Kerko: a
Xheladin Mjeku: Universi poetik që nuk shterron
E diele, 24.05.2020, 02:02 PM
UNIVERSI POETIK QË NUK SHTERRON
Sabit Rrustemi: “PA NJË VDEKJE MBES”, poezi,
botoi “Beqir Musliu” – Gjilan, 2016
Nga Xheladin
MJEKU
Prologu i fjalës
Sabit
Rrustemi (1959), emër që vjen fuqishëm në universin e letrave shqipe të
periudhës së viteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar e këtej, veprimatria
krijuese e të cilit ende vazhdon të jetë në vlugun e vlerave të padiskutueshme.
Ndoshta tingëllon paksa i sforcuar ky mendim, por me shpalosjen e bibliografisë
së tij do ta tumirëni këtë vlerësim me duartrokitje dashamirëse.
Kanë
kaluar mbi dyzetë vite (1977), qëkur vjen me lajmëtarin e parë të futjes në
radhët e krijuesve tjerë të kohës, për të vazhduar parreshtur nëpër sprova të
ndryshme, gjithnjë me synimin e sjelljes së vlerave të qëndrueshme. Ai vjen
gjithnjë e më i përafërt me marrësin dhe i pandalshëm në arritjen e sukseseve
gjithandej në botën krijuese letrare - artistike.
Pas
një periudhe kohore prej rreth një dekade, sa e kishte të ndalur publikimin e
krijimtarisë së tij letrare, Sabit Rrustemi në vitin 1990 boton librin poetik “Ku i la lisat era”, për të vazhduar pastaj për më shumë se tri
dekada me sjelljen në dritë të librave tjerë me poezi: “Besoj në një diell”, “Natyrë
me vaj”, (album poetik), “Variacione për
lirinë”, “Ëndrra që puthet”, “Paqja e brishtë”, “Nën qerpikun tënd”, “Zjarrmi
e kthjelltë”, “Në fytyrën e një
gjethi”, “Murale shpirti”,”Shiu i buzëve tua”, “Pa një vdekje mbes”; pastaj poezi të
zgjedhura për dashurinë nga Anton N. Berisha me titull ”Ndezje yjesh në zemër”, “Mëkati
që (s)e bëmë”, e deri në përmbledhjen e fundit me poezi për dashurinë “Hyjnia ime je ti”, vëllimi I dhe II –
2019. Nuk mund të mos theksohet edhe përfaqësimi i krijimtarisë së tij në
gjuhën rumune me veprën “Antingere divina
/ Prekje hyjnore”. Poashtu, ai ka botuar edhe librat në prozë e në
publicistikë, ndër të cilët, vëllimet me tregime: “Pika e zezë”, “Maska e
mysafirëve”, “Mëkati që (s)e bëmë”,
(përzgjedhje tregimesh nga opusi i tij, gjithnjë nga studiuesi Anton Nikë
Berisha, që konsiderohet si njëri nga njohësit dhe studiuesit më të mirë të
krijimtarisë së Sabit Rrustemit), pastaj
“Hiri i pritjeve të djegura”, etj.
Krijimtarinë e tij në prozë e plotësojnë tregimet popullore “Stina e meseleve” (në dy vëllime), proza
dokumentare “Jetëshkrimi i Sylë
Kopernicës”, etj.
Ky letërnjoftim i shkurtër
i krijimtarisë së begatë të Sabit Rrustemit na cyt të kuptojmë se kemi të bëjmë
me një krijues erudit të përmasave kombëtare, me synimet e pandalshme në prurje
edhe të shumë veprave tjera dhe kurorëzimit të sukseseve gjithnjë e më të qëndrueshme,
me çmime e vlerësime nga emra të njohur krijuesish e studiuesish gjithandej në
botën letrare.
Ligjërata poetike
I gjatë është ligjërimi
poetik i Sabit Rrustemit, që nga paraqitja publike e tij me vargjet e para, për
të mos u ndalur asnjëherë, sepse ky ligjërim nuk ka veç një temë, as një motiv,
as edhe veç një pikë të vetme shtjellimi. Ky rrugëtim ligjërues shtrin krahët në
çdo skaj të atdheut, zbret thellë në kujtesën historike dhe shpërfaq fuqishëm
dashurinë për të bukurën, si fenomen dhe prekje reale e jetës dhe ambienteve
prej nga frymon poeti. Kjo ligjëratë është ndërtuar në vazhdimësi mbi themelet
e autoktonisë dhe dashurisë njerëzore për vendlindjen, për lirinë dhe shtigjet
e reja të ardhmërisë së njeriut të tij prej gjaku e fryme.
