Kerko: a
Gani Mehmetaj: Kur filmat e Rikard Ljarjes i shihnim fshehurazi
E shtune, 25.04.2020, 01:40 PM
Kur filmat e Rikard Ljarjes i shihnim fshehurazi
Nga
Gani Mehmetaj
"Rikardi
ka zënë shtratin", me tha miku im Saimir Kumbaro në nëntorin e vitit të
kaluar, ndërsa e pyeta për Rikard Ljarjen regjisorin dhe aktorin e madh
shqiptar. Sa herë vija në Tiranë, meqë gjithnjë isha në nxitim për një punë apo tjetër, pyesja miqtë për te. Me
erdhi keq, kur Saimiri ma tregoi edhe sëmundjen nga e cila lëngonte.
Rikard
Ljarjen e kam njohur para tridhjetë vjetësh, në fillim të viteve të
nëntëdhjeta, në kohën e rrëmujës së madhe, atëherë kur po rrënohej diktatura. Isha
mysafirë i Festivalit të Filmit Shqiptar, me te shëtisnin rrugëve të Tiranës,
flisnim për filmin, kulturën, artin, flisnim edhe për situatën politike. Ai më
rrëfente peripecitë e aktorit, por me tregonte edhe për sharmin e punës gjatë
xhirimeve të filmave.
Rikard
Ljarjën në të vërtet e kam njohur shumë më parë se ta takoja, e kam njohur nga
filmat: "Radiostacioni", "Në pyjet me borë ka jetë, "Rrugicat që kërkonin diell",
"Komisari i dritës", "Rrugë të bardha" etj. Shumicën e
filmave të tij i kam shikuar ilegalisht, atëherë kur na i ndaluan të gjithë
filmat shqiptar. I ndiqnim në Televizionin Shqiptar me antenën e kanalit 12, që
e blinim kinse për Tv Beogradin , programin e dytë, dhe e kthenim nga Tirana,
një hile që e kishim mësuar për t'iu shmangur shërbimit të fshehtë jugosllavë.
Shkodrani
i Tiranës gjithnjë më ka lënë mbresa me paraqitjen ekpresive, me zërin e
thellë, burrëror dhe pamjen e aktorit që e mbush ekranin me praninë e tij. E
kam takuar pastaj pas luftës edhe në Prishtinë.
Në
librin tim: "Qyt etet e Ilirisë", kam shënuar: "Më kujtohej kur
më 1991 apo 1992 e luta shkodranin e thekur e aktorin e famshëm, Rikard Ljarja,
të ma zgjidhte mëdyshjen: ta vizitoja apo jo qytetin. Ai ma tha atë që nuk e
prisja: Nuk është koha të shkosh në Shkodër, nuk është Shkodra ajo që e kërkon!
Prit ditë më të mira! Dhjetëra herë kam kaluar nga ura e Bunës për të vazhduar
në Ulqin, Dubrovnik, Split, Zarë e tutje në Itali e Zvicër, sepse s'bëja ballë
të futesha në qytetin e ëndrrave".
Vdekja
e tij me la një boshllëk, e thirra Saimirin dhe e pyeta për ceremoninë e
varrimit, i vetëdijshëm që as mund të shkoja, as mund t'i shkonim miqtë tjerë.
Ishte kohë e pandemisë që na ngujoi si të kishim rënë në gjak me tërë botën. E
pashë në televizor rrugëtimin e tij të fundit dhe me pikëlloi edhe më shumë.
...
Dhe kur t’mrrish në Fushë t’Rrmajit,
dallendyshe
ulu me pushue;
Mu
kujtuan vargjet e Filip Shirokës.
Pushofsh
në paqe, miku im i çmuar.