Kerko: a
Gani Mehmetaj: Shtatorja e Enveri ra, por fantazma e enverizmit e ka pushtuar Shqipërinë!
E merkure, 04.03.2020, 09:45 PM
Shtatorja e Enveri ra, por fantazma e enverizmit e ka pushtuar Shqipërinë!
Nga
Gani Mehmetaj
Kur
e pashë pamjen tragjikomike se si kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pasi e
puthi në kokë dhe i detyroi mijëra delegatë të Partisë Socialiste ta nderonin
njeriun që kishte dënuar me vdekje shqiptarë në kohën e Enver Hoxhës, u
rrëqetha. Atje fantazma e diktatorit po ringjallet frikshëm, komunizmi më i
egër në Evropë po rikthehet triumfalisht. Prandaj mu kujtua një shkrim imi i
para nëntë vjetësh, që po ua përserisë.
Pas
Edi Ramës, në Prishtinë erdhi ylli i medies shqiptare, Blendi Fevziu, për të
promovuar librin dhe dokumentarin “Enver Hoxha”. Nuk do të shkruaj për
dokumentarin, megjithëse këtë material të papërfunduar do t’ua emetoja
prishtinasve së paku një herë në vit, kurse në Tiranë do t’ua shfaqja çdo
mbrëmje një muaj rresht. Por do të përpiqem t’ia plotësoj pasaktësitë e
thënieve pas premierës së filmit.
Pse
mendoj që bashkëkombësit përtej Alpeve shqiptare kanë nevojë më shumë se
“enveristët kosovarë” ta shohin dokumentarin e Fevziut. E para, Enver Hoxha
ishte pjellë e Shqipërisë londineze (dikur gjirokastriti më i dashur shqiptar).
E dyta, sundoi mbi dyzet vjet me dorë të hekurt, duke bërë mizori që nuk t’i
kapë mendja (thonë rumunët e Çausheskut ishin po kaq mizorë), ndërsa nuk patën
mundësi ta rrëzonin, apo së paku ta rrezikonin me përpjekje të organizuara. E
treta, kur vdiq Hoxha, rreshtat për ngushëllime ishin të gjata, sa të
tmerronin. E katërta, është për të ardhur keq, por pas gjithë atyre mizorive të
Enver Hoxhës dhe shpurës së tij kriminale, që pastaj diktatori ua hëngër kokat,
bashkëkombësit përtej Alpeve ende nuk e gjykuan kolektivisht dhe nuk nxorën
ligj për të dënuar krimet komuniste-enveriste. E pesta, një pjesë e kësaj klike
mizore që mbeti gjallë nuk kërkoi falje për krimet (e shoqja e diktatorit,
bashkëfajtore, është më arrogantja se të gjithë të tjerët), përkundrazi
vazhdojnë t’i fyejnë viktimat apo familjet e viktimave pa fije turpi dhe
keqardhjeje. E gjashta, një pjesë e Shqipërisë, ka nevojë për deenverizim,
ashtu sikurse kishte nevojë Gjermania për denazifikim. E shtata, majtistët
shqiptarë, pinjollë, ose trashëgimtarë të Enver Hoxhës në Shqipëri janë ndër
grupet më të fuqishme në rajon!
Enver Hoxha ishte në
mesin tuaj
I
numërova disa nga arsyet pse bashkëkombësit e mi përtej Alpeve kanë nevojë ta
shohin këtë dokumentar, ose disa dokumentarë të ngjashëm që janë dhënë më herët
(Filmin dokumentar të Saimir Kumbaros për diktaturën dhe shfarosjen e
intelektualëve shqiptarë), për të mësuar në mënyrë të përsëritur krimet që bëri
pjella e tyre e keqe. Është hera e parë që bëj dallime në mes të shqiptarëve
andej dhe këndej Alpeve, por po i veçoj nga aspekti ideologjik, meqë atje
vuajtën nga komunizmi-enverizmi më shumë se kudo në Evropë. Shqiptarët e
Kosovës vuajtën nga okupimi serb, por nuk e gjakuan komunizmin. Përkundrazi, e
luftuan më shumë se cilido komb në rajon.
