Kerko: a
Gani Mehmetaj: Qyteti i sharmit mahnitës
E merkure, 11.03.2020, 10:33 PM
Qyteti i sharmit mahnitës
Nga
Gani Mehmetaj
Cyrih, 1997-99
Cyrihu
është qyteti më i madh i Zvicrës dhe më i bukuri, apo ndër më të bukurit (që të
mos u mbetet hatri Gjenevës, Lucernit e Lozanës), me qendra të mëdha
financiare, me biznese ndërkombëtare, me diskoteka e restorante. Liqeni i jep
sharmë të veçantë qytetit ditën e natën. Lumi Limmat buron nga Liqeni i
Cyrihut, nëpër të lundrojnë anije të vogla për turistë. Cyrihu, pos qendrave të
biznesit, bankave të shumta, përfaqësive ndërkombëtare, shitoreve me vitrina të
rregulluara mirë, ka edhe pjesën shkëlqimtare të natës, që t’i lëbyrë sytë nga
dritat. Jeta e natës nuk pushonte deri në mëngjes, por në mënyrë më diskrete,
ashtu siç nuk pushonin tramvajet. Në diskotekat ku shkonim me Shkumbinin e
Avniun kryesisht ishin zviceranët apo stjuardesa e pilotë të linjave ndërkombëtare
që e kalonin një natë para se të niseshin me aeroplanë ndërkontinentalë deri në
fund të botës. Ishte interesante edhe diskoteka për të cilën më thanë se është
e Arnold Shvarcenegerit, aktorit të famshëm amerikan. Pos muzikës së zhurmshme,
të tjerët të kalonin si hije pranë.
Ndërkaq,
miqtë e branshes tjetër më ftonin në restorante shqiptare, ku çmallja me
atdheun tulatej me gota rakie e meze të rënda mishi të përpunuar nga
vendlindja. Përshëndetja nga mikrofoni me emër e mbiemër ishte zakoni i shqiptarëve,
pronarë të restoranteve. Banhofi (Stacioni i trenit), njëri ndër objektet më
monumentale dhe të vjetra të qytetit, paraqet nyjën e qarkullimit të trenave
nëpër qytetet e Zvicrës dhe trenave ndërkombëtarë. Kishte disa nivele të
metrove nëntokësore me qindra shitore, restorante, qendra grumbullimi e vende
që të mahnitnin. Moria e udhëtarëve që futeshin nëpër trena e tramvaje nuk
pushonte deri në mesnatë, ndërsa vrapimi si në garë e njerëzve dëshmonte për
një dinamikë jetese në qytetin e madh. Nga ky stacion shpesh nisesha për në
Gjenevë, Friburg, Estavajs Le Lac e Bernë, ku kisha të afërmit dhe miqtë. Nga
këtu nisesha me trenin e shpejtë ndërkombëtar në Gjermani, Luginës së Rajnës me
shpejtësinë 170-180 km në orë.
Dy
herë më ka rastisur të futesha në shtetin gjerman pa vizë, mirëpo me gazetën
“Frankfurter Allgemajne” para vetes dhe me pamjen time asnjëherë nuk ma kërkoi
polici pasaportën. Me t’u futur në kupe të trenit, policët kufitarë u
drejtoheshin portugezëve e turqve, mua mbase më merrnin për gjerman a zviceran
nuk di, por shkoja e kthehesha nga Cyrihu në Mynih, Bohum, madje deri në
Bruksel pa ferrë në këmbë. Këtë trill ma kishin mësuar, nuk e shpika unë.
Banhofi
i Cyrihut ishte interesant edhe për një fakt tjetër. Ishte vendtakimi i
shqiptarëve, portugezëve, tamilëve e zezakëve. Por shqiptarët talleshin se
ishte edhe vendtakimi ku tirreshin intrigat, bëhej parapolitikë shqiptarçe,
përpilohej strategjia kombëtare, akuzoheshin bashkëkombësit në atdhe: pse nuk e
nisnin luftën në Kosovë? Shumica e atyre që merreshin me parapolitikë, madje
edhe me organizime politike ilegale, ishin të papunë, jetonin mbi kurrizin e
shtetit zviceran, paraqiteshin me probleme të rënda shëndetësore, ose ishin
kërkues të azilit. Taborët e konfrontuar politikë nxirrnin xixa: mërgata e
vjetër, gati në shuarje e nacionalistëve, që kishin ikur nga terrori i Enver
Hoxhës, e Titos, nuk ishin shumë aktivë. Brezi i marksistëve-leninistëve, që
vepronin në ilegalitet, të frymëzuar nga Tirana kishin nisur të hutoheshin pas
rënies së komunizmit, por shpejt e morën veten.