Për ta argumentuar më
bindshëm këtë që u tha më lartë, po ndaloj në njërin prej shumë titujve poetik
të Sabit Rrustemit, që karakterizohet për simbolikën dhe përbërjen homogjene
tematike “Pa një vdekje mbes”, që mund
të konsiderohet një fushë e gjërë e interesimeve të shumëfishta të shtjellimit,
prej nga përshkohet me lloje të shumta motivore dhe tematike, që gjasojnë në një
kopsht lulesh gjithëfarësoji, ku secila prej tyre reflekton një pamje të
veçantë, një bukuri vetjake, për ta krijuar pastaj një ambient të përbashkët të
shpërfaqjeve të shumta të ëndrrave, të situatave, shqetësimeve, të ndryshimeve
kohore e kujtesës historike - kombëtare në shekuj, deri në mrekullinë e quajtur
dashuri për të bukurën, për jetën dhe atdheun. Qasja me përkushtim kësaj poezie
gjithësesi kërkon durim dhe vendosmëri,
meqë ka të bëj me një hapësirë ku nuk ekziston përkufizimi i njohur në cikle
poetike, por as ndonjë renditje tjetër motivore. Një ecje e shkujdesshme nëpër
një zonë të tillë të “minuar” gjithësesi të imponon vëmendje në çdo hap e në çdo
shteg, ndonëse kjo thyerje tematike nuk krijon shumë hapësirë të trajtimit të gjërë
të një motivi të vetëm. Kjo, mbase është edhe qështja më e veçantë në kapjen
efektive të materjes së plasuar brenda kësaj kornize librore, që sjell një botë
interesante temash e ngjarjesh të trajtuara përmes vargut të tij.
Tercina “Pa një vdekje mbes”, që është edhe
pagëzorja e librit, vazhdon të mbetet
enigma e vërtetë, që duhet zbërthyer kujdesshëm, për të kuptuar se cila
në të vërtetë është ajo që mund të vinte të martën, kur gjithëçka tjetër po e
humbiste kuptimin kundruall kësaj ardhjeje të veçantë: “Krejt harroj që është e martë/ kur më shfaqet ajo që e pres/ brenda
jetës pa një vdekje mbes” (po aty, fq. 175)
Ky trevargësh, i cilësuar si moto e librit që po vinte, që në realitet
ndrynë brenda saj gjithë brumin e kësaj materje, del të njëjtësohet me
kryefrymën e lëndës së tërësishme poetike,
ku autori shpërfaq këmbëngultësinë në pambarim, duke provokuar unin e tij
krijues me tema e ngjarje që e ”torturojnë” parreshtur. Jo pa një arsye e
fillova me këtë poezi, që me aq pak fjalë e vargje flet shumë, duke krijuar
kupolën e gjithë tërësisë poetike që takojmë brenda këtij libri, gjithnjë në kërkim
të gjetjeve të shumta tematike, motivore dhe vlerave që vazhdojnë ta bëjnë të
qëndrueshëm dhe të dashur për lexuesin këtë libër poezish, nga më të veçuarat në
opusin krijues të Sabit Rrustemit.
Prekja shqisore e këtyre
poezive, njërën pas tjetrës, për të krijuar një fond të vogël mbresash nuk do
mend se është kënaqësi e llojit, ku shpirti mbushet aromë vargu me frymë jete të
poetit, që për dekada nuk rreshti së gjurmuari çdo skaj të botës së tij
imagjinare për të përmbushur misionin e përcaktuar prej krijuesi. Kështu, që në
nismë të këtij libri poetik, shijojmë freskinë e ujit që gurgullon nga burimi
frymëzues, të shprehur nga “Lotët e
kronit”. Këto vargje për pak çaste më krijojnë ndiesinë sikur takova njëkohësisht
edhe Azem Shkrelin te “Gurra e Martin
Bogës”, ku uji me çiltërsinë jetike korrespondon gjithandej viseve tjera,
me po atë ndiesi dhe mall për të bukurën, për dhimbjen dhe fuqinë e shprehjes së
dashurisë për vendin, për traditat, zakonet dhe frymën atdhetare.
Nëna është ndër
personazhet më të dashura të trajtuara në poezinë e Sabit Rrustemit. Dashurinë
e pafund dhe këshillat e nënës i paraqet edhe përmes poezisë si vlerat dhe frymëzimet
e pashterrura gjatë gjithë jetës dhe krijimtarisë së tij.
“Nën qerpikët e bardhë
fshihet dritarja
po Sytë e Nanës
më shohin
edhe nga thellësia e
Alpeve”
(“Dritarja rri mbyllur”,
fq. 36)
Gjithnjë i bindur se “Nana / edhe në gjumë/ më sheh”, poeti
nuk harron ta kujtoj çdo lëvizje a këshillë të saj, si një mësim i mirë dhe i
pranueshëm në çdo kohë. Kjo lidhje shpirtërore dhe besim i fuqishëm shprehet
edhe në poezinë tjetër ”Të mirat nana”,
që argumenton fuqishëm se nëna është
udhërrëfyes i denjë dhe pa kushte për jetën.
Nuk mund të anashkalohet për
asnjë çast as pjesa tjetër prindore, meqë poeti sikur ka baraspeshuar dashurinë
ndaj tyre, duke i portretizuar deri në detaje. Madje, gjatë paraqitjes së këtyre portreteve nga më të
dashurat, nuk harron të shpreh edhe përkushtimet e tyre në edukimin dhe
udhërrëfimet drejt ardhmërisë, që do t’i kujtoj çdoherë, sidomos kur ndihet në
nevojë për këshillat e tyre. Këtu babain e takojmë në poezinë “Mësimi që morëm nga ti”, ku mes tjerash
shprehet: “Na mësove për t’mos u ndalur/
se vetë ditët i ece nëpër terr/ për ta puthur dritën e syve tanë/ si tash neve,
kujtimi yt” (po aty, fq. 143). Në këtë frymë të përkushtimit i gjejmë edhe
poezitë: “Vdekjes mos i qoftë për nder”,
“Mëngjesi i një pikëllimi”, etj.
