Kerko: a
Gani Mehmetaj: Ku janë ngjashmëritë e istrianëve e të shqiptarëve
E shtune, 14.12.2019, 12:26 PM
KU JANË NGJASHMËRITË E ISTRIANËVE E TË SHQIPTARËVE
Nga
Gani Mehmetaj
Salla
e Teatrit të qytetit ishte e vogël sa të zinte të gjithë të interesuarit për
shfaqjen e filmit "Babai" të Visar Morinës. Qindra syresh prisnin
edhe në korridore, dhjetëra ishin në
shkallët e teatrit. Shqiptarët e qytetit të Poreçit dhe ata të Qarkut të
Istrisë (Kroaci) kishin përgatitur një program e prezantim të veçantë për këtë
rast. Të dukej si të ishe në ndonjë qytet të Dardanisë: kudo dëgjohej shqip,
burra, gra e vajza të veshura mirë e të kultivuar në sjellje, të entuziazmuar
që takoheshin në mes vete dhe që do ta shihnin një film shqiptar. Kishin ardhur
edhe nga qytete e vendbanime të tjera jo vetëm të Gadishullit të Istrisë, por
edhe nga bregdeti slloven. Kur e shihje këtë entuziazëm, i thoshe vetes: sa pak
merremi me njerëzit tanë në diasporë, sa shumë ka efekt kur i kujtojmë me
ndonjë manifestim, ngjarje a shfaqje filmi?! Sa mall kishin bashkëkombësit tanë
për atdheun, interesoheshin për mbarëvajtjen e punëve, për rrjedhat politike,
për mundësinë e investimeve. Një pjesë e tyre ishin të kamur e të suksesshëm,
kishin biznese në qytet: argjendari, ëmbëltore, ishin hotelierë, biznesmenë,
por edhe ata që nuk merreshin me këto zeje, jetonin mirë, nuk ankoheshin.
Takova
disa nga bashkëkombësit, që punonin e jetonin në këtë ambient, por ende jetonin
me shpirt në vendlindje. Takova Selim Mulliqin me banim në Pulë, ku kisha qenë dymbëdhjetë vjet rresht në
festivalin e filmit. Madje, foli në mbrëmjen e shqiptarëve edhe drejtoresha e
Festivalit të Filmit në Pulë për bashkëpunimin e dikurshëm me Kosovafilmin dhe
për çmimet që morëm me filmat tanë kur shfaqeshin në Arenën e Vespazianit.
Selim Mulliqi, nga Raushiqi i Pejës, kishte një biznes të suksesshëm, ndërsa në
kohën e lirë shkruante poezi. Bisedova me Ermina Lekaj-Përlaskajn, deputete
shqiptare në Parlamentin kroat, Ingrid Shahta. Takova edhe bashkëvendës
argjendarë e ëmbëltorexhi, ndërmarrësin Idriz Sulejmani. Të kishe biznese të
tilla: ëmbëltore, argjendari, shitore syzesh e bizhuterie në një qendër
turistike sikurse ishte Poreçi, Pula a bregdeti kroat, përgjithësisht ishte një
punë me fitim të madh. Ndenja edhe me ish-oficerë shqiptarë që jetonin e kishin
familje në Poreç, apo në Kroaci, ata kishin luftuar në luftën atdhetare të
Kroacisë, madje kishin qenë në krye të mbrojtjes territoriale kundër agresionit
serb. Vendësit i çmonin dhe i respektonin shumë.
Poreçi
është qendër e njohur turistike dhe vendbanim i shumë shqiptarëve nga Dardania
e territoret shqiptare në Maqedoni. U takojnë tre brezave nga gjyshi te nipi
dhe pothuajse të gjithë e flasin shqipen, megjithëse janë integruar mirë në
shtetin e ri. Në shkollën fillore të Poreçit fëmijët shqiptarë e mësojnë gjuhën
shqipe dhe kulturën tonë. Ka interesim edhe në shkollën e mesme. Shqiptarët në
Kroaci kanë edhe shkolla të mesme në gjuhën shqipe, kanë edhe emisionin
televiziv në nivel qendror në kuadër të televizionit shtetëror në gjuhën
shqipe.
Sa
interesant: janë disa mijëra shqiptarë në Dalmaci e Kroaci, ndërsa e kanë të
drejtën e shprehjes së identitetit të tyre kombëtar, të kulturës dhe të gjuhës
së tyre gati në të gjitha nivelet e arsimit, kurse në Turqi janë disa milionë
shqiptarë, që s’kanë asnjë të drejtë kombëtare e gjuhësore, madje s’kanë të
drejtë të regjistrohen si shqiptarë, pos si turq!
Në
Kishën e qytetit shpesh vijnë priftërinj nga Prishtina, që e mbajnë meshën në
gjuhën shqipe, rast i mirë ky që të mos shkëputen nga vendlindja, kur fjalën e
Zotit e dëgjojnë në gjuhën amtare, na thanë disa prej tyre. Kisha Shqiptare
Katolike e Dardanisë dërgonte shpesh priftërinj jo vetëm në Kroaci, por edhe në
Zvicër e Gjermani. Atë ditë kur erdhëm
ne, prifti don Albert Krista, në kishën “Zoja e Engjëjve”, të Poreçit,
organizoi një meshë të veçantë për të shënuar e bekuar Ditën e Pavarësisë së
Dardanisë, 17 Shkurtin. Don Krista më përshëndeti në mënyrë të veçantë si
përfaqësues i Kosovafilmit.