Pjesa
më e madhe e mërgatës së shqiptarëve të Kosovës e të shqiptarëve të Maqedonisë
u organizuan në LDK. Konfrontimet e tyre më shumë ishin ideologjike se sa
mospajtime në strategjinë e veprimit. Në Kantonin e Cyrihut jetonin më shumë
shqiptarë se në çdo kanton tjetër zviceran. Shqiptarët ishin të organizuar në
shoqata e klube, në degë e nëndegë të Lidhjes Demokratike dhe të
Demokristianëve, që ndihmonin më shumë se kushdo tjetër bashkëkombësit në
Dardani, veçmas jepnin ndihma për të afërmit dhe e financonin arsimin.
Cyrihu
është qytet gjermanofon, ku për ta marrë shtetësinë kërkojnë ta flasësh mirë
gjuhën letrare gjermane, por ta kërkojnë edhe shvice dyç, gjuhën lokale
gjermane. Është vend i rregullit e i disiplinës, i pastër si rrallë ndonjë
qytet tjetër evropian. Pjesën më të madhe të qytetit mund ta shijosh duke ecur
në këmbë nga qendra, rreth liqenit të bukur, nëpër pjesën e vjetër të qytetit
ku ta ka ëndja ta shijosh e përjetosh me sheshet e kishat njëmijëvjeçare, me
këngëtarët e rrugës, ekzibicionistët e ndryshëm nga e gjithë bota, rreth të
cilëve grumbullohen qindra kureshtarë. Në qytetin e vjetër ku ka kafene e
shitore, na tregoi një bashkëkombës, kur deshi ta ndërronte derën e vjetër, iu
desh të kërkonte leje të veçantë nga komuna, të priste së paku gjashtë muaj dhe
të kishte arsyetim të qëndrueshëm pse e kërkonte ndërrimin e derës së jashtme
të dyqanit. Asnjë ndërhyrje s’mund të bëhet pa leje speciale.
Sa
herë kam kaluar për kureshtje nga shtëpia-muze e Maks Frishit, shkrimtarit të
madh zviceran. Ishte një shtëpi e thjeshtë, tipike zvicerane, e vjetër, por e
ruajtur. Qetësia e heshtja e mbërthente jo vetëm shtëpinë, por edhe tërë
lagjen. Pakkush nga ata që kalonin me nxitim kujtoheshin kush jetoi e punoi në
këtë shtëpi. Tradita ruhet me fanatizëm, ndërsa inkorporohet mirë edhe në
arkitekturën moderne.
Cyrihu
me pjesën e vjetër të rinovuar shpalohet nga mesjeta deri në shekullin XX. Kur
i sheh gjithë ato godina, kisha të moçme, ngrehina të vjetra aristokratike e institucione
publike, të kujtohet se ne godina të ngjashme mbase i kishim, por na i rrënuan,
apo nuk i ruajtëm vetë nga pakujdesia e padija. Aristokracia e tyre kishte
jetuar në shtëpi të mëdha e monumentale, që të mahnitnin edhe sot, përderisa
aristokracia jonë gjysmorientale jetonte në shtëpi njëkatëshe me një mbindërtim
druri në katin e dytë.