Po aq me interesim janë
edhe poezitë: “Tokës”, “Qytetit”, “Detit Jon”, “Në Butrint”,
“I zbrazur prej ditës”, “Nëpër miliona zemra”, e ndonjë tjetër,
që sjellin imazhin e realiteteve që prek poeti, duke ndier njëjtësimin e tij me
karakteristikat kohore, veprimet a kujtesën që do të mbruan në shpirt për kohë
të gjatë.
Ndërkaq, poezitë: “Hyrja në datën 21 dhjetor 2012” dhe ”Dalja nga data 21 dhejtor 2012” reflektojnë
si një episod i shkurtër i përditshmërisë së poetit (apo mund të ketë qenë edhe
një ditë e veçuar e tij, qoftë edhe përmes imagjinatës), të përshkruara deri në
detaje, pa u anashkaluar edhe vogëlsirat e ecejakeve në dhomën, prej nga, siç
do ta përshkruan ai: “çela derën/ te
dollapi i shkallëve/ ngroha fytin me raki shpie” (po aty, fq. 31), që
rrjedhimisht ta sjell një ditë të plotë, me ndryshimet, detyrat dhe kuptimin e
saj, në raport me jetën e një krijuesi, që për asnjë çast nuk rresht së prekuri
deri edhe në imtësira gjithçka e preokupon, pa mos e anashkaluar edhe vendin e
tij të preferuar, që sipas shumë dëshmive që jep në vazhdimësi, duhet ta ketë
vend motivues, prej nga edhe “një ditë
tjetër n’Çepur nisi” (po aty, fq. 34). Nga kujtimet e kohës autori sjell
edhe poezi tjera, ndër të cilat edhe: ”Nuk
je më e vetme”, “Me dalë…”, “Pos heshtjes”, “Imazhet e vetmisë”, “Reprizë e përditshme”, “Brengës së një mikut”, “Rrotull Çepurit”, “Në kulm të shtëpisë”, etj.
Portrete të skalitura në kujtesë
Të shumta janë poezitë,
që të shkapërderdhura gjithandej në librin “Pa
një vdekje mbes”, portretizojnë emra e figura të rëndësishme të atdheut,
ndër të cilat edhe: “Pak pas mesnate”,
“Për krye t’nanës”, “Mungesës sate nuk do t’i bëjmë vend“, “(A) do të
fluturojmë të lirë”, “Ata që na mbetën”, “Jemi këtu”,“Oda e Musës”, “Ai
zog…ngrin në tëndin sy”, “Rrno…”, “Vdekja nuk mund t’i rrëmbejë të gjitha”, “Djali
i tetëdhjetës”, ‘Kodi i kohërave”, “Prush i ndezur”, “Syve të
atyre që do jetojnë dhe nesër”, etj. Sabit Rrustemi nuk harron të komunikoj
edhe përmes vargut, pa mos qenë mes tyre, duke e shpalosur dashurinë dhe
respektin për vlerat dhe virtytet njerëzore, qofshin personalitete të kohës,
apo emra të kujtesës së lavdishme kombëtare, si: At Zef Pllumbi, Kreshniku i
maleve, Idriz Seferi, Heroina, Antigonë
Fazliu, Ali Podrimja, Mentor Dukagjini, Enver Maloku, Bardhyl Meta, Nexhat Rexha,
Musa Jupolli, Mirëdon Fusha, Fehmi Korça, Naim Fetaj, e të tjerë, emra këta që
do t’i takojmë në shumë dimensione të trajtimit e përceptimit tematiko-ndiesor.
Ky opus kaq i gjërë me
përkushtime për shumë personalitete dhe emra të përveçëm që lanë vepra e gjurmë
të pashlyera në kohë nuk mund të shpaloset një për një, por këtu do të veçoja
disa vargje nga poezia “Për ta tallur veç
pak vdekjen”, që shquhet për mënyrën e qasjes dhe trajtimit, një përkushtim
i veçantë për Gabriel Garcia Marquezin, me rastin e vdekjes, të cilin e kujton,
me gjasë, që nga koha kur do ta ketë takuar përmes leximit të krijimtarisë së
tij: “U nis nga kurreshtja/ për ta tallur
veç pak vdekjen/ duke ia dhuruar njëqind vjet vetmi”, me besimin se një ditë
do ta “Shiheni kur t’kthehet për në
Makondo/ me majën e Çepurit plis mbi kokë”. Nga kjo ndërlidhje imagjinative me prezencën e tij edhe pas vdekjes, vjen
takimi në çdo skaj të botës, gjithandej kah ishte i pranishëm për të gjallë, me
mesazhin e veprës së tij. Pavdekshmëria e veprës dhe personalitetit të tij me
përmasa botërore, kësaj radhe do të fitoj pavdeksinë edhe përmes vargjeve të
poetit, sepse ai veç“Shkoj te të
mëdhenjtë/ atje ku sytë shnërrohen në yje/ e veprat në qiej/ për miliona vite
që vijnë”. Nga dashuria e madhe për shkrimtarin, poeti krejt në mbyllje të
këtij përkushtimi do t’i dëshiron “Rrugë
të mbarë drejt lartësive të pafundme/ maestro” (po aty, fq. 142).
