Kerko: a
Gani Mehmetaj: Don Kishoti i Tiranës ia ofron Shqipërinë Serbisë!
E marte, 12.11.2019, 10:50 PM
Don Kishoti i Tiranës ia ofron Shqipërinë Serbisë!
Nga Gani Mehmetaj
Është
hera e dytë brenda tetëdhjetë vjetësh që zyrtarët shqiptarë bëjnë përpjekje ta
fusin Shqipërinë në Serbi. Një herë ishte Enver Hoxha ai që e luti Josip Broz
Titon ta pranonte Shqipërinë në Jugosllavi, përkatësisht në Serbi të zgjeruar, por rrethanat ndërkombëtare e
penguan këtë krim. Herën e dytë ishte Edi Rama, ai që shkoi jo një herë, por
katër herë në Beograd, Novi Sad, Nish e së fundi në Ohër që ta luste Vuçiqin ta
pranonte Shqipërinë në Serbi. E tërhoqën zvarrë edhe sllavin e Maqedonisë
Zaevin. A do ta pengoj dikush krimin për herë të dytë, apo këtu do të vuloset
fati i kombit tonë? Edhe kur Enver Hoxha
donte ta shkrinte Shqipërinë në Serbi, edhe kur nipi i tij Edi Rama po përpiqet
ta bënte të njëjtën gjë, e shpërfillen Dardaninë, madje shkelen mbi interesat e
bashkëkombësve të tyre, duke mos ua pranuar asnjë pavarësi vendimmarrje a
përfaqësimi. Për ta Dardania nuk ishte fare, Dardania u del para sysh kur duan
të shesin përralla patriotike për budallenj.
Enver
Hoxha kur ia kërkoi Titos bashkimin me Jugosllavinë shkeli mbi gjakun e 50.000
shqiptarëve të vrarë nga ushtria e policia e Josip Broz Titos. Edi Ram shkeli
mbi gjakun e 12.000 shqiptarëve të vrarë nga ushtria e policia e Milosheviqit
dhe trashëgimtarit të tij- Vuçqit, ashtu sikurse nuk i përfilli as 20.000 gra
të përdhunuara. Edhe në kohën e Enverit zyrtarët shqiptarë nuk reaguan,
nacionalistët e kreu i intelektualëve shqiptarë e paguan me kokë kundërshtimin
e tyre. Reagimi i shkrimtarëve dhe intelektualëve shqiptarë kësaj herë, kam
përshtypjen ( qofsha i gabuara) është i flashkët, ndërsa në kohën kur Enver
Hoxha po e mbërthente shtetin në diktaturë, intelektualët shqiptarë reaguan më
me vendosmëri. Dikur shkrimtari i madh Mitrush Kuteli, që ishte më i vendosuri
kundër shkrirjes së Shqipërisë në Serbi (Jugosllavi), gati e pagoi me kokë
kundërshtimin e tij, e varrosën të
gjallë, ishte rastësia që e shpëtoi nga vdekja.
Sot
kur takimet e kreu të shtetit shqiptar me kreun e shtetit serb për bashkimin
shqiptaro-serb janë intensifikuar, Dardania, shteti i dytë shqiptar është në
gjendje lufte me Serbinë. Rrjedhimisht
edhe shteti i parë shqiptar do të duhej të ishte në luftë me Serbinë.
Por ndodh e kundërta, shteti i parë shqiptar po kalon muajin e mjaltit me Serbinë.
Është
në rregull kjo diplomaci struci? Ç’ është ky nxitim i Don Kishotit të Tiranës,
që t’i kthejë rrjedhat shoqërore prapa? Kush qëndron pas tij? Lobi i fuqishëm
serb në Tiranë? Rusët e ri fuqizuar në shtetin shqiptar? Kush është Sanço Panço
e kush Dylqinja e Tobozës në këtë mes, sepse me Don Kishotin gjithnjë janë
Sanço Panço, Rosinanti dhe një gomar mbi gomar. Do të shkriheshim gazit me Don
Kishotin e Tiranës që i do aq shumë serbët , ashtu sikurse shkrihemi gazit sa
herë e lexojmë Doni Kishotin e Servantesin , sikur Don Kishoti i Tiranës të mos
bëhej i rrezikshëm për shtetin shqiptar, sikur të mos bëhej i pamëshirshëm për
interesat strategjike të shtetit të Dardanisë.
Por
ne i kemi fajet. I dha hapësirë e mundësi veprimi Don Kishotit të rrezikshëm
nga Tirana kasta jonë shtetërore diletante, e paarsimuara dhe e paaftë, me
dosje kriminale. I dhanë hapësirë zyrtarët qyqarë, që Don Kishoti nga Tirana i
ka në grusht, herë tallet me ta, herë i fyen, herë i kërcënon e pështyn.
Kështu,
shteti ynë i pa kokë ia çeli rrugën
diplomacisë së papërgjegjshme shqiptare që të na përfaqësoj pa na pyetur dhe pa
i përfillur interesat tona. I dhamë
hapësirë kryeministrit që e bëri Shqipërinë vazale të Turqisë, që e bëri jugun
poligon për shovinistët e tërbuar grekë, që e bëri rrëmujë shtetin shqiptar, që
e shkëputi Shqipërinë nga Evropa.
A
qëndron prapa kryeministrit të papërgjegjshëm edhe shteti shqiptar? Apo ai e ka
uzurpuar shtetin shqiptar? Kush e pengon
presidentin të reagoj ndaj një veprimi si të kohës së Enverit? Kush e pengon
opozitën shqiptare të jetë më e zëshme kundër shkrirjes së Shqipërisë në Serbi?
Pse nuk organizojnë demonstrata masive në Shqipëri e në Dardani për të mbrojtur
interesat kombëtare.