Po
të parafrazoja në mënyrë cinike Skënderbeun kur hyri në Krujë, do të thosha:
Enver Hoxhën nuk ua sollëm ne, atë e gjetëm në mesin tuaj. Pra, një përgjigje
për Blendi Fevziun dhe shpurën e tij kur e thanë para medieve arsyen pse e
dhanë në Prishtinë dokumentarin e papërfunduar “Enver Hoxha”.(Baton Haxhiu
ishte në këtë shpurë). Nuk qenka arsyeja e shfaqjes për t’i nderuar, por sepse
“kosovarët” e dashkan Enver Hoxhën! Arsyetim më cinik, të thënë publikisht, nuk
kam dëgjuar gjatë karrierës sime profesionale.
“Pse
e dhatë shfaqjen Konfiteori në Prishtinë?”, e pyeten gazetarët serbë,
regjisorin maqedonas Milçin para njëzetë e ca vjetësh. “Sepse, në Prishtinë
shpërtheu nacionalizmi pas vitit 1981”, u përgjigj ai. Ngjashëm përgjigjet i
përkëdheluri i publikut të Kosovës, Blendi Fevziu. Stis enveristë për arsyet që
i di ai. Dhe për ta qetësuar publikun e zemëruar me këtë shpifje të
papërgjegjshme, tipike nga shqiptarët paskomunistë, dikush nga ta u përpoq t’i
arsyetojë “kosovarët enveristë’, sikur u desh të zgjedhin në mes të dashurisë
ndaj Titos dhe Enverit! Prapë arsyetim më të papërgjegjshëm nuk kam dëgjuar.
Më
duhet të numëroj argumentet kundër kësaj çorodie të dokumentaristëve “Enver
Hoxha”, sepse nuk janë ata të parët e të vetmit që sillen si fëmijët e
papërgjegjshëm, sikur të tjerët ua kanë fajin për gjarprin që e mbajtën në gji
mbi dyzet vjet.
Me
Enver Hoxhën “kosovarët” i qëruan hesapet me pushkë, kur ai dhe partizanët
gjakovarë të Normales së Elbasanit e sollën murtajën e kuqe në Kosovë, duke u
lidhur me Moskovin e Beogradin, dy armiqtë më të përbetuar të shqiptarëve.
S’kishte shqiptarë në Kosovë, pos të painformuarve, budallenjve e të shiturve
që mund ta donin Enver Hoxhën, shërbëtor të Miladinit e Mugoshës, servil të
Titos e të Stalinit. Me hyrjen e përgjakshme të trupave jugosllave në Kosovë,
ndërsa rrugën ua hapën brigadat partizane nga Shqipëria me komandantët e
komisarët e tipit të Shefqet Peçit e Ramiz Alisë, urrejtja ndaj Hoxhës u
shumëfishua.
“Dashuria” për Titon dhe
Enverin
Dashuria
e “kosovarëve” për Enver Hoxhën vdiq ende pa u ngjizur. Është shembull i mjerë
përgjithësimi i grupeve fatkeqe marksiste-leniniste, ku bënin pjesë të rinj, të
paarsimuar dhe të sinqertë, ndërsa u keqpërdorën mizorisht nga Sigurimi i Enver
Hoxhës. Ata kërkonin liri kombëtare, ndërsa i mësonin të zbatonin parimet
marksiste-leniniste. Ata donin bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, ashtu sikurse
ishte para ardhjes së serbëve, sigurimcat e Hoxhës i mësonin të kërkonin
republikë federale nën Jugosllavinë. Të tjerët, që s’u takonin këtyre grupeve
nuk donin t’ua përmendje Enver Hoxhën. Ishin të dëshpëruar me mizoritë e tij
dhe prostituimin me sllavët e jugut, më budallallëkun e konfrontimit me aleatët
tradicionalë: Amerikën dhe Britaninë e Madhe, në kohën kur ne na e nxirrnin
shpirtin nipat e Miladinit e të Mugoshës. S’kishte katundarë e zejtarë në
Kosovë, që s’i përtypte qindra herë këto gjëra.