Nistoret e dashurisë
Për të qenë më i saktë në
këtë analizë të shkurtër, patjetër më është dashur të krijoj një harmonizim të
temave dhe motiveve, për të nxjerrur një përcaktor të qëndrueshëm në zbërthimin
e s’paku disa prej poezive më të veçuara. Kështu, edhepse libri hapet me
poezinë “Ora e Zanës”, për ta shpalosur si vlerë e zhvendosa qëllimshëm në
mesin e poezive që për motiv kanë dashurinë, si fenomen dhe vlerë jetike, të
trajtuar përmes pasqyrimit vizuel dhe bukurisë femërore, sepse “Ora e saj është/ Nga legjendë e fshehur ikë/
e mbin/ kudo vetë/si Lulezanë” për ta zbërthyer vullnetin e saj, që pastaj
si një personazh i veçantë, që për dikend vjen edhe në ëndërr, po “tjetri i rri pranë”, derisa për të
tjerët ajo vazhdon më tutje “Nën ritmin
folk/ ajo përdridhet/ shtrihet e shkrihet/ deri në ekstazë” (po aty, fq. 6).
Këtu do të veçoja pastaj poezinë “Guri i
kanës”, që sjell frymën e dashurisë me ndërlidhje të një kompozimi të
qëndrueshëm edhe me të kaluarën, me mite dhe legjenda. Ky bashkëveprim i
kohërave, riteve dhe traditave e bën më të fuqishme poezinë, duke krijuar mundësinë
e absorbimit sa më të gjërë të kësaj poezie, qoftë si tematikë e shtjelluar mirë,
qoftë si vlerë universale, mbi të cilën është ndërtuar poezia.
“Natën i zbukuroje
thonjtë e zanave
ditën thonjtë e vashave
e kurrë s’na the
cilat ta thyen zemrën
a cilat ishin më të
bukura”
(Po aty, fq. 62)
Poeti nuk ndalon me kaq.
Ai e shpreh në vazhdimësi dëshirën e përhershme, që s’paku “vetëm një herë” të ishte ai gur, “E t’i përjetoja vetëm nga të prekurat/
gjithë ato dashuri/ që përjetshëm mbetën në Ty” (Po aty, fq.63). Kjo
shpërfaqje kushtimisht e një ëndrre të mbetur peng, në poezi vjen e brumosur me
elemente të dy botërave, që fuqizohen në art, në një bashkëveprim të
qëndrueshëm dhe mirë të realizuar poetikisht. Të
kësaj fryme janë edhe poezitë: “Shkrumim
kohe”, “Prokrusti braktis dhomën”,
“Si një dashuri e pashijuar”, “Syblerta ime”, “Pritjes ia ndez nga një qiri”, “Pa
një të prekur”, “Zemra”, “Meditim i vonë”, etj. që secila si
realizim poetik zgjon interesim të veçantë për lexuesin.
Është interesant, sidomos
trajtimi i poezisë “Kur shkunden blinjtë
midis Prishtinës”. Këtu poeti ka zgjedhur të ravijëzoj pamje të shumta të
qytetit, prej nga mund të ketë ruajtur shumë kujtime. E gjithë kjo që
pasqyrohet në këtë poezi është një peisazh me kolorit të theksuar, me ngjyrimet e jetës që
farfurinë në çdo kënd të fiksuar me imagjinatën refleksive të poetit: “Hapat nxitojnë drejt pjesës më të bukur të
ëndrrës/ nën ombrellat bleroshe të blinjve/ aty midis Prishtinës”. Edhe
nëpër mot të lig, edhe atëherë kur “një
puhi a simfoni” ia përshkon shpirtin poetit, ai asnjëherë nuk pushon së
ndieri atë “aromë lulemaji”, gjithnjë
edhe në çastet kur i rilindin kujtimet e një kohe të ikur, kur “m’i mbyll sytë prej passhpinës”. Edhe përkundër
këtyre rikujtimeve, poeti kërkon të dal nga ajo gjendje, duke e ftuar
personazhin e tij, që e përcjell në vazhdimësi, por pavarësisht përpëlitjeve të
daljes nga ajo ëndërr, ai më në fund i bindet realitetit që vazhdon ta përcjell
parreshtur, duke u lutur: “Liromë sysh/
lërmë të kthehem kah ti/ të të pres në duar porsi këto gjethe” (po aty, fq. 111). Pas gjithë kësaj,
autori ia del ta konkretizoj rrugën e pandalur të kësaj ëndrre të dashurisë,
duke i dhënë hapësirë të pafund gjithandej kah shpirti ia dikton vullnetin e
tij: “Shkunden sërish blinjtë për midis
Prishtinës/ për t’ma kthyer edhe pjesën tjetër të ëndrrës” (po aty, fq.
112), për të vazhduar pastaj rrugëtimin labirintheve të saj, herë si ëndërr,
herë si dallgë e herë si puhi që nuk rresht së mikluari shpirtin e poetit.