Aristokracia
vendëse dhe të kamurit jetojnë kryesisht përreth liqenit, por edhe në kodrat e
Cyrihut, ku është edhe universiteti e disa institute shkencore. Prapë edhe këtu
shqiptarët kanë zënë disa pika të frekuentuara me restorante, ku më së paku ka
klientë shqiptarë, pos ndonjë mysafiri të rastit me emër kumbues. Të rinjtë
kanë disa festivale ndërkombëtare me të cilat e tundin qytetin. Në Festivalin e
Tekno- muzikës, ku isha dy vjet radhazi, në një hapësirë dy kilometra katrorë
ishin 300.000 celularë (telefona dore), që i mbanin të rinjtë në dorë ose në
xhepa, që merrnin sinjale ose jepnin sinjale, raportonin mediet. Pajimet
muzikore që e tundnin vendin endeshin me qindra kamionë të mëdhenj dhe me vajza
të reja të veshura për karnavale. Ishte atmosferë e jashtëzakonshme, ndërsa
dielli të përcëllonte. Mbrëmja pastaj ishte tunduese. Në teatër shkonin elita,
të veshur mirë e me kollare. Pas ndonjë premiere në Teatrin e Qytetit, që ishte
fare pranë tri sallave të kinemasë, trafiku gati paralizohej derisa dilnin
shikuesit e shfaqjes me qindra makina, nga parkingu i teatrit. Zviceranët e
duan teatrin, ashtu sikurse e duan filmin, ku rastis të shohin tre filma njërin
pas tjetrit. Cyrihun gjithnjë e kujtoj me dinamikën marramenthi, udhëtimet me
tramvaj, por edhe kur mendoja se ku do ta kaloja fundjavën që të mos sillesha i
vetëm nëpër rrugët e zbrazëta të qytetit si portugezët e shqiptarët në tuta
(trenerka). Më ka zënë në të rrallë e diela në qytetin e vdekur, i vetëm dhe pa
cak, ku mezi gjeja birrë a kafe, në restorantet e Banhofit, sepse të tjerat
ishin mbyllur. S’dija ku ta fusja kokën. Ishte e gjatë dita e diel në Cyrih.
Zviceranët fundjavën e kalojnë në bjeshkë, në liqene apo në pushimore të
veçanta.
Fundjavën
shpesh e kaloja në Gjenevë, një qytet ndërkombëtar shumë i këndshëm, ku do të
jetoja me dëshirë sikur të më ofrohej mundësia. Kishe ku të shkoje dhe si të
kaloje. Ishte relaksim i jashtëzakonshëm, sepse pos një ambienti të ngrohtë,
liqenit përrallor, ujëvarës që e hidhte ujin sipër me vrushkull, qyteti
ndërkombëtar i diplomacisë kishte diçka që të bënte për vete, me parqe, godina
të veçanta, me historinë e të kaluarën, me njerëzit e këndshëm.
Në
Gjenevë kisha miq e dashamirë, ishte një komunitet i madh shqiptarësh, që
frekuentonin klubet e kafenetë, varësisht nga përcaktimi politik. Nehati e
Ajteni, të afërmit e mi, ishin mikpritës të përhershëm në Gjenevë, që ma
shpalonin edhe qytetin, edhe vendet atraktive. Ishte kënaqësi të kaloje një
ditë apo një pasdite në Gjenevë. Ndërkaq, në Friburg, dhe qytetin tjetër
frankfon Estavaje Le Lac, kaloja për mrekulli. Me Musën, kushëririn tim të parë
e familjen e tij, merrnim grepat e peshkimit dhe ngjiteshim lumit të
rrëmbyeshëm, ndërsa të mësuar nga vendlindja i thoshim Drini. Musa me Hatixhen
gjithnjë më prisnin mirë dhe e kalonim mbrëmjen me verë e peshk si askund
tjetër. Në Estavaje Le Lac dhe në Friburg kisha më shumë kushërinj se sa në
Pejë e Dubovë.
Ditëve
të tjera punoja në “Rilindje” deri vonë, ndonjëherë na zinte mesnata. Zyrat e
redaksisë i kishim gati në qendër të qytetit, por banoja në Grunau strasse, 40
minuta me tramvaj nga puna në banesë. Banoja në një pension, ku shumica ishin
pleq. Më bënin përshtypje këta burra e gra në moshën e tretë, më bëhej se nuk e
ndienin moshën, nuk e ndienin vetminë, ashtu sikurse nuk u mungonte oreksi. Në
mbrëmje derisa ulesha në një cep të restorantit, ata tashmë e kishin shtruar
tryezën me ushqime e pije, me birra (kriglla) gjysmëlitërshe, flisnin me zë të
lartë e ishin të hareshëm. Ishin ndryshe nga zviceranët e tjerë. E gëzonin
jetën për lakmi.