Gjithë
fëmijëria e brezit tim është formuar nga bisedat për tradhtinë e Enver Hoxhës
dhe lidhjet e tij me Miladinin e Mugoshën. Gjithë fëmijëria e brezit tim është
kultivuar në dashurinë e paskajshme ndaj Mbretit Zog dhe mençurisë së tij të
jashtëzakonshme. Jugosllavët e Titos dhe shqiptarët e Hoxhës bënin propagandë
të koordinuar kundër mbretit në librat shkollorë. Gjithë brezi im ëndërronte
Shqipërinë me Kosovën brenda pa Enverin dhe pa tutelën e Titos. “Enveristët’ e
Blendi Fevziut gjithnjë mbetën minoritet, grup i papërfillshëm, fatkeq e të
manipuluar, megjithëse mbështeteshin nga Shqipëria “mëmë”, sidomos pas vitit
1991 për qëllimet që diheshin.
Nostalgjikët e Enverit
Nuk
e di pse Fevziu dhe të tjerët nga elita politike, intelektuale e mediatike nuk
e kanë informacionin e kundërt: në Shqipëri nostalgjikët e Enverit janë të
shumtë. Më skandalizojnë kur dëgjoj nga pronarët e apartamenteve, restoranteve,
tavernave e kafeneve nga Durrësi deri në Sarandë, ku shkoj shpesh, se si e
vajtojnë kohën e Enverit. Njëri syresh në tavernën vlonjate më tha: ju
kosovarët i rrënuat shtyllat e kombit! I habitur, e pyeta: kush është shtylla e
kombit që e rrënuam ne? Enver Hoxha, ma ktheu përgjigjen me indinjatë,
vlonjati. Nga natyra ime emocionale pa i llogaritur pasojat, i thashë: Enver
Hoxha ishte fatkeqësia dhe turpi i kombit. Më panë me habi, e të skandalizuar
për “paturpësinë” time. Njëri i egërsuar m’u drejtua: je mysafir pa do shihje
si fyen heronjtë tanë!
Në
shtypin e Tiranës dhe në kuluaret intelektuale, aq shumë u jepet hapësirë
marksistëve të Ferizajt, sa të skandalizon ky cinizëm. Janë të pakët e
margjinalë, saqë nuk i njohin në qytetin e tyre. Por fatkeqësisht i
popullarizojnë për tmerr mediat e Tiranës.
Cila
parti në Kosovë e ka emërtimin socialiste? Asnjë. Cila parti në Kosovë është
deklaruar e majtë? Asnjë. Të gjitha, sipas thënieve të tyre publike, janë të
djathta! E kanë për turp të quhen të majta, a socialiste, u vjen siklet të
thonë se janë komunistë a enveristë, kanë frikë nuk do t’i votojnë, sepse
komunistët për “kosovarët’ janë pjellë e Beogradit dhe e Moskës. Nuk e mohoj se
disa nga këto parti janë majtiste me përcaktim dhe enveriste me metodat e
eliminimit. Por mu si gjakovarët e Normales së Elbasanit u trajnuan dhe u
mësuan në Shqipëri. Kjo ishte arsyeja pse Edi Ramën e shpërfillen në Prishtinë,
saqë i dëshpëruar u përpoq t’ia hidhte fajin propagandës së Berishës.
Rugova,
lideri më i popullarizuar i të gjitha kohërave në Kosovë, imazhin e tij e
ndërtoi me antikomunizmin e antienverizmin dhe në aleancat me SHBA-të,
Vatikanin dhe Britaninë e Madhe, tre armiqtë kryesorë të Enver Hoxhës.