Padyshim, dashuria në
poezinë e Sabit Rrustemit nuk është vetëm temë që trajtohet herë-herë. Ajo është
pjesë e pandarë e pikërealizimit të pandalshëm në krijimtarinë e tij poetike që
nga fillimet e para të ardhjes së tij në botën e letrave, duke rrjedhur
spontanisht nëpër kohë, ashtu sikur rrjedh gjaku venave e kapilarëve të
organizmit të njeriut, për ta mbushur aortën e zemrës, që pastaj ta mbanë të
freskët e plotë vrull jetën e tij. Poezia këtu shpalos më bindshëm se askund
tjetër, realitetet e gjallërimit të poetit, që nuk rresht së ndieri e jetuari
me frymën e dashurisë në shumëfishin e fuqisë së shprehur me vargun që
gurgullon si gurra që nuk di të shterron kurrë.
Plaga kombëtare dhe shpirtërore
në vargje
Të shumta janë poezitë që
shtrojnë qështjen më të veçantë dhe shumë të ndieshme, që ende pikon dhimbje e
gjak kudo në shpirtërat tanë. Kauza jonë kombëtare ishte dhe mbetet detyrë dhe
sfidë e papërfunduar deri atëherë kur vendi të shtrinë krahët shlirshëm në
gjithë gjeografinë e tij etnike. Mbi bazamentin e këtij realiteti gjejmë të
ndërtuara poezitë: “Atdheu im”, “Është ngopur Mitrovica”, “Grykës së Llapushnicës”, “Te Guri i shpuar”, “Mes
kësaj të diele dhe asaj të mërkure”, “Me
pika gjaku shkruar”, “Dekodimi i
Zonës X”, “Njëmijëenëndëqindetrembëdhjeta…”,
“Zemra n’vend s’na bie”, “Udha e muhaxherëve”, ”Dy herë nuk të them as unë”, “Një rrëfim i nisur për Lilë Malokin”, “Ajo
ditë Reçaku”, “Kumnova kumton kumtin”,
“Rishfaqet Troja”, “N’Kumnovë nuk shkohet më n’këmbë”, “Një Zot e një Shqipëri”, dhe poezi të
tjera, të cilat sikur kanë vënë bastin cila të përçoj sa më fuqishëm mesazhin
tek lexuesi, si një udhërrëfim i përhershëm për brezat, se atdheu është mbi të
gjitha, pavarësisht qështjeve tjera të jetës.
Poezia “Paralajmërim i stinës së pritur”, ku
pasqyrohen ngjarjet e 11 marsit të vitit 1981, që ishte pikënisja e Pranverës
së lirisë, na kujton një epokë të rëndësisë së veçantë për kauzën tonë, prej
nga filluan lëvizjet e fuqishme popullore, për të mos u ndalur kurrë deri në
finalizimin e një fitoreje të shumëpritur. Kjo dëshmi historike e trajtuar këtu
me saktësinë e ngjarjeve, sikur e ka arritur pikën kulmore të përmbylljes me
vargjet:
”Shpresën nuk e helmuan
as sjellësit e tymit me
gaz
as mig-ët tek fluturonin
qiellit të nxirë
si sorrëshkinat në ikje
me britmë
as dhe dhomat e akullta
prapa udb-ës
në Prishtinë
Ajo
pas bishtit të çdo
dallëndysheje
do kthehej për çdo stinë
me ëndrrën e vjetër
mbi shpinë
për ta rigjetur të plotë
Shqipërinë”
(Po aty, fq. 166)
Edhe një tjetër ngjarje
poaq e rëndësishme që është për tu veçuar, trajtohet në poezinë “Në mbrëmjen e 24 marsit 1999”, që
konkretizohet me zhvillimet e ngjarjes së veçantë për popullin, shpresat e të
cilit nga këto çaste po shtoheshin fuqishëm, me besimin se liria po reflekton shenjat
e para nga këto çaste vendimtare. Poaq e veçantë ishte edhe për faktin se
ishtin pikasur elemente të rëndësishme të këtyre ngjarjeve në pikat e para të
zhvillimeve me të gjitha refleksionet e shpërfaqura, ku e gjithë bota po përcillte
me interesim të madh si do të rrjedhin më tutje këto ngjarje vendimtare për
këta liridashës, që asnjëherë nuk janë ndalur në shtyerjen përpara të kauzës
për çlirimin e atdheut. Kjo ngjarje vjen këtu e shprehur fuqishëm me vargjet: “Një shtresë reshë mbi kokat tona shtrihej/
pos një ushtime të largët qiellit të paskaj/ gjë tjetër s’ndihej” duke e
përquar pastaj fuqinë e kësaj ushtime, si diçka që pritej gjatë dhe në çaste po
bëhej realitet “Prej Avianos deri midis
Prishtinës/ bishti i Kuçedrës zuri të digjej”. Poeti do ta shpreh gëzimin e
tij, ndonëse në një hapësirë të vogël, por që nënkupton përmasat e mëdha të
lirisë që po vinte: “Përtej Qafës së Llabjanit/ një aurorë
shprese/ asaj nate fundmarsi ndriste” (po aty, fq. 140).