Edhe
kur e ndërrova banesën e kalova në Jozef strasse, fare afër Banhofit (Stacionit
qendror të trenit) vetmia më ndoqi prapa. Shpesh më dukej vetja si punëtorët
tanë që jetonin me dhjetëvjetëshe larg familjes. Por duket i tërë pensioni, ku
banoja ishin vetmitarë e të përmalluar. Pranë dhomës sime ishte një angleze e
re, bionde me quka, nga Londra, që punonte në një bankë të Cyrihut. Flitej se
mijëra anglezë punonin në bankat e qytetit. Biondja me quka çdo mbrëmje
bisedonte në korridor me të ëmën, në të vetmin telefon të përbashkët. Shpesh
qante, pastaj qeshte, por nga bisedat e pafundme pas orës 22:00 shihej se e
merrte malli për të vetët. Vajza tjetër, po ashtu angleze, ngjitur me dhomën e
saj kishte një shprehi tjetër: në mëngjes përderisa e bënte dushin në banjën e
përbashkët, prapë si shoqja e saj, qante, ndonjëherë harronte se edhe të tjerët
ia kishin nevojën dushit, kështu që përmendej vetëm kur ia kujtonim. Dilte
menjëherë si e zënë në faj me një buzëqeshje shfajësuese në fytyrë, por e
përsëriste shpesh vajin përmallues të mëngjesit, që ta këpuste shpirtin.
Kroatja
që kujdesej për pensionin i dinte historitë e të gjithë banuesve, burra e gra,
vetëm unë i dukesha disi i errët dhe i pazbërthyeshëm, meqë nuk i flisja shumë
dhe nuk ia tregoja historinë time. Kështu i kishte thënë mikut tim që ma gjeti
këtë pension falë njohjes me kroaten. Që të mos e dëgjoja bionden simpatike me
quka, kur qante, hapja dritaren e dhomës sime në katin e tretë që binte mbi
rrugë dhe ndiqja lëvizjet. Rruga Jozef strasse mbrëmjeve ishte e qetë, në të
rrallë kalonte ndonjë makinë. Por më binte në sy kur ndonjëri e ngadalësonte
shpejtësinë e makinës, hapte me kujdes dritaren, një hije e ndriçuar dobët nga
feneri i rrugës i afrohej, shoferi ia linte 20 franga zvicerane në dorë, kurse
tjetri një qese të vogël të bardhë droge. Secili ua mbathte pastaj me shpejtësi
drejtimeve të ndryshme. Asnjëri nuk më shihte, ndërsa i kisha aq pranë. Shpesh
më dukej vetja si plakat e vetmuara zvicerane që gjithë natën rrinë me kokë në
dritare.
Jozef
strasse ishte rruga e qetë ku shpërndahej me diskrecion droga. Ndonjëherë
kalonte trotuareve ndonjë femër e vetmuar që gjuante klientë. Skenat më trishtuese
ishin kur dy-tre civilë që më vonë e kuptoja se ishin policë, e mbërthenin
befas shpërndarësin e drogës dhe ia vinin prangat. Rastiste që fatkeqi përpiqej
t’ia mbathe, kur e hetonte kurthin, por ndonjëri nga policët e shkathët ia
vinte kleçkën prapa dhe fatkeqi përplasej me zhurmë në trotuar.
Jeta
në redaksi ishte sa dinamike, koha kur duhej ta dorëzonim gazetën na e hante
shpirtin, aq ishte edhe monotone,prapë të nesërmen ia nisnim nga e para, dita e
re, numri i ri i gazetës. Në redaksi i takova Sali Çekun që erdhi me Hafiz
Gagicën, aty e takova Agim Ramadanin, të gjithë këngëtarët nga Dardania aty
vinin para se të shkonin në koncerte. Aty takova pjesën më të madhe të mërgatës
sonë, sepse redaksia u bë ambasadë ku vinin shumë shqiptarë. Disa donin të na
takonin, të tjerët qanin hallet e veta, të tretët shtronin kërkesa, sikur ne të
qemë shteti. Kishim pos zyrave të punës edhe një sallon librash, ku rrinin gati
tërë ditën shqiptarë profesionesh të ndryshme.
Nuk
ka zyra a institucion shqiptar në Perëndim të këtë pritur e përcjellë më shumë
shqiptarë të Kosovës e shqiptarë të Maqedonisë se sa redaksia e gazetës sonë.
Cyrihu vazhdonte me dinamikën stresuese, me jetën e natës dhe me shkëlqimin
farfuritës që t’i merrte sytë. Një ballkanas hutohej herën e parë kur dilte nga
Banhofi i zhurmshëm. Kontakti i parë me qytetin e liqenit e të institucioneve
financiare e linte pa mend. Askush nga ata që vinin një herë nuk kërkonin të
ktheheshin prapa. Erdha për tre muaj, ndërsa ndenja gati tre vjet.
Fragment nga libri: ” Nga Dardania në Australi”