Gjatë
tërë kohës, që nga Zagrebi, me ne ishte Lili Koci, artiste, një punëtore e
palodhur e aktiviteteve kulturore, nismëtare dhe organizatore e këtij
manifestimi, një herë në Zagreb, ku u prit me interesim të jashtëzakonshëm
shfaqja e filmave, e pastaj në Poreç. Ajo i njihte njerëzit dhe komunikonte
lehtë me ta. Organizimin e mirë e bëri edhe në Zagreb, ku na mbështeti edhe
Ambasada jonë me ambasadoren Shkëndije Geci-Sherifi, një zonjë që të impononte
respekt.
Kur
e shëtit qytetin e Poreçit, duke i rënë rreth e rrotull, sepse ke çka të
shohësh, të mrekullon jo vetëm e kaluara e ruajtur dhe e rinovuar me aq
përkushtim, por deshe s’deshe të del përpara krahasimi në mes të pushtuesit të
mirë, sikurse e kishin kroatët Austro-Hungarinë, që jo vetëm kishte ruajtur
trashëgiminë ilire e romake, por kishte ndërtuar objekte që mund t’ua kishe
lakmi. I rashë rreth e rrotull qytetit më shumë se dy herë, sepse në çdo hap
kishe çfarë të shihje nga e kaluara dhe nga ofertat e shumta turistike.
Pushtuesi i mirë, u la ndërtime monumentale, mure që e rrethonin qytetin, u la
trotuare e godina.
Nga
Poreçi kam kujtime të veçanta. Kur isha në vitin e katërt të studimeve,
bëmë ekskursion të organizuar me
studentët e Universitetit të Prishtinës, vizituam Jugosllavinë nga Nishi e Beogradi, deri në
Slloveni e Kroaci. Vizitonim burgjet. Bujtëm dy-tre net në Poreç, na pritën
jashtëzakonisht mirë, sepse edhe atëherë komuniteti shqiptar ishte i madh. Gati
nuk lamë skutë pa vizituar. Kur erdha 38 vjet më vonë me 17 shkurt 2017,
përpiqesha të shtrydhja kujtesën dhe të kapja imazhet e kaluara. Por se si me
rrëshqisnin pamjet, herë më dilte se me ndonjë shok ose shoqe kisha qëndruar
këtu buzw detit, herë pak më tutje. Më ngatërrohej çdo gjë, por një zë i butë
si jehonë e largët mi përkëdhelte veshët, nga malli mu mjegullua shikimi. Me kujtohet pastaj se
vazhduam drejt qytetit të Rijekës e Zarës. Unë u ndala në Zarë, ku e kisha
vëllain, Haxhiun, që studionte arkeologjinë, ndërsa autobusët me shokët më
prisnin në Split, 400 kilometra më në jug. Kur e pashë pas 40 vjetësh një foto
në grup, bërë në Poreç, sesi më dukej vetja me shokët: i ri, i hequr në fytyrë
e në shtat, madje si të ishim të paushqyer. Nga ajo kohë qyteti kishte
ndryshuar shumë, pjesën e re nuk e njihja, sepse ishte zbukuruar me komplekse
turistike si në përralla. Një natë e kalova në këtë kompleks përrallor.
Poreçi
është qytet turistik, ndër më të veçantit me një ndërtim karakteristik, ka
shumë objekte antike e të mesjetës, e ka murin rrethues që e mbronte qytetin
nga deti. Poreçi (Latin: Parens ose
Parentium)i ilirëve istrianë, është i vjetër më shumë se dy mijë vjet.
Ka një mori dëshmish antike, por përmendorja më e bukur është bazilika e shekullit V. Shqiptarët përbëjnë komunitet të madh.
Janë shumë të vyeshëm, thonë vendësit.
Ku
është çelësi i suksesit të shqiptarëve në Poreç, në Istër e në Kroaci, pyet
gazetari i portalit Istarski.hr, ndërsa argjendari shqiptar i përgjigjet: puna.
Kam punuar dikur deri në 20 orë që të kem sukses. Pastaj në kohën kur kroatët
ishin të kënaqur me një rrogë të sigurt të shtetit, shqiptarët nuk mund të
gjenin punë shteti, prandaj nisën me argjendari, ëmbëltore a ekonomi të vogël,
të pavarur nga shteti.
Në
këtë portal kroat (istarski.hr) më ra në sy vazhdimi i një shkrimi: “Anton
Oroshi (shqiptar nga Gjakova, i ardhur më 1961), ka një teori interesante për
lidhshmërinë e istrianëve dhe të shqiptarëve. Paraardhësit e shqiptarëve e të
istrianëve (histreve), ilirët, ishin popull shumë i afërt me gjuhë e kulturë të
ngjashme, kështu që edhe sot në dialektin istrian ekzistojnë shumë fjalë të
njëjta sikurse në gjuhën shqipe, si: katuni (katundi-fshati) ose pyetja çka
(ça), që edhe në gjuhën shqipe ka të njëjtin kuptim. Koka e dhisë në
përkrenaren e Skënderbeut është edhe simbol i Qarkut të Istrisë!”, thotë
argjendari Oroshi për portalin kroat.
Poreçi
i histrianëve dhe i shqiptarëve është i ngrohtë e mikpritës, është qytet që të
grish sa herë që largohesh nga ai. Gjithnjë ma kujton rininë time me shokët e
shoqet e studimeve që nuk i kam parë gati kurrë më.