Gjithësesi ka edhe shumë
për tu shpalosur këtu, por, jo gjithçka do të zbërthejmë, meqë numër i madh
krijimesh poetike konsistojnë në ngjashmërinë përmbajtësore, prandaj kemi
prekur disa nga realizimet e veçuara për të përmbyllur sa më bindshëm një vlerësim
të qëndrueshëm në baraspeshë me pjesën dërmuese të poezive të kësaj përafrie
tematike. Në kontestin e kësaj korrespondon edhe poezia “Livadhi
i andejshëm”, që dallon për misterinë tematik, anipse ndodhet jo larg
shtëpisë, “asaj lendine pas shpine”,
ku “Aty ujku kish jatakun/ dhelpra
shpellën/ korbi strofkulën”, për ta shprehur realitetin e hidhur, meqë “Me shly prej hartës e kujtesës/ nuk po më le
inati/ me i ra atypari më plas i thati/ Së gjërë e së gjati/ më doli doresh i
ngrati” (po aty, fq. 85). Kjo mbase flet mjaft për pjesën tjetër të
atdheut, të bukurive dhe kujtimeve nga më të veçantat, të mbetura përtej vijës
së përcaktuar. E dhimbshme kjo, edhe kur e takojmë në poezi, pa mos e kujtuar
edhe si realitet, gjithësesi! Sabit Rrustemi për të qenë më i plotë në gjithë
këtë që kujton për bukuritë e vendlindjes së tij, do t’i paraqes në poezinë “Vjershën më të bukur për ty”, , ku, siç
do ta thotë në mbyllje të saj: “Mot për
mot/ vjershën më të bukur për ty/ e shkruan pranvera” (po aty, fq. 71).
“Ardhja e mërgimtarëve” është një temë tjetër, ndonëse e konsumuar
aq shumë edhe nga krijues të tjerë, ajo
gjithmonë ka zënë vend meritor në trajtime të ndryshme, qoftë në dramaturgji,
në prozë apo në poezi, për ta pasqyruar rrugëtimin, peripetitë, mallin e pafund
dhe dashurinë për vendlindjen, duke qenë larg saj në kohën më të gjatë të jetës.
Tjo tematikë edhe këtu do të gjej trajtimin e duhur si realizim poetik. Kështu,
mërgimtari, si personazh i kësaj poezie, përkundër vështirësive të mëdha, më në
fund do t’i gëzohet arritjes së majave të kënaqësisë, gjatë qëndrimit në
vendlindje, meqë “Dhe skutat e shtëpisë u
mbushën me fjalë/ me zogj e ëndrra/ thurën dhe fole”. Ky gëzim zgjatë për
pak kohë, si rëndom çdo vit, që si e thonë vargjet në vijim “Pak/ fare pak fjetën/ nëpër çmallje andej e
këndej ngelën/ derisa një ditë mblodhën krahët/ valixhet/ e fluturuan” (po
aty, fq. 103). Çfarë paraqitje e përkushtuar deri në imtësira, ku bashkëveprojnë
malli, dashuria, dhimbja dhe pamjaftueshmëria e përmbushjes së dëshirave të
tyre të pafund, nga shpejtësia e ikjes së kohës të kufizuar për të qëndruar në
vendlindje. Kthimi i tyre andej prej nga kanë ardhur për tu çmallur hetohet në
çdo skaj, derisa “Vendet e mbetura bosh/
nuk mbushen as lahen prej lotësh” (po aty, fq. 104). Kjo plagë sa gjatë e
sa shumë po kullon mbi dhimbjen tonë, veç poeti do ta shpreh ashtu si vërtetë
është dhe vazhdon të mbetet edhe më tutje, duke u përshtatur me rrethanat kohore,
po asnjëherë në zvoglim të veprimit.
Mbi bazën e kësaj që
shpreh poeti tek poezitë e lartëcituara, një përkufizim të thuktë e konsiderojmë poezinë “Kosovë”, për të cilën dalin gjithë këto përkushtime me plot ndiesi,
ku me të drejtë shprehet autori në vargjet: “Kurrgjë s’po lypi prej teje/ veç n’mujsha me t’dhanë/ kënaqem sall që
t’kam” (po aty, fq. 82).
Zhbërja e së keqes - synim i
përhershëm
Por, jo vetëm kjo pjesë e
dhimbjes është qështje trajtimi në poezinë e Sabit Rrustemit. Në relacionin e
luftimit të së keqes që e përcjell parreshtur njeriun tonë është vetë njeriu, që
nganjëherë mund ta ketë ngatërruar rrugën, për të përfunduar në taborrin e
armikut. “Tinëzari”, sjell portretin
e njeriut keqbërës, puthadorit të pacipë, që, në asnjë mënyrë, si edhe të tjerëve
para tij, “s’do t’i buzëqesh zari”
(po aty, fq. 21). Në ngjashmëri tematike këtë ves të keq të këtyre njerëzve e
takojmë edhe në poezitë: “Do eci”, “Lojsat”, e ndonjë tjetër që nuk cituam
këtu.
Ironia e stërholluar prej
mjeshtri të vargut, vjen e pasqyruar fuqishëm në poezinë “Kali ynë”, që për satisfaksion ka veset e njeriut tonë në momente
të caktuara, duke veshur me epitete të një kafshe, që përdoret për nevoja të
shumta familjare të shtëpisë, por nganjëherë konsiderohet si diçka që nuk ka më
shumë se aq vlerë, pa mos ia thënë edhe veset e veprimet e ndryshme, që në
raste të tilla prodhojnë huti, meqë “Nuk
është çkado kalë/ Shtrenjtë blehet/ e krejt (sh)lirë shitet” për ta
arsyetuar veprimin e baraspeshuar me vlerën, “Se shalë nuk ka/ sall samar”(po aty, fq. 113). Kjo veti e njeriut
të tillë vetvetiu kuptohet përmes këtyre karakteristikave që takojmë këtu, e që
shprehin bindshëm personalitetin e ndryshuar deri në pavlerë të sojit të tij.
