
Mendime rreth librit etnologjik “Matja në gur
e në dru” të skulptorit dhe gjurmuesit, Artan Kurti
Nga Mevlud
BUCI, studiues e publicist
Përse u emocionova shpirtërisht, kur autori
ma dhuroi librin etnologjik “Matja në gur e në dru”?
Janë mbushur pesëdhjetë vite qëkurse i ati i
autorit i librit, studiuesi i palodhur e gjurmëlënës, Dilaver Kurti i Matit, më
aktivizoi, më nxiti, më dha krah e më vlerësoi në vallen e studimeve për kulturën
popullore, për traditat e më gjerë. Ky bir i Matit e nip i Dibrës ishte
studiues i përkushtuar në fushën e etnologjisë, muzeologjisë, të traditave
atdhetare e më gjerë.
Pra, i biri, Artani, kishte realizuar këtë
libër të rrallë, të çmuar, të ndritshëm për sot e brezat që do të vijnë. Me të
drejtë i thonë: “Bëm baba të të ngjaj!” Emocion e krenari legjitime për mua e
cilindo.
* * *
Artan Dilaver Kurti, intelektual matjan,
veprimtar e organizator aktivitetesh të trashëgimisë etnokulturore, skulptor e
master shkencor në fushën e etnologjisë e folklorit. Nga viti 2007, për dhjetë
vite, drejtoi botimin e revistës historike-kulturore-letrare “Emathia”. Në
vitet 2011-2019 drejtoi Qendrën Kulturore të Fëmijëve Mat, ku krahas
veprimtarive të larmishme artistike-kulturore-sportive inicioi dhe veprimtari
me lidhje përçimin e vlerave të trashëgimisë kulturore të fëmijët matjanë.
Gjurmues, organizator, botues dhe kurdoherë studiues i pasionuar. Pra, është
shembulli i intelektualit të talentuar, të cilit i flasin puna, veprimtaritë
dhe mbi të gjitha nderimi e vlerësimi për etnologjinë e brezave.
* * *
Në faqen e parë të studimit etnologjik “Matja
në gur e në dru” është fiksuar një mesazh-testament fisnikërie e diturie, një
mesazh jete që gjithnjë rrezaton mirësi, traditë, vlera të çmuara, mesazh dritëshpirti
i autorit: “Kujtimit të babait tim,
Dilaver Kurti, i cili gjithë jetën ia kushtoi gjurmimit dhe studimit të trashëgimisë
iliro-arbërore të krahinës së Matit, duke më edukuar edhe mua me dëshirën për të
vazhduar rrugën e tij në fushën e trashëgimisë shpirtërore e materiale të
popullit të kësaj krahine” (fq. 3)
Qysh në fillim jepet me qartësi vlera e këtij
libri, puna serioze e fisnike e Artan Kurtit, pasimi i traditës së shquar
familjare. Për këtë Prof. Dr. Afërdita Onuzi shkruan: “...Ndonëse Artani me këtë punim, por
edhe më punë të tjera, ka krijuar personalitetin e tij, ai po ndjek me sukses
edhe një traditë familjare në fushën e studimit të trashëgimisë kulturore të
krahinës së Matit. Është fjala për atë traditë të mirë që krijoi studiuesi
Dilaver Kurti, i ati i Artanit, si në fushën e arkeologjisë ashtu edhe të
etnografisë”. (fq. 5) Ia
vlen të theksohen edhe personat e tjerë që e ndihmuan Artanin në finalizimin e
këtij botimi: konsulentin Rakip Lasku, redaktoren gjuhësore Mimoza D. Kurti,
botuesin e ILAR (“Mirënjohje z. Ilir
Lleshi për ndihmën e dhënë në botimin e këtij libri nga botimet ILAR”),
nipin i autorit, humani Marjus Gjoka, që mundësoi, siç thotë autori: “...që puna ime disavjeçare të shohë dritën
e botimit”.
