Kerko: a
Gani Mehmetaj: Vdekja e Ibrahim Rugovës – fundi i një epoke
E diele, 26.01.2020, 02:38 PM
Vdekja e Ibrahim Rugovës – fundi i një epoke
Homazhe
në acar
Nga
Gani Mehmetaj
Rreshtat
e gjatë me kilometra, në acarin e dimrit, njërin ndër dimrat më të ftohtë prej
se mbahej në mend, ishin formuar para Kuvendit të Kosovës. Durimi i pritjes për
t’ia bërë nderimet e fundit presidentit të vdekur, dëshmonte se ata e
vlerësonin punën e tij njëzetvjeçare. Pikëllimi e mbërtheu qytetin, e pushtoi
Kosovën, pesha e humbjes rëndonte mbi tërë hapësirën shqiptare. Atmosfera e
përzishme si rrallë ndonjëherë gjatë historisë e pushtoi shtetin e ri në
themelim e sipër. S’kishte nevojë për ndonjë kujdestar që do të mbikëqyrte
rendin, as që do të mbante qetësi. Të gjithë ishin të heshtur e të pikëlluar,
të gjithë shihnin në zbrazëti, prisnin nga mëngjesi deri në mbrëmje që t’ia
jepnin përshëndetjen e fundit presidentit të tyre, që i ruajti dhe i kurseu nga
aventurat, që i udhëhoqi drejt ëndrrës së madhe, ndërsa pati presione, mbase
pati edhe tundime që t’ia kthente ndryshe, mirëpo i dinte pasojat.
Për
t’ia bërë nderimet e fundit kryetarit Rugova, erdhën shqiptarët nga territoret
etnike (Maqedoni, nga Kosova Lindore, e Mali i Zi), por mijëra të tjerë erdhën
nga Perëndimi e Shqipëria. Ishte një ndjenjë e papërjetuar, e paparë. Niste me
kolonën e heshtur nga hoteli “Grand” e më poshtë, për të përfunduar te dyert e
Kuvendit të Kosovës, në brendësinë e të cilit qe vendosur trupi i presidentit.
Kjo të krijonte një atmosferë si në filma. Heshtje, muzika e përmotshme,
lëvizjet e ngadalshme, njerëzit që kalonin përskaj kolonës, duke pëshpëritur,
fërkim duarsh nga acari që të thante. Të dukej një atmosferë surreale, e
pazakonshme dhe e çuditshme. Askund nuk ishte parë një gjë e tillë: qytetarë që
presin me durim të jashtëzakonshëm, sigurisht këmbët nuk i ndienin më nga të
ftohtit, duart u mpiheshin, fytyra u digjte nga acari, ndërsa ata nuk donin
t’ia dinin. Askush nuk përpiqej të futej pa rend, askush nuk kërkonte
privilegje. Për herë të pare të gjithë ndiheshin të barabartë, të njëjtë në
pikëllim. Humbja ishte e përbashkët. Një ndjenjë të cilën e ke vështirë ta
përshkruash, sepse vetëm mund ta ndjesh e ta mbash për vete.
Me
ekipin e redaksisë së gazetës “Bota sot” pritëm me durim, ngrinim, veshët nuk i
ndienim për pjesë të trupit tonë, këmbët na ishin mpirë. Një ekip që merrej me
organizmin e ceremonisë na futi brenda, na orientoi para vendit ku e kishin
vënë arkëmortin me trupin e presidentit. Secili e përshëndeti në mënyrën e vet,
duke ikur me një boshllëk në shpirt.
Ishin
të paktë ata që nuk e ndien deri në palcë humbjen e njërit ndër personalitetet
më të mëdha që patëm, ishin të paktë ata që nuk u emocionuan për vdekjen e tij,
ashtu sikurse nuk qenë të paktë ata që pa dashje shtonin pyetjet: Po tash? Kush
do të udhëhiqte shtetin? Me kë do të bënim institucionet? Edhe më të pikëlluar
ishin ata të cilët mendonin se kur të na e pranonin pavarësinë zyrtarisht bashkësia
ndërkombëtare, njeriu më meritor për këtë pavarësi nuk do të ishte ai që do ta
shpallte dhe do ta gëzonte së bashku me qytetarët e tjerë.
Ceremonia
e varrimit ishte ndër më madhështorët që është mbajtur në Gadishullin Ilirik
dhe më gjerë. Një kortezh i gjatë, i gjatë, gati i pafund, ndërsa prapa shkonin
disa nga personalitetet e njohura ndërkombëtare.
Ajo
që i turpëroi jo ceremoninë, por vogëlinë e tyre, ishte refuzimi i kreut të
TMK-së që t’i bënin nderimet e fundit. U bë mirë që kjo trupë, shumë prej të
cilëve qysh atëherë dyshohej se janë të kriminalizuar, nuk i bënë nderimet
njërit ndër personalitetet më të mëdha të shekullit XX, sepse do ta turpëronin
me praninë e tyre.
#
Më
mbeti peng që nuk arrita ta realizoj projektin dokumentar në dy vazhdime për
jetën e veprën e Ibrahim Rugovës. E kisha bërë skenarin, e kisha kalkuluar edhe
aspektin financiar, duhej të hulumtoja nëpër disa arkiva filmike nëpër Evropën
Perëndimore, të intervistoja disa personalitete të njohura, për të bërë filmin
e gjatë nga fillimi i themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe
rrugëtimin e Rugovës deri në ditën kur u bë president i vendit. Projektin në
fillim ia paraqita ministrit të Kulturës, A. H. , i cili me fjalë të buta më
tha sikur nuk ka hije që ai ministër i Rugovës ta mbështeste filmin për
presidentin. M’u duk arsyetim idiotësh. Në mungesë të financuesit tjetër ia
paraqita projektin presidentit Rugova. Ai kërkoi nga Kryesia e LDK-së që ta
mbështeste, mirëpo Kryesia e mefshtë dhe e pazonja sikurse ishte, nuk bënë shumë
në këtë plan, megjithëse i premtuan se do ta mbështesin. Madje pos që më thanë
gojarisht se do të përpiqen të gjejnë mjete, nuk e bënë asnjë lavër të miut.
Ndërkaq, sikurse më thanë, Rugova druante se po këmbënguli më shumë për
realizimin e projektit do të tingëllonte sikur ai këmbëngul ta përjetësonte
veten. Të tjerët përreth tij, nga ligësia nuk donin që ai të përjetësohej në
shiritin e celuloidit.
Në
skenar planifikova të gjitha detajet. Fatkeqësisht projekti filmik “Ibrahim
Rugova” pret edhe sot e kësaj dite.