“Letra për Bacin e shpisë tonë”, e shkruar me një gegnishte të
rrjedhshme, (por që nuk është kjo e vetmja poezi e shkruar me këtë dialekt),
sjell portretin e një kohe sa të ndieshme, poaq edhe të frikshme, për faktin se
“Do trima t’rremë” kanë krijuar
hapësira manipulimi për t’ia arritur qëllimeve të tyre të errta, prandaj, siç e
shpreh poeti në fillim të poezisë: “Sa
kisha dashtë/ me shkundë për pak kohë/ atë dhe/ e me u shfaq si Konstandini/
Bacë”, që s’paku ka kesh një pasqyrë reale të veprimeve të tyre, se “Krejt koha na shkoj/ tu kshyr me rrejt veten”.
Të shumtë ishin ata që nuk ngurruan ta shfrytëzojnë situatën për ta ndërtuar
një imazh të rremë kundruall realiteteve të njohura. E kundërta e kësaj shpërfaqet
me frymën e fakteve që bëjnë të kuptohet se gjithmonë përfituesit e situatave ishin
ata që i qëndrojnë kohës kujdestar për ta përvetësuar në mënyrën më perfide të
mundshme, që pastaj të krekosen me “veprat” e tyre në të mirën e qështjes.
Ironia, si mjet konkretizimi i këtij realiteti shpërfaqet me vargjet: “Sa
njeri ish kanë me ty/ e s’e kishe pa/ hasmi yt n’Danub/ pej tute kish pas me ra”.
Cilidoqoftë ai, që poeti e personifikon me “Bacin
e shtëpisë tonë”, përmes të cilit nxjerr në horizont këto veti të këqia,
pasqyrojnë një të vërtetë që vazhdimisht shkakton probleme në ndërtimin e jetës
së re, për të cilën ekzistojnë faktografi të shumta të sakrifikicave të
pakursyera, deri edhe me jetën. Këta rrahagjokës i nxjerr ashtu origjinal, siç
edhe janë në të vërtetë: “Gjyksat poshtë
na shkuen/ prej t’rameve/ vej sa nuk janë thy” për ta argumentuar edhe me
një të keqe tjetër, jo më pak se rrahagjokset që nuk pushojnë për asnjë çast: “Me bërllog biografish/ na i mbushën vitrinat”.
I tillë është Sabit Rrustemi. Nuk ka fije dyshimi se ai për dekada i qëndroj
besnik vargut të tij, duke e ngritur mbi ngjarje e karaktere deri në premisat
më të vogla, për ta nxjerrë të vërtetën në sfond. Vulgariteti i kësaj drame
bizare që po e përcjell njeriun tonë, duke ia ngushtuar hapësirën e veprimit të
drejtë, në këtë poezi përmbyllet me ballafaqimin e autorit me këtë realitet,
duke shprehur sinqeritetin e tij prej vrojutesi aktiv, por gjithmonë në
cilësinë e këshillëdhënësit: “Bacë/ shumë
kisha dashtë/ kto fjalë me t’i thanë sy me sy/ veç unë pshtova pa t’rrejtë/ se
nuk nejta hiq me ty” (po aty, fq 164).
Filozofia popullore në komunikim
kohor
Në poezinë e Sabit
Rrustemit takojmë të bashkëvendosura qëndrueshëm edhe elemente tjera, si ritet,
traditat dhe zakonet tona, që në masë të mirë e pasurojnë poezinë, për aq sa
shtrijnë një komunikim të arsyeshëm, me pasqyrimin e traditave dhe, ndonjëherë
edhe të folmen e regjionit, si personifikim i një vendi të njohur për këto
karakteristika të ruajtura e të kultivuara me përkushtim nga e kaluara, pa mos
e dobësuar për asnjë çast vlerën e poezisë, paraqitjen e temave të ndryshme, që
në asnjë mënyrë tjetër nuk do të nguliteshin në kujtesën e lexuesit, më mirë se
përmes këtyre prezantimeve që transmetojnë vlerat e një kulture dhe tradite të
lashtë për lexuesin.
Kështu, poezia “Mëria e reve”, trajton një temë të
tillë, që vjen sa interesante, poaq e veçantë, duke kujtuar paraqitjen e disa
bestytnive, që në secilin vend, pothuajse kanë të veçantat e veta. Në
vendlindjen e poetit, është ruajtur me kujdes edhe ky rit, që, si e trajton
poeti: “Kot shtrimë duart/ kokërrza
akujsh përpimë/ Dhe sofrën ia shtruam/ Çka patëm e rruajti dhe iku/ as kusur
s’na la” (po aty, fq. 101). Për ta shprehur fuqishëm shqetësimin e tij: “Ç‘na u desh breshëri kur ra shi”.