Libri “Matja në gur e në dru”, në 320 faqet e tij,
pasqyron traditat e etnologjisë matjane, shpërfaqur me vërtetësi, argumente,
realizëm dhe mjeshëtri. Ai dhuron një thesar të kulturës popullore, punë,
mjeshtëri, figura e tradita të vyera, të cilat i rrezatojnë kohës dhe brezave.
Pas hyrjes së thjeshtë e mbresëlënëse të autorit, vijon
shkrimi banesa popullore në krahinën e Matit. Autori krahas saktësisë së përshkrimeve,
referencave, fjalëve e shprehjeve të urtësisë, ka realizuar dhe përfshirë me
mjeshtëri ilustrime fotografike të kullave, të cilat i ngjajnë kështjellave,
kulla të gurta të Oxhakut të Allamanit në fshatin Kurdarì, e Sahit Kryekurtit në
fshatin Macukull, Ahmet Koçit në fshatin Gurrë të Vogël, kulla katërkatëshe e vëllazërisë
Pasha në fshatin Gjòçaj, grupi i banesave karakteristike të vëllazërisë Hoxha në
fshatin Shkallë të Xibrit e shumë të tjera të cituara në funksion të përdorimit.
Autori Kurti shpjegon dhe argumenton emërtimin e banesës të tipit kullë, përshkruan
e argumenton vlera historike e arkitekturën e kullave matjane, kulla të trevës
së barutit e të qëndresës shumëshekullore.
Në këtë libër shpjegohen me qartësi ndikimi i faktorëve
gjeografikë dhe historikë në ndërtimin e banesës, roli i faktorëve ekonomikë
dhe shoqërorë, oborret dhe mjediset përreth banesës, rrethimi i oborrit me
avlli, mjedise ndihmëse. Pasqyrohet, midis të tjerave mjeshtëri Sabedin Kola
dhe maketi i punishtes së barutit (fq. 46), por dhe dhjetra mjeshtëra e
ustallarë matjanë e nga krahinat fqinje, që me punën e tyre lanë gjurmë të
pashlyera të artit popullor dhe ndërtimtarisë. Në mjediset përreth banesës përshkruhen
vendet e ruajtjes së prodhimeve bujqësore, llojet e kasharëve, arkitektura e
jashtme e banesës dhe dekorimi i saj, e ilustruar me foto të kullës trekatëshe
të Dyle Kryekurtit në fshatin Macukull të ndërtuar me gurë të bardhë të latuar.
(fq. 53) Duke përshkruar punimet në pjesën e jashtme të banesës trajtohen zbukurimet
me gurë të skalitur në portat e avllisë dhe të banesës, sheshenat, ndërtimi dhe
dekorimi i tyre nga ana e jashtme. Të gjitha këto janë vërtet dëshmi të
studimeve serioze të një pune pasionante e me dashuri për etnologjinë.
Paraqitja e kullave karakteristike e Sulë Likursit në fshatin Gurrë e Madhe
(Monument Kulture, fq. 67), kulla katërkatëshe (me katër poda) me çikmà e Elmaz
Dezhgiut në fshatin Guri i Bardhë (Monument Kulture, fq. 68) e plot të tjera dëshmojnë
zellin, korrektësinë dhe seriozitetin gjurmues të studiuesit Artan Dilaver
Kurti. Autori studion me përkushtim edhe pjesët e arkitekturës së banesës popullore
të krahinës së Matit, si dollapët e murit, dritaret e banesës, qoshet e mureve
të saj të punuara me gur të latuar, ambientet higjieno-sanitare, varëse të
ndryshme të fasadës së banesës, çatitë, oxhakët mbi çati, çezmat dhe puset. Ai përshkruan
me detaje dekoracionet e përdorura në pjesët e jashtme të banesës e në portën e
avllisë, ku janë trajtuar motive gjeometrike, floreale, kozmogonike e fetare,
motivi i dorës, motive antropomorfe, motive zoomorfe, ku përfshihen motivi i
shqiponjës, motivi i deshëve, i qenit, kalit, pëllumbit, zogut, gjelit, gjarpërit,
motive që paraqesin lloje armësh, motivi i sahatit (orës), takëmet me simbolikë
mikpritjen të trajtuara në gdhendjet e portave të banesave, mbishkrime fetare, pronësie,
informuese historike, me simbolikë patriotike e politike, motive që paraqesin
veglat e mjeshtërve ndërtues e plot të tjera. Këto përshkrime shoqëruar me
ilustrime të shumta dëshmojnë se ky studiues ka gërmuar, skeduar e analizuar
përvojën e trashëgimisë së gdhendjeve dekorative në gur e në dru në banesat me
shtrirje të gjithë skajet e trevës së Matit, nga Ulza në Macukull e deri në
Gurë të Bardhë.