Edhe tek poezitë “Kafshimi i tultë”, “Vjen një ditë”, “Nëpër
ndërprerje”, ”Pazari i pasditës”,
“Më mirë me ia ther prej shpije”,
etj. pasqyrohen traditat dhe virtytet e njeriut tonë, të sprovuar nëpër kohëra
të ndryshme, sidomos atëherë kur gjithëçka ishte e pasigurtë. Pasqyrimet e këtyre
veseve i gjejmë edhe në poezinë “Udhëzim
i moçëm”, që shpalos karaktere njerëzish, këshilla e vlerësime me saktësinë
e përvojave të jetës, siç do të shprehet edhe në vargjet: “T’moçmit kanë udh’zue,/ ditën vetë i dyti hec/ natën/ pa qenë vetë i treti/
mos u nis” (po aty, fq. 26). E një ngjashmërie të tillë është edhe poezia “Filozofia e durimit”, që kryekëput
transmeton një filozofi popullore, me saktësinë e mendimit.
Por, si duket, Sabit
Rrustemi, për ta bërë një “refresh” pushimi, pas gjithë kësaj pune plot sfida e
angazhime në një çast do t’i kthehet kujtesës për njerëzit që mund t’i ketë
pasur vazhdimisht nga të veçuarit, me të cilët ka tërhequr në vazhdimësi fijen
e hollë, por asnjëherë nuk e ka shkëputur, duke lidhur kështu skajet e jetës,
me fjalët dhe ndiesinë shpirtërore që e preokupon në vazhdimësi. Në kohë të
tillë e takojmë edhe në poezitë: “Miku i
fjalës” dhe “Thirr edhe njëherë Qerim
Ujkani”. Mbase është i arsyeshëm ky takim miqësh, për të evokuar bashkë
kujtimet mbresëlënëse, përkundër rrethanave në të cilat janë zhvilluar. Kjo
mbase edhe arsyetohet me faktin se poeti nuk do t’i anashkalonte pa i takuar, miqtë e penës, me të cilët,
gjithësesi do të këmbejë përvoja e do të çlodhet, për tu mbushur pastaj me
energji të reja në hapërimin e tij shtigjeve të pafundme prej krijuesi.
Epilogu i një mendimi
Asnjëherë nuk dyshohet se
poezia e Sabit Rrustemit shquhet për fuqinë e mendimit, për leksikun e pasur
gjuhësor, për trope e metafora të shumta; sidomos shquhet për transponimin e
vlerave autoktone të traditës në poezinë e tij, si fuqi komunikuese me lexuesin. Tradita dhe mendimi filozofik
popullor në përgjithësi, si askund tjetër, gjejnë vend meritor në krijimtarinë
artistike-letrare të tij, në funksion të trasmetimit të mesazhit sa më të
fuqishëm tek lexuesi.
Poashtu, krijimtaria
poetike e tij është e paisur me toponimet dhe mikrotoponimet e shumta që i
takojmë gjithandej në këtë libër, ku ndër të tjerat veçuam: Çepuri, Kroi i
Ilaqit, Reka e Ahit, Guri i Grihës, Hija e Madhe, Laku i Tumës, Qafa e
Kajushës, Kodra e Rrasave, Prroni i Buricës, Udha e Mbretit, Bërryli, Mullini i
Hanit, Lumi i Margës, Udha e Frengit, Karadaku, Rogat e Goclave, Qafa e
Llabjanit, Ujtë e Kuq, Guri i Shpumë, Guri i Zi, Udha e muhaxherëve, dhe shumë
të tjera që e pasurojnë vlerën e poezisë, duke prezantuar një shtrirje të gjërë
të këtyre emërtimeve, që me përkushtim ndihmojnë pasqyrimin sa më dinjitoz të
ngjarjeve e rrethanave prej nga është përqëndruar pikëvështrimi i poetit.
Dhe krejt në mbyllje të
librit poezia “Pleme e madhe kjo rrashtë”
fokuson frymën e krijimtarisë, me parandjenjën se muza e poetit asnjëherë nuk
shterron. Në realitet, kjo hapësirë e pafund, përmes së cilës do të operoj në
vazhdimësi vargu i poetit, që këtu personifikon “plemen”, një objekt ku gjen
mundësinë të deponohet sasi e madhe malli, që
këtu simbolizon arsenalin e tij krijues, në rrugëtimin e gjatë të krijimtarisë poetike dhe letrare në
përgjithësi.
Sa e gjatë është rruga andej
kah na shpien poezia e Sabit Rrustemit, sa i thellë mendimi i vargut dhe fjalës
së tij dhe sa e pafund dhe, njëkohësisht edhe e pamundshme është ndalesa në një
pikë përmbyllëse, gjithnjë duke pasur parasysh se këtu mbisundon forca e
inercionit dashuror për vargun, temën dhe vlerat që shpalos kjo poezi, mbesim peng
i vazhdueshëm me dëshirat e këtij rrugëtimi të pasosur nëpër vargjet, poezitë
dhe librat e ardhshëm, që nuk duket se kanë të ndalur edhe për shumë vite e
dekada.
Një mendim i tillë sforcohet
edhe më, kur gjithnjë e më shumë takojmë botime të reja të Sabit Rrustemit, të cilit
i dëshirojmë jetëgjatësinë e muzës krijuese!