Guri e druri janë dy simbole bashkudhëtare të jetës së
brezave në gëzime e hidhërime, në pasimin e traditës, mençurisë e të mjeshtrisë
nga brezi në brez. Vëzhgimi e studimi i përfituar për mjedisin jetësor në
banesën popullore të krahinës së Matit, dyert e jashtme e të brendshme,
shkallët e brendshme të banesës së vëllazërisë Barçi në fshatin Lis,
vëllazërive Valteri në fshatin Vinjollë, Muceku në fshatin Macukull, Mata në fshatin
Shëlli, Ruçi në fshatin Zenisht, shkallët e Liman Cekës në fshatin Shëlli etj,
janë vërtet dëshmi e thesare të brezave, pasqyrë e shpirtit krijues dhe
mençurisë popullore të brezave.
Me interes të veçantë në këtë libër është çdo shkrim e
foto, çdo diçiturë, por veçanërisht të le mbresa studimi “Oda e zjarrit” ose
“Shtëpia e bukës” dhe pajisjet e përdorura, si enët prej druri dhe teknikat e
punimit të tyre, ku shpërfaqen intuita, talenti krijues dhe gjurmët e traditave
të shquara të mjeshtërave popullorë, puna dhe talenti, gjurmët dhe vlerat e
çmuara të cilat u rrezatojnë kohërave, brezave e, pse jo, shekujve të tërë.
Përshkrimi i dekoracioneve të përdorura në ballet e
oxhakëve, si motivi i shqiponjës e plot të tjerë, tregojnë se autori me
shpirtin krijues e gërmues, me pasionin e një “gjeologu” të etnologjisë, ka
gërmuar e pasqyruar vlera të çmuara e na ka dhuruar, vërtet, thesare kulture
etnografie, jetë-pasqyrë e dëshmi për brezat sot e nesër.
Përshkrimi e argumentimi mbi tavanet me dekoracione artistike,
të punuar me dru e të suvatuar, pasqyrimet e mjeshtërave popullorë, përshkrimi
i sixhadeve, teknika e prodhimit dhe dekoracionet e tyre, llojet e qendisjeve
etj, tregojnë pasionin prej studiuesi e artisti punëndritur e këmbëngulës,
human e realist, intelektual i sedrës dhe realizimit mjeshtëror.
Treguesit e emrave, literatura e shfrytëzuar, albumi
fotografik me ngjyra, ku jepen vërtet figura, vlera e kulla, gjurmë të
etnologjisë, tregojnë se libri “Matja në gur e në dru” është një dritare e
provave studimore-shkencore, një libër thesar i etnologjisë së brezave.
Unë, si studiues e adhurues i veprës së paharruarit
Dilaver Kurti, si mirënjohës në përjetësi për ç’ka kanë bërë babë e bir, e
përshëndes me dashamirësi e çiltërsi të nderuarën Prof. Dr. Afërdita Onuzi, për
atë që ajo thotë në hyrje të librit “Matja në gur e në dru” unë i ritheksoj me
krenari fjalët e saj: “Jam e sigurtë që
kushdo që do ta lëxojë këtë libër, do të thotë: “Falemnderit, Artan!”.
(fq.5) Edhe unë them: “Faleminderit,
Artan, intelektual e pasionant i studimit të etnologjisë! Bir i studiuesit,
korife të Matit e të kombit, Dilaver Kurti.”